Në vijim të vizitës së tij në Vlorë, Kryeministri Rama zhvilloi një bashkëbisedim me operatorët turistikë mbi sezonin që po afron, rritjen e cilësisë së shërbimeve, mbështetjen për sipërmarrësit e turizmit dhe promovimin e Vlorës si një portë e rëndësishme e turizmit shqiptar në qendër të vëmendjes globale.
Kryeministri vuri në dukje transformimin rrënjësor që ka pësuar Vlora në dekadën e fundit, duke vënë theksin edhe tek rëndësia e estetikës urbane, pastërtisë dhe menaxhimit të hapësirave publike, duke i konsideruar këto elemente thelbësore për përvojën turistike dhe reputacionin e qytetit.
Nga ana e tyre, operatorët turistikë dhe përfaqësues të institucioneve lokale ngritën çështje që lidhen me përmirësimin e transportit publik, menaxhimin e mbetjeve, zhvillimin e infrastrukturës mbështetëse për turizmin detar dhe pasurimin e ofertës kulturore përmes muzeve dhe atraksioneve të reja.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Dua të bëj një saktësim ose një plotësim, se Bledi tha “s’ka pasur kryeministër që të ketë pasur kaq shumë kontakte me operatorët turistikë’’, po s’ka pasur në fakt operatorë turistikë që të kenë kontakte me kryeministrat dhe kur po zbrisja shkallët këtu tek “kërthiza” e turizmit të Vlorës, sepse kjo është kërthiza këtu. Këtu është hedhur fara e parë e një ambicieje për të shkuar përtej asaj që ishte deri në atë moment. Po mendoja ekzaktësisht këtë, që çfarë ka pasur këtu kur Lirua ishte pikë pushimi ekskluziv po themi edhe kjo nuk është 100 vite më parë. Unë vija këtu te Lirua kur ishim në opozitë apo jo? Unë isha kryetar bashkie, ishim në opozitë dhe vija te Lirua edhe ajo që sot është Lungomarja ishte një rrugë me dy korsi dhe në njërën anë ishte deti që shikohej copa- copa se ishte mbushur me ndërtime. Në anën tjetër ishin gropa, llozhura, mbeturina nga ndërtimet e reja dhe në gjithë vazhdën e ndërtimeve të reja të Lungomares, katet e para ishin pothuajse bosh, të papërdorura, se nuk i blinte njeri. Dhe ishte një restorant, si quhej, “Ideali’’? Ishte një restorant ‘’Ideali’’?
Po mirë, ‘’San Trope-n’’ nuk e quaj unë se ‘’San Trope-n’’ e shembëm se kishte zënë detin dhe ‘’Bolonja’’ e famshme që ishte.. kjo ishte Vlora, ky ishte realiteti. Kjo ishte Vlora para një dekade. Të themi të vërtetën se për t’u bërë Lungomarja u deshën vitet e mandatit të parë dhe sot jemi..
Shiko sa është zgjeruar tavolina, Liro. Atëherë ishim unë e ti këtu që flisnim për turizmin. Sot po ju them vetëm ça shifrash ka marsi tani. Domethënë në çdo emër të vendeve prej nga vijnë turistët, në mars, krahasuar me marsin e kaluar, se i referohem asaj që tha Bledi për zgjatjen e sezonit, vizitorët nga Italia janë rritur me 10.9 domethënë 11%.
Vizitorët nga Shtetet e Bashkuara janë rritur me 45%. Vizitorët nga Gjermania janë rritur me 23%. Vizitorët nga Mbretëria e Bashkuar janë rritur me 22%. Vizitorët nga Spanja me 34%. Vizitorët nga Austria me 20%. Vizitorët nga Norvegjia me 105%. Vizitorët nga Belgjika me 4% dhe vizitorët nga Danimarka me 711%, janë rritur në krahasim me marsin e kaluar dhe këto janë të dhëna nga kufiri që do të thotë, që unë këtu flas për shifrat e gjithë Shqipërisë, nuk flas për vetëm për shifrat e Vlorës.
Kryeministri Edi Rama: Shqipëria do të ketë mundësi të tërheqë më shumë edhe jashtë sezonit, në vjeshtë, nëse do të jetë e përgatitur për këtë. Ne e shikojmë këtë edhe në aspektin e interesimit për investime, i cili në këto muaj ka pasur një rritje dhe besoj që duhet ta shfrytëzojmë këtë situatë. Natyrisht që të flasim për ato që kanë ndodhur pozitivisht, mund të rrimë me orë të tëra, por këtu jemi dhe për të folur një çikë për ato që nuk janë zhvilluar pozitivisht, sepse njerëzit vijnë me një ide të caktuar dhe nëse këtu gjejnë arsye për të qenë të pakënaqur, atëherë jo vetëm nuk kthehen më, por kjo kthehet në bumerang.
Unë e di që ne e kemi zgjedhur këtë sistem 35 vjet përpara dhe pjesë e kësaj zgjedhje është që çmimet nuk i vendos qeveria dhe që qeveritë nuk kanë asnjë instrument për të kontrolluar dhe për të imponuar çmimet. Këtu jemi shumë të qartë. Çmimet i vendos tregu, por në rastin e kësaj industrie, çmimet duhet t’i vendosë vizioni strategjik i juaj për fatin e investimeve tuaja.
Nëse këtu po bëni investime vërtetë masive, vërtetë ambicioze, një pjesë juaja këtu, po punojnë me arkitektë të huaj, po synojnë të bëjnë struktura realisht të nivelit më të lartë. Ju e dini më mirë se unë që hoteleria e ka investimin të madh dhe kthimin të ngadaltë, të sigurtë po të ngadaltë, do durim, duhet të mendoni për fatin e këtyre investimeve.
Kjo nuk është diçka që po e them unë apo e themi ne që t’ju bëjmë juve propagandë se në fund të ditës kush vjen për të bërë turizëm, kush vjen për të bërë pushime, kush futet në restorante, ka menduar vetë edhe nuk është ky qëllimi ynë. Qëllimi është që të lexojmë çfarë ju ka ndodhur të tjerëve. Nuk është diçka që po e parashikojmë në hava. Ju ka ndodhur vendeve të tjera.
Në momentin kur befas janë gjendur përpara rezultatit të hapjes dhe të transformimit në një destinacion të kërkuar, janë dehur edhe kanë vepruar si të dehur duke ofruar shërbime të dobëta dhe duke vendosur çmime të larta dhe si rezultat i fluksit që ju është gjendur përpara, kanë pasur mendjen e ngushtë duke menduar që njerëzit, 12 milionë, 13 milionë, 15 milionë do t’i kenë aty dhe kanë filluar të investojnë siç po bëni ju.
Të investojnë për më shumë, por ndërkohë duke kërkuar të fitojnë shumë në atë moment. Ça iu ka ndodhur? I kanë ‘’mbetur në derë’’ investimet se nuk kanë ardhur më njerëzit. Nëse Vlora do të marrë njollën e vendit ku ti paguan më shumë sesa çfarë të ofrohet dhe ku ti paguan më shumë sesa ç’mund të paguash duke shkuar në Greqi e duke shkuar në Turqi, e duke shkuar në Kroaci, juve i keni bërë gropën vetes. Po flas për gropën e investimeve. Është kaq e thjeshtë. Pra, duhet një strategji afatmesme të paktën se si juve do merrni një fitim të arsyeshëm dhe jo fitimin që realisht mund ta merrni në atë moment, sepse ai mund t’ju kthehet në bumerang. Kaq e thjeshtë është kjo. Juve e dini vetë. Bëni si të doni, sepse e thashë, qeveria nuk vendos çmimet. Por unë po ju flas me disa të vërteta si dikush që e dua këtë qytet. E dua këtë qytet sa ç’e duan të gjithë ata nga ju që nuk ndërtojnë pa leje dhe dua që çfarë kemi çfarë kemi mbjellë, ta korrim dhe jo ta korrim në një stinë po ta korrim për gjenerata.
Sot Lirua më prezantoi me nipin. Ok. Kur Lirua ‘’hante shkëmbin me dhëmbë’’ këtu, nipi ishte fëmijë. Pastaj ka vajtur atje, ka bërë dhe dy palë, dy palë shkollë që ia ka paguar ky me çfarë ka fituar këtu. Nipi ka ardhur tani, bukur, mirë, ndihmon për menaxhimin perfekt. Çështja është që vazhdimësia e këtij investimi të bërë me sakrifica të jashtëzakonshme kur s’besonte asnjeri tek turizmi Vlorë, kërkon turistë. Kërkon turistë. Në këtë pikë, shihni e bëni vetë, po unë mendoj që duhet strategji që t’i garantoni jetëgjatësinë gjithë këtyre investimeve që po bëni në Vlorë. Ne po kalojmë projekte të jashtëzakonshme, të jashtëzakonshme.
Pyetja është sa do jenë në gjendje ato projekte të sjellin njerëz edhe për të banuar edhe për jetuar në Vlorë. Këtu kanë filluar të blejnë po Vlora ka të gjitha mundësitë të bëhet një vend si vendet, si ato qytetet në Portugali, në Spanjë, në Turqi, ku të vijnë të jetojnë edhe plot të huaj. Është plotësisht e mundur.
Shqipëria në këtë kontekstin e madh europian, me këto gjithë këto histori, me të gjithë këto turbullira, është një vend ku jetohet me siguri, në kuptimin që dje isha në Dhërmi me disa miq, jo me Ivankën, kuptohet se e bënë sikur vjen në Vlorë çdo dy muaj. Do vijë ajo çdo dy muaj në Vlorë, por nuk jemi akoma në atë fazë. Edhe po më thoshin ekzaktësisht këtë, se vinin nga Londra. Nuk e mendonim kurrë që… kishin qenë në Tiranë disa ditë, vinin nga Londra, nuk e mendonin kurrë që mund të dilje në kryeqytetin e Shqipërisë natën edhe të ndjeje një siguri të plotë, sepse s’kishte asnjë ndjesi frike. Në Londër s’del dot natën. Fjalët e tyre, jo fjalët e mia.
Tjetra që dua të them është, aty ku turizmi është zhvilluar dhe ka filluar si ne ose edhe pak më përpara se ne, më përpara se ç’kemi qenë ne, japin para shtetet. Greqia jep para, domethënë i merr nga buxheti dhe ua jep operatorëve. Çfarë po bëjmë ne? Po mbështesim sa mundemi. Çfarë do me thënë kjo që nafta për jahtet është pa taksë, nafta për makinat është me taksë?! Po patjetër. Po pa diskutim fare. Pa diskutim fare, sepse nga ato jahtet ekonomia jonë fiton. Fiton. Ndërsa nga ato, mjedisi ynë ndotet.
Dhe patjetër që këto janë dy gjëra që nuk mund të vihen në krahasim se është si të krahasosh mollët me dardhat. Kështu që na duhen më shumë marina. Po investojmë. Pashë që po vazhdon të zhvillohet marina këtu në Vlorë. Do jetë një tjetër motorr i rëndësishëm i ekonomisë së Vlorës. Do sjellë shumë njerëz. Vetëm njerëzit që do vijnë me jahtet që do rrinë këtu në dimër, do jenë 2000 – 2500 njerëz që janë konsumatorë të këtij qyteti, plus. Për të mos folur pastaj për ata që do vijnë për pushime e për të qëndruar këtu, e për të konsumuar këtu. Marina e Durrësit po ecën edhe ajo. Kemi një projekt shumë të bukur në Shëngjin por na duhen më shumë. Patjetër, na duhen më shumë pika ndalimi, na duhen më shumë pika përpunimi të anijeve, të varkave e kështu me radhë. Ndërkohë që lajmi i mirë besoj, nuk e di a e keni dëgjuar, se ju i dëgjoni të gjitha, po është që kemi lidhur një kontratë shumë të madhe me FinCantieri për kantierin e Pashalimanit dhe aty do të fillojmë prodhimin e anijeve ushtarake të dimensioneve të ndryshme dhe do të kemi një investim jashtëzakonisht të rëndësishëm, të përbashkët mes nesh dhe italianëve dhe do të bëhemi edhe eksportues të anijeve ushtarake nga Shqipëria, përveç se do plotësojmë dhe nevojat tona, por dhe kjo ka një rëndësi të veçantë për faktin që përsëri do sjellë njerëz ,përsëri do sjellë konsumatorë, do sjellë punësim, do sjellë të mirat që sjell çdo investim i tillë.
Kështu që kemi nevojë të investojmë, të vazhdojmë të investojmë shumë, por nga ana tjetër na duhet të balancohemi, miqtë e mi. Është shumë e rëndësishme, është jashtëzakonisht e rëndësishme edhe ajo që turistët dhe vizitorët gjejnë jashtë hoteleve. Është shumë e rëndësishme estetika, e tha Blendi, e hapësirave publike. Këtu Bruna ka filluar të bëjë një punë të mirë, por duhet ta bëjmë të gjithë bashkë dhe duhet ju të jeni shumë të interesuar për këtë pjesë. Është shumë, shumë e rëndësishme kënaqësia që njerëzit marrin nga qyteti dhe marrin nga rrugët e qytetit dhe marrin nga mënyra se si janë të sistemuara hapësirat publike në qytet, apo aty rreth e rrotull jush. Është shumë e rëndësishme. Ju e shikoni, po bëjmë një investim shumë të madh që shkon nga këtu deri poshtë në Radhimë e pastaj do shtrihet deri në Orikum.
Në anën tjetër ka filluar Lungomarja 4 te Plazhi i Vjetër, por është shumë e rëndësishme të jemi shumë të vëmendshëm ndaj pastrimit. Është interesi juaj. Momentin që ju e shikoni llozhurat dhe mbeturinat që hidhen edhe janë 100 metra nga hoteli juaj, duhet të jeni të shqetësuar. Nuk duhet të thoni thjesht që ‘’mirë, jam pastër unë këtu’’, sepse ajo dëmton psikologjikisht atë turistin që ke ti aty.
Për plazhet besoj kemi bërë tanë një plan të mirë edhe bazuar në çfarë kemi mësuar nga deri dje, por edhe bazuar në nevojat e operatorëve turistikë dhe e fundit që kam, është plani i parkimeve.
Na duhen më shumë parkime në të gjithë territorin e Shqipërisë, territorin urban të Shqipërisë. Dy parkime të mëdha nisin së shpejti njëri tek sheshi përpara universitetit në Skelë dhe njëri tek sheshi i madh i Lungomarës, të cilat do të akomodojnë mos gabohem rreth 600 makina të dyja bashkë 250 njëri dhe 350 tjetri diçka e tillë. Dy parkime por nuk mjaftojnë prandaj juve, se këtu ka dhe shumë investitorë përveç se operatorë juve duhet ta merrni këtë gjë si një investim të rëndësishëm me kthim të shpejtë. Ai është ai është një hotel ndryshe, parkimi nuk ka as çarçafë, nuk ka as kuzhinierë, nuk ka as magazinier, nuk ka asgjë. Tjetër ka vetëm vendet ku parkojnë makinat dhe është një investim fitimprurës shumë i dobishëm. Kështu që mos shikoni çdo hapësirë për pallat, se nuk mund të mbushim lagjet me pallate, por shikoni hapësira që janë të kthyera, janë midis pallateve apo janë pranë pallateve, bëni marrëveshje me pronarët dhe të bëni parkime. Bëni parkime me pagesë, do t’ju kthehet në një mirësi të madhe si operator turistik për qytetin.
Ne po e bëjmë planin, do ta lançojmë së shpejti, qoftë për parkimet do financojnë entet qeveritare, qoftë për parkimet që do të financojnë bashkitë në bashkëpunim me privatët, qoftë për parkimet që duan të bëjnë vetë privati. Dhe nuk është e thënë, përkundrazi që një parkim të jetë vetëm nën tokë mund të bëhet nën tokë mund të bëhet dhe mbi tokë dhe mund të bëhet me arkitekturë të bukur që të jenë si godina realisht tërheqëse në qytet ndërkohë që aty futen makinat dhe kjo sjell të ardhura.
Ka plot hapësira në Vlorë, mendoj unë akoma që mund të shfrytëzohen për të bërë parkime, parkime nëntokësore dhe mbitokësore të kombinuara njëra me tjetrën, se këtu nuk është kollaj të futesh shumë thellë, sidomos afër detit, po janë mundësitë për të bërë parkime. Kështu i bëni parkime, këto kisha unë. Liro, të takon ty fjala, urdhëro.
-Turizmi ka bërë arritje të madhe, siç e tha dhe kryeministri në infrastrukturë, baza është domethënë për detin, janë bankinat edhe molet ku aty do të shkojnë skafet, sepse Disiplina sportive bëhen fikse, bëhen me mjete në det edhe bëhen me zhytje çfarë janë ato. Këto këtu në Shqipëri sidomos në qytetet bregdetare po thuajse nuk ekzistojnë fare, del ndonjë amator kështu bën gjëra të vogla kjo është kryesorja. Pjesa tjetër pastaj është, nuk di çfarë të them unë se është dhe këtu nuk mburret tjetri në sy. Po do t’ia themi apo jo? Këto që them unë besoj edhe juve do jeni dakord me mua. Unë hipi makinës këtu për katër orë bredh gjithë Shqipërinë, rrugët janë bërë bilardo. Ndjen kënaqësi të madhe kur udhëton dhe këtë e ka bërë siç nuk ishte e siç është tashti. Krahasimi s’është nevoja se e di vetë, e ndjeni vetë të gjithë ju që udhëtoni.
Kryeministri Edi Rama: Po ku i gjeni këto? Vetëm në Vlorë dëgjon nga këto, ku e gjete këtë rrugët janë bërë bilardo, s’e kisha dëgjuar ndonjëherë. Po ku i gjeni këto mor burrë, të vetmit jeni për të krijuar nga këto, “rrugët janë bërë bilardo”. Po rrugët “gjalp” hajde se kjo është një çik si nga Shqipëria e mesme, po rrugët janë bërë bilardo. Bukur shumë më pëlqeu kjo.
-Përshëndetje. Unë doja të thoja që ne na dalin disa detyra për të patur një qëndrueshmëri në turizëm dhe për afatet e njerëzve të cilët duhet të rikthehen prapë në Vlorë. Në drejtim të pastërtisë edhe të higjienës. Mendoj se ky aksi nga Vlora në Orikum duhet të marrim një nismë si bashki edhe si operator që të eliminojnë kazanët e mbeturinave në rrugë kryesore. Modalitete dhe mënyra për ta rregulluar këtë ka edhe të gjithë janë të bindur që mund të realizohet kështu që do të ishte më mirë që rruga të ishte e pastër, plus investimet që po bëhen në këtë zonë. Pra nuk mund të themi që kazanët e mbeturinave, bashkëjetojnë ose qëndrojnë me investimet që po bëhen në Lungomare. Ndërsa tjetra unë sot në mëngjes kam ardhur nga Dukati drejt Vlorës, nga Dukati në 7:30 dhe makinat që kanë ikur në drejtim të bregdetit kanë qenë pa numër. E them me bindje, pa numër që nuk kishin të mbaruar. Pra detyra tjetër është që zona e Orikumit duhet të lidhen patjetër me urban dhe të gjithë njerëzit që punojnë dhe të gjithë ne që ushtrojmë aktivitetet andej të kemi furgona dhe makina për transportin e njerëzve, nga Vlora në bizneset tona. Pra, urbani nuk them që duhet të vejë deri në Orikum, por të shikohet mundësia që dy herë në ditë të vejë dhe deri në Llogara, se Llogaraja është kthyer në një destinacion tjetër dhe nuk është më siç ishte më përpara. Dhe tjetra do të thosha që të rregullohen dhe stacionet e urbaneve nëpër qytet edhe në destinacionet që janë këtej për nga bregdeti.
Kryetarja e Bashkisë Vlorë, Brunilda Mersini: Këto stacionet e autobuzave me shumë të drejtë sepse janë probleme edhe janë dhe pak në kaos edhe vendqëndrimet e autobuzave. Kemi një projekt si bashki me GIZ-in, na kanë sjellë modelin, e kemi unifikuar në të gjithë stacionet e autobuzave të Vlorës. Besoj që sezoni turistik do na i gjejë të mbaruar. Janë hapur dhe katër vendqëndrime të reja të autobuzave, sepse zona e Lungomares nuk i ka pasur përfshirë. Ashtu siç është dhe pjesa e Lungomare 3. Bashkia po kështu ka fituar dy autobuza elektrikë, të cilët besoj nga fundi i vitit, pra nuk janë për këtë sezon turistik, do të bëjnë linjën e Orikumit dhe linjën e Zvërnecit. Bashkia është duke bërë një studim fizibiliteti për vendet ku do të ketë vend parkimesh, po edhe vend karikimesh.
– Edhe një muze të etnografisë Vlora nuk e ka në nivelin që duhet. Ka një pasuri shumë të madhe sepse Vlora për shembull Himara, Labëria, Myzeqeja, vetë qyteti ofrojnë një pasuri shumë të madhe, një galeri shumë të madhe kostumesh, traditash të etnografisë që mund të jenë shumë mirë në një destinacion.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja: Ta nis nga kjo e fundit që sapo them nga klubi i Labërisë ose muzeu etnografik i Vlorës, edhe me vëmendjen e kryeministrit, por edhe Bruna po punon për këtë dakordësuam me AADF-në, është hartuar marrëveshja, duhet të jetë në tavolinat e ne të dyve për ta firmosur që krahas muzeut të historisë së hebrenjve që po ndërtohet, në qendër, ngjitur me atë që është etnografiku, i cili është sot i mbyllur për shkak të një përforcimi strukturor që duhet ramë dakord që të gjithë pagesën e këtij investimi ta marri përsipër partneri ynë pra AADF-ja. Ajo të mbetet me atë tematikë dhe me atë lloj si të themi muzealizimi që ka pasur si koncept, por që do të ndërhyhet aty me një muzealizim dhe me një të themi multimedia më teknologjike dhe pak më të avancuar në mënyrë që mos ta vizitojë muzeun në koncept vetëm në fizikisht në muze, por edhe nga interneti dhe virtualisht, pra të njihemi më shumë me pjesën e historisë suaj. Kjo gjë është e mbyllur praktikisht në termat e kësaj marrëveshje, do të jetë në pronësi të bashkisë, por do të menaxhohet në bashkëpunim me ministri bashki. Ne nisim të martën, nesër, hapim letrat e procedurës që kemi nisur për të themi kthimin e dinjitetit, kthimin e shkëlqimit, kthimin e si me thënë vlerës të Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, i cili sot siç e kemi është i krisur nga brenda për shkak edhe të një situate që ka terreni aty është vjetruar, ka nevojë për një rikonceptim, do bëhet një ndërhyrje e cila do kthejë aty edhe më shumë hapësira për të rinjtë edukative, kërkimore, pra për t’u mbledhur me një bord i cili do të ketë anëtarë të rëndësishëm nga vetë qyteti, komuniteti, do të financohet edhe nga ne si ministri, do të ndihmojë dhe bashkia, do të financojnë edhe privatët që po punojnë rrotull zonës atje, pra me një fondacion i cili do ndërtohet dhe do të mbështesë. Kemi rijtëzimet në Kaninë që ju e dini që po ecin shumë mirë. Kemi Borshin gjithashtu një destinacion, Kalanë e Borshit që po mbaron me Fondin Shqiptar të Zhvillimit po punohet shumë mirë me sinjalistikë e me gjithçka. Natyrisht që përmendët pasuritë nënujore, por edhe për parkun e Orikut aty do të bëhet një ndërhyrje shumë e rëndësishme e cila do të ketë përsëri së bashku siç tha dhe kryeministri nga njëra anë do kemi Pashalimanin, i cili do jetë një pikë për industrinë detare por këtej do të kemi një shëtitore. Ajo e gjitha do hapet, nuk do të ketë më një tra ushtarak që njerëzit të jenë të penguar për të shkuar atje. Do të ketë një zhvillim i cili do jetë shumë interesant nga pikëpamja turistike, nga pikëpamja e asaj që thatë, e rekreacionit, e lojërave ujore, e bregut, por edhe e lagunës me disa ndërhyrje që do jenë tepër specifike, shumë cilësore, disa prej tyre lundruese në mënyrë që të respektojmë edhe statusin e zonës arkeologjike, por edhe zonën e varreve në kodrën e varreve antike në kodrën përballë.
Do kemi një by-pass shumë të kujdesshëm për të kaluar në kantier, në mënyrë që pjesën para t’ia japim të gjithë turizmit edhe kjo do kthehet në një shëtitore tjetër që do i japi shumë rëndësi buqetës së atraksioneve të Vlorës. Kemi për të ndërhyrë, VKM-ja kalon besoj këtë javë maksimum, këtë javë besoj hapet konkursi për muzealizimin e gjithë tuneleve të Porto Palermos, ku do ketë edhe një qendër tjetër atje për argëtimin e për të treguar historinë e për të ndaluar deri dhe në maj të kalasë që ndodhet në maj atyre kodrave atje ose të ndërtimeve të vjetra të cilët duam t’i rijetëzojmë.
Kemi Muzeun e Arbëreshëve në Vuno, një tjetër temë, një tjetër tregim, një tjetër vend për të mos u humbur nga ku eksodi pati fillesën e vetë dhe nga ku ne duam të tregojmë një histori bashkë me arbëreshët, e cila t’i japi asaj zone një tjetër pasuri që i mungon në kuptimin e gjithë objekteve që janë në atë zonë. Do të jetë afër si të themi edhe fshatit në kuptimin e fshatit të vjetër. Po do jetë edhe shumë afër rrugës. Do të ketë aty struktura informative, do të ketë një parkim, do të ketë një ndërlidhje me objektet e tjera që ka fshati. Kemi muzeun e ujit. Kjo është një ambicie. Kemi një interesim të një grupi investitor shumë të rëndësishëm. Kjo do të futet natyrisht në negocim me bashkinë dhe me qeverinë për muzeun e ujit dhe një akuarium rajonal për Vlorën. Nuk mund të them dot se është si me thënë një plan zbatimi në tavolinë ende, por është një mundësi shumë e mirë që ne të kemi në Vlorë një zhvillim të tillë i cili do na e bënte pastaj një pikë edhe në rajon me një interes shumë më të gjerë. Ku nuk diskutohet do të kishte pastaj dhe qendër kërkimore dhe qendër edukative dhe shumë struktura të tjera që lidhen me historinë, me ujin, me nëndetin, në përgjithësi me vendin tonë që është kaq i pasur në ujë, në lumej, në liqene dhe kjo histori duhet të tregohej sipas projekt konceptit të parë që ne kemi parë në Vlorë dhe ne po kërkojmë tani vendin ku do ta gjejmë.
Natyrisht që do punojmë shumë për sportet, do punojmë shumë për rekreacionin siç e përmendët dhe ju dhe për rritjen e këtyre itinerareve dhe ndërlidhjen e tyre dhe në një farë mënyre dhe pasqyrimin e tyre, promovimin e tyre në mënyrë sa më të mirë edhe virtualisht, por edhe pastaj lidhen me biletimin dhe me mobilitetin që çon drejt tyre.
Është një mision jo i lehtë, por është një mision shumë i bukur, kështu që të jeni të bindur që po punohet shumë në këtë drejtim. Ndërkohë një tjetër linjë e kryeministrit, mos e harroja, është që të kemi një rrjet muzesh, temash në gjithë vendin kur ne do t’i dedikojmë në Vlorë disa objekte të cilat ne po ndërhyjmë që t’i bëjmë publike, t’i kthejmë, janë o të harruara, o të degraduara, o të lëna mënjanë, o të lëna ndoshta dhe enkas për të bërë ndonjë pallat nesër. Kështu që ne do ndërhyjmë, do ti ruajmë, do jenë pjesë e trashëgimisë, e historisë së qytetit të Vlorës, do jenë aty të themi në një procedurë krejtësisht ligjore, do ja kthejmë këto muzeve që ju përmendët, diku një pinakotekë, diku një muze i një historie të caktuar, diku një galeri e arti, diku një librari, diku një qendër rinore e kthyer dhe në një sallë multifunksionale kinoteatri etj. Pra ne do mundohemi shumë që ta zgjerojmë dhe këtë aspekt me këto investime, me këto objekte.
– Unë jam përshëndetje jam Ivona dhe jam nga Polonia. Punoj për huajt. Kuptoj shumë mirë shqip por nuk e shqiptoj mirë. Jam këtu për guidë kombëtare edhe tani kemi vetëm një pyetje për Sazanin sepse ne jemi dhe operator turistik dhe agjenci turistike. Edhe njerëzit flasin për Sazanin, hapet, nuk hapet. Kemi turizëm në Sazan apo jo?
Kryeministri Edi Rama: Shiko se këtu flitet shumë për gjithçka edhe për fat të keq bëhen fakte, gjëra të pavërteta, marrin dhenë, bëhen të vërteta edhe s’ka zot pastaj që i ndryshon ato gënjeshtra që janë bërë të vërteta. Më lër të mbaroj se është hapur gjithandej edhe kur shkruajnë mediat e huaja thonë që qeveria ka shitur ishullin e Sazanit familjes së Trumpit. Kjo është e pavërtetë. Ne nuk e kemi shitur dhe nuk e shesim ishullin se sepse Sazani është pronë e Republikës së Shqipërisë, do të mbetet prona e Republikës së Shqipërisë, e para.
E dyta ne nuk e kemi përfunduar akoma sot që flasim negociatën për Sazanin. Pse nuk e kemi përfunduar dhe çfarë po negociojmë ne? Sepse Republika e Shqipërisë, shteti shqiptar do jetë pjesë e kompanisë së përbashkët që do të investojë dhe do të administrojë ishullin. Kështu që edhe në këtë pikë domethënë si të thuash shqiptarët janë të përfaqësuar nga shteti në këtë iniciativë.
E treta, nuk bëhet fjalë për të mbyllur ishullin. Pra nuk do jetë një resort i mbyllur siç mund të ketë resorte të vogla që janë të mbyllura me mure dhe që hyjnë vetëm ata që banojnë ose ata që ftohen. Nuk do të jetë i mbyllur se nuk do bëhet rezervat i privilegjuar.
E katërta, projekti i Sazanit ka ndryshuar në proces, si projekt ndërtimi. Pra aty do të ketë shumë pak ndërtime dhe do të ketë një profil kulturor, artistik të rëndësishëm. Unë besoj që do jetë një nga projektet më të bukura që janë zhvilluar në Mesdhe dhe bashkë me pjesën përballë Sazanit që është pjesa private, por që zhvillimi po ndodh në të njëjtën dorë ku janë përfshirë arkitektë nga më të mëdhenjtë e botës, do jetë vërtetë një zhvillim që do t’i rrisë vlerën në mënyrë të jashtëzakonshme gjithë investimeve këtu. Se ajo që ndodh, se ata që shikojnë ngushtë dhe që pastaj flasin që po e marrin të huajt e ku di unë, nuk kanë sesi ta kuptojnë se çfarë impakti ka një zhvillim i tillë ose kanë zhvillime të tilla për gjithë pronën rreth e rrotull. Pra do rritet vlera e pronës së të gjithë vlonjatëve si fillim. Do rritet shumë vlera dhe çmimi i të gjitha investimeve të reja që po bëhen. Pse? Sepse njerëzit që nuk do shkojnë dot atje, do kenë dëshirë të jenë afër edhe do kenë dëshirë të bëhen pjesë e gjësë. Kështu që pa diskutim që kjo do sjelli vetëm të mira për Vlorën. Edhe për këtë them, është shumë e rëndësishme sot që operatorët turistikë të Vlorës të jenë strategë për fatin e investimit të tyre, sepse në 5 dhe deri 10 vitet e ardhshëm ndryshimi që do ndodhi në krahasim me tani do jetë më i madh se ndryshimi që ka ndodhur nga tani në 10 vjet më parë, në aspektin e kërkesës për Vlorën, edhe si rezultat i këtij investimi.
Ky investim nuk është një investim për tu parë thjesht në vetvete që do vijnë ca të pasur, do marrin ishullin, do ngrenë muret edhe shqiptarët do rrinë këtej. E vërteta është që duhet bërë një strategji për të krijuar reputacion, reputacion individual. Pra, hoteli im quhet X, Liro, për shembull, se unë kam qenë aksioner me Liron, po më nxori jashtë pastaj. Hoteli im quhet Liro. Reputacioni i hotelit tim është A-ja dhe B-ja është reputacioni i hotelerisë në Vlorë dhe të dyja janë të rëndësishme për mua. Që do të thotë që duhet strategji për ta forcuar reputacionin. Forcimi i reputacionit do tre gjëra bazë. Çmime, do shërbim shumë të mirë nga pikpamja e respektit dhe e edukatës, e buzëqeshjes. Jo vlonjatçe “e mo çfarë do marrësh”? Por shërbim të mirë, mirësinë e atyre që i thonë turistëve mirëserdhët, duhet ta konsideroni çelësin e çdo gjëje, edhe të pastaj, mundësisë që tjetri të t’i fali dhe shumë difekte të tjera që mund të kesh, se thotë më pritën mirë, njerëz të mirë.
Dhe kjo do të thotë që përtej reklamës shumë njerëz që janë të interesuar për të blerë, për të investuar, për të ardhur nuk e besojnë që do fillojë. Nuk e besojnë që do ndodhi. Momentin që do fillojë zhurma që filloi investimi, ju do shikoni çfarë do ndodhi në këtë vend. Momentin kur tregu ndërkombëtar i turizmit do ta marri mesazhin që ata e filluan investimin dhe janë bashkuar edhe me Katarin, që flas sot që flasim, atëherë tregu do thotë “po qenka vend super i sigurtë për të investuar”. Ju duhet të jeni vet, veç, vetëm në prodhim, në investim, në prodhim, në kuptimin e gjësë dhe duhet të jeni bashkë në shitje. Juve Vlorën duhet ta shisni bashkë. Ju vetëm nuk do shkoni larg.