Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 19 Dhjetor 2025:
V E N D I M
PËR
KALIMIN TE BASHKIA TIRANË TË NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 9, të nenit 19, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin te Bashkia Tiranë të 188 (njëqind e tetëdhjetë e tetë) apartamenteve në 3 (tri) ndërtesa me njësi banimi (pallat), përkatësisht, sipas listës të inventarit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E TARIFËS SË BILETËS PËR QENDRËN KOMBËTARE TË KULTURËS PËR FEMIJË DHE TEATRIN E KUKULLAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 12, të ligjit nr.10352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e tarifës së biletës për Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë dhe Teatrin e Kukullave, sipas tabelave në shtojcat nr.1 dhe nr.2, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Të ardhurat e realizuara nga shitja e biletave përdoren:
a) 30% për llogari të Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë dhe Teatrit të Kukullave;
b) 70 % derdhen në buxhetin e shtetit.
3. Të ardhurat e Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë dhe Teatrit të Kukullave nga shitja e biletave përdoren për veprimtarinë e tyre artistike dhe edukative.
4. Aktet për miratimin e tarifave për Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë dhe Teatrin e Kukullave, të miratuara përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, shfuqizohen.
5. Ngarkohen Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë dhe Teatri i Kukullave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE FOTOVOLTAIKE DHE VEPRAVE NDIHMËSE, I CILI NUK ËSHTË OBJEKT KONCESIONI, NË NJËSINË ADMINISTATIVE MESOPOTAM, BISTRICË, BASHKIA FINIQ, QARKU VLORË, NGA SHOQËRIA “GREENSOL”, SH.P.K.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në njësinë administrative Mesopotam, Bistricë, Bashkia Finiq, Qarku Vlorë, nga shoqëria “GREENSOL”, sh.p.k., me elementet, si më poshtë vijon:
a) Emri i aplikuesit: Shoqëria “GREENSOL”, sh.p.k.;
b) NIPT/NUIS: M22206011A;
c) Tipi i centralit: Fotovoltaik;
ç) Kapaciteti i instaluar: 49.96 MW;
d) Afati i pritshëm i vënies në punë dhe pajisja me leje ndërtimi: Koha për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në operim të impiantit fotovoltaik do të jetë brenda 36 (tridhjetë e gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
dh) Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: Në njësinë administrative Mesopotam, Bistricë, Bashkia Finiq, Qarku Vlorë;
e) Afati i operimit: 49 (dyzet e nëntë) vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
ë) Koordinatat e tokës dhe planvendosja, sipas aneksit 1 që i bashkëlidhet këtij vendimi;
f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit e të dokumentacionit të projektit;
g) Shoqëria “GREENSOL”, sh.p.k., ka detyrimin që:
i. të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj) pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore informacion për ecurinë e ndërtimit të centralit fotovoltaik;
ii. të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës, ndërmjet shoqërisë “GREENSOL”, sh.p.k., dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera, që lidhen me zbatimin e saj;
iv. t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqëria “GREENSOL”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Andrea Shllaku emërohet zëvendësministër i Mbrojtjes.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË, DHE QEVERISË SË KONFEDERATËS ZVICERANE, TË PËRFAQËSUAR NGA AGJENCIA ZVICERANE PËR ZHVILLIM DHE BASHKËPUNIM, QË VEPRON NËPËRMJET AMBASADËS SË ZVICRËS NË SHQIPËRI, PËR PROJEKTIN E VLERËSIMIT TË DËMEVE NË NDËRTESA, NJË FAZË E VETME, 2025-2029
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, të përfaqësuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, që vepron nëpërmjet Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, për projektin e vlerësimit të dëmeve në ndërtesa, një fazë e vetme, 2025-2029, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE NR.2 ME SHKËMBIM LETRASH TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “PËR LEHTËSIMIN E TREGTISË DHE TRANSPORTIT NË BALLKANIN PERËNDIMOR ME QASJE PROGRAMATIKE ME SHUMË FAZA”, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.62/2019
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 12, 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes ndryshuese nr.2 me shkëmbim letrash të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit “Për lehtësimin e tregtisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor me qasje programatike me shumë faza”, ratifikuar me ligjin nr.62/2019, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.80, DATË 31.1.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPALLJEN E ZONËS SË RE PËR ZHVILLIM, NJËSIA ADMINISTRATIVE 6, ZONA KOMBINAT, BASHKIA TIRANË, DHE CAKTIMIN E BASHKISË TIRANË SI NJËSI ZBATUESE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nënndarjeve “iii” dhe “iv”, të shkronjës “b”, të nenit 13, dhe të pikës 3, të nenit 16, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Harta dhe koordinatat, që i bashkëlidhen vendimit nr.80, datë 31.1.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, zëvendësohen, përkatësisht, me hartën dhe koordinatat që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.11, DATË 11.1.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE TË FUNKSIONIMIT TË KOMISIONIT PËR SHQYRTIMIN E APELIMEVE TATIMORE, PËRBËRJEN, KRYESIMIN, SEKRETARIATIN, NDRYSHIMIN E ANËTARËVE DHE MASËN E SHPËRBLIMIT TË TYRE, TË PROCEDURAVE TË SHQYRTIMIT TË ANKIMIT E TË VENDIMMARRJES, SI DHE PËRCAKTIMIN E KUFIRIT TË VLERËS OBJEKT SHQYRTIMI I KOMISIONIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 18, pika 3, dhe 108, pika 7, të ligjit nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.11, datë 11.1.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave të funksionimit të komisionit për shqyrtimin e apelimeve tatimore, përbërjen, kryesimin, sekretariatin, ndryshimin e anëtarëve dhe masën e shpërblimit të tyre, të procedurave të shqyrtimit të ankimit e të vendimmarrjes, si dhe përcaktimin e kufirit të vlerës objekt shqyrtimi i komisionit”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në pikën 2.2 bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
a) Në paragrafin e parë, fjalët “… jo më shumë se 2 mandate …” hiqen.
b) Pas fjalisë së katërt shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Përjashtimisht rasteve të parashikuara në pikën 2.5 të këtij vendimi, anëtari ekzistues, në rastin e përfundimit të mandatit, vijon të ushtrojë funksionet si anëtar i KSHAT-së deri në emërimin e anëtarit të ri, por jo më shumë se 3 (tre) muaj.”.
2. Në pikën 2.3, pas fjalëve “… 2 vjet eksperiencë …” shtohen fjalët “… si avokat …”.
3. Në pikën 3.1, shkronja “d” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“d) raporton për ecurinë e veprimtarisë së KSHAT-së pranë ministrit të Financave brenda muajit janar të vitit pasardhës ose sa herë i kërkohet prej tij.”.
4. Në fjalinë e dytë të pikës 4.1, fjalët “… 7 (shtatë) ditë pune …” zëvendësohen me “… 5 (pesë) ditë pune …”.
5. Në fund të pikës 4.2 shtohen fjalët “…, në format elektronik ose shkresor”.
6. Në pikën 4.3, fjalët “… shumica e anëtarëve të tij …” zëvendësohen me “… të paktën 5 (pesë) anëtarë …”.
7. Në pikën 4.4, fjalia e parë shfuqizohet.
8. Pika 5.2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5.2. Drejtori i Drejtorisë së Apelimit, brenda 3 (tri) ditëve punë nga paraqitja e kërkesës, në rast se detyrimet objekt ankimimi janë mbi shumën e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, njofton kryetarin e KSHAT-së dhe ia përcjell ankimimin administrativ sekretariatit të Komisionit të Shqyrtimit të Apelimit Tatimor. Kryetari, në rrugë elektronike, cakton relatorin dhe njofton sekretariatin brenda 3 (tri) ditëve punë.”.
9. Fjalia e dytë e pikës 5.5 shfuqizohet.
10. Pas pikës 5.12 shtohet pika 5.13, me këtë përmbajtje:
“5.13. Zbatimi i vendimit të KSHAT-së nga administrata tatimore apo kundërshtimi i tij në gjykatë nga tatimpaguesi bëhen në përputhje me përcaktimet e ligjit për procedurat tatimore. KSHAT-ja përfaqësohet në gjykatë nga strukturat e administratës tatimore.”.
11. Në pikën 6.1, fjalët “… 20 000 (njëzet mijë) lekë …” zëvendësohen me “… 40 000 (dyzet mijë) lekë…”.
12. Pika 6.2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“6.2. Çdo anëtar i sekretariatit të KSHAT-së merr një shpërblim në masën 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë në muaj.”.
II. Ngarkohet Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E PAGËS MINIMALE NË SHKALLË VENDI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 111, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1996, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 8.1, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Paga bazë minimale mujore për punonjësit në shkallë vendi, që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj, të jetë 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
2. Paga bazë minimale mujore jepet për 174 (njëqind e shtatëdhjetë e katër) orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës.
3. Paga bazë minimale orare të jetë 287.3 (dyqind e tetëdhjetë e shtatë pikë tre) lekë.
4. Shtesat me karakter të përhershëm jepen mbi pagën bazë.
5. Vendimi nr.113, datë 1.3.2023, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi”, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet financiare nga data 1 janar 2026.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PROCEDURAT PËR PËRZGJEDHJEN, OPERIMIN, MIRËMBAJTJEN, SHPËRNDARJEN DHE MENAXHIMIN E MATERIALEVE KRIPTOGRAFIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 3 e 4, të nenit 45, të ligjit nr.10/2023, “Për informacionin e klasifikuar”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Neni 1
Objekti
Objekti i këtij vendimi është përcaktimi i procedurave për përzgjedhjen, operimin, mirëmbajtjen, shpërndarjen dhe menaxhimin e materialeve kriptografike.
Neni 2
Qëllimi
Qëllimi i këtij vendimi është garantimi i mbrojtjes kriptografike të informacionit të klasifikuar që prodhohet, përpunohet, ruhet dhe transmetohet në sistemet e komunikimit e të informacionit (në vijim SKI).
Neni 3
Fusha e veprimit
Ky vendim zbatohet për mbrojtjen kriptografike në SKI, që trajtojnë informacion të klasifikuar “sekret shtetëror” të NATO-s, BE-së, shteteve dhe/ose organizatave të huaja, me të cilat Republika e Shqipërisë ka marrëveshje sigurie.
Neni 4
Përkufizime
Në këtë vendim, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “AKSIK”, Autoriteti Kombëtar i Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar.
2. “Algoritëm kriptografik”, një ekuacion matematikor që, nëpërmjet ngatërrimit të tekstit të hapur, e transformon informacionin në të palexueshëm (dhe anasjelltas).
3. “Autorizim kripto”, dokumenti që cakton personelin e institucionit shtetëror ose të operatorit ekonomik përgjegjës për sigurinë e “Pajisjes kriptografike të kontrolluar”.
4. “Pajisje kriptografike e kontrolluar”, pajisja kriptografike e specifikuar si e tillë nga vendi prodhues.
5. “Çelës kriptografik”, një informacion i ruajtur zakonisht në një skedar, i cili, nëpërmjet një algoritmi kriptografik mund të kriptojë ose të dekriptojë të dhëna.
6. “Dekriptim”, procesi që transformon informacionin e kriptuar në informacion të hapur.
7. “Incident kriptografik” konsiderohet çdo ngjarje që cenon sigurinë e pajisjeve, programeve apo materialeve kriptografike, duke komprometuar procesin kriptografik.
8. “Komprometim i informacionit kriptografik” nënkupton vënien në dispozicion në mënyrë të qëllimshme ose jo të materialit kriptografik personave të paautorizuar, si rrjedhojë e humbjes, vjedhjes, spiunazhit, rikuperimit, defekteve të materialit kriptografik, shikimit, fotografimit etj. dhe që cenon konfidencialitetin, disponibilitetin dhe integritetin e informacionit të klasifikuar.
9. “Korrier”, personeli i autorizuar nga titullari i institucionit për të realizuar transportimin e materialeve kriptografike.
10. “Kriptim”, procesi i transformimit të informacionit, në mënyrë të tillë që të fshehë përmbajtjen e tij.
11. “Kriptografia”, disiplina që përfshin principet, mjetet dhe metodat për të ofruar sigurinë e informacionit nëpërmjet konfidencialitetit, integritetit, autenticitetit e të disponibilitetit.
12. “Material kriptografik” përfshin çelësat në të gjitha format e tyre, dokumentet, kodet, pajisjet, që përmbajnë informacion kriptografik e që janë të rëndësishëm në procesin e kriptim/dekriptimit.
13. “Mbrojtja kriptografike”, aplikimi i metodave dhe i mjeteve kriptografike, me qëllim mbrojtjen e informacionit të klasifikuar nga aksesi i paautorizuar gjatë krijimit, përpunimit, ruajtjes ose transmetimit.
14. “Pajisje kriptografike” nënkupton pajisje teknike që përdoret për mbrojtjen kriptografike të informacionit.
15. “Program kriptografik”, një soft, i cili, nëpërmjet algoritmeve dhe çelësave kriptografikë, bën të mundur procesin e kriptim/dekriptimit.
16. “Ruajtësi kripto”, personeli i institucionit shtetëror ose i operatorit ekonomik, përgjegjës për operimin e materialeve kriptografike, i pajisur me “autorizim kripto”.
17. “Sisteme kriptografike” nënkupton tërësinë e softeve kriptografike, pajisjeve kriptografike dhe materialeve kriptografike të përdorura si një njësi e vetme për të realizuar procesin kriptografik sipas rregullave përkatëse.
Neni 5
Procedurat për përzgjedhjen e materialeve kriptografike
1. Përzgjedhja e materialeve kriptografike është procesi, nëpërmjet të cilit bëhet përcaktimi i materialeve kriptografike, që garantojnë sigurinë e informacionit të klasifikuar, që prodhohet, ruhet, transmetohet dhe trajtohet në SKI.
2. Përzgjedhja e materialeve kriptografike kryhet nga administratori i SKI-së.
3. Procedura e përzgjedhjes së materialeve kriptografike konsiston në:
a) vlerësimin e nevojave teknike për mbrojtjen kriptografike në përputhje me kërkesat funksionale dhe sigurinë e operimit të SKI-së;
b) konsultimin me Drejtorinë e Shifrës për:
i. pajisjet dhe sistemet që janë të miratuara për mbrojtjen kriptografike të informacionit të klasifikuar;
ii. çelësat kriptografikë që mund të sigurohen nga Drejtoria e Shifrës.
c) verifikimin e pajtueshmërisë me kërkesat e sigurisë, të përcaktuara nga Drejtoria e Shifrës me anë të një udhëzimi të klasifikuar “sekret”, në zbatim të shkronjës “a”, të nenit 13, të vendimit nr.792, datë 28.12.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për sigurinë e informacionit të klasifikuar, që trajtohet në Sistemet e Komunikimit dhe Informacionit (SKI)””.
4. Në rastet kur Drejtoria e Shifrës nuk disponon infrastrukturën e përshtatshme për prodhimin e çelësit kriptografik për pajisjet dhe sistemet kriptografike të përzgjedhura, kjo infrastrukturë sigurohet nga institucioni shtetëror ose nga operatori ekonomik dhe i kalohet në administrim Drejtorisë së Shifrës.
5. Përzgjedhja e materialeve kriptografike për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar të NATO-s, BE-së apo shteteve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare bëhet në përputhje me marrëveshjet e sigurisë për mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar.
Neni 6
Procedurat për operimin dhe mirëmbajtjen e materialeve kriptografike
1. Operimi dhe mirëmbajtja e materialeve kriptografike është procesi që përfshin përdorimin, ruajtjen, konfigurimin dhe ndryshimin e çelësave kriptografikë, me qëllim garantimin e funksionalitetit e të sigurisë së vazhdueshme të materialeve kriptografike.
2. Drejtoria e Shifrës kryen konfigurimin fillestar të materialeve kriptografike, përpara vendosjes në përdorim.
3. Operimi dhe mirëmbajtja e materialeve kriptografike bëhet nga ruajtësi kripto.
4. Ruajtësi kripto pajiset me “autorizim kripto” nga titullari i institucionit shtetëror ose nga operatori ekonomik.
5. Ruajtësi kripto ka këto detyra:
a) Merr masa që materialet kriptografike të ruhen në ambiente të sigurta fizike, që garantojnë mbrojtjen nga dëmtimet dhe nga akseset e paautorizuara;
b) Zbaton kontrolle të vazhdueshme teknike për të garantuar funksionimin e duhur të materialeve kriptografike;
c) Koordinon me Drejtorinë e Shifrës për probleme teknike për të cilat ka nevojë për asistencë më të specializuar;
ç) Koordinon me Drejtorinë e Shifrës për ndryshimin e çelësave kriptografikë, sipas afateve të vlefshmërisë së çelësave.
Neni 7
Procedurat për shpërndarjen e materialeve kriptografike
1. Shpërndarja e materialeve kriptografike është procesi që siguron dërgimin dhe marrjen e sigurt të tyre në institucione shtetërore ose në operatorët ekonomikë, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, në përfaqësitë diplomatike, konsullore dhe në struktura të tjera të institucioneve shtetërore jashtë vendit.
2. Shpërndarja elektronike e materialeve kriptografike bëhet nëpërmjet:
a) SKI-ve të akredituara përshtatshmërisht për shpërndarjen e materialeve kriptografike;
b) kanaleve të komunikimit masiv dhe publik, të kriptuar me çelësat kriptografikë paraardhës aktivë kur:
i. përdoren për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar me nivel klasifikimi “i kufizuar”;
ii. shpërndarja fillestare e çelësave kriptografikë bëhet në kanale të tjera komunikimi (rrjete të klasifikuara ose media të lëvizshme);
iii. fjalëkalimi i instalimit dërgohet i ndarë nga materialet kriptografike.
c) mediave të lëvizshme të miratuara nga AKSIK-u;
ç) pajisjeve të sigurta ngarkuese.
3. Shpërndarja fizike e materialeve kriptografike sigurohet nga korrieri i materialeve kriptografike, i shoqëruar nga një person tjetër, i cili autorizohet si shoqërues i korrierit dhe instruktohet për përgjegjësitë gjatë transportimit të materialeve kriptografike.
4. Korrieri merr në dorëzim materialet kriptografike nëpërmjet një procesverbali, i cili nënshkruhet nga korrieri dhe nga ruajtësi kripto.
5. Për shpërndarjen fizike të materialeve kriptografike ndiqen procedurat e mëposhtme:
a) Institucionet shtetërore ose operatorët ekonomikë, kur sigurojnë materiale kriptografike nga vendet e NATO-s e të BE-së dhe nevojitet transportimi i tyre, njoftojnë Drejtorinë e Shifrës;
b) Drejtoria e Shifrës koordinon me shërbimin me korrier të NATO-s dhe të BE-së për sigurimin e transportit të materialeve kriptografike;
c) Gjatë transportit, pajisjet kriptografike janë në gjendjen fillestare, të pakonfiguruar dhe pa çelësa kriptografikë, përjashtuar rastet kur konfigurimi fizik i tyre e bën të pamundur kthimin në gjendjen fillestare.
6. Gjatë shpërndarjes fizike të materialeve kriptografike, për paketimin e tyre, merren masat e mëposhtme:
a) Materiali kriptografik mbyllet me dy mbështjellëse jotransparente:
i. në mbështjellësen e brendshme shënohet adresa e dërguesit, adresa e marrësit, niveli i klasifikimit, i shoqëruar me shenjëzimin “Kriptografik” dhe instruksionin “hapet vetëm nga (emri dhe mbiemri i marrësit)”;
ii. në mbështjellësen e jashtme shënohet adresa e dërguesit, adresa e marrësit dhe numri i regjistrimit dhe ndalohet vendosja e shenjëzimeve të tjera mbi këtë mbështjellëse.
b) Autoritetet doganore dhe të sigurisë i ekzaminojnë pakot me material kriptografik pa i hapur ato;
c) Korrierët sigurohen që materiali ka mbrojtjen maksimale gjatë të gjitha fazave të transportit të tij;
ç) Për transportimin e pakove me material kriptografik, që nuk mbahen me vete, korrierët marrin masa që të shohin ngarkimin dhe shkarkimin e sigurt të tyre, sipas parimit “i fundit në hyrje – i pari në dalje”.
7. Përpara marrjes në dorëzim të pakos, korrieri verifikon rregullsinë e masave të përcaktuara në pikën 6, të këtij neni.
8. Shpërndarja e materialeve kriptografike për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar të NATO-s, BE-së apo të shteteve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare bëhet në përputhje me marrëveshjet e sigurisë për mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar.
Neni 8
Procedurat për menaxhimin e materialeve kriptografike
1. Menaxhimi i materialeve kriptografike është procesi i trajtimit dhe i dokumentimit të situatave emergjente dhe i incidenteve të sigurisë, që lidhen me komprometimin, humbjen ose përdorimin e paautorizuar të materialeve kriptografike.
2. Në kushtet e situatave emergjente, kur dëmi që shkakton mosdërgimi i informacionit është më i madh se dëmi që shkakton zbulimi i tij, informacioni i klasifikuar “sekret shtetëror” transmetohet me anë të materialeve kriptografike me nivel më të ulët klasifikimi, me urdhër të titullarit të strukturës ku bën pjesë, në rast se:
a) dërguesi dhe marrësi nuk kanë të njëjtat materiale kriptografike;
b) kur nuk ka në dispozicion mënyra të tjera të sigurta komunikimi.
3. Në rastet e përcaktuara në pikën 2, të këtij neni:
a) përdoruesit i sigurohet minimumi i kushteve të sigurisë, në përputhje me nivelin e klasifikimit të sistemeve kriptografike që përdor;
b) përpilohet një raport, me anë të të cilit vihet në dijeni AKSIK-u dhe Drejtoria e Shifrës.
4. Incident kriptografik konsiderohet:
a) komprometimi, humbja apo kopjimi nga persona të paautorizuar i materialeve kriptografike;
b) përdorimi i materialeve kriptografike të pavlerësuara nga Drejtoria e Shifrës dhe të pamiratuara nga AKSIK-u;
c) përdorimi i sistemeve kriptografike nga persona të paautorizuar;
ç) transmetimi i informacionit të klasifikuar, duke përdorur materiale kriptografike me nivel klasifikimi më të ulët, përjashtuar rastet sipas pikës 2, të këtij neni;
d) transmetimi i informacionit të klasifikuar me materiale kriptografike të dëmtuara;
dh) administrimi, në kundërshtim me rregullat e përcaktuara të materialeve kriptografike;
e) modifikimi i paautorizuar i materialit kriptografik;
ë) konstatimi i parregullsive në paketim dhe/ose shenjëzime.
5. Në rastet kur konstatohen incidente kriptografike, merren masat e mëposhtme:
a) Ndërpritet procesi i kriptim-dekriptimit me materialet kriptografike në përdorim;
b) Ruajtësi kripto merr masa për shmangien ose kufizimin e pasojave negative dhe informon brenda 24 orëve Drejtorinë e Shifrës;
c) Për sqarimin e rrethanave të incidentit ngrihet një komision, në përbërje të të cilit janë specialistë nga Drejtoria e Shifrës, ruajtësi kripto dhe specialistë nga institucioni shtetëror ose nga operatori ekonomik, ku është konstatuar incidenti;
ç) Komisioni i ngritur harton, në dy kopje, raportin për incidentin kriptografik, një për institucionin ose operatorin ekonomik, ku ka ndodhur incidenti, dhe një për Drejtorinë e Shifrës;
d) Drejtoria e Shifrës njofton AKSIK-un për konkluzionet e nxjerra për incidentin kriptografik nga komisioni i ngritur dhe për masat e marra.
6. Raporti i incidentit kriptografik merr klasifikimin e materialit kriptografik të përfshirë në incident.
7. Raporti përmban një përshkrim të qartë të incidentit kriptografik, ku të përfshihen:
a) lloji i materialit kriptografik të përfshirë në incident;
b) sistemet e prekura nga incidenti;
c) struktura ku ka ndodhur incidenti;
ç) përdoruesit e sistemit dhe ruajtësi kripto përkatës.
8. Raporti i incidentit kriptografik përmban një nga deklaratat e mëposhtme:
a) “I komprometuar”: Në rast se materiali kriptografik ka humbur në mënyrë të pakthyeshme ose informacionet tregojnë në mënyrë të qartë që materialet kriptografike janë aksesuar nga një person i paautorizuar;
b) “Nuk përjashtohet komprometimi”: Informacioni në dispozicion tregon që materialet kriptografike janë aksesuar nga persona të paautorizuar, por nuk ka prova të qarta;
c) “Nuk ka komprometim”: Informacioni në dispozicion provon qartësisht që materiali kriptografik nuk është aksesuar nga persona të paautorizuar.
9. Raporti i incidentit kriptografik nënshkruhet nga të gjithë pjesëtarët e komisionit të ngritur sipas shkronjës “c”, të pikës 5, të këtij neni.
Neni 9
Dispozita kalimtare dhe të fundit
1. Vendimi nr.690, datë 5.10.2011, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores “Për mbrojtjen kriptografike të informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror””, shfuqizohet, me përjashtim të neneve 6, 9 e 25, të cilat vazhdojnë të mbeten në fuqi deri në daljen e aktit nënligjor për organizimin dhe funksionimin e Drejtorisë së Shifrës, për sa kohë nuk bien ndesh me parashikimet e këtij vendimi.
2. Ngarkohen institucionet shtetërore dhe operatorët ekonomikë për zbatimin e kërkesave të këtij vendimi.
3. Ngarkohen Drejtoria e Shifrës dhe Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar për kontrollin e zbatimit të kërkesave të këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PROCEDURAVE STANDARDE TË VEPRIMIT PËR MBROJTJEN E VIKTIMAVE DHE VIKTIMAVE TË MUNDSHME TË TRAFIKIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.8920, datë 11.7.2002, “Për ratifikimin e Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar dhe dy protokolleve shtesë të saj”, dhe të ligjit nr.9642, datë 20.11.2006, “Për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës “Për masat kundër trafikimit të qenieve njerëzore””, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e procedurave standarde të veprimit për mbrojtjen e viktimave dhe viktimave të mundshme të trafikimit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Vendimi nr.499, datë 29.8.2018, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e procedurave standarde të veprimit për mbrojtjen e viktimave dhe viktimave të mundshme të trafikimit”, shfuqizohet.
3. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Arsimit, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RIKONSTRUKSIONIT TË NJËSIVE INDIVIDUALE TË BANIMIT NË BASHKINË DURRËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 169 850 000 (njëqind e gjashtëdhjetë e nëntë milionë e tetëqind e pesëdhjetë mijë) lekë pa TVSH, për financimin e rikonstruksionit të njësive individuale të banimit në Bashkinë Durrës.
2. Efekti financiar përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2025, dhe i transferohet Bashkisë Durrës në formën e transfertës së pakushtëzuar, për financimin e rikonstruksionit të banesave individuale për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë si pasojë e fatkeqësisë natyrore dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, por kanë nevojë për punime rikonstruksioni ose riparime.
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Bashkia Durrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RIFORCIMIT TË BANESAVE INDIVIDUALE NË BASHKINË SHIJAK
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nënndarjes “i”, të shkronjës “b”, të nenit 13, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 5 314 932,40 (pesë milionë e treqind e katërmbëdhjetë mijë e nëntëqind e tridhjetë e dy presje dyzet) lekë pa TVSH, për financimin e riforcimit të banesave individuale për ata individë, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë, që rezultojnë me shkallë dëmi DS4 e që nuk duhen rindërtuar nga e para, por kanë nevojë për punime rikonstruksioni, në bazë të aktekspertizave të thelluara, në Bashkinë Shijak.
2. Efekti financiar në masën 5 314 932,40 (pesë milionë e treqind e katërmbëdhjetë mijë e nëntëqind e tridhjetë e dy presje dyzet) lekë përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2025, dhe i transferohet Bashkisë Shijak në formën e transfertës së pakushtëzuar.
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Bashkia Shijak për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, DHE SHKËMBIMIN E PRONËS, NË FUNKSION TË PROCESIT TË RINDËRTIMIT, NË ZONËN E RE PËR ZHVILLIM NË SPITALLË, BASHKIA DURRËS , NË KUADËR TË PROJEKTIT “RIKONSTRUKSIONI I RRUGËVE “MIQËSIA” DHE “AZEM HAJDARI”, LOTI II – RRUGA “MIQËSIA””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, dhe në vijim të vendimit nr.7, datë 6.1.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për kushtet dhe procedurat për shpronësimet dhe/ose shkëmbimin e pronës për interes publik në funksion të procesit të rindërtimit”, të ndryshuar, të vendimit nr.8, datë 6.1.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kushteve dhe të kritereve të përfitimit të sipërfaqeve ndërtimore në objektet e reja për banim nga subjektet që posedojnë ndërtime të klasifikuara si ndërtime pa leje”, të ndryshuar, dhe të vendimit nr.164 datë 19.2.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e zonës së re për zhvillim, në njësinë administrative Durrës, Bashkia Durrës, dhe caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit si njësi zbatuese”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, dhe shkëmbimin e pronës, për interes publik, në funksion të procesit të rindërtimit, në zonën e re për zhvillim në Spitallë, Bashkia Durrës, në kuadër të projektit “Rikonstruksioni i rrugëve “Miqësia” dhe “Azem Hajdari”, loti II – rruga “Miqësia””.
2. Shpronësimi dhe shkëmbimi i pronës bëhen në favor të Bashkisë Durrës.
3. Shkëmbimi i pasurive të paluajtshme, pronë private, për të cilat pronarët kanë pranuar kompensimin, me shkëmbim, për pasuritë e llojit “ndërtesë” dhe “truall”, me një pasuri të ardhshme në pronësi të shtetit, bëhet referuar legjislacionit në fuqi, sipas cilësimeve në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, si dhe marrëveshjeve/kontratave paraprake, që janë lidhur dhe lidhen ndërmjet Bashkisë Durrës dhe qytetarëve, që shprehin dakordësinë brenda periudhës së zbatimit të projektit.
4. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, “ndërtesë, “njësi” dhe “arë”, në vlerën 13 929 889 (trembëdhjetë milionë e nëntëqind e njëzet e nëntë mijë e tetëqind e tetëdhjetë e nëntë) lekë.
5. Vlera e përgjithshme e kompensimit, prej 13 929 889 (trembëdhjetë milionë e nëntëqind e njëzet e nëntë mijë e tetëqind e tetëdhjetë e nëntë) lekë, përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit, që i transferohen Bashkisë Durrës.
6. Pronarët e pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur certifikatën e pronësisë origjinale ose dublikatë, kartelën e pasurisë të rifreskuar, si dhe hartën treguese të regjistrimit pranë Bashkisë Durrës, referuar aktmarrëveshjes së lidhur.
7. Shpronësimi fillon menjëherë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
8. Bashkia Durrës kryen likuidimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, të shpronësuar, dhe bën shkëmbimin e pronës, referuar aktmarrëveshjeve të lidhura.
9. Afati i kryerjes së shpronësimit në vlerë monetare do të jetë momenti i fillimit të realizimit të projektit. Afati i kryerjes së shkëmbimit të pronës private me një pronë shtetërore të ardhshme, sipas marrëveshjeve të nënshkruara, do të jetë në përfundim të realizimit të projektit “Rikonstruksioni i rrugëve “Miqësia” dhe “Azem Hajdari”, loti II – rruga “Miqësia””.
10. Bashkia Durrës i kërkon Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, që, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit të shpronësimit dhe të shkëmbimit ose nga data që ka marrë formë të prerë vendimi i gjykatës, në rast se kompensimi kryhet nëpërmjet shkëmbimit të pronës private me një pasuri shtetërore të ardhshme, në kartelën e pasurisë për pronën “truall”, ku do të krijohet pasuria e ardhshme, regjistruar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, të bëjë regjistrimin e barrës ligjore, sipas legjislacionit në fuqi, në favor të pronarit privat për përfitimin në të ardhmen të pasurisë shtetërore, kur kjo e fundit të regjistrohet në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës. Kur pronari/pronarët privat/privatë ka/kanë pranuar kushtet e shkëmbimit, pjesë të kërkesës për regjistrim janë dhe marrëveshjet përkatëse. Me regjistrimin e pasurisë së ardhshme në regjistrin përkatës pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, me kërkesë të njësisë zbatuese dhe të përfaqësuesit të pronarit shtet, bëhet regjistrimi i kalimit të të drejtave të pronësisë për pronën shtet, në favor të pronarit privat.
11. Bashkia Durrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave për shpronësimin, i kërkon Agjencisë Shtetërore të Kadastrës të kryejë regjistrimin e pasurive, pronë private, të shpronësuara, sipas legjislacionit në fuqi dhe referuar aktmarrëveshjes së lidhur.
12. Gjatë periudhës së zbatimit të projektit (përfundimin e punimeve), qytetarët, nëse nuk kanë në pronësi ose në posedim objekte të tjera banimi, do të strehohen nga njësia e vetëqeverisjes vendore, nëpërmjet programeve të rindërtimit, të parashikuara në aktin normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, ose në legjislacionin në fuqi për strehimin social.
13. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të Bashkisë Durrës për pasuritë e shpronësuara.
14. Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
15. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Durrës, Bashkia Durrës dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Durrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I RRUGËS “ZEF SEREMBE”, BASHKIA TIRANË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 dhe 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i rrugës “Zef Serembe”, Bashkia Tiranë”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë” dhe “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 5 850 194.10 (pesë milionë e tetëqind e pesëdhjetë mijë e njëqind e nëntëdhjetë e katër pikë dhjetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 5 850 194.10 (pesë milionë e tetëqind e pesëdhjetë mijë e njëqind e nëntëdhjetë e katër pikë dhjetë) lekësh përballohet nga Bashkia Tiranë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Bashkia Tiranë.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues, për likuidim, pranë Bashkisë Tiranë.
8. Bashkia Tiranë kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Tiranë.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Veri, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë, për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë, në favor të Bashkisë Tiranë, për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Veri, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.215, DATË 31.3.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË BANESAVE INDIVIDUALE, NË BASHKITË LEZHË DHE KURBIN, DHE CAKTIMIN E TYRE SI NJËSI ZBATUESE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” e “iii”, 16 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.215, datë 31.3.2021, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen shtesa dhe ndryshimi i mëposhtëm:
a) Pas pikës 2/2 shtohet pika 2/3, me këtë përmbajtje:
“2/3. Përdorimin e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2025, në masën 104 050 661,58 (njëqind e katër milionë e pesëdhjetë mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e një presje pesëdhjetë e tetë) lekë pa TVSH, për financimin e rindërtimit të njësive individuale të banimit, të cilat janë klasifikuar si objekte që duhen ndërtuar nga e para, në Bashkinë Kurbin, i cili përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2025, dhe i transferohet Bashkisë Kurbin në formën e transfertës së pakushtëzuar.”.
b) Në pikën 3, togfjalëshi “… sipas pikave 1, 2 , 2/1 dhe 2/2 …” zëvendësohen me “… sipas pikave 1, 2, 2/1, 2/2 dhe 2/3 …”.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Bashkia Kurbin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.836, DATË 26.12.2024, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RIFORCIMIT TË BANESAVE INDIVIDUALE NË BASHKITË KAMZË, MIRDITË, SHIJAK DHE KRUJË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 25 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.836, datë 26.12.2024, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa:
a) Pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
“2/1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, për vitin 2025, nga Bashkia Shijak, në masën 72 928 638 (shtatëdhjetë e dy milionë e nëntëqind e njëzet e tetë mijë e gjashtëqind e tridhjetë e tetë) lekë pa TVSH, për financimin e riforcimit të banesave individuale në Bashkinë Shijak.”.
b) Pas pikës 3 shtohet pika 3/1, me këtë përmbajtje:
“3/1. Efekti financiar do të përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2025, dhe i transferohet Bashkisë Shijak, në formën e transfertës së pakushtëzuar.”.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Bashkia Shijak për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.307, DATË 16.4.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E NDËRTIMIT DHE TË RIKONSTRUKSIONIT TË INFRASTRUKTURËS PUBLIKE NË ZONAT E REJA TË SHPALLURA PËR ZHVILLIM TË DETYRUAR”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 16 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.115, datë 3.12.2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pas pikës 3.6, të vendimit nr.307, datë 16.4.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet pika 3.7, me këtë përmbajtje:
“3.7. Përdorimi i fondit të miratuar në buxhetin e vitit 2025, në masën 18 584 271 (tetëmbëdhjetë milionë e pesëqind e tetëdhjetë e katër mijë e dyqind e shtatëdhjetë e një) lekë pa TVSH, i shtohet Fondit Shqiptar të Zhvillimit në buxhetin e miratuar për vitin 2025, në zërin “Shpenzime kapitale me financim të brendshëm”, të programit 06210 “Programe zhvillimi për financimin e ndërtimit dhe të rikonstruksionit të infrastrukturës publike në zonat e reja të shpallura për zhvillim, në bashkitë Durrës, Kamzë, Kavajë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Mirditë, Shijak e Vorë.”.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.489, DATË 21.7.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT), BASHKIA KURBIN, DHE CAKTIMIN E BASHKISË KURBIN SI NJËSI ZBATUESE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i”, dhe “iii”, 16 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të neni 7, të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pas pikës 2/1, të vendimit nr.489, datë 21.7.2022, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet pika 2/2, me këtë përmbajtje:
“2/2. Bashkisë Kurbin, në buxhetin e vitit 2025, i transferohet fondi në formën e transfertës së pakushtëzuar, në masën 124 043 103 (njëqind e njëzet e katër milionë e dyzet e tre mijë e njëqind e tre) lekë pa TVSH, për rindërtimin në truallin ekzistues të 2 (dy) njësive të banimit në ndërtesa (pallat), në Bashkinë Kurbin, i cili do të përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2025.”.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Bashkia Kurbin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.501, DATË 27.7.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT), BASHKIA KURBIN, DHE CAKTIMIN E BASHKISË KURBIN SI NJËSI ZBATUESE” , TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” dhe “iii”, 16 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.115, datë 3.12.2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pas pikës 2/1, të vendimit nr.501, datë 27.7.2022, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet pika 2/2, me këtë përmbajtje:
“2.2. Bashkisë Kurbin, në buxhetin e vitit 2025, i transferohet fondi në formën e transfertës së pakushtëzuar, në masën 130 183 721,39 (njëqind e tridhjetë milionë e njëqind e tetëdhjetë e tre mijë e shtatëqind e njëzet e një presje tridhjetë e nëntë) lekë pa TVSH, për financimin e rindërtimit në truallin ekzistues të 2 (dy) njësive të banimit në ndërtesa (pallat), në Bashkinë Kurbin, i cili përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2025.”.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Bashkia Kurbin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.502, DATË 27.7.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT), BASHKIA KURBIN, DHE CAKTIMIN E BASHKISË KURBIN SI NJËSI ZBATUESE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” dhe “iii”, 16 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pas pikës 2/1, të vendimit nr.502, datë 27.7.2022, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet pika 2/2, me këtë përmbajtje:
“2/2. Bashkisë Kurbin, në buxhetin e vitit 2025, i transferohet fondi, në formën e transfertës së pakushtëzuar, në masën 160 697 649, 01 (njëqind e gjashtëdhjetë milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e shtatë mijë e gjashtëqind e dyzet e nëntë presje zero një) lekë pa TVSH, për rindërtimin në truallin ekzistues të 2 (dy) njësive të banimit në ndërtesa (pallat), në Bashkinë Kurbin, i cili do të përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2025.”.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Bashkia Kurbin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.505, DATË 27.7.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RIKONSTRUKSIONIT TË OBJEKTIT TË KOMISARIATIT TË POLICISË NR.5, KAMZË, DHE CAKTIMIN E DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË POLICISË SË SHTETIT SI NJËSI ZBATUESE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” e “iii”, 16 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pas pikës 2, të vendimit nr.505, datë 27.7.2022, të Këshillit të Ministrave, shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
“2/1. Në buxhetin e miratuar për vitin 2025 për Ministrinë e Punëve të Brendshme, në programin buxhetor “Policia e Shtetit” 03440, në zërin “Shpenzime kapitale me financim të brendshëm”, shtohet fondi prej 3 690 000 (tre milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë mijë) lekësh pa TVSH, për financimin e rikonstruksionit të objektit të Komisariatit të Policisë nr.5, Kamzë, i cili do të përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2025.”.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.554, DATË 31.7.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN, MËNYRËN E ORGANIZIMIT DHE TË FUNKSIONIMIT TË AGJENCISË KOMBËTARE TË PUNËSIMIT DHE AFTËSIVE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 14, pika 3, dhe 15, pika 6, të ligjit nr.15/2019, “Për nxitjen e punësimit”, të ndryshuar, të pikës 3, të nenit 9, të ligjit nr.15/2017, “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pas shkronjës “p”, të pikës 8, të kreut III, të vendimit nr.554, datë 31.7.2019, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet shkronja “q”, me këtë përmbajtje:
“q) mbledh dhe administron informacion mbi vendet e lira të punës të shpallura nga punëdhënësit e sektorit publik e privat.”.
2. Ngarkohet Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.587, DATË 22.7.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT), TË DËMTUARA, NË ZONAT E REJA PËR ZHVILLIM DHE RINDËRTIM NË TË NJËJTIN TRUALL”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 16 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pas pikës 5.2, të vendimit nr.587, datë 22.7.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet pika 5.3, me këtë përmbajtje:
“5.3. Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në buxhetin e miratuar për vitin 2025, në zërin “Shpenzime kapitale me financim të brendshëm”, të programit 06210 “Programe zhvillimi”, i shtohet fondi prej 167 262 013 (njëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e dyqind e gjashtëdhjetë e dy mijë e trembëdhjetë) lekësh pa TVSH.”.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E DISA ZONAVE ME PËRPARËSI ZHVILLIMIN E EKONOMISË MALORE NË BASHKINË KLOS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 4, të ligjit nr.20/2025, “Për paketën e maleve”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen “Zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore” në territorin e Bashkisë Klos të disa zonave, si më poshtë vijon:
a) Zona nr.1, njësia administrative Xibër, zona zhvillimore “Ura e Vashës-Gujë”, me sipërfaqe 821.22 (tetëqind e njëzet e një pikë njëzet e dy) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitura mbi ortofoto;
b) Zona nr.2, njësia administrative Xibër, zona zhvillimore “Xibër-Murriz”, me sipërfaqe 411.72 (katërqind e njëmbëdhjetë pikë shtatëdhjetë e dy) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitura mbi ortofoto;
c) Zona nr.3, njësia administrative Xibër, zona zhvillimore “Maja Kulbot”, me sipërfaqe 7.07 (shtatë pikë zero shtatë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitura mbi ortofoto;
ç) Zona nr.4, njësia administrative Xibër, zona zhvillimore “Kodër Thekna”, me sipërfaqe 11.13 (njëmbëdhjetë pikë trembëdhjetë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitura mbi ortofoto;
d) Zona nr.5, njësia administrative Xibër, zona zhvillimore “Maja e Balzit”, me sipërfaqe 74.22 (shtatëdhjetë e katër pikë njëzet e dy) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitura mbi ortofoto;
dh) Zona nr.6, njësia administrative Xibër, zona zhvillimore “Splaj-Tejlum”, me sipërfaqe 193.85 (njëqind e nëntëdhjetë e tre pikë tetëdhjetë e pesë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitura mbi ortofoto;
e) Zona nr.7, njësia administrative Gurrë, zona zhvillimore “Zhuri i Arrikut”, me sipërfaqe 249.48 (dyqind e dyzet e nëntë pikë dyzet e tetë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitura mbi ortofoto;
ë) Zona nr.8, njësia administrative Klos, zona zhvillimore “Plan i Bardhë-Bejnë-Cerujë-Patin”, me sipërfaqe 6 872.20 (gjashtë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e dy pikë njëzet) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitura mbi ortofoto;
f) Zona nr.9, njësia administrative Suç, zona zhvillimore “Balgjaj-Suç”, me sipërfaqe 1 715.53 (një mijë e shtatëqind e pesëmbëdhjetë pikë pesëdhjetë e tre) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitura mbi ortofoto.
2. Shtrirja, kufijtë, pikat e hyrjes dhe të daljes së këtyre zonave përcaktohen në hartën treguese sipas sistemit KRGJSH, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Llojet e aktiviteteve që do të zhvillohen në këtë zonë janë:
a) të zhvillimit ekonomik;
b) të zhvillimit industrial;
c) të zhvillimit turistik.
4. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Klos për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E DISA ZONAVE ME PËRPARËSI ZHVILLIMIN E EKONOMISË MALORE NË BASHKINË VAU I DEJËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 4, të ligjit nr.20/2025, “Për paketën e maleve”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen “Zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore” në territorin e Bashkisë Vau i Dejës të disa zonave, si më poshtë vijon:
a) Zona zhvillimore nr.1, Barbullush, pjesë e njësisë administrative Bushat, me sipërfaqe 41.35 (dyzet e një pikë tridhjetë e pesë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitur mbi ortofoto;
b) Zona zhvillimore nr.2, Lugina e Drinit, pjesë e njësive administrative Temal, Shllak dhe Vau i Dejës, me sipërfaqe 7 930.82 (shtatë mijë e nëntëqind e tridhjetë pikë tetëdhjetë e dy) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitur mbi ortofoto;
c) Zona zhvillimore nr.3, Bushat, pjesë e njësisë administrative Bushat, me sipërfaqe 188.89 (njëqind e tetëdhjetë e tetë pikë tetëdhjetë e nëntë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitur mbi ortofoto;
ç) Zona zhvillimore nr.4, Shllak, njësia administrative Shllak, me sipërfaqe 931.76 (nëntëqind e tridhjetë e një pikë shtatëdhjetë e gjashtë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitur mbi ortofoto;
d) Zona zhvillimore nr.5, Mnelë, pjesë e njësisë administrative Vig-Mnelë, me sipërfaqe 116.48 (njëqind e gjashtëmbëdhjetë pikë dyzet e tetë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitur mbi ortofoto;
dh) Zona zhvillimore nr.6, Nënshat, pjesë e njësisë administrative Hajmel, me sipërfaqe 355.78 (treqind e pesëdhjetë e pesë pikë shtatëdhjetë e tetë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitur mbi ortofoto.
2. Shtrirja, kufijtë, pikat e hyrjes dhe të daljes së këtyre zonave përcaktohen në hartën treguese, sipas sistemit KRGJSH, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Llojet e aktiviteteve që do të zhvillohen në këtë zonë janë:
a) të zhvillimit ekonomik;
b) të zhvillimit industrial;
c) të zhvillimit turistik.
4. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Vau i Dejës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA