Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Rritja e cilësisë së arsimit në Shqipëri po dëshmohet gjithnjë e më qartë përmes nismave konkrete që nxisin dijen, kërkimin dhe inovacionin tek të rinjtë, siç është edhe organizimi i Festivalit Kombëtar të Shkencës, një platformë konkuruese dhe promovuese, që kishte si protagonistë të rinjtë e gjimnazeve të vendit, të cilët patën mundësinë të prezantojnë projekte kërkimore, eksperimente, prototipe inxhinierike dhe zgjidhje digjitale.

Në Pallatin e Kongreseve u zhvillua këtë fundjavë, finalja e Festivalit, një udhëtim që nisi me një ide, mori jetë në laboratorët e 300 gjimnazeve në mbarë Shqipërinë me pjesëmarrjen e mbi 6 mijë nxënësve dhe në fund u kurorëzua në një produkt konkret në shërbim të shoqërisë.

Në ceremoninë e shpalljes së fituesve mori pjesë edhe Kryeministri Rama, i cili falënderoi të gjithë nxënësit për angazhimin dhe theksoi rëndësinë e këtij organizimi, si një hap i parë drejt një rruge të gjatë dhe të suksesshme në fushën e dijes dhe teknologjisë.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve dhe shumë shkurtimisht dua t’i falënderoj nga zemra të gjithë nxënësit që janë përfshirë në këtë rrugëtim të këtij edicioni të parë të Festivalit Kombëtar të Shkencës dhe patjetër dua t’i përgëzoj përzemërsisht të gjithë djemtë dhe vajzat ose më saktë vajzat dhe djemtë sepse ka shumë vajza dhe më pak djem, për daljen finale dhe pavarësisht se cilët do të jenë fituesit që do të përcaktojë juria ajo çka mbetet është vendosja e një guri të parë në një rrugë që uroj që për të gjithë ju të jetë e gjatë dhe e suksesshme pasi Shqipëria sot ka nevojë për të vënë në lëvizje të gjithë potencialin që fshihet në shtratin e gjeneratës suaj.

Jeni shumë të vegjël me parametrat e vjetër, por jeni shumë gati me parametrat e kohës së re kur inovacioni dhe transformimet epokale në këtë botë të sotme të teknologjisë janë me origjinë pikërisht në shtratin e gjeneratës tuaj dhe di t’ju them që ne kemi bërë shumë përsa i përket teknologjisë.
E kemi transformuar Shqipërinë nga një vend ku ishte e pamundur të marrësh një shërbim pa mbajtur radha të gjata në një vend që u kthye në pararojë në rajon dhe u dallua në Europë mes vendeve që shfrytëzuan teknologjinë për të ofruar shërbime publike drejtpërdrejtë nga celulari apo nga kompjuteri në shtëpi, pavarësisht pozicionit gjeografik, qoftë në vend, qoftë kudo në botë.

Por, nga ana tjetër jemi shumë të vetëdijshëm që nëse në sektorin publik kemi bërë hapa të mëdhenj përpara, në sektorin privat kemi shumë për të bërë akoma dhe për këtë arsye së bashku me Ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit jemi duke punuar për të rritur në mënyrë të konsiderueshme financimet për startupet dhe për të rritur mbështetjen për të gjithë ata që kanë një potencial dhe nesër mund të kthehen krijues dhe themelues të startupeve. Kështu që, patjetër juve nuk do t’ju lëmë pas dhe pavarësisht se si do të shkojë gara, ne do të jemi pranë jush, do të bashkëpunojmë me shkollat tuaja, do të bashkëpunojmë drejtpërdrejt me ju, duke krijuar një sistem të cilin do ta mbështesim dhe me financime në mënyrë që të gjitha këto projekte që janë në bërthamë akoma të mund të zhvillohen më tutje dhe ndërkohë edhe ju vetë përmes zhvillimit të këtyre projekteve të hyni në këtë rrugë të pafundme të teknologjisë së re.

Dua të falënderoj universitetet për mbështetjen që i kanë dhënë këtyre të rinjve dhe të rejave. Dua të falënderoj këdo tjetër që është përfshirë në këtë. Pashë me kënaqësi që edhe ambasadori i Gjermanisë është këtu i pranishëm, jo thjesht për të përfaqësuar vendin, por si fqinji i shkollës “Sami Frashri”, po se i ndan vetëm një rrugë ambasadën gjermane nga shkolla “Sami Frashëri”. Edhe më në fund pamë edhe ne një gjerman që bashkëpunon me komshiun edhe pavarësisht se duhet të jetë i barazlarguar me të gjithë, por komshiu është komshiu.
Kështu që përtej shakasë një falënderim vërtetë për qeverinë gjermane, për qeveritë e vendeve të tjera të Bashkimit Europian që mbështesin projektet tona dhe patjetër edhe për të gjithmonë mirëpriturin ambasadorin e Bashkimit Europian, i cili është këtu i pranishëm dhe përfaqëson një forcë të jashtëzakonshme mbështetëse në fushën e dixhitalizimit, në fushën e teknologjive të reja që është Bashkimi Europian. Edhe në këtë aspekt ne duhet të gjejmë rrugët që të punojmë me universitetet, të punojmë edhe me shkollat e mesme për të rritur kapacitetin e aplikimeve me projektet e duhura për të aksesuar më shumë fondet e Bashkimit Europian për teknologjitë e reja.
Shumë faleminderit të gjithëve!

* * *

Në përfundim të festivalit, vendin e parë e fitoi shkolla e mesme “Zhani Ciko” në Patos, me një projekt të fokusuar te rëndësia e bletëve dhe ndërthurja e teknologjisë me natyrën. Projekti u vlerësua për qasjen inovative dhe mesazhin e tij mbi qëndrueshmërinë dhe mbrojtjen e mjedisit.
Kryeministri Rama, i cili u ftua të dorëzojë çmimin e vendit të parë, vlerësoi këtë arritje si një dëshmi se në kohën e sotme, përtej pozicionit gjeografik, ajo që bën diferencën është dija, vullneti dhe fuqia e ideve.

Kryeministri Edi Rama: Vendin e parë, si kurorëzim i një udhëtimi të jashtëzakonshëm drejt dijes, ku mendimi kritik, guximi për të sfiduar të panjohurën dhe forca e krijimtarisë u shndërruan në një arritje të lartë në Festivalin Kombëtar të Shkencës, e fiton shkolla e mesme “Zhani Ciko”. Unë do të doja që të ftoja këtu edhe mësuesin, mësuesen kujdestare të projektit.

-Është një emocion i papërshkrueshëm që të vlerësohesh për një mund kaq të madh për një projekt, i cili është vërtetë për t’u përgëzuar. Është një projekt i cili flet për bletët. Ne e dimë që bleta është shumë e rëndësishme për jetën tonë dhe nga vetë shprehja e Einstein që thotë: “Nëse bletët zhduken do të zhdukemi bashkë me to”, dhe më lejoni të jap një mesazh: “Mbillni një lule, shpëtoni një bletë”, pasi kjo është e ardhmja. Ne duam të ndërthurim teknologjinë me natyrën për të sjellë jo vetëm risi, por edhe inovacion në të gjithë tregun jo vetëm bujqësor, por edhe pse jo ta shtrijmë këtë projekt më gjerë. Shumë faleminderit. Dhe më e rëndësishmja, ne jemi nga Patosi!
Kryeministri Edi Rama: Doja të thoja që shkolla “Zhani Ciko” është në Patos dhe Patosi është një qytet i vogël, por ky çmim i parë tregon atë çka kjo kohë e re e teknologjisë ka sjellë për të gjithë pavarësisht pozicionit të tyre gjeografik, pavarësisht nëse jetojnë në një shtet të madh apo të vogël, pavarësisht nëse jetojnë në një qendër apo në një periferi, mjafton dija, mjafton fuqia e ëndrrës dhe mjafton vullneti së bashku me një smartphone apo një kompjuter për të sunduar fatin edhe për të ndryshuar botën. Dhe shembulli i vajzave dhe djemve nga Patosi është një shembull kuptimplotë i këtij festivali. Unë ju uroj çdo të mirë edhe çdo gjë e prisja nga Patosi, po duke qenë se është një zonë e lidhur gjithmonë me idenë e industrisë së naftës, të vijnë vajzat dhe djem nga Patosi dhe të flasin për lulet është diçka e jashtëzakonshme.

Shumë faleminderit edhe rroftë sa malet kjo bleta që ke këtu.

* * *

Kjo nismë, e mbështetur nga Ministria e Arsimit, e shndërroi shkollën në një hapësirë që nxit krijimtarinë dhe inovacionin, duke inkurajuar të rinjtë të zbatojnë njohuritë në praktikë dhe në mënyrë të pavarur, si dhe të forcojë bashkëpunimin mes arsimit parauniversitar, universiteteve dhe sektorit privat.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.