Me rastin e 30 vjetorit të Prokurimeve Publike në Shqipëri, u zhvillua sot një takim me praninë e përfaqësuesve të institucioneve kombëtare, partnerëve ndërkombëtarë, si dhe profesionistëve të fushës së prokurimit, në një diskutim mbi zhvillimet, sfidat dhe vizionin për të ardhmen.
Ky është një moment i rëndësishëm për sistemin e Prokurimit Publik në Shqipëri, një sektor, i cili ka kaluar një transformim rrënjësor gjatë këtyre dekadave, duke dëshmuar angazhimin e vazhdueshëm të institucioneve shqiptare për të garantuar integritet, transparencë dhe efikasitet. I pranishëm në event ishte edhe Kryeministri Rama.
* * *
Përshëndetje të gjithëve! Erdha me kënaqësi sot këtu, sepse realisht është fjala për një transformim rrënjësor, i cili ka nevojë të vihet në pah dhe të komunikohet sa më shumë dhe sa më mirë në një mjedis shumë të helmuar nga politika, nga gjysmë të vërtetat që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, si edhe nga episode të caktuara të cilat tregojnë vullnetin e plotë të shtetit shqiptar për të luftuar në të gjitha frontet me problemin e madh dhe të trashëguar të korrupsionit dhe nuk tregojnë kurrsesi që në luftën kundër korrupsionit, progresi është i diskutueshëm sepse në fakt progresi ynë në luftën kundër korrupsionit është i padiskutueshëm. Këtë e tregon shumë qartë edhe fakti se pasqyrat e të dhënave të të gjithëve procedurave të reja të viteve të fundit kanë një dallim shumë të dukshëm me ato të deri disa viteve më parë.
E ky dallim i dukshëm nuk është një rastësi, por është një rezultat i një pune të jashtëzakonshme, ku Agjencia e Prokurorit Publik falë dhe dua ta them këtë me një nënvizim të fortë, lidershipit të drejtores së Agjencisë, Rejdës dhe natyrisht falë edhe skuadrës së saj, ka udhëhequr një proces në të cilin edhe Komisioni i Prokurimit Publik në vitet e fundit është bashkuar, duke faktikisht e bërë Shqipërinë të jetë një vend në këtë rajon, ku siç e dëgjuam edhe nga fjala e parafolësit, që këtu përfaqëson një partner të rëndësishëm në këtë proces, siç është Banka Botërore, të jetë një vend lider. Një vend lider për integritetin dhe për efikasitetin e procesit të prokurorimeve publike.
Ky fakt i nënvizuar qartësisht edhe në raportin e monitorimit të Sigmës, i cili renditi Shqipërinë të parën në Ballkanin Perëndimor dhe me diferencë nga të tjerët për performancën e sistemit të prokurimit publik do të ishte i pamendueshëm deri jo shumë vite më parë dhe ndërkohë është rezultat i pikërisht gjithë sa thashë më lart.
Nga ana tjetër, dua ta theksoj që monitorimet e bëra nga institucionet e specializuara që veprojnë për llogari të Bashkimit Europian, nuk janë raporte të natyrës të shumicës së raporteve me të cilat ne ndeshemi gjatë çdo viti, që bazohen në perceptime publike, bazohen në anketime shumë të diskutueshme për nga standardet dhe bazohen faktikisht në një nivel të dhënash shkencore të pamjaftueshme. Raportet e institucioneve që punojnë për llogari të Bashkimit Europian janë raporte të bazuara në një ekspertizë me një integritet shumë të lartë dhe të bëra nga profesionistë, të cilët kanë një nivel të vëzhgimit dhe të ambicies për të nxjerrë në pah çdo të metë, që është pa diskutim shumë sfidues.
Kështu që vlerësimi i bërë edhe nga Sigma është një vlerësim, jo thjesht teknik, siç shpesh herë përpiqet ta minimizojë për përmbajtjen e këtyre vlerësimeve, cilido që do të provojë të kundërtën, por është vlerësim i rezultatit të një reforme të vazhdueshme modernizuese të të gjithë sistemit për prokurimeve. Dhe fakti që Bashkimi Europian në çeljen e negociatave për grup kapitullin e themeloreve, ku përfshihet edhe kapitulli i Prokurimit Publik pati një qëndrim qartësisht pozitiv në raport me këtë kapitull, flet më shumë sesa çdo koment tjetër. E dimë shumë mirë se vlerësimet e Komisionit Europian nuk janë vlerësime njerëzish që shquhen për ndonjë bujari apo për ndonjë ndjenjë solidariteti të veçantë, janë vlerësime njerëzish që kur ulen në tryezë, zemrën e kanë lënë në shtëpi dhe matja e integritetit të procedurave dhe njëkohësisht e integritetit të njerëzve që janë pas këtyre procedurave është pikërisht puna e tyre, çka për ne përbën një sfidë të vazhdueshme, por edhe një arsye për tu ndjerë të inkurajuar, sepse ne mund t’ia dalim aty ku dukej e pamundur faktikisht tek pikërisht krijimi i një sistemi imun, jo vetëm thjesht në kuptimin e përgjithshëm ndaj korrupsionit, por ndaj numrit të jashtëzakonshëm për metër katrorë të kushërinjve, të komshinjve, të krushqve dhe të të gjitha lidhjeve të tjera që e bëjnë këtë lagjen tonë këtu në mes të Europës, një lagje shumë specifike për sa i përket sfidës së ndërtimit të një shteti që nuk afektohet nga lidhjet e të gjitha llojeve mes njerëzve që bashkëjetojnë në këtë shtet.
Nga ana tjetër, dua të theksoj që ne po e vazhdojmë reformën, sepse duam të shkojmë jo vetëm më larg, por duam të shkojmë aq larg sa na çon bekimi i sotëm i teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në mënyrë të veçantë që janë realisht dhurata të një kohe të re për vendet si yni, ku gjithë prapambetja e shkaktuar nga historia, mund të kapërcehet me fuqinë e progresit eksponencial që të jep pikërisht teknologjia. Në kushtet e progresit linear ku bota e gjithë ecte, përpara ardhjes së kësaj teknologjie, natyrisht që afatet, kohërat dhe ambiciet do të ishin të një niveli shumë më modest.
Faktikisht, sot ne jemi në një proces të avancuar për të kaluar të gjithë procesin e prokurimeve në duart e inteligjencës artificiale, me një përqindje shumë të lartë të procesit që nuk përfshin njeriun. Të gjithë e keni dëgjuar, edhe të gjithë e kanë dëgjuar Diellën, sepse Diella është bërë një fenomen botëror dhe është një grua që për nga interesi që ka shkaktuar në gjithë botën, ka arritur të konkurrojë në një moment në kohë Angelina Jolie dhe nga ana tjetër, me siguri keni dëgjuar edhe të gjithë skeptikët lidhur me hyrjen e Diellës në këtë proces. Skeptikët sipas të cilëve, algoritmet mund të kthehen në një problem, pasi edhe algoritmet janë të kontrollueshme dhe të manipulueshme nga njerëzit.
Është e habitshme se si edhe njerëz me një njohje shumë herë më të madhe se sa unë dhe sa ne lidhur me inteligjencën artificiale si Eric Schmidt, me të cilin unë pata edhe një debat në faqet e Neë York Times-it ngrenë si shqetësim pikërisht këtë aspekt. Ndërkohë që ajo që është shumë e thjeshtë për t’u shpjeguar është fakti se Diella nuk do të veprojë në mënyrë totalisht të pavarur nga sytë e të gjithë aktorëve të interesuar, por do të jetë në çdo hap e auditueshme nga çdo aktor i interesuar, sepse i gjithë procesi i cili do të zhvillohet përmes rrugëve digjitale dhe inteligjencës artificiale do të jetë sidoqoftë i bazuar në të gjitha kërkesat e ligjit të prokurimeve përsa i përket dokumentacionit përkatës dhe cilido që do të dojë ta rishikojë manualisht me sytë e njeriut procesin, do të ketë mundësinë ta bëjë këtë. Kjo do të thotë që asgjë që del nga procesi si rezultat nuk do të jetë e pagjurmueshme në rast nevoje për auditimin e hapave që sollën rezultatet. Është shumë e thjeshtë.
Në fund fare, natyrisht, vendimin përfundimtar për nxjerrjen e një rezultati do ta marrë përsëri komisioni përkatës, bazuar në të gjitha dhënat që Diella do të vërë në tavolinë. Ama nëse llogarisim shkurtimin marramendës të kohës dhe shpejtësinë marramendëse të procesimit të të gjithë të dhënave të cilat nuk do të mblidhen më nga operatorët, por do të mblidhen nga vetë Diella për llogari të operatorëve, eficenca e sistemit do të jetë siç na ka impaktuar gjithçka që ka të bëjë me inteligjencën artificiale në aspektin e impaktit.
Në fund dua të them edhe diçka tjetër.
Ajo që unë kam mësuar duke e ndjekur këtë proces është se prokurimet janë një fushë ku njerëzit të cilët merren me to duhet të kenë një nivel shumë të lartë përgatitje. Prokurimet nuk janë procese të cilat mund të bëhen apo mund të komentohen me atë kollajllëkun mediatik të atyre që marrin përsipër ta bëjnë këtë. Prokurimet janë procese që kërkojnë ekspertizë dhe që kërkojnë natyrisht integritet moral, por ama dhe një integritet të lartë profesional dhe në këtë aspekt, sfida jonë ka qenë dhe mbetet e jashtëzakonshme, pasi në Shqipëri zhvillohen mijëra e mijëra prokurime çdo vit dhe janë të përfshirë mijëra e mijëra njerëz, të cilët nuk duhet të kenë thjeshtë integritetin moral, por duhet të kenë edhe nivelin e duhur profesional për të bërë proceset dhe për të bërë vlerësimet e duhura dhe në shumë raste, ajo që kemi konstatuar është se mangësitë nuk janë domosdoshmërish mangësi që lidhen me një ndërhyrje të korrupsionit në proces, por janë mangësi që lidhen me mungesën e ekspertizës dhe këtë gjë kemi luftuar vit pas viti me gjithë proceset e trajnimeve, të protokolleve të standardizuara, të ndërveprimeve mes Agjencisë se Prokurimit Publik dhe Komisionit të Prokurimit Publik dhe këtë kemi luftuar edhe me një ndryshim rrënjësor që kemi bërë vitin e fundit duke i hequr të gjitha prokurimet nga niveli i parë i qeverisjes, pra nga ministritë dhe nga agjencitë kryesore, për t’i çuar të gjitha tek operatori i blerjeve të përqendruara, i cili do të kthehet në një institucion të nivelit të lartë të ekspertizës për sa i përket prokurimeve në vendin tonë.
Ju falënderoj shumë për durimin dhe për vëmendjen. Shpresoj që të mos kem qenë i mërzitshëm me fjalën time, por dua edhe njëherë me shumë sinqeritet dhe jo për arsye protokollare të falënderoj Rejdën për lidershipin, të falënderoj skuadrën e APP-së. Të falenderoj në mënyrë të posaçme ministren tonë të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, e cila zotëron një njohje të admirueshme të të gjithë labirinteve të Brukselit dhe përtej e përmes kësaj njohje, i vë në dispozicion këtij procesi, dyer të hapura dhe nivele shumë të rëndësishme dhe shumë të domosdoshme të partneritetit dhe të ekspertizës së partnerëve tanë edhe duke qenë se këtu shoh një numër njerëzish që më ndjekin me kufje, ndërkohë që kam ankthin e zakonshëm të mënyrës si përkthehet shqipja ime dhe me shpresën që përkthimi nuk ka bërë dëme të mëdha, i falenderoj edhe ata dhe shpresoj që t’ia kaloni sa më mirë në këtë moment që jeni këtu në Tiranë.
Shumë faleminderit gjithëve!