Shqipëria Jugore: Zbulimi që po magjeps botën
11 Qershor 2025
Riviera Shqiptare po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve të huaj në mbarë botën falë bukurive natyrore dhe çmimeve konkurruese. Por teksa turizmi masiv dhe investimet ndërkombëtare po prekin disa zona, pjesa jugore e vendit mbetet një alternativë autentike dhe larg zhurmës, duke ofruar një përvojë unike për vizitorët që kërkojnë diçka më shumë se pushime standarde.
Sipas një artikulli të fundit të publikuar nga gazeta britanike The Times nga gazetarja Laura Sanders turizmi në jug të Shqipërisë po i ofron turistëve një destinacion të ri drejt aventurës, trashëgimisë kulturore dhe jetës tradicionale.
Akomodimi në bujtina familjare në fshatra si Qeparo etj, mëngjeset tradicionale dhe ushqimet e përgatitura me produkte vendase po tërheqin gjithnjë e më shumë udhëtarë nga Britania dhe vende të tjera europiane.
Në Gjirokastër, qytetin e UNESCO-s, turistët kanë mundësi të përjetojnë historinë përmes kalldrëmeve, pazareve tradicionale dhe fortesës shekullore. Ndërkohë, çmimet mbeten të arsyeshme, duke e bërë qytetin një atraksion tërheqës edhe në sezonin e lartë. Ndërsa zonat malore si Zagoria ofrojnë ndalesa autentike, ku mund të vizitoni kisha të shekullit XII me afreske të ruajtura dhe bujtina tradicionale me kuzhinë lokale, të gjitha në mes të një natyre të virgjër, shkruhet në artikullin e të përditshmes britanike.
Lugina e Vjosës, e konsideruar si një nga lumenjtë e fundit të egër në Europë, po tërheq turistët me potencialin e saj për rafting, kamping dhe qëndrime në bujtina historike të restauruara me kujdes nga banorët lokalë.
Në artikull një rëndësi e veçantë i kushtohet edhe Liqenit të Ohrit, në zonën e Linit dhe Pogradecit, i cili po ofron një përvojë të papërlyer nga turizmi komercial; aktivitete si kayaking, çiklizëm përgjatë liqenit dhe ndërveprim me komunitetin vendas janë ndër atraksionet që po i japin zonës një emër të mirë në tregun ndërkombëtar.
https://www.thetimes.com/article/0c92bc4e-6dc6-4d6a-b7a7-6ee9f9a021f3