Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Dita e tretë e Samitit të Diasporës Shqiptare u çel me “Mëngjesin e Vëllazërimit”, një aktivitet simbolik që bëri bashkë përfaqësuesit e komuniteteve fetare në një tryezë të përbashkët lutjesh dhe bekimesh për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Në këtë moment të veçantë reflektimi dhe bashkimi shpirtëror ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama.

Në një atmosferë të qetë dhe përfshirëse, përfaqësues të besimeve të ndryshme përcollën mesazhe paqeje, harmonie dhe shprese, duke bërë lutje për vendin dhe kombin, si dhe duke dhënë një bekim simbolik për flamurin kombëtar. Ky aktivitet vuri në pah edhe një herë traditën e vyer shqiptare të bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare.

“Mëngjesi i Vëllazërimit” u zhvillua në kuadër të sesionit me temë “Trashëgimia e së Shenjtës”, i cili në kontekstin shqiptar i referohet pasurisë së jashtëzakonshme shpirtërore dhe materiale të lidhur me besimin, martirizimin dhe objektet e kultit që kanë formësuar identitetin tonë kombëtar.

Ky aktivitet i veçantë, së bashku me tryezën që e pason, përfaqëson një moment të rëndësishëm dialogu ndërfetar dhe respekti të ndërsjellë, duke theksuar rëndësinë e trashëgimisë shpirtërore si një themel i fortë për të ardhmen e vendit. Përmes këtij takimi, u synua forcimi i unitetit dhe frymëzimi i një angazhimi në shërbim të së mirës së përbashkët.

Në aktivitetin e zhvilluar me ftesë të veçantë, përcollën lutje dhe bekime edhe përfaqësues të komuniteteve fetare të vendit dhe diasporës.
Samiti i Diasporës Shqiptare vijon punimet nën moton “Përmes rrënjëve lartësohemi”, duke sjellë në vëmendje rëndësinë e lidhjes me identitetin dhe trashëgiminë kombëtare.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.