Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama në takimin me qytetarët që kanë marrë zgjidhje për problemet e tyre, duke iu drejtuar platformës së bashkëqeverisjes “Shqipëriaqëduam.al”

Shumë faleminderit që keni ardhur! Jemi për eventin e javës për platformën e bashkëqeverisjes në vazhdim të këmbënguljes tonë që përmes dëshmitarëve të ndërveprimit në këtë platformë, të mund të përcjellim te gjithë mesazhin e dobisë, shpejtësisë dhe pa diskutim edhe mundësisë së madhe që platforma i jep secilit për të zgjidhur në kohë rekord probleme, halle dhe çështje, që për 1001 arsye burokratike kanë mbetur pezull. Pa humbur kohë, po ftoj Flamurin për të prezantuar rastin e parë.

Flamuri, koordinator i platformës së bashkëqeverisjes: Rasti që do prezantoj sot i përket një qytetari me banim në zonën e ish-kënetës, Durrës. Pasi ishte pajisur me leje legalizimi, zonja Lako ishte paraqitur në shkurt të 2018 pranë ZVRPP Durrës për regjistrimin e lejes së legalizimit. Zyra vendore nuk e regjistronte, duke justifikuar që në hartë kishte mbivendosje me një objekt tjetër, por qytetarja insistonte se nuk kishte objekt tjetër, nuk kishte mbivendosje. Duke mos gjetur zgjidhje, e regjistron ankesën në platformën e bashkëqeverisjes. Pas disa ndërveprimesh me agjencinë e kadastrës, u bë verifikimi i hartës dhe u konstatua që harta kishte mangësi. Pasi u korrigjua, u bë dhe emetimi i certifikatës së pronësisë.

Zonja Fatime Lako: Përshëndetje! Kisha dëgjuar për platformën që e keni vënë në dispozicion për popullin dhe mendova që ta gjeja rrugëzgjidhjen time tek ju. Unë kam aplikuar për lejen e shtëpisë, në 2018 dhe shkoja tek bashkia, shkoja tek hipoteka, gjithmonë më kthenin mbrapsht, më thonin që është një mbivendosje. Kisha dëgjuar për platformën, thashë “pse të mos aplikoj?” Në rastin e parë që kam shkruar më kanë thënë që brenda 10 ditësh do ju kthejmë përgjigje dhe nuk zgjati shumë kohë, më dhanë një përgjigje konkrete të saktë, më thanë që ka dalë certifikata dhe në datën 7 maj unë jam pajisur me certifikatën e pronësisë. Falë jush, faleminderit që më keni dhënë këtë rrugë zgjidhje se unë nuk do e kisha certifikatën e shtëpisë sot. Gjëja tjetër që doja të thosha është se kam gjetur zgjidhje dhe për certifikatat pasi nuk është nevoja të shkoj tek gjendja civile. Thjesht aplikoj, marr certifikatën personale ose familjare dhe mbaroj punë shpejt. Faleminderit që na jepni këtë mundësi!

Kryeministri Edi Rama: Unë prapë do ta përsëris që edhe pse i mirëpres falënderimet, e vërteta është që nuk i meritoj. Ky është një ndryshim i madh që ndodh çdo ditë në jetën e qytetarëve që e përdorin platformën si rezultat i besimit që na kanë dhënë për ta qeverisur këtë vend dhe i përpjekjeve që bëjmë çdo ditë që ta ndryshojmë mënyrën e funksionimit të sistemit të administratës, të vetëdijshëm që ka ende plot probleme, ka ende shumë gjëra për të vënë në vend, pasi për shembull, çështja e dokumenteve të pronësisë është një çështje që lidhet me bazën e të dhënave, me hartat, me shumë e shumë probleme mbivendosjes që janë krijuar nga e shkuara dhe sigurisht dhe me një administratë, ku jo të gjithë janë të përgjegjshëm dhe jo të gjithë janë në dispozicion të vërtetë të qytetarëve. Flavia për rastin e dytë.

Flavia, koordinatore e platformës së bashkëqeverisjes: Përshëndetje të nderuar! Rasti që prezantoj është ai i zotit Florian Shehu, i cili iu drejtua platformës së bashkëqeverisjes për sa i përket procedurave për dërgimin për regjistrim të AMTP-së së tij. Dosja e zotërisë kalonte sa nga njësia administrative Farkë, në bashkinë Tiranë dhe rikthehej përsëri disa herë, duke mos mundësuar vijueshmërinë e rastit. Me trajtimin e ankesës në platformën e bashkëqeverisjes, më në fund, drejtoria e përgjithshme juridike e aseteve dhe licensimit pranë bashkisë Tiranë, bëri të mundur dërgimin e dosjes pranë ZVRPP-së për regjistrim.

Zoti Florian Shehu: Përshëndetje të gjithëve! Kisha pothuajse 30 vjet që bridhja nëpër zyra. Ishin në komunë, i nisnin në qark, qarku i kthente, e kështu me radhë. Kishte të paktën 2 muajt e fundit që katër herë e niste administrata, ja di për faleminderit personit që është administratori ynë, jo për faj të tij, por bashkia. Hera e fundit ishte ajo që unë e mblodha mendjen dhe thashë pse mos ta provoj. Ndihem shumë i gëzuar, kemi arritur deri në këtë pikë që faleminderit edhe ju, edhe platformës dhe u bëj thirrje të gjithë që të aplikojnë se si puna ime mund të ndihmojnë dhe të tjerë.

Kryeministri Edi Rama: Dy rastet e tjera do ti prezantojë Egesta.

Egesta, koordinatore e platformës së bashkëqeverisjes: Përshëndetje! Rasti në vijim është rasti i zonjës Kadrie Llanaj, e cila i është drejtuar platformës së bashkëqeverisjes, pasi nuk ka gjetur zgjidhje për pensionin e bashkëshortit të saj të ndjerë, të cilit që prej 2014 e deri në shkurt 2019 i është mbajtur 50% e masës së pensionit, si rezultat i një auditimi të ushtruar mbi ligjshmërinë e pensioneve të pleqërisë. Është konstatuar një gabim në vitin e lindjes së të ndjerit zotit Llanaj dhe për këtë çështja u ndoq dhe me zyrën e gjendjes civile dhe pas korrigjimit të të dhënave u bë e mundur kalimi i gjithë shumës së mbajtur në llogarinë e zonjës Kadrie Llanaj. Sot, në emër të saj ka ardhur zoti Arshi Llanaj, i cili ka shkruajtur ankesën në platformë dhe ka ndjekur ecurinë e saj.

Zoti Arshi Llanaj: Faleminderit! Kam dy gëzime në një ditë. Gëzimi i parë është që më jepet e drejta dhe mundësia që t’ju takoj juve dhe e dyta është zgjidhja e problemit. Kuptohet që u interesova pasi ishte djali i xhaxhait tim dhe ishte i moshuar dhe i pafuqishëm. Kur doli platforma mora më shumë fuqi dhe besim dhe shpresë dhe ajo u realizua falë platformës. Për 10 ditë u zgjidh, për 4 vjet jo.

Egesta, koordinatore e platformës së bashkëqeverisjes: Një tjetër qytetar që i ka besuar platformës së bashkëqeverisjes është dhe zoti Petro Shqevi, banues në bashkinë Vorë. Nëpërmjet ankesës së tij është konstatuar një gabim në llogaritjen e pensionit. Gabim i kryer gjatë zbatimit të vendimit të Këshillit të Ministrave të vitit 2016, për rillogaritjen e pensioneve dhe në këtë mënyrë u bë i mundur sistemimi i masës së pensionit dhe dhënia e gjithë diferencave që zotit Shqevi i takojnë sipas ligjit.

Zoti Petro Shqevi: Faleminderit dhe një herë! Unë kam 21 vjet që e kërkoj të drejtën time të pensionit. Në atë institutin atje, çdo vit, takohesha dhe më thonin” ik se nuk e fiton”. Kërkoja një të drejtë, 10 vjeçarin e fundit të daljes në pension. Ata nuk më dhanë, më dhanë atë që donin. Unë e mora vesh dhe fëmija më tha që bëj një kërkesë tek platforma se mund ta fitosh. Vajta në platformë, e kërkova, për 10 ditë më erdhi e drejta. Faleminderit shumë qeverisë! Ta mbrojmë, ta duam, të votojmë për qeverinë!

Kryeministri Edi Rama: Ulu dhe mirupafshim sepse këtu nuk jemi për vota, jemi për të treguar çdo ditë se si vota bën gjëra, se po mos ishte vota, ne nuk do ishim këtu. Po mos ishim ne këtu, 21 vjet ke bërë, dukesh i fortë, do jetosh dhe 25 vjet të tjera e prapë nuk do ta merrje dot. Më vjen shumë mirë që platforma i jep zgjidhje problemit të rillogaritjes së pensioneve, duke ju ardhur në ndihmë njerëzve që janë realisht njerëzit më të diskriminuar nga administrata për shkak se ju duken të dobët, pa përkrahje, pa mbështetje. Në fakt, falë platformës, sot çdo qytetar është fuqimisht i përkrahur drejtpërdrejtë nga qeveria dhe çdo pensionist apo pensioniste që ka problem me përllogaritjen e pensionit duhet të mos humbasë kohë por t’i drejtohet platformës sepse gjen zgjidhje, siç ishte dhe dëshmia që sapo dëgjuam pas 21 vitesh apo dëshmia tjetër për pensionin e bashkëshortit të ndjerë. Lediana për rastin e pestë.

Lediana, koordinatore e platformës së bashkëqeverisjes: Rasti që do prezantojmë ka të bëjë me punësimin e zotit Kujtim Muzhika. Zoti Kujtim Muzhika ka bërë disa përpjekje individuale për t’u punësuar në disa subjekte private, por nuk ka dhënë asnjë rezultat. Për këtë arsye ai iu drejtua platformës së bashkëqeverisjes, duke bërë një kërkesë për t’u punësuar si punëtor i thjeshtë. Shërbimi Kombëtar i Punësimit në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, nëpërmjet Zyrës së Punës në qytetin e Tiranës ka bërë të mundur ndërmjetësimin me subjektin privat ku ai është aktualisht i punësuar.

Kujtim Mëzhika: Përshëndetje! Mu dha mundësia dhe aplikova për punësimin. ju falënderoj shumë!

Kryeministri Edi Rama: Platforma bën edhe ndërmjetësime me zyrat e punës për të gjithë ata që kanë nevojë dhe janë të gatshëm të punojnë e nuk i bëjnë naze punës, duke kërkuar me çdo kusht punë në shtet sepse nuk është fare objekt i punës së platformës punësimi në shtet, por patjetër për punësimin në privat, koordinatorët janë në dispozicion të të gjithë atyre që duan një ndihmë për t’u adresuar tek zyrat përkatëse të punës dhe për të ndërmjetësuar gjithë procesin e punësimit.

Për sa i përket banesave sociale, dua të theksoj që janë përgjegjësi e bashkive. Janë bashkitë që kanë të gjithë përgjegjësinë dhe në bazë të buxheteve të tyre bëjnë planifikimet dhe pastaj janë këshillat bashkiakë që vendosin ndarjen e apartamenteve sociale, nuk është qeveria në këtë mes, por janë bashkitë. Juela për rastin tjetër.

Juela, koordinatore e platformës së bashkëqeverisjes: Përshëndetje! Ju prezantoj një tjetër rast të pensioneve, e trajtuar për zotin Safet Qose. Ai është ish ushtarak, prej 30 vitesh në shërbimin ushtarak, i cili gjithashtu adresoi çështjen e tij në platformën e bashkëqeverisjes sepse ishte përllogaritur gabim pensioni i tij. Instituti i sigurimeve shoqërore, shqyrtoi dosjen e tij të pensionit dhe llogariti saktë pensionin e tij, duke e dyfishuar atë. Ai gjithashtu përfiton dhe tepricën kreditore.

Zoti Safet Qose: Faleminderit! Unë që në ’92 që kam dalë në pension, kam pasur pretendime që nuk më është dhënë tamam shuma e pensionit. Me mendimin se do rregullohet, po shikoja që vartësi im merrte dyfishin tim, por si pa pretendime që kemi qenë, nuk kemi bërë zhurmë. Me t’u hapur porta, – se mund ta quaj një portë të madhe komunikimi me shtetin tonë që është një avantazh i jashtëzakonshëm, vetëm ne duhet të dimë ta përdorim, – u drejtova dhe kisha një problem që nuk po i jepja drejtim. Thirra fëmijët, kisha një gabim të vogël tek emri i babait, mu korrigjua kjo, u futa menjëherë dhe kërkesa ime u zgjidh. Llogarit, një masë e madhe hallesh që ka te njerëzit dhe kjo platformë, nëse ne do ta përdorim mirë, se kam parë që edhe luftohet, kam parë që edhe shahet, por në fakt, mund të quajmë gojë të këqija sepse ajo po zgjidh hallet e njerëzve dhe unë falenderoj platformën, por kryeministrin në radhë të parë që është iniciatori i këtyre problemeve sepse e shoh që qëndron më afër, me këmbë në tokë, këto probleme gradualisht zgjidhen. Duhet durim, të mësojmë dhe ligjet dhe të drejtat tona. Faleminderit shumë!

Kryeministri Edi Rama: Respekte! Zoti Safet ka përfituar jo vetëm dyfishimin e pensionit, por edhe të gjithë tepricën kreditore, pra të gjitha paratë që nuk i ka marrë gjatë gjithë këtyre viteve dhe në një farë mënyre është një shpërblim i gjithë atij mundimi dhe gjithë asaj pritjes nuk janë pak lekë me sa shoh, janë mbledhur në 30 vjet me sa shoh. Është një shumë e konsiderueshme që e merr të gjithë përnjëherë pavarësisht se do kishte qenë mirë ta kishe marrë atëherë kur duhet, por më mirë kështu se sa hiç fare. Ernesti për të prezantuar rastin e fundit.

Ernesti, koordinator i platformës së bashkëqeverisjes: Përshëndetje të pranishëm! Zonja Erini Kace, banore e qytetit të Pogradecit, e cila posedonte një vendim gjyqësor të formës së prerë, nuk arrinte dot të shfrytëzonte pronën e familjes së saj, si pasojë e një ndërtimi pa leje të kryer në këtë pronë. Instancat përkatëse kishin kryer njoftimet për prishje vullnetare, por pa rezultat. Me marrjen e kësaj ankese, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së territorit, pasi kreu të gjitha verifikimet në terren, në përputhje me procedurat dhe me afatet ligjore, në datën 10.05.2019 mori masën administrative gjobë ndaj personit që kishte kryer këtë ndërtim, si dhe kreu prishjen e këtij objekti.

Zonja Erini Kace: Përshëndetje të gjithëve! Një mirënjohje të pafundme për iniciativën që keni realizuar që t’i jepni çdo qytetari këtë fuqi ndërmjet këtij komunikimi për të zgjidhur raste konkrete. Unë edhe pse juriste, edhe pse e kisha në aspektin juridik, të zgjidhur çështjen, me një vendim të formës së prerë, u hasa me institucione përkatëse për sa i përket kryeinspektoratit të pushtetit lokal në Pogradec, për sa i përket ndërtimit informal sepse ishte ndërtuar në tokë shtet dhe ishte e vetmja hyrje që më pengonte, që ishte ndërtuar ky objekt dhe më pengonte të gëzoja pronën. Prona është marrë pas 26 vitesh, posedimi të paligjshëm, nga posedues të paligjshëm, edhe pse me një vendim të formës së prerë, edhe pse me një ekzekutim të detyrueshëm përmbarimor, prona realisht nuk u gëzua. Mbas 3 muajsh, pushteti lokal i Pogradecit, zyra e kryeinspektoratit u tregua shumë pasiv. Vetëm ndërmjet ndërhyrjes së ministrisë përkatëse, për sa i përket ndërmjet institucioneve përkatëse, sipas ndërhyrjes së bashkëqeverisjes, sipas koordinatorëve përkatës, u zgjidh dhe më në fund ky ndërtim informal jofunksional bëri që të gëzoj unë dhe familja ime këtë të drejtë të pronësisë. Mirënjohje të pafundme. Ju faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Më vjen shumë keq kur dëgjoj histori të tilla sepse janë stërmundime për një familje apo për një qytetar, por sidoqoftë më vjen gjithashtu shumë mirë që kemi gjetur këtë instrument komunikimi të drejtpërdrejtë dhe prandaj ju them të gjithë qytetarëve, mos ngurroni, 3 minuta maksimumi, klikoni tek Shqipëria që Duam, shtroni problemin tuaj dhe brenda 10 ditësh ju merrni përgjigje nëse ju takon përgjigja. Ashtu sikundër, nëse pastaj duhet të bëhen bashkë siç ka qenë rasti i zonjës, për të përballuar një strukturë të caktuar si kryeinspektorati përkatës në bashkinë Pogradec që nuk do t’ja dijë për qytetarët, përsëri ne jemi aty, jemi në krah, jemi me ju deri në fund. Kështu që përdorni platformën. E tha njëri nga parafolësit, platforma përqeshet, shahet, të gjitha këto thjesht e bëjnë edhe më të vendosur punën tonë dhe na marrin të keqen në fund të ditës, siç të gjithë mund ta shohin, këtu jemi, këtu do jemi në shërbim të qytetarëve.

Shumë faleminderit që morët mundimin!

E vlerësoj shumë realisht, ju jam shumë mirënjohës për të gjithë ata që kanë kaluar gjithë ato peripeci, zgjidhin hallin e tyre, por vijnë këtu për të na ndihmuar ne, se kjo është një ndihmë e madhe për ne, se nëpërmjet zërit tuaj, nëpërmjet dëshmisë suaj të drejtpërdrejtë, njerëzit dëgjojnë një si ata dhe nuk ndihen më të pafuqishëm, por kuptojnë që njësoj si ju, njësoj si gjithë dëshmitarët që vijnë këtu, mundet menjëherë të na kenë në krah nëse duan, me një sinjal. Gjithë kjo skuadër që është këtu është 24 orë në 7 ditë të javës në dispozicion mbrapa asaj faqes online që del në ekranin e kompjuterit, qëndron gjithë ky ekip që bën të pamundurën për të ndihmuar këdo, duke ndërmjetësuar me të gjitha institucionet dhe çdo çështje trajtohet drejtpërdrejtë nga ministrat përkatës.

 Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.