Zhvillimi i inovacionit dhe teknologjisë po vendoset në qendër të politikave për të rinjtë, si një nga shtyllat kryesore për të ardhmen ekonomike dhe sociale të vendit. Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një bashkëbisedim me të rinjtë e Gjirokastrës, ku theksoi rëndësinë e risive teknologjike, nxitjes së sipërmarrjes dhe mbështetjes konkrete për idetë inovative.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Mirë, shumë faleminderit! Më vjen shumë mirë në radhë të parë që edhe këtu në bashkinë e Gjirokastrës ka pasur zhvillime pozitive për sa i përket qasjes së më të rinjve tek inovacioni dhe fakti që ishin dy shkolla të Gjirokastrës, të cilat morën çmim në Festivalin Kombëtar të Inovacionit, të organizuar për herë të parë nga Ministria e Arsimit flet vetë, por nga ana tjetër, është shumë e nevojshme që ne të jemi të gjithë së bashku të vetëdijshëm për faktin që bota e inovacionit është një botë që ndryshon çdo orë tanimë, jo çdo ditë dhe asgjë nga çfarë kemi bërë deri dje ose deri sot në mëngjes nuk mjafton për çfarë duhet të bëjmë sot deri në darkë, në kuptimin e domosdoshmërisë për të investuar më shumë energji, për të investuar më shumë forca edhe për të investuar dhe më shumë patjetër financa.
Ne kemi pasur një rrugë, jo të lehtë, në këtë aspekt, por tanimë shikojmë që janë hapur disa shtigje, të cilat po rrihen gjithmonë e më shumë nga kryesisht të rinjtë dhe për shembull me programin tonë të startup-ve e kemi nisur me vetëm 40 aplikime dhe sot, jo shumë vite më pas, kemi rreth 1500 dhe më shumë aplikime.
Kjo natyrisht na ka vënë në pozitën që të ndërhyjmë përsëri për të rritur financimin, sepse patjetër që do duhet të bëjmë një seleksionim përmes mekanizmave që janë ngritur për këtë punë. Ne, jo vetëm që do duhet të shtojmë financimin për programin tonë të startup-eve, por do duhet që të gjejmë rrugët që të rrisim financim edhe për sa i përket pikërisht atyre që janë ende në shkollë apo në universitet, pra pa pritur që të mbarojnë shkollën dhe universitetin dhe besoj që do ta fillojmë këtë me festivalin e ardhshëm, ku përveç çmimeve dhe vlerësimeve honorifike të shoqëruara me një kompjuter, do duhet të gjejmë mënyrën se si të financojmë ato prototipe të paraqitura, që kanë interes për t’u shtjelluar më tutje dhe kështu edhe ata që janë pas tyre, pra nxënësit në këtë rast ose në një rast tjetër studentët të fillojnë të mendojnë ndryshe, jo thjesht për të fituar një garë mes bashkëmoshatarëve, por për të krijuar një produkt i cili të jetë i vlefshëm për tregun, sepse ajo që ka sjellë teknologjia është një përmbysje e gjithë hierarkisë së vlerave, nëse mund të flasim kështu, që krijohen në vite në sistemin tradicional të progresit linear, duke na provuar se vajza dhe djem fare të rinj mund të jenë inovatorë të jashtëzakonshëm në rrugën e progresit eksponencial që është një tjetër trajektore komplet nga progresi me të cilin jemi mësuar në histori.
Thënë të gjitha këto, unë besoj që ja vlen të shtojë edhe faktin se do vazhdojmë të plotësojmë të gjithë sistemin e shkollave me laboratorët smart në mënyrë që t’i japim mundësi të gjithë fëmijëve që të kenë akses në teknologji që në hapat e parë të shkollës dhe nga ana tjetër do punojmë shumë fort për të investuar më shumë në inteligjencën artificiale, në qendrat e të dhënave dixhitale, e kështu me radhë.
Nuk dua të zgjatem më shumë me fjalë që juve mund t’i dëgjoni edhe në forma të tjera, por duke qenë se jemi këtu bashkarisht me shumë kënaqësi do t’ju jepja fjalën edhe juve nëse keni diçka për të pyetur, diçka për të thënë, diçka për të sugjeruar, diçka për të kritikuar.
-I nderuar kryeministër, e nderuara ministre, kryetarë i bashkisë, të nderuar nxënës pjesëmarrës, këtu sot unë po shfrytëzoj rastin me ju uruar mirëseardhje në Gjirokastër. Ndoshta kjo ju duket e çuditshme nga një shqiptar i Kosovës me ju uruar mirëseardhje në një qytet tjetër, mirëpo falë bashkëpunimit të mirë edhe pritjes të mirë që e kemi pasur nga kryetari i bashkisë fillimisht, me mbështetjen e ministres dhe falë bashkëpunimit të shkëlqyer me bashkëpunëtorët që i kemi pasur në Gjirokastër, unë po ndihem një prej jush, pra po ndihem gjirokastrit. U mundova ta thyej akullin pastaj po besoj se të tjerët do flasin. Unë përfaqësoj një institucion, i cili quhet Innovation Academy, bashkarisht me Fatbardhën kemi filluar diku në vitin 2019 në një qytet të vogël në Kosovë, i cili quhet Vushtri, edhe ai është i lashtë, antik, është një prej qyteteve më të vjetra në Kosovë. Kemi filluar me një ide të vogël rreth 30 nxënës dhe vetëm unë dhe Fatbardha, kurse sot pas gjashtë viteve Innovation Academy vetëm në Kosovë ka mbi 1000 nxënës, ka mbi 20 veta staf dhe falë bashkëpunimit të mirë me bashkëpunëtorët në Shqipëri, kemi hapur dy qendrat e para, fillimisht në qytetin e bukur të Kavajës, e pastaj kemi ardhur edhe në Gjirokastër. Ideja, pra siç e shihni, ideja jonë nuk është që të fokusohemi shumë fillimisht në kryeqendra në Prishtinë apo në Tiranë mirëpo ne konsiderojmë se fëmijët në Kosovë dhe në Shqipëri kudo i kemi të shkëlqyeshëm dhe të mrekullueshëm, mirëpo duhet që të ketë mbështetje nga institucionet sikur ju. Këtë po e them me përgjegjësi të plotë për shkak se me Fatbardhën kemi vizituar shumë shkolla nëpër qytete dhe përreth. Për shembull kemi vizituar shkolla në Kavajë, në Qerret, këtu në Gjirokastër e deri në Lazarat, t’i shohësh klasa të pajisura me smartboard, me laptope ose me kompjuter është kënaqësi e vërtetë dhe është motivim për ne. Pra, fëmijët i kemi të mrekullueshëm, duhet që ta gjejnë vendin ku ta shfaqin kreativitetin edhe talentin e tyre dhe të kenë prindër, mësimdhënës dhe njerëz të cilët i përkrahin. Po besoj që mjafton nga ana ime. Faleminderit shumë që na keni pritur kaq mirë edhe po shpresoj që kemi me pas suksese edhe më të mëdhaja në Shqipëri sesa këtu në Kosovë.
Kryeministri Edi Rama: Çfarë ke parasysh me atë fjalinë që “institucionet duhet të mbështesin më shumë”, konkretisht?
– Po, sicc e thashë nga përvojat që kam parë nëpër shkolla domethënë shkollat kanë qenë të pajisura mirë me smartboard edhe me laptop, mirëpo duhet të krijojnë edhe hapësira të tjera që ata ta shprehin talentin e tyre dhe kreativitetin. Për shembull njëra ndër aktivitetet që ne i organizojmë dhe po mendojmë që me bë edhe për herë të parë në Gjirokastër edhe Kavajë është “Code Fest”, ne e quajmë “Vushtria Code Fest”. Në këtë “Code Fest” do të kenë mundësitë që të krijojnë projekte të ndryshme që më vonë mund të shndërrohen në startupe apo pse jo dhe në biznese të mira në të ardhmen. Kjo është vetëm një ide fillestare që po mendoj.
Kryeministri Edi Rama: Shumë mirë. Ne për shembull në rastin konkret mbase do ju duhet mbështetje edhe nga Bashkia do duhet mbështetje edhe nga Ministria e Arsimit për ta bërë këtë edhe mund të jetë diçka, një aktivitet i përbashkët që mund të sjelli shumë më tepër njerëz në Gjirokastër edhe mund të krijojë një traditë.
– Po dal direkt në temë, është bashkëpunimi në mes të institucioneve, akademisë dhe universiteteve. Për shkak se ne jemi këtu në fakt t’ju tregojmë të gjithë nxënësve që janë se nuk ka rëndësi se nga janë. A janë nga Lazarati, a janë nga Gjirokastra, a nga Durrësi, a nga Qerreti, a nga Gjakova, a nga Vushtria. Çfarë ju duhet është vetëm një laptop dhe ti vendos se ku do të punosh dhe për kë do të punosh. Nuk ka rëndësi asgjë tjetër. Prandaj jemi këtu sepse e dimë që ka talent. Unë isha në Lazarat, ishim në terren dhe pamë fëmijë të mrekullueshëm, të entuziazmuar dhe çfarë është më e rëndësishme i prezantuam dhe i treguam se si duhet ta përdorin inteligjencën artificiale, i treguam se si të jenë të kujdesshëm në inteligjencë artificiale që mos t’i japin të dhënat e tyre personale pa qenë të sigurte dhe kjo është me rëndësi nëse ne bashkëpunojmë vetdijësojmë më shumë të rinj sepse sot secili fëmijë, secili i ri e ka një telefon celular dhe prandaj kjo paraqet pak rrezik dhe ne duhet t’i drejtojmë, t’ju ndihmojmë dhe po ashtu nuk do të thotë që duhet me patjetër të ndjekin trajnime dhe okay, vijmë përfaqësojmë Innovation Academy, por këtë mund ta bëjnë edhe nga shtëpia. Prandaj, duhet të jemi në terren, duhet të jemi në shkolla, duhet të vizitojmë shumë universitete. Ne kemi nxënës të moshës 18 vjeçare që punojnë për Belgjikën, punojnë për Londrën, kanë arritur vetëm moshën 18 vjeçare dhe këtë vetëm duke bërë “outsourcing”. Kështu që mendoj që investimi më i mirë sot është në edukim. Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Tani kjo gjëja që u tha është diçka që nuk e përqesh më njeri, por deri para pak vitesh të përqeshnin. Edhe mua më kanë përqeshur kur i tregoja rastet e disa të rinjve që punonin për kompani jashtë Shqipërisë duke qenë në Burrel, duke qenë në Devoll, duke qenë në fshatra të Shqipërisë edhe jo vetëm 18 vjeç, por unë kam njohur një vajzë që ishte në shkollë të mesme edhe që mbante familjen me të ardhura të larta, sepse paralelisht punonte për tre shtete ose në tre shtete dhe ndërkohë jetonte në një fshat në Durrës. Kështu që, kjo është tanimë diçka që kush nuk e beson ose kush e përqesh është jashtë kohe, është jashtë bote, ndërkohë që juve besoj e dini këtë gjë dhe shumica juaj e di këtë gjë dhe nuk ka gjë më fantastike sesa ti të jesh në shtëpinë tënde, të jesh në vendlindjen tënde, të jesh mes njerëzve që flasin gjuhën tënde dhe ndërkohë me gjuhën e teknologjisë, ti të punosh në çdo cep të globit edhe të paguhesh shumë mirë, shumë – shumë më mirë sesa do të paguheshe nëse do të bëje një punë tjetër diku jashtë ose edhe më mirë sesa po të shkoje të bëje të njëjtën punë jashtë sepse ndërkohë këtu shpenzimet i ke shumë më pak sesa ç’do t’i kesh jashtë. Kjo është diçka vërtetë e jashtëzakonshme për të gjithë ata që duan ta shohin dhe që duan ta kapin si mundësinë që e ka sjellë kjo kohë e re që ne jetojmë sot.
Ku je ti? Në çfarë shkolle?
-Tek ‘’Asim Zeneli’’. Pra te kjo shkollë këtu. Nëse do më pyesni për shembull se çfarë vazhdoj për më vonë ose çfarë mendoj për studimet e larta, unë jam për arkitekturë. Më pëlqen shumë. Mendoj domethënë, në Universitetin e Tiranës, të vazhdoj. Mendoj se është dega më e mirë që do të më përshtatej. Maturante, po.
Kryeministri Edi Rama: Po, jam shumë dakort me ty. Nëse unë do kisha mundësi të zgjidhja një profesion tjetër, do zgjidhja patjetër arkitekturën. Nuk diskutohet.
-Domethënë e zgjodha pikërisht se jam e talentuar në pikturë.
Kryeministri Edi Rama: Kjo nuk diskutohet. Arkitekti është profesioni, sipas meje, që është më afër Zotit, sepse të gjitha profesionet e tjera i vënë njerëzve diçka në dispozicion, por i vetmi profesion që krijon njësoj si Zoti, një botë ku njerëzit të jetojnë, është arkitekti. Ja! Ne jemi këtu, kemi ardhur për të bërë një bisedë, ose juve shkoni në shkollë, ne shkojmë në zyrë, kryetari i bashkisë shkon në bashki e tjerë, e të tjerë. Të gjitha këto bëhen të mundura sepse kanë punuar arkitektët që ne të kemi mundësi. Kështu që bravo dhe të uroj të kesh sukses.
– Përshëndetje të gjithëve. Jam maturante në gjimnazin “Siri Shapllo”. Unë personalisht aspiroj për mjekësi për të ardhmen. Megjithatë mendoj se zhvillimi i qytetit apo zhvillimi i gjithë vendit në tërësi, është në të mirën e gjithësecilit prej nesh. Pyetja ime do të ishte: në perspektivën tuaj si mendoni se mund t’i nxisni të rinjtë që jo vetëm të kërkojnë punë, por edhe të krijojnë vende të reja pune, vende inovative, punë inovative të reja dhe çfarë planesh konkrete keni për ta realizuar?
Kryeministri Edi Rama: Tani, e para unë personalisht edhe pse nuk po marr veten për shembull po thjesht për të ndarë këtë eksperiencë, kur kam qenë në moshën tuaj, e kisha tmerr që të më thoshin se çfarë do të bëj, si do ta bëj dhe atëherë në fakt na thoshin shumë nga këto. Po ndërkohë, ajo që thashë më parë, është ekzaktësisht pjesë e përgjigjes. Pra, teknologjia dhe gjithë risitë e saj, sot zotërohen shumë më shumë dhe shumë më shpejt nga më të rinjtë. Ndërkohë që ajo që ne po përpiqemi të bëjmë, është që përmes programit të startup-eve që quhet ‘’Startup Albania’’, ne t’i ftojmë të rinjtë që të paraqesin propozimet e tyre të aplikojnë në këtë program dhe për ata të cilët konsiderohen nga një komision ekspertësh, si propozime që ja vlejnë të financohen për të parë pastaj më pas një shtjellim që mund t’i kthejë, në, pikërisht një hapësirë vetëpunësimi, ne bëjmë këtë gjë dhe do ta rrisim masën e financimit.
Sot, teknologjia jep mundësi që gjithësekush që është në një moshë të re, që ka synim ose qëllim, ose nevojë që të ketë një pagë më të lartë se çfarë mund të ofrojë tregu dhe që ka pak talent dhe shumë vullnet për t’u marrë me teknologji, e ka plotësisht mundur që të vetëpunësohet, duke ofruar dijen e vet për kompani, të cilat janë në çfarëdolloj pike të globit dhe ndërkohë patjetër që nëse disa vajza dhe djem si gjithë ato grupet që kanë marrë pjesë në festivalin që thashë, ose si gjithë ato grupet që krijohen për të bërë një projekt teknologjik, duan të shkojnë më tutje edhe të kthehen në një mikrokompani për të ofruar një produkt, edhe këtë mund ta bëjnë dhe ndërkohë që ajo që bëjmë ne, është që t’i mbështesim.
Nga ana tjetër smart lab-et nëpër shkolla janë pjesë e kësaj mbështetje sepse hapin një derë. Pastaj natyrisht, aty jo të gjithë që kapërcejnë atë prag shkojnë tutje, por ata që shkojnë tutje, shkojnë edhe e realizojnë qëllimin për të pasur një punë, që janë ‘’vet zot dhe vet shkop’’ kur i thonë fjalës.
-Përshëndetje, jam maturante e po ashtu gjimnazit ‘’Asim Zeneli’’ dhe unë në fakt doja të bëja një pyetje përsa i përket në mbështetje të shoqes time. Tha që donte të vazhdonte për karrierën, profesionin në arkitekturë. Përderisa po flasim për inovacionet e reja, e të tjerë e të tjerë në lidhje me teknologjinë, çfarë mund të ofrojë Universiteti i Tiranës për sa i përket degës së Arkitekturës për ta frymëzuar më tej shoqen time që ta bëjë, të zgjedhë atë universitet, pra të jetë vendimi i duhur për të, të mos të pendohet më pas.
Kryeministri Edi Rama: Shkolla të ndihmon që atë që ti ke dëshirë, që ke pasion, ta vendosësh mbi disa baza shkencore ose mbi disa baza, të cilat lidhen me dijet e akumuluara nga njerëzimi përpara, por në fund fare, a bëhesh apo s’bëhesh një arkitekt i mirë, apo bëhesh apo s’bëhesh një mjek i mirë, apo bëhesh apo s’bëhesh një çfarëdoqoftë tjetër i mirë, varet shumë nga ti vetë.
Mund të shkosh në shkollën më të mirë të botës edhe mund të mos bëhesh fare dikush që e ushtron madje atë profesion dhe ndërkohë mund të jesh në një shkollë mesatare ose mediokre dhe mund të bëhesh, sepse je ti që i hap punë vetes në thonjëza dhe që dedikimi është gjëja më e rëndësishme.
Por, prapë duke u kthyer teknologjia, sot mundësitë që të marrësh të gjitha dijet e mundshme dhe të imagjinueshme, pavarësisht se nga pozicioni ku ndodhesh, janë të hatashme. Deri dje ishte shumë e vështirë që të kishe në dispozicion gjithçka do duhej për t’u thelluar në profesionin tënd, në kuptimin e literaturës, në kuptimin e imazheve; sot, çdo gjë mund ta thërrasësh edhe të vjen në kohë reale në ekran për ta parë, për ta studiuar. Dhe kur vjen puna konkretisht tek arkitektura, është e pafundme, është e pafundme mundësia për të parë dhe për të kuptuar se si janë projektuar, si janë ndërtuar, me çfarë materialesh punohen e të tjerë e të tjerë, qoftë ato vepra që bëhen sot, qoftë ato që janë bërë në të shkuarën. Kështu që në këtë aspekt, besoj që shoqja nuk do pendohet. Unë kam një teori shumë të thjeshtë që çdo ëndërr që njeriu e shikon me sy hapur, jo me sy të mbyllur, ato me sy mbyllur të ngatërrojnë, po çdo ëndërr që njeriu shikon me sy e hapur, e shikon sepse është në gjendje që ta arrijë, se nuk të vjen kot “dua të bëhem arkitekt”. A e arrijnë të gjithë? Jo. Pse? Sepse e arrin vetëm ai apo ajo që është e gatshme, i gatshëm që ta ndjekë deri në fund ëndrrën e vet dhe të mos dorëzohet çfarëdo vështirësie që t’i dalë përpara dhe shembulli që unë sjell në këtë rast, është Ermonela Jaho. Nuk di a e njihni Ermonela Jahon, a e keni dëgjuar. Ermonela Jaho është një këngëtare shumë e famshme shqiptare e operas, soprano. Ermonela Jaho kur ishte në moshën tuaj në Lice Artistik s’e merrte asnjeri seriozisht. Kishte një zë që thoshin që është zë i zakonshëm. Kishte një trup që ishte trupvogël edhe vinte nga një familje super e varfër dhe thoshte unë do këndoj në La Scala. Dhe ata që e dëgjonin e merrnin për… .
S’kishte asgjë në sytë e atyre që merrnin vesh nga kjo punë, që të mund ta mbështeste këtë fjali që unë do këndoj në La Scala. Ermenla Jaho këndoi në ‘’La Scala’’, këndoi në ‘’Metropolitanin” e Neë Yorkut, këndoi në ‘’Royal Opera’’ në Londër, kendoi në Opera Mbretërore në Madrid, e tjerë e tjerë dhe pastaj i vuri dhe një qëllim tjetër vetes që ‘’do jem këngëtarja më jetëgjatë në skenat e nivelit të parë’’ edhe e ka arritur dhe këtë dhe vazhdon këndon . Është fuqia e asaj ëndrrës që dikush tjetër mund ta ketë zërin shumë të bukur, mund të jetë në shkollën më të mirë të kantos, mund të ketë të gjitha ato që i duhen, edhe kur vjen puna mund të mos hipi në skenë kurrë, sepse nuk ka pikërisht atë gjënë që ndez atë ‘’motorrin’’ ekstra që ka njeriu kur bën sukses.