Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në kuadër të edicionit të 25-të të konferencës ndërkombëtare Walk21, kryeqyteti shqiptar është mikpritës i ekspertëve dhe liderëve nga 54 vende të botës, të cilët po shqyrtojnë mënyrat më të mira për të zhvilluar dhe zbatuar politika që e bëjnë ecjen zgjedhjen e përditshme të jetës urbane. Në fokus janë krijimi i rrugëve dhe hapësirave publike që i ofrojnë komunitetit mundësinë të shijojnë kohën e tyre në kushte të sigurta dhe të përshtatshme.

***

Fjala përshëndetëse e Kryeministrit Edi Rama: Faleminderit shumë!

Është kënaqësi e vërtetë të numërosh 54 shtete në këtë sallë të vogël dhe t’i uroj mirëseardhjen në këtë qytet që 54 vjet më parë ishte një vend krejt i ndryshëm, ku nuk lejohej asnjë makinë private, ku numri i përgjithshëm i makinave që qarkullonin ishte rreth 5000 në të gjithë vendin. Ku numri i turistëve që vizitonin vendin ishte mesatarisht 2000 në vit. Ndërkohë që këtë vit ne do të shkojmë përtej 12 milionëshit.

Sot ndërkohë kemi një sfidë të madhe sepse ajo çfarë morëm si rezultat i pak a shumë 50 viteve jetese në atë hapësirë të madhe ku ecja ishte mënyra e parë e më e besueshme për tu lidhur me të tjerët, ku biçikletat ishin mënyra e dytë më e mirë për tu lidhur me të tjerët, ku transporti publik ishte mënyra e tretë dhe e fundit.

Pas rënies së atij sistemi, njerëzit e panë hapësirën publike si hapësirë për tu zënë, hapësirë për u privatizuar. Në gjithë atë periudhë dëshirash individuale të shtypura të cilat lulëzuan dhe dolën në sipërfaqe duke zënë të gjitha hapësirat publike, duke ndërtuar në mënyrë të paligjshme kudo ku ishte e mundur dhe duke eliminuar praktikisht çdo hapësirë të gjelbër që shihni sot.

Pikërisht kështu, përveç liqenit që ishte, që vazhdonte të ishte dhe përveç shumicës së pemëve që ishin aty, ajo çfarë shohim sot nuk ishte më. Çdo metër katror gjelbërim u mbulua e u varros nën mijëra e mijëra ndërtesa të paligjshme. Lumi që kalon përmes qytetit nuk ishte më i dukshëm sepse të dyja anët e lumit ishin të zëna me vija kaq të gjata ndërtesash dhe 90 % fjalë për fjalë jo metaforikisht, 90% e pemëve që shihni sot në rrugët e qytetit nuk ishin.

Kur u bëra kryetar bashkie në vitin 2000 na u desh të merrnim mbrapsht qytetin tonë, duke shembur më shumë se 10 mijë ndërtesa. Vetëm nga lumi hoqëm 132 mijë ton betoni që ishin rrënoja nga shembjet. Gjatë atyre viteve mbollëm 55 mijë pemë, që sot janë të kudogjendura.

Megjithatë dhe pse bëmë shumë për tu ri sjellë njerëzve hapësirë ku ata të shijonin të ecurin, ecja nëpër qytet u bë gjithmonë e më e vështirë. Mendoj që çdo minutë që mund të marrim për të ngadalësuar hapin, në çdo metër që do mund të përfitojmë për këmbësorët është një sukses për tu festuar sepse është një mënyrë për të ndihmuar njerëzit tanë, por për aq kohë sa jemi ende të vetëdijshëm për sfidat e për atë që duhet të bëjmë, atëherë na duhet të luftojmë. Kjo është arsyeja pse kemi çelur së fundmi një kapitull për ta luftuar këtë gjë. Nuk e kemi më problemin e ndërtimeve të paligjshme të cilat lidhen me betonin apo me katet apo hapësirat publike në qytet, por na duhet që të luftojmë ditë për ditë edhe ndërkohë që flasim për të hequr të ashtuquajturat struktura të përkohshme të cilat në fakt kanë zënë trotuaret, hapësirat publike për të vendosur tavolina pafund, karrige, për të ofruar ekspres pas ekspresi. E di që kemi ekspresin më të mirë jashtë Romës, por nuk është një justifikim plotësisht i mirë për të vazhduar dhe për të zënë e pushtuar hapësira publike thjeshtë për të ofruar ekspres. Kështu që çdo ditë po marrim mbrapsht hapësirat dhe duam që të shtojmë edhe më shumë pemë dhe gjelbërim në qytet për të cilat tashmë kemi një rregullore të re që gjithkush që merr një leje ndërtimi duhet të kontribuojë në fondin e gjelbër me një numër të caktuar pemësh përmes një formule e cila e përllogarit në bazë të metrave katrorë që ai ose ajo do të ndërtojë.

Jam super i lumtur të ndaj po ashtu me ju lajmin shumë të mirë për ne, që kemi arritur të marrim një hapësirë në agjendën mjaft të zënë të një gjeniu, nuk e di sa e njihni Salvador Rueda i cili është person i cili ka bërë super blloqet në Barcelonë, që kanë sjellë dhe vazhdojnë të sjellin një ndryshim të jashtëzakonshëm në qytet duke krijuar shumë më tepër hapësirë për njerëzit që ecin dhe duke i detyruar makinat që kalojnë, ato super blloqe të ecin me një shpejtësi shumë të ulët. Është një formulë e jashtëzakonshme e mjaft e bukur që ka kaq shumë rezultate pozitive, qoftë për kujdesin shëndetësor, mbrojtjen nga infarktet për të moshuarit për shkak të ngrohjes apo të ekspozimit për një kohë shumë të gjatë në diell në rrethana ku qarkullimi është i papërballueshëm apo trafiku është i papërballueshëm. Kujdesi për azmën dhe kështu me radhë. Për të mos folur pastaj për ndikimin shumë pozitiv sa i takon jetës në komunitet, ndikim i jashtëzakonshëm. Kështu që ne do ta provojmë, do të përpiqemi që të fusim më shumë prej kësaj në qytetet tona, në kryeqytetin tonë.

Shpresoj shumë që nga njëra anë të kemi ndërtesa të jashtëzakonshme falë arkitekteve të shkëlqyer që punojnë më shumë me peizazhin që sjell natyrë dhe pemë në qytet. Shpresoj që do ta shijoni konferencën në këtë sallë që është e errët, por pa harruar të dilni jashtë dhe të shijoni qytetin i cili po ju pret, me ekspresin më të mirë, me ushqimin e vet të jashtëzakonshëm dhe me mikpritjen e vet unike.

Faleminderit shumë!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.