Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet sot në Lushnje zhvilloi sot një bashkëbisedim me fermerët e Krutjes, mbi rritjen e investimeve në bujqësi, lehtësitë e reja fiskale dhe risitë e skemës së re kombëtare për mbështetjen e këtij sektori, ku synohet të arrihet një standard i përgjithshëm prodhimi për tregun e madh të BE-së.

Kryeministri u ndal në mënyrë të veçantë në Programin e ri Kombëtar “Dyfisho Ndërmarrjen Tënde”, që do të mundësojë financime domethënëse për të gjithë ata që duan të rriten me një plan konkret dhe bindës në çdo sektor prodhimi.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit. Dhimo, eja ulu këtu. Ti fermer je, po je nga ana jonë. Kështu që mos u fshi kamerave dhe mos u largo nga tribunat tona. Dhimon e kam mësuesin tim për bujqësinë, kështu që më ka mësuar ABC-në e bujqësisë. Plus që, pavarësisht se është zëvendësministër, është zëdhënës i fermerëve pranë nesh dhe besoj që fjala e tij ka peshën e vet specifike, pa i hequr natyrisht asgjë fjalës së ministrave që kanë përgjegjësitë e tyre lidhur me sektorin në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Unë dua, në radhë të parë, t’ju falënderoj për këtë mundësi. Dua t’i përgëzoj protagonistët që janë në këtë tokë dhe që kanë marrë përsipër krijimin e një shoqërie të bashkuar bujqësore dhe dua të theksoj se, përtej të gjitha shifrave, përtej të gjitha financimeve, të cilat flasin vetë deri në një pikë të caktuar, sepse asnjëherë nuk është mjaft, thelbi për të cilin duhet të biem dakord së bashku — dhe kur them së bashku, jo me ata që e shohin bujqësinë nga tenxheret, nga buzët e tenxhereve mediatike apo nga gjithë ai pazari i madh i thashethemeve dhe i llogjeve të Tiranës, por me të gjithë ata që e shohin bujqësinë si mundësinë e tyre për të ndërtuar jetën dhe mirëqenien — duhet të biem dakord që nuk është paraja çështja jonë kryesore sot. Ka qenë, nuk është.

Sot çështja jonë kryesore është të kuptojmë saktësisht se çfarë duhet të bëjmë për ta siguruar paranë që na duhet për të ecur përpara në ndërmarrjen tonë. Çfarë dua të them me këtë? Koha jonë nuk pret. Kemi shumë vite që flasim, por ndeshim në atë murin e paragjykimit ndaj bashkimit. Jo kooperativa, jo individualiteti, jo ku di unë se çfarë. Vetëm duke u bashkuar secili fiton 30% më shumë. Është llogari e bërë. Nuk e kam bërë unë, se unë jam piktor, nuk jam financier, nuk jam llogaritar, por është llogari e bërë. 30% më shumë fitohet vetëm duke u bashkuar.

Ja ku është Dhimo Kotja. Është një nga pionierët e bashkimit në atë territorin e vet atje dhe tek ABC-ja e Dhimo Kotës unë kam mësuar thelbin: vetëm në prodhim, bashkë në shitje. Këto historitë e fragmentimit të tokës, jo tërce-vërce, janë teori. Praktika është shumë e thjeshtë. Secili ka tokën e vet, por ama kur del në treg bashkë krijon masë, krijon fuqi negocimi për çmimin, krijon garanci dhe krijon qëndrueshmëri. Kur është vetëm me ato arkat me domate dhe duhet të dalë t’i shesë, është si ajo shprehja: delja që ndahet nga tufa e ha ujku.

Dhe ne, në të gjithë qasjen e re ndaj financimit dhe mbështetjes, kemi vendosur në fokus pikërisht këtë: të stimulojmë ata që duan të rriten, ata që duan të forcohen duke u bashkuar, ata që duan jo vetëm të prodhojnë, por edhe të përpunojnë me plane dhe projekte konkrete.

Dje folëm në Berat për naftën. Është e neveritshme se si, për hir të një lufte të verbër, as politike, jo, por tribale fare -nuk e di si ta quaj – angazhohet një lukuni e tërë tenxheresh për ta nxjerrë komplet nga konteksti atë që themi dhe për të vazhduar t’i bjerë një fyelli të thyer dhe të vjetër në të njëjtën vrimë: “jepni naftë, jepni naftë”.

Ndërkohë që është shumë e qartë për të gjithë ata që janë realisht fermerë që prodhojnë se ajo që kemi bërë ne është shumë herë më shumë sesa “jepni naftë”, dhe ndërkohë që nga paratë e shpenzuara për të dhënë naftë deri dje, pjesë e një faze të caktuar të këtij procesi natyrisht, për të ardhur në këtë fazë ku kemi hyrë këtë vit, jo të gjithë përfituesit ishin ata që e meritonin dhe e përdornin naftën për punë bujqësie.

Jo të gjithë, sepse skema e ndarjes për pronësi, për tokën, për posedimin e tokës, për sasinë e tokës, ishte një skemë që kishte problematikën e vet, për shkak se në shumë raste pronësia e tokës nuk është e atyre që e punojnë tokën. Ata që punojnë tokën janë qiramarrës dhe nafta shkonte atyre.

Por, përtej kësaj, Bashkimi Europian nuk e ka këtë skemë. Ne po shkojmë drejt Bashkimit Europian. Jemi kritikuar për këtë skemë, e kemi justifikuar me idenë e një faze të caktuar. Tani kemi ardhur te hapi tjetër. Pra, nuk do të japim një mbështetje që në bazë të sasive, me një llogari në bazë të shembujve që solli edhe ministri, është 300 mijë lekë të vjetra, por do të japim një mbështetje që shkon në 7–8 milion lekë të vjetra. Pra, nga 300 euro në 7-8 mijë euro.

Në rast se thjesht dhe vetëm ai që shet prodhimin e vet paraqet faturën direkt si prodhues, fermer, paraqit faturën që ti e shite dhe merr 10% të TVSH-së nga ajo faturë mbrapsht, para në dorë.

Edhe me ato para pastaj do të blesh naftë, blej naftë sa të duash. Por nuk është nafta këtu. Domethënë ata që flasin janë të verbër dhe të ligj dhe e vetmja gjë që u intereson është si të nxisin sherr dhe si të nxisin mërzi dhe si të nxisin agresivitet ndaj qeverisë. Nuk u del e keqja dhe nuk është fare ky problemi im. As kurrë mos u daltë -s’kemi ç’ju bëjmë – por ajo që ne po bëjmë është të komunikojmë me ju dhe, përmes jush, falë kamerave, t’ju komunikojmë të gjithë fermerëve, se s’mund t’i takojmë fizikisht të gjithë, që ne jemi këtu me një ofertë të re për bujqësinë.

Oferta e re do të thotë jo vetëm 52 milionë eurot që mbështesin një organizim të ri të skemave mbështetëse, që janë shumë më të shënjestruara tek prioritetet dhe që janë në fokus ata që bashkohen; jo vetëm rimbursimin; jo vetëm programin e ri me Bashkimin Europian, që kemi të gjitha arsyet të mendojmë se do të futet së shpejti në proces; por edhe një tjetër program shumë domethënës, të cilin do ta lançojmë në fund të muajit prill, së bashku me Bankën e Shqipërisë dhe me të gjitha bankat e nivelit të dytë.

Një program që prek të gjithë sektorët prodhues, që praktikisht i thotë çdo shqiptari që prodhon: do ta dyfishosh ndërmarrjen që ke? Bujrum, bjer një plan të besueshëm për ta dyfishuar — qeverinë e ke mbrapa. Bankat do të të japin mbështetje deri në 2 milion euro, sipas madhësisë së gjësë. Interesat nuk do të jenë interesa komerciale, sepse ke qeverinë mbrapa dhe qeveria do të hyjë edhe me mekanizmin e garancisë.

Dhe kjo do të jetë aq e madhe sa do jeni në gjendje ju shqiptarët që prodhoni ta tërhiqni. Aq e madhe do të jetë: 200, 300, 500 milionë, 1 miliard, aq e madhe do të jetë. Nuk kemi pse të themi shifra. Ne e kemi filluar këtë mekanizëm me 30 milionë garanci, me 250 milionë të vendosura si fond i përgjithshëm i mundshëm nga Banka e Shqipërisë dhe çfarë kemi bërë ndërkohë: kemi studiuar se si funksionon, kemi parë çfarë duhet bërë më e lirshme, kemi folur me Bankën e Shqipërisë, kemi folur me bankat e nivelit të dytë.

Dhe jo vetëm kaq, por kemi konstatuar faktin që tanimë në Shqipëri, ja këtu në Lushnjë, ka realitete prodhuese të vogla të cilat mund të bëhen të mëdha, njerëz që janë kthyer nga emigracioni. Unë i kam takuar disa prej tyre në atë podcast timin, por kam marrë letra dhe kam takuar edhe plot të tjerë. Dikush ka bërë një punishte për bimë aromatike, dikush ka bërë një punishte për kremra dhe produkte kozmetike, dikush tjetër ka bërë diçka tjetër dhe të gjitha këto janë pika prodhimi të vogla e të mesme.

Nuk flasim këtu për të mbështetur kompanitë e mëdha. Ato kompanitë e mëdha e dinë vetë rrugën, kanë bankat, kanë gjithçka. Ne flasim këtu për t’i thënë edhe juve që jeni këtu, edhe këtyre djemve që janë këtu, për t’u thënë: doni ta dyfishoni këtë ndërmarrje? Po, bujrum, bëni planin. Deri në 2 milion euro i keni mbështetjen, nga 100 mijë deri në 2 milion euro, në varësi të asaj që do ofroni, dhe ne do jemi mbrapa jush.

Pra, këto para që ne sot diskutojmë si më shumë se dje janë reale, por mbi këto është edhe një mundësi e re që e ka sjellë ekonomia jonë, që e ka sjellë stabiliteti ynë financiar dhe që e ka sjellë nevoja e shumë shqiptarëve që eksperiencën e këtyre viteve po e përkthejnë në një qasje të mençur ndaj së nesërmes.

Dje ishim në Berat në një realitet të ri të krijuar atje: 70 e ca prodhues të vajit të ullirit që ishin bashkuar bashkë. Për çfarë ishin bashkuar? Nuk kishin bashkuar ullinjtë, trungjet. Nuk kishin krijuar një strukturë që të rrinin në kafene dhe të vinin skllevër të punonin. Jo, kishin bashkuar procesin e grumbullimit, ambalazhimit, marketingut dhe shitjes. Pra, kishin krijuar një masë kritike për të qenë faktor në treg dhe natyrisht për ta është e gjithë mbështetja e mundshme.

Dikush prej tyre tha: “Na duhet një laborator këtu afër, sepse kjo gjë nuk mund të jetë që ne krijojmë këtë realitet të ri dhe duhet të shkojmë t’i bëjmë analizat në Tiranë.” Laboratori në fakt ishte pjesë e mbështetjes financiare që Bashkia e Beratit kishte garantuar në ndërkohë për t’u futur në atë mekanizëm. Këtu roli i bashkive është kyç, e tha ministri, e kam përsëritur shpesh herë, për të ndihmuar krijimin e këtyre realiteteve.

Por nuk ka më kohë për të humbur me teori: a duhet apo s’duhet. Që duhet kjo nuk është diskutuar ndonjëherë, por ka mbetur në diskutim për shkak paragjykimesh dhe për shkak të një prapambetjeje në mentalitetin e të bërit biznes. Nuk bashkohet dikush me dikë se do bëjnë krushqi. Bashkohet dikush me dikë sepse interesat e të dyja palëve e duan këtë gjë dhe të dyja palët fitojnë nga kjo gjë. Kjo është shumë e thjeshtë.

Dhe sot, në kohën kur gjërat po bëhen më të vështira botërisht, nevoja për t’i rezistuar kohës dhe nevoja jonë për t’i rezistuar sfidës së tregut europian, do hyjmë në një treg, miqtë e mi, që ka shumë oportunitete, por ka edhe sfida vdekjeprurëse për kompanitë. Pse vdekjeprurëse? Sepse sot atë arkën e domates, ti, po nuk e çove dot në tregun europian për shkak të parametrave, e shet këtu. Nesër nuk do e shesësh dot as këtu.

Tregu europian do të thotë që ne do bëhemi pjesë e atij tregu dhe jo thjesht do jetë standardi i sigurisë ushqimore për qytetarët ai që duhet në Europë, por i njëjti do të jetë edhe këtu, sepse edhe qytetarët e Shqipërisë do kenë standardet europiane.

Si do realizohet kjo tani? Duke thënë që “o Zot, bëje ëndërr se nuk do ndodhë”? Do ndodhë. Do vijë dhe do vijë më shpejt sesa mund ta imagjinojmë dhe sesa mund të thonë ata që bërtasin kot më kot. Nuk është bllokuar asgjë. E dëgjuat ambasadorin e Bashkimit Europian: doli dhe tha se s’ka pasur asnjë bllokim, sepse s’ka çfarë të bllokohet.

Ajo që dua të them është se gjëja do të ndodhë shpejt dhe pjesa e negociatave është kjo: një nga gjërat që ne negociojmë është sa vite do na lini që fermerët tanë të adaptohen. Sepse nëse ne hyjmë në Bashkimin Europian në 2030, nga sot deri në 2030 janë më pak se pesë vjet. Fermerët tanë nuk adaptohen dot të gjithë deri në 2030. Do duhet një periudhë tranzitore.

Pra, sa vite do na lini? Dhe kemi arritur të marrim një premtim që do ta nënshkruajmë, që do ta shtyjmë edhe pesë vjet të tjera. Pra do hyjmë në Bashkimin Europian dhe do kemi edhe pesë vjet periudhë lehtësimi.

Janë më pak se 10 vjet nga sot. Ikën shpejt. Më pyesni mua sa shpejt ikin, bashkë me Dhimon. Mos pyesni këta, se këta mendojnë se ikin ngadalë. Ikën shpejt.

Atëherë duhet rendur tani, duhet fuqizuar ferma, duhen fuqizuar fermerët tani, jo me përralla, jo me lëmosha, jo me iluzione, jo me ide që s’të çojnë askund. Jo “hajde se po ju japim nga një thërrime sikur janë ndihma sociale”. Por me të vërtetën ballë për ballë: kush do të bëhet më i fuqishëm, t’i ketë të gjitha në dispozicion; kush nuk do dhe do të rrijë si dele e vetmuar, do ta hajë ujku, sepse nuk ka asnjë mundësi për ta ndihmuar.

Dhe prandaj ky mekanizmi i ri, të cilin, siç thashë, do ta prezantojmë në fund të prillit dhe do bëhet efektiv në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, do të krijohet pikërisht për këtë gjë.

Të gjithë ata që sot kanë një ndërmarrje të vogël mund ta dyfishojnë. Mund ta dyfishojnë sepse çfarë i pengon sot? Financimi. Çfarë e pengon sot një fermer që i di gjërat? Çfarë mund t’i pengojë këta djem këtu? Po marr si shembull që të bashkojnë këto dy sera me një serë tjetër. Çfarë i pengon? I pengon financimi.

Pse? Sepse po të shkojnë në bankë drejtpërdrejt, do t’u japin kushte që janë të pamundura, me interesa të larta dhe me penalitete të rënda, dhe sepse bankat jo vetëm në Shqipëri, por kudo, e shikojnë bujqësinë si një fushë me shumë risk.

Tani këtij këtu i bie një furtunë dhe i ngre në ajër atë gjënë. Ama ne do t’i japim këtë mekanizëm. Do t’i bashkosh këto dy serat me një serë tjetër? Po. Paraqit planin konkret. Merr kredinë me garanci, me të gjitha nga ky mekanizëm. Do të bësh dyfishin e këtyre serave — po flas për të dhënë shembullin — deri në 2 milion euro i ke. Të tjerat do vijnë kur të fuqizosh veten dhe këtu do të mbështesim bashkimet.

Do t’ia kaloj fjalën pak Dhimos për çështjen e naftës, për çështjen e rimbursimit të TVSH-së dhe natyrisht edhe për predikimin e bashkimit, sepse ndryshe nga unë që e predikoj bashkimin e fermerëve duke parë realitetet ku fermerët janë bashkuar dhe duke e mësuar teorikisht këtë, Dhimo e ka bërë.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Po, patjetër. Po vetëm një llogari shumë të thjeshtë, që duhet të bëjë secili për të kuptuar diferencën. Për naftën që për disa vite ne dhamë mbështetjen direkte, ne kemi shpenzuar 15 milionë euro që mund të ketë pasur.. momente ka shkuar dhe 18, 17 po 15 milionë euro. Tani, 15 milionë euro është dyshemeja që ne parashikojmë nga fatura, dyshemeja, por mundësia është që kjo të shkojë në 45- 50 milionë euro, në varësi nga sa juve do merrni faturën dhe do dorëzoni faturën. Pa faturë s’ka, thjesht, se janë në fund të ditës para të cilat nuk mund të thuash ‘’s’kam faturë, më jep lekët se merrja taksat të tjerëve, më jep mua’’. Jo, po nga fatura mund të shkojë deri në 50 milion euro që do t’i japë qeveria. Nuk kanë lidhje fare me këto të tjerat. Këto të tjerat janë veç, qeveria. Pra, se po duhet t’i përgjigj asaj që tha Dhimo, që sa do i marrim ne ato lekë.

Do t’i merrni ato lekë një për një se kështu është parashikuar. Pra nga buxheti i shtetit, por janë faktikisht lekë që janë të ardhura nga shitja juaj, pra nga TVSH-ja. Kështu që të jemi shumë të qartë për këtë. Nuk është se do t’i nxjerrim ne nga diku tjetër. Nga ky cikël shitjeje, nuk do t’i mbajmë, nuk do t’i marrim dhe t’i lëmë në buxhetin e shtetit, por do t’ia japim mbrapsht 10%-in në momentin që ju do paraqisni faturën. Është më e thjeshtë se kaq, unë s’di si ta them. Dhe këtu hyn dhe llogaria e gjithsecilit. Merrje 300, 300 € me naftën, do marrësh 7.000, 8.000, 9.000, 10.000€.

– Siç e tha dhe Dhimo, ne përfaqësojmë pesë hektarë sera këtu, bashkë me Afrimin. Është kolegu që jemi bashkë, që punojmë bashkë dhe në një të ardhme mendojmë se do t’i shtojmë më shumë. Jemi në aplikim, për dy hektarë në skemën kombëtare 50/50 edhe presim që të..

Kryeministri Edi Rama: Ju keni qenë në emigracion?

-Po.

Kryeministri Edi Rama: Kur jeni kthyer?

-Unë jam kthyer në 2016.

Kryeministri Edi Rama:  Po mire, ke rilindur këtu?

-Normal.

Kryeministri Edi Rama: Me thënë të drejtën, ë?

-Çdo ditë që kalonte ishte ëndrra që të kthehesha…

Kryeministri Edi Rama: Jepja pak Afrimin. Ti vetë ke qenë në emigracion apo jo?

– Jo

Kryeministri Edi Rama: Po si e vendosët që të bashkoheni?

-Po ky erdhi nga emigracioni dhe filloi me dy dynymë. Unë jam biznesmen me ca gjëra të tjera. Më pëlqeu pjesëmarrja, ajo iniciative e këtij edhe me një bashkëpunim që të ecim përpara.

Kryeministri Edi Rama: Po këtu ka potencial për të bashkuar edhe të tjerë?

-Po. Po.

Kryeministri Edi Rama: Se sa më shumë të bashkohen, aq më pak kushtojnë të gjitha ato që duhen blerë për të mundësuar prodhimin. Po, jepja pak mikrofonin.

 -I nderuar Kryeministër, të falenderojmë që të kemi të pranishëm në në fshatin tim, po e them se kam lindur, kam jetuar dhe para 13 vjetësh emigrova për në Kanada dhe jam kthyer kam rreth një vit. Kam blerë 9 hektarë me tokë pikërisht këtu mbrapa bashkë me gjithë djalin. Është për t’u përshëndetur fakti që djali e mori iniciativën për të aplikuar për dy, për maksimumin që ishte 2 hektarë sera, se në qoftë se do ishte edhe katër dhe katër do kishim aplikuar. Nuk është se po e diskutojmë për të futur mik pasi dosja nga specialistët e Ministrisë së Bujqësisë është ndër dosjet më të mira të shprehura prej atyre. Po më ka gëzuar fakti që specialisti i atjeshëm i shprehur në mënyrë të natyrshme, ‘’dosja juaj është një ndër dosjet më të mira’’. Pra, le të ecim me këtë lloj përvoje, të përpilohet dosja e saktë dhe kam shpresë që kështu do të shkojë deri në fund për sa i përket të përfituarit nga kjo skemë.

I kthyer këtu, pse jo në Tiranë,  ndenjur prej 28 vjetësh, nuk ka më mirë sesa në vendlindje. Jeni bashkë me ministrin e Financave. Ka problem, them se ka problem i cili nuk është problem që e ka krijuar sot qeverisja jote. Është një problem i tokave me 7501 që është pak e vështirë për t’u zgjeruar, pasi një pjesë e madhe e këtyre janë në emigracion, diku në Amerikë, diku  fare nuk i bie ndërmend për këtë tokë, por kur vjen puna për t’i afruar që ti të zgjerohesh, këtu kuptohet dhe mentaliteti krejt ndryshe që mund të ndodhë në Kanada, që ai që ka nevojë për ta shitur, e gjen gjuhën.

Por gjithsesi çdo ministri do kërkonte fonde maksimale dhe ne jemi të vetëdijshëm që nuk na dalin dhe dyfishi kësaj dhe trefishi i kësaj. Po ku do gjenden këto fonde? Një gjë më ka bërë përshtypje dhe dua ta ndaj me ju, i dashur Kryeministër. Në dy shtëpi të cilën kam patur në Kanada, në njërën paguaja “property” taksën 10.000$ dhe në tjetër paguaja 4.500$, që po ta marrësh një mesatare duhet të punojë një shtetas, duhet të punojë dy muaj për të paguar “property” taksën.

Kryeministri Edi Rama: taksën e pronës.

– Po, taksën e pronës. Aty përfshihet edhe pastrimi, edhe zjarrëfikësja dhe shërbimet që jep qeveria. Ne kërkojmë më shumë, po ku do gjenden lekë? Ne kërkojmë më shumë kur ka më shumë qeveria, kur ka më shumë shteti. Kemi dhe një çudi tjetër ne shqiptarët, mendoj, që ne e duam një shtëpi në Shqipëri dhe duam të jetojmë jashtë dhe për këtë s’paguajmë as taksë. Kur them taksës, ta bëra për llogaritje me Kanada, në qoftë se do t’i heqim ‘’property tak së’’ Kanadasë, kam përshtypjen bie shteti.

Kryeministri Edi Rama: Bie shteti.

-Pra e vë në vëmendje këtë gjë dhe absolutisht që do kemi më shumë fonde jo vetëm për bujqësinë, se po themi këtu bujqësia, bujqësia. Po ne duam fonde dhe për Ministrinë e Shëndetësisë, po duam edhe për arsimin. Duam për gjithçka. Ku do merren këto? Bie, menjëherë bie në qoftë se ti nuk paguan “property” taksën.

Pra në këtë aspekt, unë them se po të shikohet, kjo gjë mbase mund të dukem pak i çuditshëm se thua po kërkon që të taksohesh më shumë. Jo jo, unë po kërkoj që edhe bujqësia të ketë më shumë fonde, por dhe pensionisti të ketë më shumë lekë. Po jo ta mbash një apartament ti që rri në Belgjikë, rri në Itali dhe s’paguan asnjë taksë. Për atë kur them asnjë takes, është simbolike.

Jo i shkurajuar që kam ardhur këtu. Absolutisht që jo. Optimist. Duhet punë, as diskutohet që duhet punë. Duhet dashuri? Duhet dashuri. Duhet pasion? duhet pasion. Po s’pate pasion, nuk bëhet asnjë gjë. Për sa i përket projekteve, projektet janë të gjitha këtu. Kërkohet mbështetje, nuk diskutohet. I kërkohet mbështetje, por hap pas hapi. Jam optimist për skemën e tanishme. Nuk është fat nëqoftëse je në mandatin e katërt qeverisës. Është meritë dhe unë për këtë nuk e kam për elozhe.  Edhe e fundi,  e kam thjesht si mesazh pse jo për të qenë votues nesër. Le të bëhemi garantorët e këtyre të rinjve si unë që jam baba dhe ju që jeni kryeministër, që ne do t’i mbështesim. Do t’i mbështesim që mos na ikin. Unë kam bindje për këtë gjë se do bëhet më e mira.

Kryeministri Edi Rama: Të falenderoj shumë për fjalën edhe ke qenë i djathtë, Kanadaja të ka sjellë në qendër se kërkove më shumë taksa dhe mirë e ke. Por ajo që unë kam mësuar nga gjithë kjo periudhë vitesh në këtë detyrë, është që gjërat duan kohën e tyre dhe hapi tjetër nuk hidhet para hapit të radhës sepse rrëzohesh. Mirë do ishte t’i hidhnim të gjithë hapat menjëherë, por nuk e kemi këtë forcë se duhet të respektojmë ligjet e gravitetit.

Kështu që ajo që do shtoja është që pavarësisht se skema e ka 2 milionë, përsëri po të them që ne shumë shpejt do nxjerrim atë mekanizmin tjetër që është, që nuk ka lidhje me buxhetin, por është një mekanizëm financimi për dyfishim të ndërmarrjes dhe natyrisht që aty ne do privilegjojmë agropërpunimin, se një tjetër element shumë i rëndësishëm që na duhet ta vëmë në fokus, është që ne të mos eksportojmë gjithçka të freskët, por të krijojmë vlerë të shtuar që mos dalim në treg këtu vetëm me sa e nxjerr toka ta çojmë atje, por edhe të krijojmë nënprodukte. Pra, është koha që të mendohet dhe të fillojë puna dhe ne do mbështesim shumë fort me financime këtë pjesë, për të krijuar pika përpunimi. Pra ajo që ju prodhoni në serë, natyrisht një pjesë shkon për eksport, një pjesë tjetër përpunohet. Cilësia e parë del në treg ashtu e freskët dhe e mirë, cilësia e dytë apo e tretë përpunohet dhe kështu kemi salcat, kemi kompostot, kemi reçelrat e tjerë e tjerë që ju i dini më mirë se unë.

Kështu që unë jam shumë besimplotë që kjo fazë e re do sjellë vlerë të shtuar edhe për një arsye tjetër, sepse çfarë kam mësuar, për shembull nga agroturizmi, në fillim s’kishte fare, s’kishte edhe kishte skepticizëm e ku di unë. Shembujt e parë, u bënë  arsye që të tjerët të fillojnë dhe të shohin dhe ‘’ore po pse mos ta bëj dhe unë një agroturizëm përderisa kjo funksionoka’’ dhe ata që kanë investuar në agroturizëm nuk gjen një jashtë kamerave se në kamera është zor ta gjesh edhe po të jetë i mërzitur, po nuk gjen një të mërzitur që të thotë jam penduar që kam investuar në agroturizëm sepse Shqipëria ka një të mirë të madhe, ndryshe vendet fqinje që janë turistike, bregdetare e tjerë e të tjerë, Shqipëria është turistike në çdo pjesë të saj.

Ti vjen në Shqipëri në gusht dhe ti ke detin, ke malin, ke lumenjtë, ke liqenet dhe faktikisht ka turistë kudo. Agroturizmi është, nëse turizmi quhet eksport, se hyn tek eksporti si industri, pasi janë të huajt që janë turistët pra që e shfrytëzojnë, agroturizmi është një një instrument i jashtëzakonshëm që ti në një cep të Shqipërisë, ku me bujqësi nuk jeton dot sepse je larg tregut, je vetëm e tjerë e tjerë, me blegtori e ke shumë të vështirë, vendos një pikë turizmi dhe e sjell aty. Domethënë bëhesh ti tregu, nuk shkon ti te tregu.

Besoj që dhe agropërpunimi do ketë të ardhme dhe kush do investojë do fitojë. Do fitojë shumë, sepse do  jetë shumë konkurrues në tregun e brendshëm në raport me çmimet që shpesh herë janë edhe absurde nëpër supermarkete të gjërave të konservuara.

Kështu që unë të falenderoj për fjalën edhe përgëzimeve dhe për djalin që qënka vlera e shtuar e familjes edhe në kuptimin e biznesit, se ai e ka bërë aplikimin, se ke bërë ti, e pra. Se jo, po se shiko ka një gjë në Bashkimin Europian, paratë ndahen në fillim të vitit për të gjitha vendet. Po e di ti kush janë vendet që i përfitojnë të gjitha? Nuk janë vendet që kanë më shumë nevojë për paratë, janë vendet që kanë në thonjëza më pak nevojë për paratë. Pra, nëse Bashkimi Europian ndan paratë dhe thotë ‘’kaq para do t’i marrë, janë për Gjermaninë’’, nuk thonë do t’i marrë, janë për Gjermaninë. Kaq janë për Francën, kaq janë për Bullgarinë, kaq janë për Rumaninë. Gjermania dhe Franca marrin 98% të asaj që ju takon. Bullgaria dhe Rumania në fillim fare kur hynë në Bashkimin Europian, mezi merrnin 5%. Pse? Se nuk dinin të bënin atë që diti të bëjë djali yt për rastin e konkret. Pra, nuk ishin mjaftueshmërisht të përgatitur për të bërë aplikimet e duhura, për të qenë bindës me aplikimet edhe për të qenë në rregull me letrat.

Kështu që është nuk është te toka, është te koka, tanimë gjëja. Toka e ka dhënë provën tek ata që kanë dhe kokën që funksionon. Tani secili duhet ta gjejë këtu e të thotë ‘’ok, unë do bashkohem se s’kam ku shkoj. Çfarë, do rri kot?’’ Juve jeni bërë dy. Duhet të ftoni dhe të tjerë, edhe të shkoni përpara dhe ne sigurisht jemi këtu për të mbështetur. Nuk diskutohet kjo.

Ju falenderoj shumë se e kuptova që tani e nxorët diellin në majë të kokës që thoni ‘’ik tani, se boll se na pritet bukur, na pritet me hije’’. Kështu që unë e kuptova mesazhin. Shumë faleminderit!

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.