Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama, mori pjesë në Konferencën Vjetore të Komisionit të Bllokut Lindor, një forum i rëndësishëm që bashkon përfaqësues të politikës, biznesit dhe diplomacisë për të diskutuar zhvillimet ekonomike, gjeopolitike dhe sfidat e së ardhmes në Europë.

Si i ftuar nderi në këtë konferencë, Kryeministri Rama iu adresua pjesëmarrësve, mes të cilëve përfaqësues të sipërmarrjes gjermane, ekspertë të sigurisë, ekonomisë dhe inovacionit, si edhe zyrtarë të Bundestagut dhe Kancelarisë Federale.

***

Fjala e Kryeministrit Edi Rama: Kur të ftojnë të flasësh në raste si ky, zakoni e do ta nisësh me një fjali të njohur:

“Është një kënaqësi e madhe dhe nder i veçantë të jem me ju”.

Por unë nuk do të them këtë sepse nuk kam ardhur këtu thjesht se ky është një takim i rëndësishëm.

Kam ardhur për shkak ka tri gjëra që bëhen bashkë në mënyrë të pazakontë: qyteti ku takohemi, momenti në të cilin takohemi dhe tema për të cilën më është kërkuar të flas.

Ta nisim me Berlinin, vendi ku u bë realitet transformimi ndoshta më i madh gjeopolitik i jetës sonë dhe jo vetëm sepse ra një mur, po sepse, pasi ai mur ra, doli një udhëheqës me guximin për të kuptuar çfarë kërkonte historia më pas.

Helmut Kohl nuk e pa ribashkimin gjerman si një sfidë administrative; e pa si domosdoshmëri gjeopolitike. Kundër kujdesit të tepruar. Kundër skepticizmit. Kundër urtësisë konvencionale të kohës.

Ai vendosi që Gjermania duhej të bëhej përsëri një vend i vetëm. Historia i dha të drejtë!

E nisa me Berlinin dhe me Kohlin, jo sepse ky auditor ka nevojë t’i kujtosh këtij rëndësinë që ka Gjermania për Europën. E bëra sepse besoj gjithnjë e më shumë se vetë Europa po i afrohet një momenti mjaft të ngjashëm.

Një momenti kur vazhdimi i menaxhimit të realitetit përmes procedurave, hezitimeve dhe supozimeve të trashëguara po bëhet më i rrezikshëm sesa marrja e vendimeve strategjike. Një moment që kërkon atë që unë do ta quaja një moment të ri Helmut Kohl sepse Europa gjendet sot përballë me një pyetje tejet të ngjashme me atë që Gjermania u përball atëherë: nëse ribashkimi është thjesht aspiratë që mund të menaxhohet pafundësisht, apo një domosdoshmëri që më në fund duhet përmbushur.

Dhe kjo më sjell menjëherë te tema për të cilën më është kërkuar të flas: e ardhmja europiane e Shqipërisë: reforma, qëndrueshmëria dhe novacioni në një peizazh gjeopolitik në ndryshim.

Po i kthehem një tjetër udhëheqësi të madh gjerman, Konrad Adenauerit, njërit prej etërve themelues të Europës moderne, i cili, dikur, konstatoi me mençuri: “Uniteti europian ishte ëndrra e pak njerëzve. U bë shpresa e shumë prej tyre. Sot, është  domosdoshmëria e të gjithëve ne”.

Besoj, këto fjalë nuk kanë pasur kurrë më shumë peshë sesa sot sepse takohemi në një kohë kur rendi ndërkombëtar i bazuar mbi rregulla është nën trysni të fortë. Lufta është kthyer në Europë. Konkurrenca strategjike është bërë globale.

Teknologjia nuk po transformon vetëm ekonomitë, sistemet politike dhe shoqëritë me një shpejtësi të pakonceptueshme më parë, por po transformon edhe vetë mënyrën se si lidhemi me njëri-tjetrin dhe si e përjetojmë jetën e përditshme.

Rënia demografike po riformëson rajone të tëra dhe një dimër i ashpër demografik kërcënon të ardhmen e afërt të Europës. Siguria ekonomike është bërë e pandashme nga siguria kombëtare. Qëndrueshmëria politike është bërë e pandashme nga qëndrueshmëria informative dhe Europa nuk është më kontinenti i paqes dhe prosperitetit të përhershëm që deri vonë besonte se ishte.

Europa është bërë përsëri një fuqi e madhe që ndeshet me sfida të mëdha në një nga udhëkryqet e mëdha të historisë së saj. Në rrethana të tilla, hezitimi strategjik bëhet luks dhe fragmentimi bëhet dobësi.

Të dashur miq, falë prezantimit të Katerinës, tashmë e dini të gjithë që unë jam piktori më i madh mes kryeministrash. Do guxoja të thosha edhe midis kancelarësh, por nuk duhet të jesh piktor i madh për të parë se ajo që lihet jashtë një kompozimi shpesh zbulon më shumë sesa ajo çfarë përfshihet brenda tij.

Pak muaj më parë, Këshilli Europian miratoi projektin më ambicioz të integrimit që nga koha e Jacques Delors: Një Europë, Një Treg. Një dokument shumë ambicioz. I domosdoshëm. Vizionar. Strategjik. E megjithatë, mungonte diçka. I gjithë Ballkani Perëndimor! Një rajon tërësisht i rrethuar nga kufiri i Bashkimit Europian. Një rajon që ndodhet fizikisht në zemër të Europës. Një rajon që i mungon vizionit të Europës për vetveten.

Si një hapësirë bosh në qendër të telajos, si një Europë që vazhdon e pikturon një autoportret i cili, gjithnjë e më shumë, shëmbëllen me “Britmën” e Edvard Munch. Është veçanërisht e çuditshme, kur pikërisht ajo hapësirë shtrihet mbi një nga korridoret strategjike më të vjetra të Europës.

Më shumë se dy mijë vjet më parë, romakët ndërtuan “Via Egnatia”. Ajo lidhi Lindjen me Perëndimin. Tregjet me tregjet. Njerëzit me njerëzit. Fuqinë me fuqinë. Romakët kuptuan diçka që ne herë pas here e harrojmë: Ndërlidhja nuk është infrastrukturë. Ndërlidhja është fuqi dhe një sistem është aq i fortë sa hallka që i mungon.

Njëzet shekuj më vonë, Europa diskuton për korridore energjetike, korridore digjitale, korridore të lëvizshmërisë ushtarake, zinxhirë strategjikë furnizimi dhe sovranitet teknologjik. E megjithatë, rajoni përmes të cilit shumë prej këtyre korridoreve kalojnë natyrshëm mbetet jashtë arkitekturës.

Korridoret energjetike që i duhen Europës kalojnë përmes gjeografisë sonë. Rrjetet digjitale që Europa dëshiron kërkojnë territorin tonë. Mineralet kritike që Europa befas i ka rizbuluar si strategjike, gjenden nën tokën tonë. Kina e kupton këtë. Rusia sigurisht që e kupton. Edhe Europa e kupton, por ndonjëherë e harron kur shkruan planet e veta. Dhe, merreni me mend? Via Egnatia e përshkonte kontinentin pikërisht aty ku është sot Shqipëria.

Shqipëria ka hapur të tridhjetë e tre kapitujt negociues më shpejt se çdo vend kandidat në historinë e zgjerimit, po për të thënë të vërtetën siç është, jo sepse jemi më të mirët, po sepse nisëm shumë vonë dhe ishim të përgatitur.

Ne po përparojmë me vendosmëri të zjarrtë. Objektivi ynë është i qartë. T’i përmbyllim negociatat deri në vitin 2027, diçka që e kemi diskutuar e për të cilën kemi rënë dakord me Komisionin Europian. Të bëhemi anëtarë të plotë të Bashkimit Europian përpara fundit të kësaj dekade. Më lejoni të jem po aq i qartë. Për Shqipërinë, anëtarësimi nuk ka të bëjë thjesht me hyrjen në një klub. Nuk ka të bëjë me marrjen e fondeve. Nuk ka të bëjë me marrjen e ornamenteve institucionale. Ka të bëjë me transformimin e shtetit tonë, institucioneve tona dhe mënyrës sonë të të menduarit dhe kryerjen e transformimit më të thellë demokratik në historinë tonë kombëtare, duke garantuar që, më në fund, njëherë në historinë tonë, jemi aty ku njerëzit duan të jenë, jo aty ku vendos historia të jemi.

Kam qenë ndër zërat e parë nga rajoni ynë që kam mbrojtur përfitimet e shumta të integrimit gradual, por integrimi gradual nuk mund të kthehet në shtyrje pa fund, as një tjetër paradhomë pritjeje sepse nëse ribashkimi i Europës është vërtet një domosdoshmëri strategjike, atëherë Ballkani Perëndimor nuk mund të mbetet i zënë peng mes vlerësimeve objektive të Komisionit dhe anktheve subjektive të disa shteteve anëtare.

Kjo kontradiktë po bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u përballuar. Zgjidhja nuk është as e ndërlikuar, as e kushtueshme. Na futni në arkitekturën strategjike të Europës tani. Na jepni vend në tryezë, para se të na jepni veto. Na jepni pjesëmarrje, para se të na jepni komisionerë. Na jepni përgjegjësi, para se të na jepni ornamente institucionale. Dhe më tej, hap pas hapi, na futni në Bashkimin Energjetik. Në Bashkimin Digjital. Në kornizat e përbashkëta të sigurisë. Në instrumentet e përbashkëta financiare. Në zinxhirët e përbashkët të furnizimit sepse Europa nuk mund të flasë seriozisht për autonomi strategjike, ndërkohë që mban një vakum strategjik në qendër të saj dhe të mbajë një plagë të hapur në skajin e vet lindor.

Helmut Kohl, së paku me aq sa di, nuk pyeti nëse ribashkimi ishte administrativisht i përsosur dhe as u tha bashkëqytetarëve të vet në lindje: “E gëzofshi lirinë! Tani, merruni pak me këta 33 kapituj.” Ai bëri pyetjen që bën një udhëheqës, nëse vazhdimi i ndarjes mbetej strategjikisht i pranueshëm. Kjo është një pyetje thellësisht tjetër dhe ndoshta pyetja që Europa duhet t’i bëjë vetes sot. Historia rrallë ecën përpara ngaqë burokracia është gati. Historia ecën sepse udhëheqësit vendosin se ajo duhet të ecë përpara dhe Europa nuk mund t’ia lejojë vetes të humbasë kohë duke rihapur debatin e famshëm bizantin mbi seksin e engjëjve, ndërsa muret e Kostandinopojës tashmë dridhen nga stuhia që po afrohet jashtë.

Zonja dhe zotërinj,

E ardhmja e Europës nuk do të vendoset vetëm nga gjeopolitika, ajo do të vendoset edhe nga novacioni. Gara e ardhshme e madhe mes kombeve nuk do të zhvillohet kryesisht përmes territorit, do të zhvillohet përmes inteligjencës. Inteligjencës artificiale. Infrastrukturës digjitale. Kërkimit shkencor. Sovranitetit teknologjik. Kapacitetit për të sjellë novacion më shpejt se konkurrentët. Inteligjenca artificiale nuk është thjesht një revolucion tjetër teknologjik. Ajo po bëhet me shpejtësi infrastruktura nga e cila do të varet gjithnjë e më shumë fuqia ekonomike, kapaciteti ushtarak, lidershipi shkencor dhe qëndrueshmëria demokratike.

Për herë të parë që nga Revolucioni Industrial, lidershipi teknologjik mund të përcaktojë jo vetëm kush bëhet më i pasur, por kush mbetet sovran. Është e qartë që Europa e kupton këtë, ndaj është gjithnjë e më e rëndësishme të flitet për sovranitet teknologjik, por sovraniteti kërkon shkallë dhe shkalla kërkon integrim.

Asnjë kontinent nuk mund të pretendojë seriozisht të udhëheqë revolucionin e inteligjencës artificiale, ndërkohë që lë vullnetarisht jashtë ekosistemit të vet të novacionit miliona qytetarë, mijëra inxhinierë, gjeografi strategjike dhe talent të pashfrytëzuar. Europa nuk mund ta fitojë garën e shekullit XXI me njërën dorë të lidhur pas shpine.

Nga ana e saj, Shqipëria në shkallën saj modeste, po punon për një nga transformimet digjitale më ambicioze në Europë. Ne po rikonceptojmë administratën publike të përqendruar në teknologji. Kemi digjitalizuar 95% të shërbimeve publike. Ulja e burokracisë është kthyer në idenë tonë fikse.

Po shtrijmë inteligjencën artificiale në të gjithë qeverisjen. Jo sepse teknologjia është në modë, por sepse inovacioni është bërë rruga më e shkurtër nga periferia drejt qendrës. Një Shqipëri më e gjelbër, më digjitale dhe më novatore është e mirë jo vetëm për ne është e mirë për Europën.

Sepse konkurrueshmëria e Europës do të varet gjithnjë e më shumë nga mobilizimi i gjithë talentit të saj, gjithë gjeografisë së saj dhe gjithë potencialit të saj dhe Ballkani Perëndimor nuk është thjesht kandidat për anëtarësim. Ne jemi kontribuues në konkurrueshmërinë e ardhshme të Europës. Sa më shpejt Europa të fillojë ta shohë zgjerimin jo si lëshim, por si investim, aq më e fortë do të bëhet vetë Europa.

Kjo më sjell te ajo që gjithnjë e më shumë e konsideroj një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet Europa. Një sfidë më pak e dukshme se kërcënimet ushtarake. Duket më pak dramatike se krizat ekonomike, por potencialisht po aq e rrezikshme, në mos edhe më e rrezikshme. Gërryerja e vetë demokracisë.

Për dekada me radhë kemi menduar se më shumë informacion do të prodhonte automatikisht qytetarë më të mirinformuar. Ky supozim doli i gabuar.

Sot gënjeshtrat udhëtojnë shumë më shpejt se faktet. Ne, si shqiptarë, po e jetojmë në realitet atë që thotë një proverb i vjetër i popullit tonë: “Sa të veshë pantallonat e vërteta, gënjeshtra ka bërë xhiron e botës”. Indinjata përhapet shumë më shpejt se provat. Algoritmet shpërblejnë zemërimin shumë më bujarisht se të vërtetën, sepse e vërteta është e mërzitshme, kurse gënjeshtrat janë argëtuese. Turmat digjitale mund të ushtrojnë më shumë ndikim se institucionet demokratike. Realitete të tëra mund të sajohen, përpara se faktet të arrijnë të ngrenë kokë dhe ndoshta paradoksi më i madh i epokës sonë është se gjithnjë e më shumë ngatërrojmë lirinë e fjalës me lirinë e shpërndarjes.

Nuk janë e njëjta gjë. Liria e fjalës është gur themeli i demokracisë. Liria e shpërndarjes është një fuqi teknologjike e pashembullt, me të cilën asnjë demokraci nuk është përballur më parë. Gjatë gjithë historisë, çdo sistem propagande është mbështetur mbi të njëjtin parim, gjysmën e parë të jetës e kam kaluar nën një diktaturë dhe e di mirë si funksionon, të mbytë lirinë e vërtetë të fjalës, ndërkohë që maksimizon shpërndarjen e gënjeshtrave të veta.

Mjetet kanë ndryshuar. Mekanizmi është po ai. Dallimi sot është se teknologjia ka industrializuar shpërndarjen. Gënjeshtra nuk ka më nevojë për ministri propagande. E pavërteta nuk ka më nevojë për gazetë. Manipulim nuk ka më nevojë për një transmetues shtetëror. Një algoritëm mund të arrijë sot për pak minuta atë që dikur, makinerive të propagandës, iu duheshin vite ta arrinin.

Në të kaluarën, sistemet autoritare e kufizonin lirinë e fjalës për të monopolizuar shpërndarjen. Sot shoqëritë demokratike mbrojnë shpërndarjen e pakufizuar në emër të lirisë së fjalës. Kjo është çmenduri. Këto të dyja nuk janë e njëjta gjë.

Liria e fjalës mbron qytetarët nga censura. Liria e shpërndarjes u jep fuqi të pashembullt atyre që manipulojnë perceptimin dhe kështu përballemi me një pyetje të shqetësuese.

Edhe për sa kohë mund të vazhdojnë shoqëritë demokratike ta trajtojnë këtë fenomen sikur të ishte thjesht një zgjatim i lirisë së fjalës? Edhe për sa kohë, qendra, politika e qendrës do të vazhdojë të gënjejë veten se kjo nuk është forca kryesore që po hedh në erë së brendshmi pikërisht qendrën e politikës.

Kur manipulimi i koordinuar, rrjetet e bot-eve, amplifikimi algoritmik dhe dizinformimi në shkallë industriale formësojnë perceptimin publik, ndikojnë zgjedhjet, destabilizojnë institucionet dhe shtrembërojnë vetë realitetin, nuk po flasim më vetëm për lirinë e shprehjes.

Po flasim për fuqi. Po flasim për siguri. Po flasim për sovranitet.

Europa po investon qindra miliarda euro në kapacitete ushtarake, sisteme të mbrojtjes ajrore, siguri kibernetike, mbrojtje të infrastrukturës kritike dhe autonomi strategjike.

Shumë e drejtë, të gjitha këto janë të domosdoshme, por çfarë vlere do të kenë të gjitha këto mburoja, nëse shoqëritë tona mbeten të pambrojtura ndaj manipulimit sistematik të mendjeve njerëzore?

Çfarë vlere do të ketë qëndresa ushtarake, nëse qëndresa demokratike bie?

Çfarë vlere do të ketë siguria territoriale, nëse qytetarët humbasin gradualisht aftësinë për të dalluar faktet nga sajesat, miqtë nga armiqtë, interesat e përbashkëta nga interesat e kundërta?

Sfida e ardhshme e madhe e sigurisë mund të mos jetë një ushtri që kalon kufirin, por një ortek gënjeshtrash aq i fuqishëm sa të çajë vetë arkitekturën e jetës demokratike dhe ndryshe nga sulmet konvencionale, objektivi nuk është pushtimi i territorit. Objektivi është të pushtohet perceptimi. Të dobësohet besimi. Të ndahen shoqëritë. Të paralizohet vendimmarrja demokratike. T’i bëjë qytetarët të dyshojnë e të fajësojnë gjithkënd që i përfaqëson dhe gjithçka, përveç klanit të tyre digjital.

Europa nuk ka nevojë vetëm për mburojë kundër raketave,, ka nevojë edhe për një mburojë për epokën e algoritmeve dhe nëse do të më duhej të zgjidhja nga t’ia nisja, do t’ia nisja pikërisht nga kjo e fundit.

Këto javët e fundit, vendi im përjetoi dhe vazhdon të përjetojë një shembull të gjallë të kësaj. Një propozim për zhvillim turistik në bregdetin e Shqipërisë u bë befas qendra e një stuhie digjitale ndërkombëtare. Katastrofa mjedisore u paraqit si fakt i provuar. Korrupsioni u shpall i vërtetuar përpara se të ekzistonte ndonjë provë. Teoritë konspirative u shumëfishuan orë pas ore. Pretendimet u bënë tituj. Titujt u bënë të vërteta. Të vërtetat u bënë dogma dhe kushdo që kërkonte prova trajtohej si i dyshuar.

E përmend këtë jo sepse vetë projekti ka rëndësi për Europën. Ka, por sepse ajo që ka edhe më shumë rëndësi është ajo çka zbuloi ky episod. Indinjata prodhoi miliona shikime përpara se faktet të kishin mundësi të flisnin. Narrativat bënë xhiron e botës përpara se procedurat e dokumentuara të mund të qarkullonin në një kanal të vetëm. Ky nuk është më një fenomen shqiptar. Është fenomen europian. Fenomen amerikan. Fenomen demokratik dhe nëse demokracitë dështojnë të mbrojnë dallimin mes fakteve dhe trillimeve, mes shqyrtimit të fakteve dhe histerisë, mes kritikës dhe linçimit digjital, ato do të humbasin, herët a vonë, diçka shumë më të vlefshme se çdo argument politik.

Besimin se demokracia ia vlen dhe kur besimi zhduket, institucionet ndryshojnë vetë fiziologjinë e tyre. Kur institucionet ndryshojnë në vetë fiziologjinë e tyre, politika kryesore humbet legjitimitetin. Kur legjitimiteti gërryhet, demagogët lulëzojnë. Qendra zhduket. Skajet zgjerohen. Politika kthehet në një garë përshkallëzimi, jo në kërkim zgjidhjesh. Ajo që sot duket ekstreme dhe kjo edhe më çmenduri, nesër sfidohet nga diçka edhe më ekstreme. Demokracia zakonisht nuk bie kurrë, se njerëzit ndalojnë së votuari. Demokracia bie, kur qytetarët nuk besojnë më e vërteta ekziston në mënyrë të pavarur përtej përkatësive të tyre klanore.

Kështu zbrazen nga brenda sistemet demokratike. Jo përmes tankeve. Jo përmes grushteve të shtetit, por përmes zëvendësimit gradual të realitetit me klane alternative realitetesh që konkurrojnë me njëri-tjetrin.

Prandaj e ardhmja e Europës nuk varet vetëm nga fuqia ushtarake, konkurrueshmëria ekonomike apo novacioni teknologjik. Varet edhe nga aftësia jonë për të mbrojtur vetë realitetin, për të mbrojtur provat, për të mbrojtur arsyen, për të mbrojtur disiplinën e vështirë, por të pazëvendësueshme, të fakteve.

Europa sot ka nevojë për guxim. Guximin e Kohlit. Guximin për t’u ribashkuar. Guximin për të krijuar novacion. Guximin për të pranuar se zgjerimi nuk është bamirësi, është strategji dhe guximin për të mbrojtur demokracinë jo vetëm nga ata që e sulmojnë nga jashtë, por edhe nga gërryerja e ngadaltë që mund ta dobësojë nga brenda.

Shqipëria është gati. Gati të reformohet. Gati të krijojë novacion. Gati të kontribuojë. Gati të mbajë pjesën e saj të përgjegjësisë por pyetja e vërtetë nuk është nëse Shqipëria është gati. Pyetja e vërtetë është nëse Europa është gati? Gati të përfundojë punën ende të pakryer të historisë së vet. Gati të ribashkojë gjeografinë e saj me imagjinatën e saj strategjike. Gati të veprojë mbi bazën e domosdoshmërisë, në vend që të administrojë shtyrjen sepse historia rrallë pret procedura të përsosura.

Ajo pret udhëheqje të gatshme të kuptojë momentin dhe të veprojë menjëherë dhe këtu, në Berlin, ku Gjermania dikur gjeti guximin të ribashkonte paqësisht atë që historia e kishte ndarë me forcë, pyetja përpara së cilës gjendet Europa bëhet e qartë kristal: A është Europa gati për momentin e saj të ardhshëm Helmut Kohl? Nuk kam përgjigje!

Faleminderit shumë!

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.