Kryeministri Edi Rama u mikprit sot, gjatë vizitës së tij në Izrael, nga Kryetari i Knessetit (Parlamentit të Izraelit) Amir Ohana në Knesset Plaza me një ceremoni të posaçme, ku u luajtën himnet kombëtare të vendeve dhe delegacionet u përshëndetën nga rojet e nderit.
Më pas, kryeministri Edi Rama, i cili shoqërohej nga bashkëshortja e tij Linda Rama, bëri homazhe në Monumentin e ushtarëve të rënë dhe në Monumentin e viktimave të terrorit, dy monumente me vlera dhe domethënie të veçantë për popullin e Izraelit, si dhe la shënimin e tij në Librin e përshtypjeve në Hollin Shagal.
“Nuk mund të mendoj një nder më të madh dhe një bekim më domethënës sesa të lë këtë shënim në këtë faqe, si një mysafir i veçantë në këtë shtëpi legjendare. Faleminderit!” – shkroi Kryeministri Rama.
Ceremonia i parapriu takimit të Kryeministrit Rama me Kryetarin e Knessetit Amir Ohana, që më pas do të vijojë me adresimin e Kryeministrit Rama në Knesset, sipas një protokolli të posaçëm që Knesseti u ka rezervuar një numri të kufizuar udhëheqësish të huaj dhe së fundmi Presidentit të SHBA, Donald J. Trump.
Ndërsa, znj. Linda Rama do të ketë një takim të veçantë me gratë parlamentare.