Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama sëbashku me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, morën pjesë sot në Konferencën Ndërkombëtare mbi Shkencat e Jetës dhe Bujqësinë, organizuar në ambientet e Universitetit Bujqësor të Tiranës. Konferenca me ekspertë nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës, kishte në fokus bashkëpunimin shkencor për zhvillimin e një bujqësie të qëndrueshme, që respekton natyrën dhe fuqizon ekonominë rurale.

Në fjalën e tij, Kryeministri Rama vlerësoi transformimin e Universitetit Bujqësor në një institucion modern, që po ndërton ura bashkëpunimi ndërkombëtar me universitete si BOKU i Vjenës, duke e shndërruar atë në një qendër ekselence dhe inovacioni në rajon. Ai theksoi rëndësinë e investimit në dijen shkencore, si kusht për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë si dhe ruajtjen e burimeve natyrore të vendit.

***

 

Fjala e Kryeministrit Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve dhe mirëseardhje të gjithë miqve të ftuar nga jashtë për të marrë pjesë në këtë konferencë, e cila është mjaft kuptimplotë për faktin se zhvillohet në një atmosferë transformimi të Universitetit Bujqësor të Tiranës.

Nuk dua të përsëris fjalë që u thanë dhe as t’ju mbaj gjatë me fjalën time. Dua vetëm të kthehem një çast në një moment retrospektiv për të prekur pastaj sa më shkurt disa pika të rëndësishme për sot dhe për nesër.

Momenti retrospektiv është momenti kur rektori i Universitetit më është drejtuar me një sens urgjence dhe paniku do thosha për shkak të rënies së numrit të studentëve dhe domosdoshmërisë për të mundësuar që Universiteti të mos mbetej pa studentë dhe praktikisht më ka kërkuar që të mbështesë idenë e uljes së mëtejshme të mesatares së pranimit në këtë Universitet. Pra faktikisht të shkonim në një drejtim që do të sillte mbase në këtë territor kaq të rëndësishëm për zhvillimin e vendit më shumë njerëz, por që do të komprometonte totalisht cilësinë e burimeve njerëzore në dispozicion të zhvillimit të vendit në një sektor jetik si bujqësia dhe në një fushë kaq komplekse sa zhvillimi rural.

Unë i thashë rektorit që ne duhet të shkojmë në të kundërtën, duhet të synojmë që t’i japim universitetit markën e ekselencës dhe ta bëjmë tërheqës duke i frymëzuar vajzat dhe djemtë që duan të hapin perspektiven e arsimit të lartë për veten e tyre, përmes një mundësie të re, një mundësie që tu japë atyre forcën e dijes për të qenë të nevojshëm për vendin, por për të qenë të nevojshëm për kudo tjetër që ata do duan të provojnë veten.

Dhe kështu lindi ideja për të shkuar së bashku me ministren në atë kohë dhe me zëvendës rektoren dhe një grup si një delegacion në dyert e Universiteti BOKU, ku njohëm të ditë lindurin e sotëm Hubertin që jemi në garë me Bardhin se kush e do më shumë sepse para mbledhjes e lamë që lulet do t’ia jepja unë, por Bardhi duke qenë se foli para meje përfitoi nga radha për t’ia dhënë lulet vet. Dhe e kujtoj gjithmonë atë moment sepse realisht Huberti ishte i tronditur dhe pak i zverdhur në portret duke parë kryeministrin e një vendi së bashku me rektorin e Universitetit Bujqësor që i mësynin në derë dhe siç tha vetë, i pari kryeministër që vjen në derë të universitetit mbas 100 e ca vitesh jetë të universitetit a më shumë se 100 e ca dhe për me tepër pastaj kryeministri i Shqipërisë me një grup shqiptarësh të njohur përgjithësisht si emigrantë që mund të kërkonin dhe azil politik në Universitetin e Vjenës. Dhe kështu filloi bashkëpunimi që sot ka sjellë një situatë optimizmi, që sot që është vetëm fillimi, ka rezultuar me 20% plus studentë në universitetin Bujqësor por jo studentë me mesatare të ulur për t’i sjellë, por studentë që kanë trokitur në dyert e universitetit sepse ky universitet ka çelur një perspektivë të re për vajzat dhe djemtë e sotëm dhe ka krijuar premisat për ta parë të nesërmen në këtë fushë që pavarësisht të gjitha zhvillimeve të jashtëzakonshme teknologjike dhe pavarësisht profesioneve deri sot të lakmuara, faktikisht do të jetë gjithnjë e më shumë një fushë kaq jetike sa vlerësimi për njerëzit që do të punojnë në këtë fushë do të vijë vetëm duke u rritur edhe në aspektin financiar. Çështjet e mëdha që trajton fusha që mbulon me programet e veta Universiteti Bujqësor në aleancë me BOKU-n e Vjenës që pasqyrohen edhe në emërtesat që i pamë të renditura këtu, janë çështje të mbijetesës së popujve në ndërkohë që ndryshimet e klimës, nevoja për të administruar në mënyrë inteligjente burimet natyrore e kështu me radhë bëhen gjithmonë e më të mprehta e gjithmonë e më sfiduese.

Çështja e sovranitetit ushqimor dhe çështja e garantimit të ushqimit pikërisht në kushtet e këtyre ndryshimeve që po marrin përmasa gjithnjë e më katostrofike apo çështja e mbrojtjes dhe ripërtëritjes së burimeve, marrë parasysh zjarret për shembull janë të gjitha pjesë e një tematike të gjerë që i bën njerëzit e specializuar të kësaj fushe, asete shumë të vyera dhe gjithmonë e më të vlefshme në kohë. Dhe fakti që Universiteti Bujqësor sot ka arritur që të realizojë nën drejtimin e urtë dhe të mençur të Hubertit së bashku me rektorin dhe grupin e tij një reformë që i vlen jo thjeshtë Universitetit Bujqësor, por që hap një dritare për të gjithë botën tonë universitare është shumë kuptimplotë në vetvete.

Më vjen jashtëzakonisht mirë që nga një Universitet i cili jetonte në një proces rrënimi të vazhdueshëm si rezultat i kthimit të kurrizit ndaj temave që ky universitet mbulon dhe që në fillim të bashkëpunimit tonë ishte dhe i sulmuar dhe i kapur për fyti realisht nga një rrjet i tërë metastazash këtu brenda të kancerit të ndërtimtarisë pa leje, sot është kthyer në një pararojë. Një pararojë e transformimit, një pararojë e ambicies për Shqipërinë e të nesërmes, një pararojë e përgjegjshmërisë së lartë përpara brezit të atyre që trokasin në dyert e universiteteve tona për tu bërë specialitet e së nesërmes dhe padyshim që këtu ka një meritë të veçantë jo vetëm lidershipi universitetit. – Nuk ma kishte ngrënë mendja që do të vinte dita që unë do të lavdëroja kaq shumë sa herë që më bie rasti një demokrat, por kam kuptuar që kur demokratët nuk kanë flokë e kam më të lehtë që të gjej aleancë me ta, – dhe vetë trupa e pedagogëve që e ka mbështetur këtë proces reformimi, pa ndonjë konflikt, si konfliktet që zakonisht i shoqërojnë këto procese dhe që e kanë përqafuar këtë moment të ri progresi.

Kështu që duke qenë besim plotë që ky fillim kaq i mbarë faktikisht është një garanci për një rrugë që do të shtrohet hap pas hapi me kontributin e të gjithëve dhe që do të çojë në ditën e bekuar të njehsimit të plotë të Universitetit Bujqësor të Tiranës me Universitetin BOKU të Vjenës nga ku do të dalin diploma të njehsuara dhe që do ta bëjnë këtë universitet siç e kemi në vizionin tonë të përbashkët socialist dhe demokratik me Bardhin, një universitet rajonal me studentë jo vetëm nga vendi, por nga gjithë rajoni kam po ashtu bindjen që ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, i cili pavarësisht se vjen nga një realitet pak i njohur dhe pak i mbështetur, po themi mediatikisht, është në këtë detyrë si rezultat i shumë përpjekjeve inovative që ka bërë, duke bashkëpunuar me fermerët, duke u përfshirë në problematikat e zhvillimit rural. Jo më larg se sa këto ditë jemi duke diskutuar një propozim të tij për trajtimin e ujërave të ndotura, ujërave të zeza me element mikrobiologjik, gjë që e ka bërë në Cërrik me sukses për një sërë kopshtesh dhe shkollash. Do të jetë një partner i vyer i universitetit, ashtu si kundër universiteti, do të jetë një partner i vyer i qeverisë përmes Ministrisë së Bujqësisë.

Dhe e fundit që kam është se pak kohë më parë ne kërkuam ndihmën e Universitetit Bujqësor për të bërë një testim të kapaciteteve të Agjencisë Kombëtare të Ushqimit dhe ishte një eksperiencë jo vetëm shumë e dobishme dhe kemi marrë nga grupi i angazhuar këtu një raport shumë cilësor, por një eksperiencë që na ka dhënë idenë që ta strukturojmë si një eksperiencë të shtrirë me botën akademike për të bërë vlerësimet profesionale të të gjithë inspektorateve të vendit tonë, duke krijuar një aleancë që do t’i hapi rrugë profesionistëve që do të duan të përfshihen në këto inspektorate sipas meritës dhe nga ana tjetër do t’i mbyllin rrugën atyre që i kanë gjetur mënyrat për t’u futur në këto inspektorate pa integritetin e duhur profesional dhe për t’u bërë jo pjesë e zgjidhjes që inspektoratet duhet të garantojnë, por pjesë e problemit që ne kemi me inspektoratet.

Kështu që edhe këtu dua të falënderoj të gjithë ata pedagogë që janë përfshirë në këtë proces dhe dua të ftoj të gjithë ata studentë që do të kishin dëshirë të përfshiheshin nesër në këto inspektoriate apo ata që kanë mbaruar Universitetin Bujqësor dhe që dëshirojnë të kontribuojnë në Agjencinë Kombëtare të Ushqimit, që të guxojnë. Të guxojnë dhe të aplikojnë kur të hapet procesi i aplikimeve të reja ku përsëri ne do të shfrytëzojmë universitetin për të bërë vlerësimet e atyre që do të merren në punë, duke shmangur maksimalisht ndikimet e natyrave të tjera.

Tani, sipas zakonit, duhet të falënderojmë me patjetër edhe partnerët këtu të pranishëm përmes ambasadorit të Republikës Federale të Gjermanisë dhe ambasadores Austriake, e cila kupton edhe shqip, megjithëse mban ato kufje dhe patjetër, edhe një herë, të gjithë ata që morën rrugën për të ardhur deri këtu.

Ndërkohë, një falënderim shumë të posaçëm duhet t’i bëjë kryetarit të Akademisë së Shkencave, profesor Skënder Gjinushit, i cili i ka dhënë Akademisë një frymë të re dhe ka provuar edhe një herë tjetër që “vera e vjetër”, kur është e mirë, e mirëmbajtur, është e pakonkurueshme dhe dua të inkurajoj që universiteti dhe universitetet të punojnë sa më ngushtë me Akademinë e Shkencave.

Shumë faleminderit, bëra të gjitha përpjekjet e mia për të bërë një fjalim të shkurtër, nuk doli aq i shkurtër, po prapë më i shkurtër se sa zakonisht, në respekt të kohës tuaj dhe në respekt të të gjithë temave që keni marrë përsipër të trajtoni në këtë konferencë ndërkombëtare kaq kuptimplotë dhe kaq frymëzuese, kur mendon se zhvillohet në një vend si ky, ku deri jo shumë vite më parë sundonte vetëm pesimizmi dhe shtyhej dita, sepse nuk e dihej çdo sillte viti. Ndërkohë që sot e dimë shumë mirë se ç’do sjellë Shqipëria 2030 për të gjithë pedagogët e studentët e këtij universiteti dhe falë këtij universitetit, edhe për bujqësinë dhe dinamikën e zhvillimit rural në tërësi.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.