Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në kantierin e shëtitores “Taulantia” punimet po ecin me ritme të shpejta për realizimin e një projekti transformues, të financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, mbi projekt-idenë e propozuar nga studioja prestigjioze ndërkombëtare Bofill Taller de Arquitectura.

Në kantier u ndal sot Kryeministri Edi Rama së bashku me kryetaren e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, e cila gjatë inspektimit të punimeve u shpreh se projekti po ecën sipas planifikimit dhe përfshin ndërhyrje të rëndësishme infrastrukturore dhe estetike.

“Jemi në kantierin e shëtitores Taulantia, i cili ka filluar disa muaj më parë dhe puna ka avancuar përgjatë gjithë gjatësisë së saj. Po realizohen themelet e shëtitores, me një gjatësi rreth 215 metra, që do të shërbejnë si element hijezues dhe dekorativ. Janë hequr stola të amortizuar dhe po punohet për shtrimin e bazamentit, vendosjen e elementeve të rinj dhe zgjerimin e shëtitores,” – u shpreh Sako.

Ajo theksoi se projekti parashikon edhe vendosjen e elementeve mbrojtëse prej guri, të cilat do të ndihmojnë në amortizimin e fuqisë së dallgëve gjatë sezonit të dimrit, si dhe sistemimin e plotë të territorit, përfshirë rrjetin e ujërave të bardha, ndriçimin, stola të rinj dhe gjelbërim të përshtatur me hapësirën.

Bashkia e Durrësit, në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, po realizon edhe investimin për rehabilitimin e hyrjes së qytetit, ku përfshihet ndërtimi i pistës së biçikletave, përmirësimi i asfaltit, ndriçimi, gjelbërimi dhe një ndërhyrje e rëndësishme në sistemin e kanalizimeve për të përballuar flukset e larta të ujërave, pas situatave të përmbytjeve të fundit.

“Një element shumë i rëndësishëm është edhe lidhja e kanalit të ujërave të larta nga Shkozeti dhe plazhi drejt urës së Dajlanit. Pas situatës së përmbytjeve që patëm kemi biseduar me kompaninë edhe me Fondin Shqiptar të Zhvillimit për të bërë të mundur që të hapet e plotë dhe tombino të vendoset e re në mënyrë që të parashikojë edhe fluksin e lartë të ujërave që arritën në maksimum në rastin e reshjeve të javës që kaloi”, – u shpreh kryetarja e bashkisë së Durrësit.

“Vijnë shumë prurje plastike nga ujërat e fryra dhe krijohen situata të vështira për çdo lloj kanali, ndaj këto ndërhyrje duhet të bëhen paralelisht,” – tha Kryeministri, duke shtuar se “ky projekt krijon një bulevard të ri, shumë cilësor për qytetin e Durrësit.”

Nga ana e tij, Kryeministri Edi Rama vlerësoi projektin si një investim me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën urbane të qytetit. Projekti parashikohet të përfundojë në muajin maj, përpara nisjes së sezonit turistik, duke krijuar një tjetër vlerë të shtuar për Durrësin turistik.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.