Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Projektligj i miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 20 Maj 2026:

P R O J E K T L I GJ

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.8391, DATË 28.10.1998, “PËR SHËRBIMIN INFORMATIV KOMBËTAR”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.8391 datë 28.10.1998, “Për Shërbimin Informativ Kombëtar”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

Neni 1

1. Titulli i ligjit ndryshohet dhe zëvendësohet me “Për Shërbimin Informativ të Shtetit”.

2. Kudo në përmbajtje të ligjit bëhen këto ndryshime;

a) Emërtimi “Shërbimi Informativ Kombëtar” zëvendësohet me “Shërbimi Informativ i Shtetit”;
b) Shkurtimi “SHIK” zëvendësohet me “SHISH”;
c) Emërtimi “Nënkomisionit të Përhershëm Parlamentar” zëvendësohet me fjalët “… komisionit përgjegjës për sigurinë …”;
ç) Fjalët “… sigurimit kombëtar …” zëvendësohen me “… sigurisë kombëtare …”;
d) Fjalët “… sigurimin kombëtar …” zëvendësohen me “… sigurinë kombëtare …”.

Neni 2

Në paragrafin e parë, të nenit 3, bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
1. Tri nënndarjet e para ndryshohen, si më poshtë vijon:

“- Mbledh informacion brenda dhe jashtë vendit në funksion të sigurisë kombëtare, sigurisë kolektive dhe sfidave globale.
– Mbledh informacion për kërcënimet që vijnë nga aktiviteti i shërbimeve të inteligjencës së huaj, në të gjitha format që shprehet dhe shfaqet, në funksion të ruajtjes së integritetit, pavarësisë dhe rendit kushtetues.
– Mbledh informacion për terrorizmin dhe ekstremizmin, krimet kundër mjedisit, prodhimin dhe përhapjen e armëve të dëmtimit në masë, si dhe për stabilitetin e brendshëm dhe rajonal.”.

2. Pas nënndarjes së tretë shtohen dy nënndarje, me këtë përmbajtje:

“- Mbledh informacion për kërcënimet ndaj sigurisë ekonomike, kërcënimet kibernetike dhe kërcënimet hibride, me impakt në mjedisin e sigurisë së vendit.
– Mbledh informacion për kërcënimet ndaj infrastrukturës kritike dhe të rëndësishme të Republikës së Shqipërisë.”.

Neni 3

Në nenin 5 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Nënndarja e fundit, e paragrafit të tretë, shfuqizohet.

2. Në fund të nenit shtohen dy paragrafë, me këtë përmbajtje:

“Drejtori dhe Zëvendësdrejtori i SHISH-it përfitojnë pagë bazë, shtesë për vjetërsi dhe shtesë për natyrë të veçantë pune. Trajtimi financiar i tyre përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Drejtori dhe Zëvendësdrejtori trajtohen nga legjislacioni për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit.”.

Neni 4

Në paragrafin e fundit, të nenit 6, dhe në paragrafin parë, të nenit 7, fjala “Popullor”, hiqet.

Neni 5

Në nenin 10 bëhen shtesat e mëposhtme:

1. Në fund të paragrafit të parë, pas fjalëve “… të personelit …” shtohen “…, si dhe nga detyrimet që rrjedhin nga ligji për të drejtën e informimit.”.
2. Pas paragrafit të parë shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:

“Punonjësit e SHISH-it përjashtohen nga detyrimi për deklarimin e të ardhurave të përftuara nga paga, si dhe deklarimin e kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë. Kontrolli vjetor i tyre kryhet nga struktura e posaçme në Shërbimin Informativ të Shtetit, sipas procedurave të përcaktuara me akt të brendshëm të drejtorit të SHISH-it.”.

Neni 6

Në fund të nenit 13 shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:

“SHISH-i ka të drejtë për akses në bazat e të dhënave shtetërore, i cili është i kufizuar sipas funksionit ligjor dhe rregullohet me marrëveshje ndërinstitucionale.”.

Neni 7
Nxjerrja e akteve nënligjore

Ngarkohen Këshilli i Ministrave dhe drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit që, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojnë aktet nënligjore në zbatim të tij.

Neni 8
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

NIKO PELESHI
V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.8391, DATË 28.10.1998, “PËR SHËRBIMIN INFORMATIV KOMBËTAR”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8391, datë 28.10.1998, “Për Shërbimin Informativ Kombëtar”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ALBANA KOÇIU

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.