Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

“Nga Prona te Progresi” – është konferenca rajonale,  e cila bashkoi sot, vendet e Ballkanit Perëndimor në Tiranë, rreth një vizioni të përbashkët: transformimin digjital, sigurinë juridike të pronës dhe integrimin europian.

Konferenca në të cilën mori pjesë edhe Kryeministri Rama, u organizua nga  Agjencia Shtetërore e Kadastrës, me mbështetjen e BE dhe Këshillit të Europës, dhe me prezencën e përfaqësuesve të institucioneve kadastrale nga vendet e Ballkanit, delegacionin e Bashkimit Europian dhe partnerë ndërkombëtarë.

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, theksoi në fjalën e saj se transformimi digjital i Kadastrës nuk është thjesht një proces teknologjik, por një reformë që prek drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, sigurinë juridike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

“Kur flasim për transformimin dixhital të kadastrës, nuk po flasim për teknologjinë për hir të teknologjisë. Po flasim për qytetarë që nuk kanë më nevojë të vënë në dyshim nëse të drejtat e tyre mbrohen. Për profesionistë që mund të aksesojnë të dhëna të besueshme pa vonesa. Për investitorë që mund të marrin vendime me besim. Po flasim për një shtet që mund të planifikojë territorin e tij, të menaxhojë burimet e tij dhe të qeverisë tokën mbi bazën e të dhënave të sakta dhe vendimeve të informuara, jo mbi përafërsi apo supozime. Kjo është vlera e vërtetë e transformimit kadastral”, tha Goxhobelli.

Ndërsa, Kryeministri Rama, tha se “Në procesin e Shqipërisë për Integrimin europian, suksesi i transformimit dixhital është një element përcaktues sa i përket ritmit dhe shpejtësisë së procesit dhe progresit tonë që na lejon të përfitojmë nga të gjitha avantazhet e kalimit nga një epokë e progresit linear tek një epokë e progresit eksponencial e patjetër, duam të përfitojmë sa më shumë të jetë e mundur sa i përket çështjes shumë të ndërlikuar dhe komplekse të pronave në Shqipëri.”

* * *

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit shumë që jeni këtu me ne dhe faleminderit për durimin të më dëgjoni dhe mua në fjalën time.

Së pari,  dua të them se kjo konferencë e rëndësishme, lidhur me një temë shumë të ndjeshme për të gjithë, por sidomos dhe për ne në Shqipëri, përkon me një moment shumë të rëndësishëm që ka të bëjë me fundin e fazës së parë të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian dhe fillimin e një faze të re. Kemi hapur normalisht të gjithë kapitujt e negociatave dhe tani me piketat e ndërmjetme të përcaktuara, i futemi fazës së mbylljes së negociatave. Siç mund ta keni të qartë, plotësimi i piketave të ndërmjetme nga Shqipëria dhe përcaktimi i piketave përmbyllëse është element shumë thelbësor, sidomos për sa i përket grup kapitujve të themeloreve që përfshijnë gjithashtu ‘’Kapitullin 23’’ që ka të bëjë me gjyqësorin dhe të drejtat themelore dhe e drejta e pronës është patjetër pjesë e këtij kapitulli.

Në procesin e Shqipërisë për integrimin europian, suksesi i transformimit dixhital është një element përcaktues sa i përket ritmit dhe shpejtësisë së procesit dhe progresit tonë. Më duhet të them që për vende si i joni, teknologjia e re na ka sjellë, le të themi, një bekim të vërtetë sepse na ka lejuar të bëjmë hope që ndryshe nuk do të ishin të mundura. Na ka lejuar ta shohim të ardhmen me një frymë tërësisht tjetër dhe na lejon gjithashtu të përfitojmë nga të gjitha avantazhet e kalimit nga një epokë e progresit linear tek një epokë e progresit eksponencial dhe këtë e kemi parë me të gjitha përfitimet në shumë aspekte të ndryshme dhe patjetër, duam të përfitojmë sa më shumë të jetë e mundur sa i përket çështjes shumë të ndërlikuar dhe komplekse të pronave në Shqipëri. Nuk besoj se ka vend tjetër në këtë zonë të botës apo në këtë rajon tonin, ku të drejtat e pronës kanë qenë kaq nën trysni.

Gjatë 35 viteve të fundit na është dashur të trajtojmë një material kaq kompleks saqë është realisht një nga vështirësitë më të thella dhe më të ndërlikuara me të cilat jemi përballur. Sepse kalimi nga një vend me pronë tërësisht shtetërore ku prona private nuk lejohet dhe nuk lejohej as zotërimi i një automjeti privat apo nuk mund ta ëndërroje një automjet privat, kaluam në një situatë ku shteti humbi tërësisht kontrollin mbi territorin dhe pati një bum jashtëzakonisht të madh demografik pas rënies së regjimit komunist. Dhe këto lëvizje ndikuan në formësimin e territorit dhe se si perceptohej prona, sepse ndërkohë që kishim pronarët e vjetër që mendonin se me lirinë erdhi dhe momenti i tyre për të marrë pronat dhe që pronat do t’u ktheheshin, nga ana tjetër duhej të përballeshim gjithashtu me një ‘’sulm’’ të plotë mbi tokën dhe një numër të jashtëzakonshëm zhvillimesh që praktikisht u bënë shtresa e re e pronësisë, le të themi, që nuk vinte përmes titujve legjitimë të të shkuarës, por përmes zënies së tokës.

Përtej kësaj, megjithëse për arsye misterioze, regjimi komunist nuk e dogji arkivin e pronave, por e mbajti dhe e ruajti me shumë siguri, por ajo që ndodhi me arkivin në vitet ‘90 ishte katastrofë e vërtetë. Kështu që në këtë kuadër trashëguam një shtresë tjetër pronësie që ishte shtresa e titujve të falsifikuar të pronësisë. Kështu që, të zgjidhësh dhe të zbërthesh të gjithë këtë, është sfidë dhe vështirësi e vërtetë që ka të bëjë me kompromise shumë të vështira dhe shumë të dhimbshme sepse nuk është e mundur që të gjendet, le të themi, një pastërti e plotë.

Dhe përveç kësaj kishim edhe një Gjyqësor që ishte jashtëzakonisht shumë i përfshirë në ngatërresa të mëtejshme duke humbur kështu sipërfaqe të mëdha shtetërore që i përkisnin shtetit dhe që i përkisnin publikut përmes vendimeve të gjykatave të cilat janë të pabesueshme, janë mahnitëse sa i përket aktivitetit të tyre. Nuk besoj se ka një vend tjetër ku mund të gjesh vendime gjykate që i japin ankimuesit, më shumë se sa kërkon. Mund të imagjinoni dikë që shkon të kërkojë, le të themi 5 hektarë dhe merr 200 hektarë nga vendimi që ka dhe kjo është e qartë pse dhe si.

Na u desh pra, të hartonim një ligj te ri që ishte gjithashtu i komplikuar sepse një vendim që besoj se ishte vendim i mirë dhe ishte një prej pak vendimeve që Parlamenti mori me konsensus në fillim të viteve ’90, për t’i dhënë të gjithë fermerëve  një shkresë, një fletë për përdorimin e tokës, u kthye në një rrugë tjetër abuzimi sepse nga përdorimi i tokës, u kthye në përvetësim të tokës dhe kemi parë edhe plazhe të cilat janë përvetësuar në këtë kuadër. Kemi parë det të përvetësuar në këtë mënyrë. Nuk besoj se në përvojën tuaj mund të keni parë diçka të tillë në Kadastrën e një vendi ku ka hartë të detit, parcela në këtë det.

Kështu që hartuam legjislacionin i ri, punuam shumë ngushtë me partnerë të përkushtuar dhe morëm dhe dritën jeshile nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg lidhur me qasjen tonë të re.

Megjithatë, edhe sot e kësaj dite përballemi me probleme sepse gjyqtarët, disa gjyqtarë kanë vendosur se mund të marrin sot vendime bazuar në ligje të së djeshmes. Pra, ligji i ri në zbatim për kompensimin mund të anashkalohet dhe vendimet e gjykatave që krijojnë barrë të shtuar mbi financat e shtetit, mund të jepen edhe sot. Kështu që situata është e komplikuar. Nuk po ankohem këtu. Thjesht po shkëmbej një përvojë tonën me ju dhe nuk po zgjedh, le të themi, rrugën e thjeshtë për t’ju thënë me lule se sa e mirë është, sa e mirë është puna jonë në këtë vend, por po ju ‘’kënaq’’ si të ftuar me pak argëtim dhe në fakt kjo është argëtuese kur e sheh nga jashtë. Është një telenovelë e pafund dhe e ndërlikuar, por ama nuk u dorëzuam. Po bëjmë punën tonë, po punojmë më fort dhe besoj se teknologjia e re po na ndihmon shumë të trajtojmë ato që ndryshe, do të ishte e pamundur të trajtoheshin.

 Mund të besoni se është ekzagjerim, por është episod faktik i jetës reale në Shqipëri që puna me hartat të cilat ishin hapur dhe mbyllur, ishin hapur dhe mbyllur shumë e shumë herë, dikujt iu desh të ishte ‘’viktima’’ e kësaj hapjeje e mbylljeje sepse një gjykatë vendosi se gjykata që ai pretendonte, ishte tek vrima që ishte krijuar nga grisja e hartës, nga hapja mbyllja e hartës, aty ku ishte palosur shumë herë. Harta që kishte krijuar një grisje, që imagjinon që ke një vendim gjykate që thotë që ‘’prona jote është te kjo grisja, te kjo vrima, por nuk ta japim dot sepse është këtu’’.

Sa i përket të tjerave, besoj se do të bëni shumë diskutime teknike për mënyrat se si po mundohemi t’i trajtojmë këto çështje e këto problemeve, por po e mbyll duke thënë dhe duke përmendur një fjalë që tha drejtoresha e përgjithshme në fjalën e saj hapëse që lidhet me integritetin e të dhënave që përdoren, sepse në fund të fundit po, teknologjia e re, inteligjenca artificiale mund të bëjmë mrekullira, por gjithashtu mund të të drejtojë tek një ngërç tjetër nëse të dhënat nuk janë të sakta.

Kjo pra, është një sfidë tjetër që modeleve t’i ushqejmë të dhënat e duhura dhe t’i japim modeleve të gjitha aftësitë që të kthejë si rezultat atë që kërkohet.

Kam një fjalë të shkruar këtu që normalisht jam i sigurtë, nuk doni ta dëgjoni; shteti europian ndërtohet me këtë dhe me atë, por është realisht një ushtrim i vështirë, është pjesa më e vështirë e procesit të negociatave dhe e procesit tonë për ndërtimin e shtetit, por besoj se pak nga por me siguri, po e rregullojmë situatën edhe me digjitalizimin e plotë që tashmë është thuajse në përfundim dhe me “blockchain” që do të përdoret, do të shpëtojmë çka mundemi pas kaq e kaq vitesh, zënësish të të gjitha llojeve të cilët kanë hyrë në pronat tona të paluajtshme.

Vlerësoj realisht përpjekjet dhe ndihmën e partnerëve tanë; Bashkimin Europian së pari dhe më i rëndësishmi që patjetër ka qenë dhe ka marrë në konsideratë me bujari kërkesat tona për të ndihmuar këtë proces në Kadastër. Tani me ndihmën e Bashkimit Europian po bëjmë diçka që funksionon dhe që po funksionon goxha mirë.

Kështu që po, do ta mbyllim këtë proces me shpresë, shumë shpejt. Ndërsa pjesa tjetër e partnerëve kanë dhënë këshilla jashtëzakonisht shumë të mira dhe i falënderoj dhe dua të falenderoj gjithashtu edhe disa nga njerëzit që i njoh në këtë tryezë nga ana jonë sepse të gjithë dhe secili prej tyre në pozicionin e vet, ka bërë punën e duhur dhe po bën punën e duhur.

Së shpejti do të kemi edhe reformën e agjencisë do të sjellim më shumë detyra nën një ombrellë, nën një çati, le të themi, sepse të pasurit e agjencive të veçanta dhe të ndara nuk e kanë ndihmuar procesin, sepse kur agjencitë që shkojnë në drejtime përkatëse ka krijuar më tepër konfuzion dhe ka sjellë më tepër telashe, le të themi. Tani, besoj se kemi një ide të qartë dhe të mirë se si ta formësojmë administratën e pasurive të paluajtshme nga A-ja tek Zh-ja, me bashkimin e një sërë agjencive në një. Ndërsa pjesa tjetër është të vazhdojmë dhe të vazhdojmë punën.

Kemi bekimin, por gjithashtu edhe mallkimin që kemi ‘’tutor’’ mbi kokë, që quhet Bashkim Evropian dhe që na thotë se kjo është mirë, kjo është keq; këtu ke dalë mirë, këtu nuk ke dalë mirë, kështu që vazhdo këtu, vazhdo atje me drejtimin e punës që dhe kjo ndihmon patjetër.

Përpara se të vija këtu faktikisht isha me guvernatorin e Bankës Qendrore të Austrisë dhe po e diskutonim këtë pjesë edhe po diskutonim edhe Bashkimin Europian dhe i thashë dëgjo, Bashkimi Europian është diçka për të cilën mund të ankohesh gjithë ditën, por me Bashkimin Europian një gjë është e sigurtë, natën s’ke makthe. Nëse zgjedh një rrugë tjetër, gjatë ditës mund të ndihesh më i lirë, por ama natën pastaj do kesh makthe e kështu që nuk ka alternativë tjetër ndaj Bashkimit Europian. Dhe në këndvështrimin tim, nuk ka plan B, nuk ka plan C. Është vendi i duhur ku duhet të jemi patjetër. Është vend njerëzish dhe normalisht nuk mund të jetë  parajsë nga vetë përkufizimi, por ama nuk ka alternativë ndaj Bashkimit Europian. Ju faleminderit!

Dhe me lejen tuaj do më duhet të largohet sepse Bashkimi Europian po më pret sot kështu që duhet të marr avionin. Ju falenderoj jashtëzakonisht shumë. Ju lë të vijoni në paqe dhe shpresoj të mos ju kem mërzitur. Faleminderit! 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.