Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Rama ishte i pranishëm sot në takimin e zgjeruar me Kryeinspektorin e Përgjithshëm dhe drejtuesit e inspektoriateve të vendit, për sfidat e fazës së re të reformës së sistemit të inspektimeve.

Në takimin e çelur nga Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj u diskutua mbi piketat kryesore tw reformës së inspektimeve, punën që është bërë paraprakisht në ndërtimin e bazës ligjore, konsolidimin e inspektorateve, thjeshtimin e procedurave të inspektimit, rritjen e transparencës në procedurat e inspektimit, etj.

Kryeministri Rama tha se është një moment shumë i rëndësishëm i reformës së sistemit të inspektimeve, pasi tashmë është kapërcyer faza e parë që pati shumë nevojë për parapërgatitje, dhe do të kalohet në fazën e zbatimit të thelluar të kësaj reforme, e cila do shoqërohet me fillimin e punës për të ndërtuar kompleksin e ri të Inspektoratit të Përgjithshëm që do të jetë një mjedis me kushte optimale për të mbledhur të gjithë inspektoratet dhe për t’i dhënë sensin e një trupe të vetme, pavarësisht se brenda kësaj trupe janë strukturat që kanë autonominë e tyre.

 

* * *

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit! Në radhë të parë dua t’i uroj punë të mbarë Kryeinspektorit të përgjithshëm.

Dua t’i uroj punë të mbarë Kryeinspektorit të Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit.

Dua t’i uroj punë të mbarë Kryeinspektores së Agjencisë Kombëtare të Ushqimit dhe me radhë edhe të tjerëve që janë këtu.

Është një moment shumë i rëndësishëm i kësaj reforme se pasi kemi kapërcyer fazën e parë që pati shumë nevojë për parapërgatitje, për të studiuar modelet dhe për të krijuar një lloj bindjeje tek të gjithë se ishte një domosdoshmëri të kapërcehej skema organizative e së shkuarës, gjë e cila nuk ishte e lehtë për hir të së vërtetës sepse kur vjen puna tek lëshimi i territoreve të përgjegjësisë është gjithmonë jo e lehtë, tani do të kalojmë në fazën e zbatimit të thelluar të kësaj reforme e cila do shoqërohet me fillimin e punës për të ndërtuar kompleksin e ri të Inspektoratit të Përgjithshëm që do të jetë një mjedis që do të krijojë kushte optimale për të mbledhur të gjithë inspektoratet dhe për t’i dhënë këtë sensin e një trupe të vetme, pavarësisht se brenda kësaj trupe janë strukturat që kanë autonominë e tyre, por një gjë është e sigurt, që deri tani ne nuk mund të themi se me inspektimin kemi bërë progresin e nevojshëm. Inspektimi mbetet një problem në gjithë mekanizimin e funksionimit të shtetit tonë, mbetet një problem në organizim, mbetet një problem në mendësi dhe mbetet një problem në hendekun midis shërbimit dhe pengimit të atyre që duhet të shërbehen dhe që jo rrallë në vend që të shërbehen, të keqtrajtohen dhe të abuzohen. Kjo është e vërteta!

Megjithatë, nga ana tjetër unë gjithmonë kam besuar dhe besoj që sistemi dhe përmirësimi i sistemit është përgjigja.

Mund të ndërrojmë të gjithë njerëzit, mund të sjellim njerëz dhe nga Hëna, po që se sistemi nuk është i strukturuar si duhet dhe po qe se drejtimi nuk është i duhuri, përsëri biem në të njëjtat situata që për fat të keq i ndeshim më rrallë se me parë, por shumë shpesh për hir të së vërtetës për të qenë sot në prag të anëtarësimit në BE.

Tani, dua të them dy fjalë për faktin që Kryeinspektori vjen nga një pjesë e karrierës, e cila ka qenë politike, por më parë ka qenë një protagonist në sistemin e mëparshëm të drejtësisë, ka gjithë formimin e nevojshëm për të ndjekur këtë punë pasi formimi juridik në këtë rast është shumë i rëndësishëm, por ka dhe sfidën që gjithë ato që i ka thënë Blerinës në parlament tani bashkë me Blerinën dhe bashkë me të tjerët t’i adresojë.

Jemi vend shumë i vogël ne për t’u ndarë në shumë pjesë dhe kur vjen puna tek politika ndarja është e natyrshme se jetojmë në një sistem demokratik, por kur vjen puna tek shteti, kur vjen puna tek objektivat e përbashkët për aq kohë sa na jepet mundësia, mirë është që të përpiqemi së bashku.

Tani, kjo është në një fare mënyre sfide personale se dhe mua nuk më ka kursyer zotëria kur kam qenë në parlament. Tani ta shohim sesi i bën gjërat për të cilat nuk na ka lënë gjë pa thënë ne që nuk i bënim ashtu si duhet dhe këtë e them me shumë sinqeritet, pa asnjë ironi.

Realisht të kalosh nga teoria tek praktika e punës, është njësoj si të kalosh nga poezia tek romani. Është një tjetër histori komplet. Gjithsesi, disa gjëra duhet t’ia vëmë vetes detyrë dhe t’i bëjmë.

Nuk bën sens që inspektoratet të mos kenë plane të punës që inspektorët nga ai që e ka fushën e përgjegjësinë në mes të Tiranës deri tek ai që e ka në një qytet të vogël të mos kenë përpara planin e tyre të punës dhe të mos përgjigjen për planin e tyre të punës, por të dalin nga shtëpia si gjahtarë që nisen nëpër drejtime të ndryshme për të kapur ndonjë gjë. Kjo nuk mund të jetë mënyra si funksionojnë inspektorët dhe aq më tepër akoma, unë besoj që ka ardhur koha që në të mos veprojmë në nivelin e inspektimit me befasira, a thua se po kapim diversantë dhe armiq në radhët e sipërmarrjes. Sipërmarrja lajmërohet, i parashtrohet programi tematik i inspektimit dhe bëhet inspektimi. Qëllimi ynë nuk është t’iu kapim gabim, qëllimi ynë është t’i ndihmojmë që të vetë korrigjohen edhe kur janë gabim. Kështu funksionon në gjithë Europën, kështu duhet të funksionojë edhe këtu.

Tjetra që është barrë e kryeinspektorit të përgjithshëm dhe Inspektoratit të Përgjithshëm është të racionalizojmë vizitat në dyert e biznesit. Nuk mundet dot një sipërmarrje të harxhojë një kohë pa limit për lloj-lloj inspektimesh që i vijnë tek dera dhe sensi i kësaj reforme shkon në këtë drejtim; që të gjithë janë pa diskutim, të kontrollueshëm nga të gjithë, por nuk mundet dot të sulmohet me gjithfarëlloj inspektimesh, por do të racionalizohet mënyra si kryhen inspektimet dhe racionalizohet koha dhe energjia që i kërkohet një sipërmarrjeje për tu marrë me inspektorët. Ikën njëri, vjen tjetri.

Patjetër që një sistem i ri rekrutimi dhe karriere është i domosdoshëm. Kemi kaluar 30 e kusur vite në këtë proces, tani jemi në kushtet kur mund të themi jemi njësoj siç kemi bërë me Doganën për shembull, ku ka një stabilitet shumë të konsoliduar, pavarësisht problematikave që mund të ketë; siç po bëjmë me shërbimin civil, ku ka një stabilitet të konsoliduar dhe nuk mund të hysh dot në shërbimin civil pa konkurset përkatëse, pa kohën përkatëse të provës,  ashtu sikundër ke një garanci që nuk mund të të nxjerrin dot nga puna se kështu i teket njërit dhe tjetrit, duhet të jetë dhe me inspektorët tani, por ama, kjo kërkon një certifikim, trajnim të detyrueshëm dhe në vazhdim kjo kërkon standard etik të unifikuar dhe kjo kërkon që sistemi i ri i rekrutimit dhe i karrierës, të jetë një sistem i besueshëm sepse do t’i jepet mundësia dikujt qe të punojë i patrazuar nga frika se do lëvizë edhe “o burra të kapim ça të kapim sot, se nesër s’do jemi’’, por nga ana tjetër edhe ta meritoj atë gjë që i jepet, sepse i jepet një garanci shumë e madhe.

Tjetra që është shumë e rëndësishme, është numri katastrofik i inspektimeve që bëjmë ne. Është një numër shumë i lartë ndërkohë që sistemi duhet të bazohet tek inspektimet që kanë të gjitha së bashku, sensin e frikës që ruan vreshtin, në kuptimin e mirë të fjalës dhe aty ku bëhen shembuj, bëhen shembuj. Pra, një shembull duhet të vlejë për shumë të tjerë që shiko, se po shkele këtu, kjo sjell këtë pasojë. Po jo inspektime në pafundësi. Nuk vlejnë për asgjë, vetëm krijojnë tension, stres, rrëmujë  dhe ashtu sikundër nga ana tjetër, përzgjidhen subjektet kot, ndërkohë që forcat e inspektimit duhet të bazohen tek risku. Ku është risku dhe ça po kërkojmë të arrijmë? Jo futu, hap derën e futu dhe “erdhëm ne, Si e ke frigoriferin, si e ke higjienën, si e ke këtë e si ke e atë’’? Mbi bazë risku.

Tjetra që ka shumë rëndësi, është harmonizimi me Tatimet. Është shumë i rëndësishëm harmonizimi me Tatimet, sepse Tatimet kanë proceset e tyre por edhe ato procese nuk duhet të jenë të mbivendosura ose ato procese s’duhet t’i mbivendosen të tjerët, por duhet të ketë një sens të qartë racionalizimi.

E fundit që unë e kam folur me Dashin është digjitalizimi.

Këtu ka shumë potencial për të çuar në një nivel tjetër gjithë sistemin e inspektimit dhe për të rritur besueshmërinë edhe për të ndihmuar sipërmarrjen realisht, sepse sipërmarrja përshembull vuan konkurrencën e pandershme. Sipërmarrja vuan situata që për të cilat kanë nevojë për shtetin, kanë nevojë për një trupë inspektimi dhe i duhet dhënë kjo mundësi, por që t’i jepet kjo mundësi, duhet që të ketë një kanal ankesash, të ketë një trajtim ankesash të besueshëm dhe me integritet; jo vjen ankesa nga dikush dhe ankesa përpara i shkon atij për të cilin tjetri ankohet, sesa i jepet për detyrë inspektorit që të shkojë dhe t’i dalë për zot.

Ne besojmë, unë besoj që reforma është e duhura, besoj që legjislacioni është i duhuri, besoj që fuqia që i është dhënë Inspektorit të Përgjithshëm dhe mundësia që i është dhënë sistemit për tu stabilizuar duke u konsoliduar janë të duhurat, tani duhet zbatim. Duhet zbatim dhe kyçi këtu është koordinimi. Këtu koordinimi është problem i madh dhe këtë problem duhet ta adresojmë të gjithë së bashku duke punuar në harmoni me Inspektorin e Përgjithshëm. Dhe duke bashkërenduar pastaj punën edhe me sistemet e tjera që kemi ne, që nga sistemi i bashkëqeverisjes që mbledh ankesa, të cilat duhet të kanalizohen. Një pasqyrë e dyfishtë për të parë se ku shkon ankesa dhe sa adresohet ajo, janë gjëra të rëndësishme, po unë kam shumë besim që bashkërisht do ta bëjmë këtë punë ashtu si duhet dhe do t’i japim një frymëmarrje tjetër punës së sipërmarrjes në raport me inspektimin, por edhe të gjithë sipërmarrjes që do konkurrencë të ndershme, edhe që të garantohet konkurrenca duhet të mbyllen rrugët e asaj të pandershme dhe këtu inspektimet janë kyç. Këto kisha unë.

Tani ta mbash me shëndet përgjegjësinë. Tani kanë ndryshuar rolet.

***

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit! Dua të shtoj një komponent që besoj do jetë vlerë në këtë përpjekje, për këtë fazë të dytë të reformës që është bashkëpunimi me universitetet. Ne e kemi pas një eksperiencë pozitive fillestare me Universitetin Bujqësor për të testuar të gjithë inspektorët e AKU-së dhe besoj që do jetë shumë e rëndësishme për të nesërmen që nga pozitat e kryeinspektorit të përgjithshëm të bëhen marrëveshjet me universitetet lidhur me atë që the pak më përpara, që profesionalizimi të garantohet sipas çdo fushe, jo një që ka mbaruar agronomi të bëjë inspektimin për një fushë që s’është e tija apo e anasjellta.

Vendosja në një kalendar e trajnimeve dhe e certifikimeve në mënyrë të përvitshme e shoqëruar me një sistem bonusesh financiare për të vlerësuar ata që janë më të mirët, do të jetë me të vërtetë një shtysë e mirë, por do të jetë edhe një garanci. Do të jetë edhe një garanci për të testuar përmbajtjen e burimeve njerëzore të inspektorateve dhe për karrierën e gjithsecilit.

Dhe tjetra që dua të shtoj, pavarësisht se shumëkush mund të rrudhi buzët apo mund të gjej edhe këtu rastin për të përqeshur e për të zgërdhirë, është “mot à mot”, ajo që tha kryeinspektori, sepse ne patëm një takim edhe ajo që u shtrua nga zoti Sula ishte  – “dua një sfidë dhe dua të më sfidosh dhe të sfidoj”. Dhe unë i thashë, filloje nga konkursi për Kryeinspektorin e Përgjithshëm, por jam i sigurt që kush realisht beson tek vetja dhe tek mundësia e një karriere, çdo dyshim, çdo paragjykim duhet ta vërë në provë dhe për mua është themelore që rekrutimi në të gjitha nivelet, por e inspektorëve të jetë totalisht i garantuar për këdo pavarësisht se nga vjen, qoftë përkatësi politike, qoftë krahinore, qoftë status social, qoftë, qoftë, qoftë. Kjo është shumë e rëndësishme. Nuk mund të jetë ndryshe nëse duam të kapim të gjitha ato standarde që janë domosdoshmëri për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Juve këtu nga trupa juaj në rastin konkret, nga AKU-ja dhe nga ato dy a tre inspektorate të tjera që do t’i bashkohen, që do të krijojnë sinergjinë, se do të ketë edhe grupime të inspektorateve për të pasur sinergji, varet një nga komponentët kryesorë të anëtarësimit, që është siguria ushqimore dhe e dimë shumë mirë nga historia e integrimeve të gjitha vendet kanë hequr “të zinjtë e ullirit me sigurinë ushqimore”. Bullgarisë i ka mbetur për një kohë të gjatë pezull procesi për shkak të sigurisë ushqimore. Kroacia ka bërë një punë titanike për sigurinë ushqimore.

Kështu që nuk është vetëm inspektimi, por inspektimi është kyç, pra besoj që jemi të qartë dhe kjo është rruga.

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.