Raporti i Progresit 2025 për Shqipërinë i Komisionit Europian iu dorëzua sot Kryeministri Rama nga Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian, Silvio Gonzato, gjatë një konference të përbashkët për shtyp.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Mirëdita! Sot është një ditë kaq e veçantë, saqë pavarësisht se ne, pala jonë jemi zot shtëpie këtu, sot i pari duhet të flas i zoti i shtëpisë së madhe të Europës dhe pastaj do të them dhe unë disa fjalë lidhur me daljen e Progres raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë. Ambasador, keni fjalën sepse sot sovraniteti i plotë i këtij vendi është tashmë në duart tuaja.
Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian, Silvio Gonzato: Në rregull, atëherë më lejoni të bëj së pari, atë gjë për të cilën kam ardhur, t’ju dorëzoj Raportin e zgjerimit dhe raportin vjetor për Shqipërinë.
Kryeministri Edi Rama: Dhe tashmë do na shpjegoni se çfarë mund të gjemë në këtë raport.
Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian, Silvio Gonzato: Pikërisht atë do bëj. Atëherë më lejoni që së pari të them se dje Komisioni Europian miratoi paketën e zgjerimit për vitin 2025, e cila përfshin dhe raportin vjetor për Shqipërinë dhe kjo ishte paketa e parë e Komisionit të ri. Sapo i dorëzova Raportin, Kryeministrit të Shqipërisë. Sot, më vonë, unë do takohem me Ministren për Europën dhe Punët e Jashtme për të diskutuar Raportin, ndërsa më vonë gjatë javës do të zhvilloj takime dhe me përfaqësues të bizneseve dhe të organizatave të shoqërisë civile. Sa më parë që të jetë e mundur do t’ia dorëzoj Raportin, Kryetarit të Kuvendit dhe do ta paraqes atë tek kryetarët e të gjitha komisioneve parlamentare dhe drejtuesit e grupeve parlamentare. Më pas, pasi të jetë kthyer në Shqipëri, Presidenti, do t’ia dorëzoj Raportin edhe Presidentit të Shqipërisë.
Raporti i këtij viti publikohet në një moment shumë të rëndësishëm për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. 5 nga 6 grup kapitujt negociues tashmë janë hapur dhe po punohet për hapjen e grup kapitullit të fundit. E gjithë kjo është arritur me një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe dëshiroj të përgëzoj autoritetet shqiptare për këtë rezultat të shkëlqyer.
Tani duhet të shfrytëzojmë këtë mundësi unike në procesin e negociatave të anëtarësimit pasi po hyjmë në një fazë vendimtare. Është një fazë ku në fakt do testohet vullneti dhe aftësia e Shqipërisë për t’u përafruar me standardet dhe legjislacionin e BE-së.
Paralelisht, Shqipëria ka bërë përparim të ndjeshëm në zbatimin e agjendës të reformave dhe të rritjes në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, duke përmbushur 21 masa reformuese ndërmjet dhjetor 2024 dhe qershor 2025, një rezultat i shkëlqyer që bëri që Komisioni Europian të disbursojë 99.3 milionë euro për Shqipërinë, një tregues i prekshëm i angazhimit të BE-së për të stimuluar më tej ritmin e reformave të shpejta në Shqipërisë sepse siç konfirmoi dhe Presidentja von der Leyen gjatë vizitës së saj të fundit në Tiranë, kjo është dhe arsyeja se pse ne jemi këtu, Komisioni Europian është gati të mbështesë Shqipërinë në çdo hap të rrugës së saj drejt realizimit të synimit ambicioz për mbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027.
Për të përmbushur këtë objektiv ambicioz, Shqipëria duhet, jo vetëm të ruajë, por dhe të përshpejtojë ritmin e reformave. Prioritet i menjëhershëm për të arritur përparim të mëtejshëm për negociata është përmbushja e atyre që quhen piketa të ndërmjetme, që janë hapa konkretë që shtetet anëtare i kanë përcaktuar si kërkesa themelore që çdo vend aspirant duhet të plotësojë.
Këto piketa konsiderohen aq të rëndësishme, sa pa përmbushjen e tyre nuk mund të mbyllet as provizorisht asnjë kapitull tjetër.
Pra, raporti i vitit 2025 për Shqipërinë i publikuar dje është faktik dhe gjithëpërfshirës. Ne shpresojmë që gjithë forcat politike, aktorët e shoqërisë civile dhe biznesit, mediat si edhe qytetarët në përgjithësi do ta konsultojnë këtë raport, do ta lexojnë atë pasi jep një vlerësim të drejtë për ecurinë e vendit, vlerëson arritjet dhe jep merita aty ku meritohen, por në të njëjtën kohë thekson fushat ku ka ngecje apo Shqipëria nuk po ecën përpara. Raporti ndjek të njëjtën strukturë dhe format si ai i vitit të kaluar. Periudha e raportimit mbulon 1 shtator 2024 deri në 1 shtator 2025 me zhvillime shumë të rëndësishme dhe për përtej kësaj date, të cilat janë pjese e raportit.
Natyrisht që gjetjet e këtij raporti nuk duhet të jenë surprizë, pasi ato pasqyrojnë përparësitë dhe sfidat që ne i kemi diskutuar rregullisht gjatë gjithë vitit. Atëherë ku ndodhemi tani? Më lejoni të them që në përgjithësi raporti i zgjerimit për Shqipërinë për vitin 2025 është pozitiv, raporti konfirmon angazhimin e fortë politik të Shqipërisë ndaj synimit strategjik të integrimit në BE si përparësia apo prioriteti kombëtar.
Raporti vlerëson nivelin e lartë të dëshirës dhe ambicies për të ecur përpara negociata, që vazhdon të jetë ruajtur në një nivel të njëjtë, por gjithashtu kujton se dinamika aktuale duhet të përkthehet në reforma më të shpejta në përputhje me standardet e BE-së.
Raporti vëren gjithashtu faktin se Shqipëria ka vazhduar të jetë në përputhje të plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së, një sinjal i fortë i rolit të Shqipërisë si partnere e besueshme në një kontekst gjeopolitik sfidues.
Në lidhje me kriteret politike, Raporti vlerëson se funksionimi i institucioneve demokratike është sfiduar pjesërisht, kryesisht për shkak të dinamikave si polarizimi i thellë politik, nevojës për reforme gjithëpërfshirëse zgjedhore, moszbatimit të disa vendimeve të gjykatës Kushtetuese nga parlamenti, mbikëqyrjes së kufizuar parlamentare ndaj ekzekutivit dhe mungesës së konsultimeve domethënëse publike.
Sa u përket zgjedhjeve, Raporti citon gjetjet e misionit vëzhgues të OSBE-ODIHR, duke theksuar se zgjedhjet ishin konkurruese dhe të administruara në mënyrë profesionale, por u shënjuan nga mangësi të konsiderueshme përfshirë abuzimin me burimet publike që çojnë në mungesën e barazisë në garë, por më lejoni të them gjithashtu që në këtë aspekt dëshiroj të përshëndes krijimin së fundi të komisionit të përbashkët parlamentar për reformën zgjedhore.
Ne besojmë se puna e këtij komisioni do të jetë gjithëpërfshirëse, transparente dhe efektive në arritjen e një reforme të plotë zgjedhore.
Raporti thekson gjithashtu se në lidhje me funksionimin e gjyqësorit Shqipëria gjendet ndërmjet një niveli të moderuar dhe të një mirë përgatitje dhe ka bërë disa përparime në këtë fushë. Rezultate pozitive janë arritur në zbatimin në vijimësi në reformën në drejtësi dhe përfundimin e procesit gjithëpërfshirës të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkallës së parë, çka ka forcuar pavarësinë dhe llogaridhënien e sistemit gjyqësor.
Emërimet e reja të magjistratëve nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, si dhe miratimi i akteve nënligjore që përmirësojnë procedurat dhe standardet e këtij institucioni, janë konsideruar gjithashtu zhvillime pozitive. Megjithatë, ka ende shqetësime serioze për ndërhyrje dhe trysni të papërshtatshme dhe ka gjithashtu sfida për përafrimin e dispozitave që zbatohen për anëtarët, jo magjistratë të këshillave dhe për ato që zbatohen për anëtarët magjistratë, si në vlerësimet, emërimet, promovimet dhe transferimet e tyre.
Efikasiteti i sistemit të drejtësisë pengohet nga zgjatja e procedurave si dhe ngarkesa e lartë e çështjeve të mbartura nga e shkruara, ndërsa infrastruktura e dobët gjyqësore dhe mungesa e gjyqtarëve dhe mangësi në sistemin e trajnimit gjyqësor, duhet dhe kërkojnë zgjidhje urgjente për të përmirësuar cilësinë e drejtësisë.
Raporti vlerëson se Shqipëria është e përgatitur në formë të moderuar dhe ka bërë përparim në luftën kundër korrupsionit, veçanërisht falë konsolidimit të mëtejshëm të rezultateve pozitive të SPAK dhe krijimit të të një bilanci apo historiku konkret në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë. Gjithashtu raporti vëren miratimin e strategjisë antikorrupsion 2024-2030. Megjithatë korrupsioni mbetet i përhapur në sektorë të ndjeshëm, të cilat ndikojnë sferat publike dhe private dhe deri më tash përpjekjet parandaluese kanë patur vetëm ndikim të kufizuar. Pra, nevojitet më shumë ecuri në lidhje me transparencën dhe efikasitetin në kontrollin e deklarimit të pasurive.
Në luftën kundër krimit të organizuar, Raporti vëren se Shqipëria është përgatitur në formë të moderuar dhe se janë arritur arritje të mira falë rritjes së kapaciteteve dhe efikasitetit të SPAK për të goditur grupet e krimit të organizuar duke përmirësuar hetimet financiare dhe duke sekuestruar pasuritë e lidhura me krimin. Shqipëria gjithashtu ka fuqizuar luftën kundër pastrimit të parave. Është krijuar tashmë një zyrë për rikuperimin e pasurive në policinë e shtetit por do të donim të shihnim arritje dhe rezultate konkrete të kësaj zyrë.
Tani sa iu përket të drejtave dhe lirive themelore raporti evidenton përparime në disa fusha, përfshirë miratimin e ligjit të ri për mbrojtjen e të dhënave personale i cili është tërësisht në përputhje me legjislacionin e BE-së dhe me rregulloren e përgjithshme të saj për mbrojtjen e të dhënave personale si dhe miratimin e 7 prej 10 akteve nënligjore.
Miratimi i akteve nënligjore për të drejtat e pakicave sidomos për vet identifikimin dhe përdorimin e gjuhëve të pakicave është gjithashtu një arritje shumë e rëndësishme.
Megjithatë përpjekjet për përafrimin dhe zbatimin e legjislacionit të BE-së duhen intensifikuar për barazinë dhe mos diskriminim duke mbuluar kështu dhe gjitha format e diskriminim. Në këtë kontekst raporti thekson nevojën që ligji i ardhshëm për barazinë gjinore të ruajë nivel të lartë ambicie në përputhje me standardet e BE-së.
Duhet gjithashtu që të vijojnë përpjekjet për luftën kundër dhunës me bazë gjinore dhe për deinstitucionalizimin e fëmijëve në nevojë.
Sa u përket të drejtave të pronësisë, nevojiten përparime në regjistrimin fillestar, digjitalizimin dhe për kompensimet, e në fund, një fushë e rëndësishme për sa u përket shqetësimeve është liria e shprehjes, ku raporti vëren se Shqipëria është mes nivelit të moderuar të përgatitjes, por ka bërë në fakt vetëm përparim të kufizuar.
Nisja e dialogut të strukturuar, për të cilën ne kemi punuar së bashku me Universitetin e Tiranës dhe Këshillin e Europës, si edhe me qeverinë, pra, ky dialog i strukturuar ndërmjet institucioneve shqiptarëve dhe aktorëve të medias ka qenë zhvillim pozitiv, shpifja ende nuk është e dekriminalizuar dhe nevojiten përpjekje të mëtejshme për të forcuar pavarësinë dhe pluralizmin e mediave, për të siguruar sigurinë e gazetarëve dhe për të përmirësuar kushtet e tyre të punës.
Ne i kemi diskutuar në detaje dhe me hollësi të gjitha këto rekomandime me autoritetet përkatëse në kuadër te negociatave të anëtarësimit dhe tashmë i bëjmë thirrjes Shqipërisë të bëjë përparim të dukshëm për përmbushjen e piketave të përkohshme gjatë javëve në vijim në mënyrë që ky afat ambicioz të mbetet në rrugën e duhur dhe në mbyllje dhe iu kërkoj ndjesë që e zgjata kaq shumë, dëshiroj ta mbyll me një rekomandim, urgjencën e reformave, që kjo nuk duhet të dëmtojë cilësinë e tyre dhe çfarë dua të them me këtë; konsultime domethënëse dhe gjithë përfshirëse përpara miratimit të shoqëruara me debate të shëndetshme në Kuvend. E them këtë, sepse siç e thekson dhe raporti, anëtarësimi në BE është një projekt gjithë shoqëror, pasi përfaqëson një zgjedhje për një model shoqëror të bazuar në të drejta themelore dhe vlera demokratike të cilat do duhet t’i përqafojë aktivisht çdo vend duke përcaktuar kështu të ardhmen e vet dhe kështu ky projekt duhet të zotërohet jo vetëm nga qeveria, por edhe nga opozita, qytetarët, shoqëria civile dhe komunitetet vendore, pra të gjithë kanë rolin e tyre për të luajtur dhe për këtë arsye duhet të ketë edhe legjitimitet demokratik dhe konsensus në të gjithë shoqërinë.
Mbi 90% e shoqërisë shqiptare dëshiron ta shohë Shqipërinë, vend anëtar të BE-së. Qeveria shqiptare dhe institucionet e saj duhet t’i përgjigjen kësaj pritshmërie. Bashkimi Europian dhe delegacioni i saj në Shqipëri, të cilit kam nderin t’i shërbej do të vazhdojnë t’ju qëndrojnë krah për krah në këtë rrugëtim për ta mbështetur Shqipërinë në rrugëtimin e saj dhe presim me kërshëri vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me qeverinë dhe me institucionet e tjera dhe edhe një herë ndjesë që u zgjata kaq shumë në fjalën time.
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit! Ky raport thotë shumë gjëra, por mbi të gjitha thotë një gjë; që Shqipëria është në rrugën e duhur të përmbyllur teknikisht negociatat brenda vitit 2027 dhe duke thënë këtë, raporti i ka thënë të tëra.
Ndërkohë që, patjetër që patjetër që në këtë rrugë të duhur ka sfida në çdo hap, sfida dhe çështje për t’u adresuar jo vetëm në mënyrë sasiore, por edhe në mënyrë cilësore në çdo hap dhe natyrisht që Raporti i Progresit është një gotë e mbushur përgjysmë. Ajo që ne kemi bërë gjithmonë dhe që do të bëjmë përsëri është që duke marrë të gjithë energjinë e nevojshme nga gjysma plot të fokusohemi me të gjithë energjinë e nevojshme tek gjysmat bosh në mënyrë që brenda vitit 2027 ne ta përmbyllim këtë proces dhe në mënyrë që raporti i vitit 2027 të shkruajë: Rekomandojmë anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Ky është objektivi historik, kjo është ambicia jonë dhe jam shumë krenar që tani më askush nuk harron të thotë që Shqipëria është në pararojë të këtij procesi, së bashku me Malin e Zi dhe që më në fund, Shqipëria është shembulli pozitiv që i jepet edhe të tjerëve që duan të bëhen pjesë e familjes europiane. Ky është raporti për mua, të tjerat janë të gjitha pjesë të detajuara të një procesi ku ne kemi kryer në një kohë rekord hapjen e 5 grup kapitujve. Besoj që do të kryejmë dhe hapjen e grup kapitullit të 6-të dhe do ta mbyllim vitin me të gjithë kapitujt të hapur.
Kjo ka ardhur si rezultat i një fakti që unë dëshiroj ta risjell në vëmendjen e të gjithëve. Në vitet e poshtërimit, siç unë i quaj dhe do t’i quaj gjithmonë ato vitet kur “na e jepte Kadiu, po na e refuzonte Aliu”, domethënë, kur Komisioni rekomandonte hapjen e negociatave për shkak të një, dy, tre vendeve, Këshilli nuk arrinte dot t’i hapte negociatat me Shqipërinë, ne e kemi bërë ekzaktësisht atë që e kam përsëritur asokohe, jemi përgatitur për ditën kur negociatat do të hapeshin dhe kemi punuar njësoj sikur të ishin hapur dhe për këtë arsye grupi ynë negociator ka shkëlqyer në këtë proces, sepse nuk ka vajtur në tryezën e negociatave për të mësuar aty se çfarë do të bëj, por ka qenë i mirë stërvitur gjatë epokës 3 vjeçare të poshtërimit të Shqipërisë.
Kështu që sot ne i dimë shumë mirë detyrat. Jemi i vetmi vend në rajon që përdor Inteligjencë Artificiale për këtë proces dhe falë Diellës ne bëjmë transferimi me një shpejtësi shumë të lartë të të gjithë trupit ligjor të Bashkimit Europian për ta adoptuar në trupin ligjor të Republikës së Shqipërisë dhe nga ana tjetër, kryejmë me përpikmëri të gjitha ato objektiva që janë vendosur në kalendarin e përbashkët dhe analizojmë me shumë durim dhe përulësi të gjitha ato që këtu janë të rreshtuara si probleme që duhen adresuar dhe duhen zgjidhur.
Kështu që dua të falënderoj nga zemra që të dyja ministret tona, përkatësisht kryenegociatoren dhe zëvendës kryenegociatoren që janë realisht dy arsye të mëdha për tu ndjerë të qetë dhe njëkohësit për të marrë gjithë respektin në Bruksel, së bashku me të gjithë negociatorët, një pjesë e të cilëve janë këtu që janë krenari kombëtare për ne.
Nuk dua të zgjatem më tutje, në të gjitha fushat raporti ka edhe arritjet edhe problemet, në të gjitha fushat raporti iu thotë shqiptareve që Shqipëria ecën vendosmërisht në drejtimin e duhur dhe nga ana tjetër na thotë ne se çfarë duhet të bëjmë më shumë dhe më mirë që të ecim pa asnjë ndalesë për të arritur objektivin e vitit 2027. Dhe uroj dhe shpresoj që këtë urim ta marrin ashtu siç duhet të gjithë ata që nuk e duan këtë qeveri, por që sot duhet të ndjehen shumë mirë sepse sa më pranë BE-së të jemi aq më shumë do të ketë edhe për ta hapësirë dhe përkujdesje, gjë që nuk mungon as në këtë raport. Kështu që ndjehuni mirë që të gjithë, qofshi mbështetës, qofshi kundërshtarë të kësaj qeverie sepse kjo qeveri ka bërë detyrat edhe për mbështetësit edhe për kundërshtarët dhe pastaj afrimiteti gjithnjë e më i madh me Bashkimin Europian është një garanci për të gjithë. Se mbështetës dhe kundërshtarë të qeverisë jemi në kohë të ndryshme, sipas qeverive që shkojnë dhe që vijnë. Kjo e jona nuk do të shkojë pa sjell Bashkimin Europian në Shqipëri dhe pa e bërë Shqipërinë anëtare krenare të Bashkimit Europian. Më tutje pastaj do shohim e do bëjmë sipas asaj që do të vendosë populli.
Këto ishin fjalët e mia, tani jemi të hapur për pyetjet dhe nuk mund të ngrini dorën pa folur veterani legjendar Muhamed Veliu.
* * *
-Faleminderit , zoti Kryeministër. Ditën e djeshme, Komisionerja Kos ka dhënë një intervistë për “Financial Times’’ ku thotë se shtetet e reja anëtare mund të vendosen në një periudhë prove. Ajo thekson se Komisioni po punon për ide të tilla, si periudha tranzitore, një lloj prove dhe mekanizma mbrojtës. Si ju duket kjo ide?
-Dhe për ju, zoti ambasador, çfarë mund të na thoni diçka më shumë rreth kësaj ideje të hedhur dje nga Komisionerja Kos? Faleminderit.
Kryeministri Edi Rama: Tani do më falni shumë mua për këtë që do them, por do lutesha që përpara se ta merrni si mungesë modestie, t’i referoheni arkivave tuaja. Këtë ide e kam hedhur vetë, shumë vite më përpara dhe e kam përsëritur sa herë më është dhënë mundësia dhe i qëndroj kësaj ideje sepse është një ide, që nuk e kam shpikur unë edhe pse e kam hedhur unë në publik, pasi është ide që i ka rrënjët shumë thellë në historinë e mendimit europian dhe është një qasje që i jep mundësi të dyja palëve, të marrin atë që duhet, pa krijuar problem për njëra-tjetrën, që do të thotë, ne duam të bëhemi anëtarë të BE; ne duam të ulemi në tryezë si të barabartë; ne duam të kemi akses të plotë në të gjithë ngrehinën e BE nga pikëpamja e legjislacionit, nga pikëpamja e kapaciteteve, nga pikëpamja e buxheteve, etj.
Ata duan të njëjtën gjë, por ata kanë një frikë, që duke qenë 27 dhe ka vështirësi në marrjen e vendimeve sepse është një “familje” ku çdo gjë vendoset me konsensus. “Tani – thonë ata– imagjinoni sikur të bëhemi 28, të bëhemi 29, 30, 32- e ku di unë, sesa më e vështirë mund të bëhet’’, pavarësisht se ne si ballkanas, unë mendoj që sot jemi më të qetë se ata që janë ballkanizuar me kohë.
Dhe kjo është një arsye e mjaftueshme për të gjetur një rrugë të ndërmjetme që është pozitive për të dyja palët. Kështu që unë e shoh këtë si një gjë shumë pozitive. Ne kemi bërë edhe propozime konkrete, jemi gati të marrim pjesë në çdo lloj diskutimi.
Kjo nuk ka nevojë të bëhet me ndryshime traktatesh, kjo mund të bëhet thjesht me marrëveshje. Pas një marrëveshjeje, ne ulemi në tryezë. E rëndësishme është që ne të mos kemi veton dhe ata të mos tremben nga vetoja jonë. Kaq. Dhe këtu nuk shoh unë asnjë pabarazi dhe asnjë problem, kështu që e përshëndes plotësisht këtë ide. Nuk më gjen fare të surprizuar sepse edhe me Komisioneren, ndër të tjera, në takimin e parë që kemi bërë, i kam thënë dhe këtë siç e kam thënë dhe e kam përsëritur kudo gjithmonë, pavarësisht se kam dëgjuar nga disa që s’janë më fare sot, që ‘’jo, ç’është kjo. Ne ju duam juve brenda në shtëpi me të gjitha siç i kemi vetë, edhe me veton’’.
-Po mirë mo, dakord, po kjo nuk është diçka që ka lindur si problem nga ne, kjo ka lindur nga ju dhe ne po ju themi, që si mund ta adresojmë këtë , në mënyrë që të jemi bashkërisht në të njëjtën tryezë edhe të mos kemi asnjë shqetësim, as ne për të qenit të barabartë me ju dhe as ju në raport me publikun.
Jo, bile njëri nga ata të mëdhenjtë më tha mua, “ju do hyni në BE patjetër dhe ne do ta festojmë bashkë”. Ai s’është më. Iku. Kështu që unë e kuptoj dëshirën, dëshirat e mira dhe i kuptoj këto, por kohët kanë ndryshuar dhe ne duhet të adaptohemi me kohën dhe është gjëja më normale që të gjejmë një rrugë dhe të jemi në tryezë dhe as të drejtat tona të mos – se këtu s’bëhet fjalë për të drejtat tona, të drejtat tona do jenë të barabarta, – por as shqetësimi i tyre të mos kthehet në një problem për ne që të thonë ‘’jo, prisni një herë ju, sa të reformojmë ne BE-në’’, siç më thoshte një tjetër që është duke ikur tani, ‘’se pastaj do ta shikojmë këtë punë’’. Jo. Kështu që beso që jemi shumë ok me këtë.
Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian, Silvio Gonzato: Po, mendoj që kryeministri u tregua mjaft elokuent, por ajo që dëshiroj të shtoj, është që siç e dini ju, një hap themelor për një vend që bëhet shtet anëtar, është Traktati i Anëtarësimit në BE. Traktati i Anëtarësimit është traktati, i cili prezanton disa ndryshime teknike apo kushtetuese, për të përfshirë mënyrën se si funksionon BE, të cilat të bëhen pra, pjesë e kushtetutës së vendit, që gjithçka të funksionojë siç duhet. Traktati i fundit i anëtarësimit, u bë 14 vite më parë dhe praktika ka qenë, që ne shikojmë hapat e mëparshëm të anëtarësimit apo valët e zgjerimit dhe marrim parasysh pra, si kanë vajtur gjërat, për të përpiluar anëtarësime të reja dhe Komisionerja foli për mekanizma të fortë mbrojtës, që përforcojnë sundimin e ligjit tek ato vende, që bëhen shtete anëtare, pra që janë me rrënjë të thella tek sundimi i ligjit dhe të mos ketë pra, mundësi për të bërë hapa pas. Për këtë e kishte fjalën Komisionerja, por dëshiroj të përsëris dhe atë që tha Kryeministri, që ato përshtatje apo ndryshime që mund të bëhen me Traktatin e Anëtarësimit, nuk mund të ndikojnë ato që janë themelet e forta të BE , të funksionimit të BE-se, sepse për to do duhej një rishikim tërësor i traktateve dhe nuk po flasim për këtë gjë.
-Zoti kryeministër, ju e përsëritet edhe një herë në fakt gatishmërinë e shtetit shqiptar për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian pa të drejtë vetoje, por edhe për këtë propozim në fakt Komisionerja Marta Kos e pati një propozim, duke thënë se nuk ka asnjë diskutim për shtetet në dy kategori. Si e përktheni ju këtë përgjigje të Komisioneres dhe në fakt nëse mund të jap një qëndrim për këtë gatishmëri të shtetit shqiptar dhe ambasadori.
Kryeministri Edi Rama: Mos u lodhni shumë me këtë pjesë se ky është një diskutim konceptual në nivel të diskutimeve që bëhen për si mund të jenë gjërat. Mos u shqetësoni për këtë. Nuk jemi në atë fazë. Kur të vijmë në atë fazë do flasim. Për momentin, kemi vetëm një diskutim shumë të përgjithshëm dhe që nuk është kanalizuar në asnjë lloj procesi, ku duhet të shqetësohemi ne dhe për më tepër pastaj të shqetësoheni ju që keni kaq shumë gjëra për t’u marrë dhe kaq shumë shqetësime të tjera, sa mos u lodhni me këto fare se nuk është kjo tema e ditës.
Sot, tema e ditës eshtë që ky raporti këtu thotë shprehimisht që Shqipëria është në rrugën e duhur për ta përmbyllur teknikisht procesin e negociatave brenda vitit 2027. Pra, ky raporti këtu thotë ekzaktësisht atë që unë ju thosha përditë shqiptarëve, kur dolëm t’i kërkojmë mbështetjen për mandatin e katërt dhe kur më thuhej nga disa “nga i gjete këto”. Tani i thotë ky. Kjo është gjëja më e rëndësishme që sot duhet të dëgjojnë shqiptarët. Të tjerat janë proces dhe pastaj ky diskutimi është një diskutim që besoj e ezauruam dhe s’besoj të merremi më tutje aq më tepër që u ngrit nga veterani Muhamed Veliu.
Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian, Silvio Gonzato: Po përsëris atë që sapo thashë. Qëndrimi i Komisionit europian nuk është që të sugjerojë ndonjë ndryshim për traktate që do të ndikojnë rregullat dhe parimet bazë të tij dhe ajo që ju shpjeguat ju, dy kategorish shtetesh anëtare do të ishte pikërisht kjo gjë dhe kjo nuk është aspak një gjë që ne e kemi në tryezë apo në listën e punëve tona në lidhje me Komisonin Europian.
-Në fakt pyetja ime ishte për ambasadorin Gonzato. Zoti ambasador Progres Raporti i KE dhe një herë certifikoi zgjedhjet e 11 majit, megjithatë mbetet shqetësuese polarizimi politik dhe dialogu. Në kushtet kur Shqipëria tani duhet të çojë përpara një sërë ligjesh për integrimin, a keni ju një mesazh për palët politike?
Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian, Silvio Gonzato: Po, dhe mesazhi im është një mesazh, të cilin unë e jap çdo ditë në bashkëbisedimet me deputetët, që Kuvendi ka një rol absolutisht kyç për të luajtur dhe thirrja ime është që të kenë dëshirën dhe mundësinë që të luajnë rolin e tyre dhe të japin kontributin në këtë proces reformash, i cili do ta sjellë Shqipërinë në BE. Dhe siç e kam thënë dhe në fund të fjalës time, na duhen debate të shëndetshme që sigurisht mund të jenë edhe politike se në fund të fundit, ky është kuvendi në të cilin është forumi, në të cilin pra shprehen mendime të ndryshme edhe për mënyrën sesi do të behet Shqipëria shtet anëtar dhe këto debate do duhet të bëhen dhe do duhet të jenë mundësia që qytetarët të kuptojnë se për çfarë janë këto reforma, për çfarë po bëhen, çfarë ndryshimi do të sjellin në jetën e tyre, në bizneset e tyre dhe kështu ne sigurohemi që reformat të jenë të qëndrueshme edhe në periudhën afatgjatë sepse njerëzit do të kuptojnë që janë reforma që kanë të bëjnë dhe me ta.
Kryeministri Edi Rama: Merreni raportin, lexojeni, studiojeni dhe pastaj do kemi mundësi t’i përgjigjemi pyetjeve për raportin. Faleminderit!