Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 19 Qershor 2026:

P R O J E K T L I GJ
PËR

MIRATIMIN E BUXHETIT FAKTIK TË VITIT 2025

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, e 158 të Kushtetutës, dhe të nenit 63, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1
Miratimi i raportit vjetor të konsoliduar të zbatimit të buxhetit

Miratohet raporti vjetor i konsoliduar i zbatimit të buxhetit për vitin 2025, sipas dokumenteve të mëposhtme, pjesë përbërëse të tij:

a) Pasqyrat e konsoliduara vjetore për transaksionet financiare të shtetit, për vitin 2025;
b) Raporti për zbatimin e buxhetit vjetor 2025, në nivelin e fondeve të miratuara dhe objektivat e realizuar;
c) Raporti për borxhin publik dhe përbërjen e tij, për vitin 2025;
ç) Raporti për përdorimin e fondit rezervë dhe të kontingjencës, për vitin 2025;
d) Raporti për situatën e kontrollit të brendshëm financiar publik në njësitë e qeverisjes së përgjithshme, gjatë vitit 2025.

Neni 2
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
NIKO PELESHI

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR MIRATIMIN E BUXHETIT FAKTIK TË VITIT 2025”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, dhe të neneve 62 e 63, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për miratimin e buxhetit faktik të vitit 2025”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

P R O J E K T L I GJ
PËR

GRUPIMET EKONOMIKE ME INTERES EVROPIAN

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1
Themelimi dhe personaliteti juridik i grupimit

1. Grupimet ekonomike me interes evropian formohen sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara në këtë ligj.

2. Personat, që synojnë të formojnë një grupim ekonomik me interes evropian, duhet të lidhin një kontratë dhe të kryejnë regjistrimin e parashikuar në nenin 6, të këtij ligji.

3. Grupimi i formuar në këtë mënyrë, nga data e regjistrimit të tij, siç parashikohet në nenin 6, ka personalitet juridik të ndarë nga anëtarët e tij dhe do të ketë aftësinë, në emrin e vet, të ketë të drejta dhe detyrime, të lidhë kontrata ose të kryejë aktivitete të tjera ligjore, si dhe të padisë e të paditet.

Neni 2
Ligji i zbatueshëm dhe përkufizime

1. Ligji i zbatueshëm për kontratën për themelimin e grupimit ekonomik me interes evropian, me përjashtim të çështjeve që kanë të bëjnë me statusin juridik ose aftësinë juridike të personave të tyre fizikë (person fizik tregtar ose individin sipas kontekstit) ose juridikë dhe organizimin e brendshëm të grupimit do të jetë ligji shqiptar, nëse adresa zyrtare e grupimit, siç përcaktohet në kontratën e themelimit, ndodhet në territorin e Republikës së Shqipërisë.

2. Në këtë ligj, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

a) “Ligji tregtar” nënkupton ligjin shqiptar për tregtarët dhe shoqëritë tregtare;
b) “Kontratë” nënkupton kontratën për themelimin e një grupimi ekonomik me interes evropian;
c) “QKB” nënkupton Qendrën Kombëtare të Biznesit;
ç) “GEIE” ose “grupimi” nënkupton një grupim të njohur si grupim ekonomik me interes evropian, i themeluar në përputhje me dispozitat e këtij ligji;
d) “Shtet anëtar” nënkupton një shtet anëtar të Komunitetit Evropian.

Neni 3
Qëllimi dhe kufizimet e veprimtarisë së grupimit

1. Qëllimi i grupimit është të lehtësojë ose të zhvillojë aktivitetet ekonomike të anëtarëve të tij dhe të përmirësojë ose të rrisë rezultatet e këtyre aktiviteteve.

2. Aktiviteti i tij do të lidhet me aktivitetet ekonomike të anëtarëve të tij dhe nuk duhet të jetë më shumë se ndihmës i këtyre aktiviteteve. Rrjedhimisht, grupimi nuk mund:

a) të ushtrojë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, administrimin ose mbikëqyrjen e aktiviteteve të anëtarëve të tij ose për aktivitetet e një shoqërie tjetër, veçanërisht në fushat e personelit, financave dhe investimeve;
b) të zotërojë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, në çfarëdo baze, aksione të çfarëdo lloji në kapitalin e një prej anëtarëve të tij. Pjesëmarrja në shoqëri të tjera si aksionar lejohet vetëm nëse është e nevojshme për realizimin e objektivave të grupimit dhe ose kryhet në emër dhe për llogari të anëtarëve të tij;
c) të punësojë më shumë se 500 persona;
ç) të përdoret nga një shoqëri për t’i dhënë një hua një administratori të një shoqërie ose çdo personi të lidhur me të;
d) të përdoret për transferimin e ndonjë prone midis një shoqërie dhe një administratori ose çdo personi të lidhur me të;
dh) të jetë anëtar i grupimit tjetër ekonomik me interes evropian.

3. Për qëllimet e parashikuara në shkronjat “ç” dhe “d”, të pikës 2, të këtij neni, dhënia e një huaje përfshin hyrjen në çdo transaksion ose marrëveshje, me efekt të ngjashëm, dhe prona përfshin pronën e luajtshme e të paluajtshme.
Neni 4
Anëtarët e grupimit dhe kushtet e anëtarësimit

1. Personat, që mund të jenë anëtarë të grupimit, janë:

a) personat fizikë dhe personat juridikë të së drejtës publike ose private, të cilët janë formuar në përputhje me legjislacionin shqiptar ose të një shteti anëtar dhe të cilët kanë selinë e tyre të regjistruar në Republikën e Shqipërisë ose në një shtet anëtar. Kur, sipas ligjit të një shteti anëtar, një person fizik ose juridik nuk është i detyruar të ketë një seli të regjistruar ose statutore, do të jetë e mjaftueshme që ai person të ketë administratën e tij qendrore në komunitet;
b) personat fizikë që ushtrojnë çdo veprimtari industriale, tregtare, artizanale ose bujqësore ose që ofrojnë shërbime profesionale ose të tjera në Shqipëri ose komunitet.

2. Grupimi duhet të përbëhet të paktën nga:

a) dy persona fizikë ose juridikë, në kuptim të pikës 1, të cilët kanë administratat e tyre qendrore në shtete anëtare dhe në Republikën e Shqipërisë; ose
b) dy persona fizikë, të cilët ushtrojnë aktivitetet e tyre kryesore në shtete anëtare ose në Shqipëri; ose
c) një person juridik dhe një person fizik, prej të cilëve i pari ka administratën e tij qendrore në një shtet anëtar ose në Shqipëri dhe i dyti ushtron aktivitetin e tij kryesor në një shtet tjetër anëtar ose në Shqipëri, me kusht që Shqipëria të mos jetë njëkohësisht vendi i administratës qendrore të personit juridik dhe vendi i aktivitetit kryesor të personit fizik, në kuptim të kësaj pike.

3. Grupimet e regjistruara në QKB, në përputhje me nenin 6, nuk duhet të kenë më shumë se 20 anëtarë.

4. Anëtarësia në grupim është personale dhe e pandashme, pa miratimin unanim të anëtarëve të tjerë. Transferimi i të drejtave të anëtarësisë te një person i ri lejohet vetëm me pëlqimin unanim me shkrim të të gjithë anëtarëve dhe me ndryshimin përkatës të marrëveshjes themeluese, i cili depozitohet pranë QKB-së. Çdo ndryshim në përbërjen e anëtarëve të GEIE-së regjistrohet dhe publikohet në përputhje me nenin 7, të këtij ligji.

Neni 5
Përmbajtja minimale e kontratës së themelimit

Kontrata për themelimin e grupimit duhet të përfshijë të paktën:

a) emrin e grupimit të paraprirë ose të ndjekur nga fjalët “Grupim ekonomik me interes evropian” ose nga inicialet “EEIG”, përveç nëse këto fjalë ose iniciale janë pjesë të emrit;
b) adresën zyrtare të grupimit;
c) objektivat për të cilët formohet grupimi;
ç) emrin, emrin tregtar, formën juridike, adresën e përhershme ose selinë e regjistruar, numrin dhe vendin e regjistrimit, nëse ka, të çdo anëtari të grupimit;
d) kohëzgjatjen e grupimit, përveç kur kjo është e pacaktuar.

Neni 6
Regjistrimi i grupimit

Grupimi do të regjistrohet në regjistrin tregtar të mbajtur nga QKB-ja, në përputhje me pikën 1, të nenit 38, të këtij ligji.

Neni 7
Dokumentacioni dhe të dhënat që depozitohen në regjistër

Kontrata për themelimin e grupimit do të depozitohet në regjistrin e përmendur në nenin 6, të këtij ligji, dokumentet dhe të dhënat e mëposhtme duhet gjithashtu të depozitohen në regjistër, si më poshtë vijon:

a) Çdo ndryshim në kontratën për themelimin e grupimit, duke përfshirë çdo ndryshim në përbërjen e grupimit;
b) Njoftimi për hapjen ose mbylljen e çdo dege të grupimit;
c) Vendimi gjyqësor që themelon ose deklaron pavlefshmërinë e grupimit, në përputhje me nenin 15;
ç) Njoftimi i emërimit të administratorit ose administratorëve të grupimit, emrat e tyre dhe çdo të dhënë tjetër identifikuese, që kërkohet nga QKB-ja për regjistrimin e shoqërive tregtare të themeluara, sipas ligjit tregtar. Njoftimi se ata mund të veprojnë vetëm ose duhet të veprojnë bashkërisht dhe përfundimi i çdo emërimi të menaxherit;
d) Vendimi për miratimin e transferimit të pjesëmarrjes së një anëtari në grupim ose një pjese të saj, së bashku me njoftimin përkatës, në përputhje me pikën 1, të nenit 22;
dh) Çdo vendim i anëtarëve, që urdhëron ose nis procedurat e likuidimit të grupimit, në përputhje me nenin 31, të këtij ligji ose çdo vendim gjyqësor që urdhëron likudimin, në përputhje me nenet 31 ose 32, të këtij ligji;
e) Njoftimi i emërimit të likuidatorit ose likuidatorëve të grupimit, siç referohet në nenin 35, emrat e tyre dhe çdo të dhënë tjetër identifikuese, në përputhje me kërkesat e QKB-së për likuidatorët e caktuar për shoqëritë tregtare të organizuara, sipas ligjit tregtar, dhe përfundimi i detyrës së likuidatorit;
ë) Njoftimi i përfundimit të likuidimit të grupimit, siç referohet në nenin 35, të këtij ligji;
f) Çdo propozim për transferimin e adresës zyrtare, siç referohet në pikën 1, të nenit 14;
g) Çdo dispozitë që përjashton një anëtar të ri nga pagesa e detyrimeve të tjera, që kanë lindur para pranimit të tij, në përputhje me pikën 2, të nenit 26, të këtij ligji.

Neni 8
Publikimi i dokumenteve dhe të dhënave në regjistër

Të dhënat e mëposhtme duhet të publikohen, siç përcaktohet në nenin përkatës të këtij ligji, në regjistrin tregtar të mbajtur nga QKB-ja, si më poshtë vijon:

a) Të dhënat që duhet të përfshihen në kontratën për themelimin e grupimit, në përputhje me nenet 5 dhe 6, të këtij ligji, dhe çdo ndryshim i tyre;
b) Numri, data dhe vendi i regjistrimit, si dhe njoftimi i përfundimit të atij regjistrimi;
c) Dokumentet dhe të dhënat e parashikuara nga shkronja “b” deri në shkronjën “g”, të nenit 7, të këtij ligji.

Të gjitha të dhënat, që përmenden në shkronjat “a” dhe “b”, të këtij neni, duhet të publikohen në formën e tyre të plotë në regjistrin tregtar. Dokumentet dhe të dhënat, që përmenden në shkronjën “c”, duhet të publikohen ose në formë të plotë ose si pjesë përbërëse e ekstraktit tregtar të grupimit.

Neni 9
Certifikimi i regjistrimit dhe veprimet paraprake

1. Me regjistrimin e grupimit, QKB-ja lëshon ekstraktin tregtar, që vërteton se GEIE-ja është regjistruar.

2. Ekstrakti tregtar përbën provë të plotë dhe të pakundërshtueshme se kërkesat e këtij ligji lidhur me regjistrimin, si dhe çështjet paraprake e të ndërlidhura me të janë përmbushur dhe se grupimi është një organizim i autorizuar dhe është regjistruar në përputhje me këtë ligj.

3. Nëse aktivitetet janë kryer në emër të grupimit para regjistrimit të tij, në përputhje me nenin 6, të këtij ligji, dhe nëse grupimi nuk merr përsipër pas regjistrimit të tij, detyrimet që rrjedhin nga aktivitete të tilla, personat fizikë, shoqëritë, firmat ose çdo person fizik ose juridik, që ka kryer këto aktivitete, që kanë kryer ato aktivitete, do të mbajnë përgjegjësi të pakufizuar solidare për to.

Neni 10
Regjistrimi i degëve në shtete anëtare

Çdo degë e grupimit e vendosur në një shtet anëtar do të regjistrohet në atë shtet.
Për qëllimin e këtij regjistrimi, grupimi do të depozitojë në regjistrin përkatës në atë shtet anëtar kopje të dokumenteve që duhet të depozitohen në QKB, së bashku, nëse është e nevojshme, me një përkthim, që përputhet me praktikën e regjistrit, ku është regjistruar dega.

Neni 11
Njoftimi në gazetën zyrtare të komuniteteve evropiane

Njoftimi për themelimin e një grupimi ose për përfundimin e procedurës së likuidimit të një grupimi, duke deklaruar numrin, datën dhe vendin e regjistrimit, si dhe datën, vendin dhe titullin e publikimit, do të publikohet në gazetën zyrtare të komuniteteve evropiane, pasi të jetë publikuar në QKB, sipas nenit 40, të këtij ligji.

Neni 12
Adresa zyrtare e grupimit

Adresa zyrtare duhet të regjistrohet aty ku grupimi ka administratën e tij qendrore ose aty ku një nga anëtarët e grupimit ka administratën e tij qendrore apo në rastin e një personi fizik, aktivitetin e tij kryesor, me kusht që grupimi të ushtrojë një aktivitet atje.

Neni 13
Transferimi i adresës zyrtare të grupimit

Adresa zyrtare e grupimit mund të transferohet nga një vend në një tjetër brenda Komunitetit. Nëse ky transferim nuk sjell ndryshim të ligjit të zbatueshëm për grupimin, në kuptim të nenit 2, të këtij ligji, atëherë vendimi për transferimin e adresës merret në përputhje me kushtet e parashikuara në kontratën e themelimit të grupimit. Në të gjitha rastet e tjera, kur si rezultat i transferimit ndryshon ligji i zbatueshëm, zbatohen procedurat e veçanta, të përcaktuara në nenin 14, të këtij ligji.

Neni 14
Transferimi i adresës zyrtare kur ndryshon ligji i zbatueshëm

1. Kur transferimi i adresës zyrtare sjell ndryshime në ligjin e zbatueshëm, sipas përcaktimeve në nenin 2, të këtij ligji, propozimi për transferim duhet të hartohet, të depozitohet dhe të publikohet, në përputhje me kushtet e përcaktuara në nenet 7 dhe 8, të këtij ligji. Asnjë vendim për transferim nuk mund të merret për dy muaj pas publikimit të propozimit. Çdo vendim i tillë duhet të merret unanimisht nga anëtarët e grupimit. Transferimi do të hyjë në fuqi në datën në të cilën grupimi regjistrohet, në përputhje me nenin 6, të këtij ligji, në regjistrin për adresën e re zyrtare. Ky regjistrim nuk mund të kryhet derisa të jetë paraqitur prova se propozimi për transferimin e adresës zyrtare është publikuar.

2. Përfundimi i regjistrimit të grupimit në regjistrin për adresën e tij të vjetër zyrtare nuk mund të kryhet para se të jetë paraqitur prova e regjistrimit të grupimit në regjistrin për adresën e re zyrtare.

3. Pas publikimit të regjistrimit të ri të grupimit, adresa e re zyrtare mund t’u kundrejtohet palëve të treta, në përputhje me kushtet e referuara në pikën 1, të nenit 9, të këtij ligji, megjithatë, për sa kohë që përfundimi i regjistrimit të grupimit në regjistrin për adresën e vjetër zyrtare nuk është publikuar, palët e treta mund të vazhdojnë të mbështeten në adresën e vjetër zyrtare, përveç nëse grupimi provon se palët e treta ishin në dijeni të adresës së re zyrtare.

Neni 15
Pavlefshmëria e grupimit

1. Një grupim mund të shpallet i pavlefshëm vetëm me vendim gjykate.

2. Pavlefshmëria e grupimit mund të bazohet vetëm:

a) në shkeljen e kushteve, të parashikuara në pikën 1, të nenit 4, dhe të pikës 2, të nenit 4, të këtij ligji;
b) kur qëllimi i grupimit është i paligjshëm ose bie ndesh me rendin publik.

3. Pavlefshmëria e grupimit sjell likuidimin e tij, në përputhje me kushtet e përcaktuara në nenin 35, të këtij ligji.

4. Një vendim që themelon ose deklaron pavlefshmërinë e grupimit mund t’i drejtohet palëve të treta, në përputhje me kushtet e përcaktuara në pikat 1 dhe 2, të nenit 9, të këtij ligji. Ky vendim nuk ndikon në vlefshmërinë e detyrimeve, të pagueshme nga ose ndaj grupimit, të cilat kanë lindur para momentit kur vendimi mund të ketë efekt ndaj palëve të treta.

Neni 16
Organet e grupimit

1. Organet e grupimit janë:

a) anëtarët, të cilët veprojnë kolektivisht dhe ushtrojnë kompetencat vendimmarrëse, të përcaktuara në këtë ligj dhe në kontratën për themelimin e grupimit;
b) administratori ose administratorët, të cilët ushtrojnë funksionet ekzekutive e të përfaqësimit, në përputhje me këtë ligj dhe me kontratën e themelimit.

2. Kontrata për themelimin e grupimit mund të parashikojë edhe krijimin e organeve të tjera shtesë, për qëllime këshillimore ose mbikëqyrëse, duke përcaktuar qartë përbërjen e tyre, mënyrën e emërimit të anëtarëve të tyre, kompetencat dhe fushëveprimin e tyre dhe raportet me organet e tjera të grupimit.

3. Kompetencat e secilit organ caktohen në përputhje me këtë ligj dhe me kontratën për themelimin e grupimit, pa cenuar dispozitat e kapitujve të veçantë për administrimin dhe përfaqësimin e grupimit.

4. Anëtarët e grupimit, duke vepruar si një organ, mund të marrin çdo vendim të ligjshëm për qëllimin e arritjes së objektivave të grupimit.

Neni 17
Të drejtat e votës dhe vendimmarrja e anëtarëve

1. Çdo anëtar ka një votë. Kontrata për themelimin e grupimit megjithatë mund t’u japë më shumë se një votë disa anëtarëve, me kusht që asnjë anëtar të mos mbajë shumicën e votave.

2. Vendimi unanim i anëtarëve është i nevojshëm:

a) për të ndryshuar objektivat e grupimit;
b) për të ndryshuar numrin e votave të caktuara për çdo anëtar;
c) për të ndryshuar kushtet për marrjen e vendimeve;
ç) për të zgjatur kohëzgjatjen e grupimit përtej çdo periudhe të fiksuar në kontratën për themelimin e grupimit;
d) për të ndryshuar kontributin e çdo anëtari ose të disa anëtarëve në financimin e grupimit;
dh) për të ndryshuar çdo detyrim tjetër të anëtarit, përveç nëse parashikohet ndryshe nga kontrata për themelimin e grupimit;
e) për të bërë çdo ndryshim në kontratën për themelimin e grupimit, që nuk mbulohet nga pika 2, përveç nëse parashikohet ndryshe nga ajo kontratë.

3. Përveç kur ky ligj parashikon që vendimet duhet të merren unanimisht, kontrata për themelimin e grupimit mund të përcaktojë kushtet për kuorumin dhe për shumicën, në përputhje me të cilat do të merren vendimet, ose disa prej tyre. Përveç nëse parashikohet ndryshe nga kontrata, vendimet do të merren unanimisht.

4. Me iniciativën e një administratori ose me kërkesë të një anëtari, administratorët organizojnë një mbledhje, në të cilën anëtarët konsultohen paraprakisht për çështje të caktuara, në mënyrë që të mund të marrin një vendim.

Neni 18
E drejta e anëtarëve për informim dhe inspektim

Çdo anëtar ka të drejtë të marrë informacion nga administratorët në lidhje me ecurinë tregtare të grupimit dhe të inspektojë librat dhe regjistrat e biznesit të grupimit.

Neni 19
Administratorët e grupimit, emërimi dhe kompetencat

1. Grupimi administrohet nga një ose më shumë persona fizikë të emëruar në kontratën për themelimin e grupimit ose me vendim të anëtarëve. Asnjë person nuk mund të jetë administrator i grupimit nëse, pas një vendimi gjyqësor ose administrativ të marrë ose të njohur në Shqipëri ose një shtet anëtar, administratori nuk mund të bëjë pjesë në organin administrativ ose drejtues të një shoqërie tregtare ose nuk mund të veprojë si administrator i GEIE-së.

2. Kontrata për themelimin e grupimit ose, në mungesë të saj, një vendim unanim i anëtarëve do të përcaktojë kushtet për emërimin dhe shkarkimin e administratorit ose administratorëve dhe do të përcaktojë kompetencat e tyre.

Neni 20
Përfaqësimi i grupimit dhe kompetencat e administratorëve

1. Përfaqësimin e grupimit me palë të treta e kanë vetëm administratori ose administratorët, kur janë dy ose më shumë.

2. Grupimi mbetet i detyruar nga këto veprime edhe nëse ato nuk janë në përputhje me objektivat e tij, përveç në rastet kur grupimi provon se pala e tretë ka pasur dijeni për mospërputhjen ose, në bazë të rrethanave të qarta, nuk mund të mos kishte pasur dijeni. Publikimi i të dhënave, të referuara në shkronjën “c”, të nenit 5, të këtij ligji, nuk do të jetë në vetvete provë për këtë. Asnjë kufizim në kompetencat e administratorëve, pavarësisht, nëse buron nga kontrata e themelimit të grupimit apo nga një vendim i anëtarëve, nuk mund t’u drejtohet palëve të treta edhe nëse është publikuar.

3. Kontrata për themelimin e grupimit mund të parashikojë që grupimi të përfaqësohet vetëm nga dy ose më shumë administratorë, që veprojnë bashkërisht. Një klauzolë e tillë mund t’u drejtohet palëve të treta vetëm në përputhje me kushtet e përcaktuara në pikën 1, të nenit 9, të këtij ligji, dhe vetëm nëse është publikuar në përputhje me nenin 8, të këtij ligji.

Neni 21
Pjesëmarrja në fitime dhe humbje

1. Fitimet që rezultojnë nga aktivitetet e grupimit do të konsiderohen si fitime të anëtarëve dhe do të ndahen mes tyre në proporcionet e përcaktuara në kontratën për themelimin e grupimit ose, në mungesë të ndonjë dispozite të tillë, në pjesë të barabarta.

2. Anëtarët e grupimit do të kontribuojnë në pagesën e shumës, me të cilën shpenzimet tejkalojnë të ardhurat në proporcionet e përcaktuara në kontratën për themelimin e grupimit ose, në mungesë të ndonjë dispozite të tillë, në pjesë të barabarta.

Neni 22
Transferimi i pjesëmarrjes së anëtarit dhe përdorimi i saj si garanci

1. Çdo anëtar i grupimit mund të transferojë pjesëmarrjen e tij në grupim, në tërësi ose për një pjesë të saj (në kuptimin e një përqindjeje të të drejtave dhe detyrimeve që burojnë nga cilësia e anëtarit) te një anëtar tjetër ose një palë e tretë, me kusht që ky transferim të miratohet unanimisht nga të gjithë anëtarët e tjerë.

2. Anëtari i grupimit mund të përdorë pjesëmarrjen e tij si garanci vetëm nëse të gjithë anëtarët e tjerë japin miratim unanim, përveç nëse kontrata e themelimit parashikon ndryshe. Marrësi i garancisë nuk mund të fitojë statusin e anëtarit të grupimit vetëm në bazë të kësaj garancie, pa kaluar procedurën e pranimit, sipas kushteve të përcaktuara në këtë ligj dhe në kontratën e grupimit.

Neni 23
Ndalimi i mbledhjes së investimeve nga publiku

Grupimi nuk mund të mbledhë apo të marrë investime nga publiku.

Neni 24
Përgjegjësia e anëtarëve për detyrimet e grupimit

1. Anëtarët e grupimit do të kenë përgjegjësi të pakufizuar dhe solidare për detyrimet e grupimit, të çfarëdo natyre qofshin ato.

2. Çdo dispozitë në kontratën e themelimit të grupimit, që përpiqet të përjashtojë ose të kufizojë përgjegjësinë e përmendur në pikën 1, të këtij neni, është e pavlefshme.

3. Kreditorët nuk mund të kërkojnë ekzekutimin e detyrimeve të grupimit ndaj anëtarit, përveçse në rastet kur fillimisht i kanë kërkuar pagesën grupimit dhe pagesa nuk është bërë brenda një kohe të arsyeshme, por jo më vonë se 3 muaj.

Neni 25
Të dhënat e detyrueshme në dokumentet zyrtare të grupimit

1. Çdo shkresë apo dokument zyrtar i grupimit duhet të përmbajë:

a) emrin e grupimit të paraprirë ose të ndjekur apo nga fjalët “Grupim ekonomik me interes evropian” ose nga inicialet “GEIE”, përveç nëse këto fjalë ose iniciale tashmë gjenden në emër;
b) vendndodhjen e regjistrimit, të referuar në nenin 6, në të cilin është regjistruar grupimi, së bashku me numrin unik të identifikimit në regjistrin tregtar të mbajtur nga QKB-ja;
c) adresën zyrtare të grupimit;
ç) kur është e zbatueshme, shënimin se administratorët veprojnë bashkërisht;
d) kur është e zbatueshme, shënimin se grupimi është në likuidim, në përputhje me nenet 15, 31, 32 ose 36, të këtij ligji.

2. Çdo degë e grupimit, kur regjistrohet në përputhje me nenin 10, të këtij ligji, duhet të japë të dhënat e mësipërme, së bashku me ato që lidhen me regjistrimin e saj, në dokumentet e referuara në pikën 1, të këtij neni.

Neni 26
Pranimi i anëtarëve të rinj dhe përgjegjësia e tyre

1. Vendimi për pranimin e anëtarëve të rinj merret unanimisht nga anëtarët e grupimit.

2. Çdo anëtar i ri është përgjegjës, në përputhje me nenin 24, të këtij ligji, për të gjitha detyrimet e grupimit, përfshirë ato që kanë lindur përpara pranimit të tij. Megjithatë, ai përjashtohet nga kjo përgjegjësi nëse një përjashtim i tillë parashikohet në kontratën për themelimin e grupimit ose në aktin e pranimit të tij si anëtar vetëm për detyrime, që rrjedhin para anëtarësimit të tij. Ky përjashtim ka efekt ndaj palëve të treta vetëm nëse publikohet në përputhje me nenin 8, të këtij ligji, sipas kushteve të përcaktuara në pikën 1, të nenit 9, të këtij ligji.

Neni 27
Tërheqja dhe përjashtimi i anëtarëve

1. Anëtari i grupimit mund të tërhiqet në përputhje me kushtet e përcaktuara në kontratën për themelimin e grupimit ose, në mungesë të kushteve të tilla, me miratimin unanim të anëtarëve të tjerë. Anëtari i grupimit mund të tërhiqet gjithashtu nëse grupimi apo anëtarët e tjerë kanë kryer veprime në dëm të tij, nëse është penguar të ushtrojë të drejtat e tij, nëse grupimi i ka ngarkuar detyrime të paarsyeshme apo për shkaqe të tjera, që e bëjnë të pamundur vazhdimin e anëtarësisë. Anëtari që kërkon largimin duhet të njoftojë grupimin me shkrim, si dhe të parashtrojë shkaqet e largimit.

2. Çdo anëtar i grupimit mund të përjashtohet për arsyet e listuara në kontratën për themelimin e grupimit.

3. Përveç sa është parashikuar në pikën 2, të këtij neni, me vendim unanim të marrë nga anëtarët e grupimit, në përputhje me kontratën e themelimit, grupimi mund të vendosë t’i kërkojë gjykatës përjashtimin e një anëtari, nëse ai ka dështuar të përmbushë kontributin e tij financiar ose kontribut tjetër, sipas kushteve të përcaktuara në kontratë, ose nëse ekzistojnë shkaqe të tjera të arsyeshme për përjashtimin. Për qëllime të kësaj pike, përbëjnë shkaqe të arsyeshme për përjashtimin kur:

a) anëtari, me dashje ose pakujdesi të rëndë, i shkakton dëme grupimit ose anëtarëve të tjerë;
b) anëtari përfshihet në sjellje që bëjnë të pamundur vazhdimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit brenda grupimit;
c) veprimet ose mosveprimet e anëtarit pengojnë ndjeshëm funksionimin ose objektivat e përbashkët të grupimit.

Neni 28
Përfundimi i anëtarësisë

1. Statusi i anëtarit në grupim përfundon kur:

a) anëtari është person fizik dhe ndërron jetë;
b) anëtari është person juridik dhe ai shpërbëhet, likuidohet ose çregjistrohet nga regjistri përkatës;
c) anëtari nuk i përmbush më kushtet e përcaktuara në pikën 1, të nenit 4, të këtij ligji.

2. Në rast vdekjeje të një personi fizik, që është anëtar i grupimit, askush nuk mund të bëhet anëtar në vend të tij, përveç sipas kushteve të përcaktuara në kontratën për formimin e grupimit ose, në mungesë të saj, me pëlqimin unanim të anëtarëve të mbetur.

Neni 29
Njoftimi dhe veprimet pas largimit të një anëtari

Sapo një anëtar pushon së qeni pjesë e grupimit, administratorët duhet të informojnë anëtarët e tjerë për këtë fakt, si dhe të ndërmarrin hapat e kërkuar në nenet 7 dhe 8, të këtij ligji. Përveç administratorëve, çdo person i interesuar mund të ndërmarrë këta hapa.

Neni 30
Vazhdimi i grupimit pas largimit të një anëtari

Përveç kur kontrata për themelimin e grupimit parashikon ndryshe dhe pa cenuar të drejtat e fituara nga një person, sipas pikës 1, të nenit 22, të këtij ligji, ose të pikës 2, të nenit 28, të këtij ligji, grupimi do të vazhdojë të ekzistojë për anëtarët e mbetur, pasi anëtari i larguar të ketë pushuar së qeni pjesë e tij, në përputhje me kushtet e përcaktuara në kontratën për themelimin e grupimit ose të përcaktuara me vendim unanim të anëtarëve në fjalë.

Neni 31
Mbyllja e grupimit me vendim të anëtarëve

1. Grupimi mund të mbyllet me vendim të anëtarëve të tij, me kusht që ky vendim të merret unanimisht, përveç nëse parashikohet ndryshe në kontratën për themelimin e grupimit.

2. Grupimi duhet të mbyllet me vendim të anëtarëve të tij, kur:

a) ka përfunduar kohëzgjatja e grupimit, e parashikuar në kontratën për themelimin e grupimit ose kur ekziston ndonjë shkak tjetër për mbyllje të parashikuar në kontratë; ose
b) është përmbushur qëllimi i grupimit ose është e pamundur të ndiqet më tej ky qëllim. Në rast se tre muaj pasi ka ndodhur një nga situatat e referuara në këtë pikë, vendimi i anëtarëve për mbylljen e grupimit nuk është marrë, çdo anëtar mund t’i drejtohet gjykatës për të urdhëruar mbylljen.

3. Grupimi duhet gjithashtu të mbyllet me vendim të anëtarëve të tij ose të anëtarit të mbetur, kur kushtet e përcaktuara në pikën 2, të nenit 4, të këtij ligji, nuk mund përmbushen më.

4. Pasi grupimi të jetë mbyllur me vendim të anëtarëve të tij, administratorët duhet të ndërmarrin hapat e kërkuar në nenet 7 dhe 8, të këtij ligji. Përveç administratorëve, çdo person i interesuar mund të ndërmarrë këta hapa.

Neni 32
Vlerësimi i të drejtave dhe detyrimeve të anëtarit që largohet

Kur një anëtar pushon së qeni pjesë e grupimit për çfarëdo arsye tjetër, përveç transferimit të të drejtave të tij, në përputhje me kushtet e përcaktuara në pikën 1, të nenit 22, të këtij ligji, vlera e të drejtave dhe detyrimeve të tij do të përcaktohet duke marrë parasysh aktivet dhe pasivet e grupimit në datën kur ai pushon së qeni pjesë e tij. Vlera e të drejtave dhe detyrimeve të anëtarit që largohet nuk mund përcaktohen paraprakisht.

Neni 33
Përgjegjësia e anëtarit të larguar për detyrimet e mëparshme

Pa cenuar pikën 1, të nenit 37, të këtij ligji, çdo anëtar që pushon së qeni pjesë e grupimit do të mbetet përgjegjës, në përputhje me kushtet e përcaktuara në nenin 24, të këtij ligji, për detyrimet që rrjedhin nga aktivitetet e grupimit, para se ai të pushonte së qeni anëtar.

Neni 34
Likuidimi i grupimit

1. Mbyllja e grupimit sjell likuidimin e tij.

2. Likuidimi i grupimit dhe përfundimi i likuidimit të tij do të rregullohen sipas dispozitave të zbatueshme për likuidimin e shoqërive kolektive.

3. Grupimi do të ruajë aftësinë e tij, në kuptimin e pikës 2, të nenit 1, të këtij ligji, derisa të përfundojë likuidimi i tij.

4. Likuidatori ose likuidatorët do të ndërmarrin hapat e parashikuar në nenet 7 dhe 8, të këtij ligji,.

Neni 35
Likuidimi vullnetar dhe falimentimi i grupimit

Grupimet do t’u nënshtrohen ligjeve shqiptare që rregullojnë likuidimin vullnetar, falimentimin dhe pagesat e vonuara. Fillimi i procedurave kundër grupimit për arsye të falimentimit ose rikuperimin e pagesave nuk do të shkaktojë vetvetiu fillimin e procedurave të tilla kundër anëtarëve të tij.

Neni 36
Afatet e parashkrimit për kërkesat ndaj ish-anëtarëve

1. Një afat parashkrimi prej pesë vjetësh nga data e publikimit, sipas nenit 8, të këtij ligji, të njoftimit të largimit të anëtarit nga grupimi prevalon ndaj çdo afati më të gjatë, të parashikuar në ligjin shqiptar, për veprimet gjyqësore kundër këtij anëtari, që lidhen me borxhe dhe detyrime të lindura përpara largimit të tij.

2. Gjithashtu, një afat pesëvjeçar nga data e publikimit të përfundimit të likuidimit të grupimit zëvendëson çdo afat më të gjatë për ndjekje të veprimeve ndaj një anëtari për detyrime të lindura gjatë ekzistencës së grupimit.

Neni 37
Masat administrative për shkeljet e ligjit

1. Nëse grupimi zhvillon veprimtari në kundërshtim me këtë ligj, ministria përgjegjëse për ekonominë, vetë ose nëpërmjet ndonjë agjencie të autorizuar prej saj, mund të ushtrojë të drejtën për t’i kërkuar gjykatës mbylljen e grupimit, sipas kushteve të parashikuara në këtë ligj. Për shkelje të kërkesave administrative, të parashikuara në këtë ligj, zbatohen sanksionet, sipas legjislacionit në fuqi për regjistrimin e bizneseve.

2. Grupimi dhe anëtarët e tij kanë të drejtë të bëjnë ankim ndaj vendimit, sipas legjislacionit në fuqi.

Neni 38
Regjistri, rregullat e regjistrimit dhe sanksionet

1. QKB-ja do të jetë institucioni përgjegjës për kryerjen e regjistrimit, të referuar në nenet 6 dhe 10, të këtij ligji,.

2. Ministri përgjegjës për ekonominë përcakton rregullat e posaçme që rregullojnë regjistrimin e grupimeve në regjistrin tregtar të QKB-së, duke përcaktuar kushtet dhe mënyrën e depozitimit të dokumenteve, të referuara në nenet 7 dhe 10, të këtij ligji. Rregullat gjithashtu duhet të sigurojnë, që dokumentet dhe të dhënat e referuara në nenin 8, të këtij ligji, të publikohen në QKB, duke parashikuar mënyrën e publikimit të dokumenteve dhe të dhënave të referuara në shkronjën “c”, të nenit 8, të këtij ligji. Të dhënat e regjistrit tregtar për grupimet mund të aksesohen lirisht nga cilido, në përputhje me nenin 6, të këtij ligji, ose, kur është e përshtatshme, me nenin 10, të këtij ligji.

3. Informacioni që do të publikohet në gazetën zyrtare të komuniteteve evropiane, në përputhje me nenin 11, të këtij ligji, duhet t’i përcillet zyrës për publikime zyrtare të komuniteteve evropiane, brenda një muaji nga publikimi i tij në QKB.

4. Në rast të mospërmbushjes së detyrimeve për depozitimin ose publikimin e dokumenteve, sipas neneve 7, 8 dhe 10, të këtij ligji, çdo person juridik ose fizik, përgjegjës për grupimin, do të gjobitet nga QKB-ja në vlerën 50 000 deri në 200 000 lekë për çdo shkelje. Në rast të mospërmbushjes së detyrimeve, të parashikuara në nenin 25, të këtij ligji, për përfshirjen e të dhënave në dokumentet zyrtare të grupimit, gjoba do të jetë nga 30 000 deri në 100 000 lekë.

5. Për shkelje të përsëritura ose të qëllimshme, masat shtesë, përfshirë pezullimin e regjistrimit ose kërkesën për shpërbërjen e grupimit, mund të vendosen vetëm nëpërmjet gjykatës.

Neni 39
Tatimi

1. Fitimet ose humbjet që rezultojnë nga veprimtaria e grupimit do të konsiderohen si të lindura drejtpërdrejt për anëtarët të tij dhe do të jenë objekt tatimi drejtpërdrejtë për ta, në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi.

2. Në rastet kur anëtari është subjekt jorezident, grupimi vepron si agjent i mbajtjes në burim të tatimit mbi pjesën e fitimit, që i takon këtij anëtari, përveçse kur vërtetohet se tatimi është paguar rregullisht në një shtet tjetër anëtar të Bashkimit Evropian për atë vit fiskal.

3. Në rast se tatimi mbahet në burim nga grupimi dhe më pas anëtari paraqet dokumentacionin provues, ai ka të drejtën e rimbursimit ose kreditimit të tatimit të paguar, sipas procedurave të parashikuara në ligjin për procedurat tatimore.

Neni 40
Njoftimi i Komisionit Evropian për kategoritë e personave të ndaluar të marrin pjesë në grupime

QKB-ja do të informojnë Komisionin Evropian për kategoritë e personave fizikë dhe juridikë, të cilëve u është ndaluar pjesëmarrja në grupime, në përputhje me pikën 4, të nenit 4, të këtij ligji.
Neni 41
Aktet nënligjore dhe afatet për zbatimin e ligjit
1. Procedurat e hollësishme për deklarimin, trajtimin dhe shkëmbimin e të dhënave të detyrueshme, sipas legjislacionit tatimor të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, të punës dhe atij të statistikave, si dhe miratimi i procedurës së lëshimit të numrit unik të identifikimit të grupimeve përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me bashkëpropozim të ministrit përgjegjës për ekonominë dhe financën, brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

2. Brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, ministri përgjegjës për ekonominë, me propozimin e titullarit të QKB-së, miraton udhëzimin për formën dhe përmbajtjen e dokumenteve që lëshohen nga QKB-ja dhe formatet e kthimit të përgjigjes për çdo veprim të kryer, sipas këtij ligji.

3. Ngarkohet ministri përgjegjës për ekonominë të miratojë procedurat e hollësishme për hedhjen dhe formën e hedhjes, si dhe shfaqjen në regjistër të grupimeve, sipas përcaktimeve në ligjin për regjistrimin e biznesit dhe të nenit 8, të këtij ligji.

Neni 42
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
NIKO PELESHI

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR GRUPIMET EKONOMIKE ME INTERES EVROPIAN”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për grupimet ekonomike me interes evropian”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E KONVENTËS PËR BYRONË E KONFERENCËS EVROPIANE TË AVIACIONIT CIVIL, BËRË NË BERNË, MË 30 GUSHT 2025”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e Konventës për Byronë e Konferencës Evropiane të Aviacionit Civil, bërë në Bernë, më 30 gusht 2025”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

###

P R O J E K T L I GJ
PËR

RATIFIKIMIN E KONVENTËS PËR BYRONË E KONFERENCËS EVROPIANE TË AVIACIONIT CIVIL, BËRË NË BERNË, MË 30 GUSHT 2025

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1

Ratifikimin e Konventës për Byronë e Konferencës Evropiane të Aviacionit Civil, bërë në Bernë, më 30 gusht 2025, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
NIKO PELESHI

***

P R O J E K T L I GJ
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.173/2014, “PËR DISIPLINËN NË FORCAT E ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.173/2014, “Për disiplinën në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

Neni 1

Neni 7 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 7
Autoritetet përgjegjëse

Autoritetet përgjegjëse për dhënien e masave disiplinore ndaj ushtarakëve të Forcave të Armatosura janë, si më poshtë vijon:

a) Presidenti i Republikës për dhënien e masës disiplinore shumë të rëndë “Shkarkim dhe lirim nga Forcat e Armatosura”, për oficerët me grada madhore.
Propozimi për dhënien e kësaj mase disiplinore shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura bëhet nga Kryeministri, ndërsa për oficerët e tjerë me grada madhore bëhet nga ministri i Mbrojtjes;
b) Ministri i Mbrojtjes për dhënien e masave disiplinore shumë të rënda:

i. të parashikuara nga shkronjat “a”, “c” dhe “ç”, të pikës 3, të nenit 14, për oficerët me grada madhore. Propozimi për dhënien e këtyre masave bëhet nga Komisioni i Lartë Disiplinor;
ii. për të gjithë oficerët e Forcave të Armatosura, me përjashtim të masave, për të cilat autoriteti përgjegjës është Presidenti i Republikës, si dhe masave të parashikuara nga nënndarja “i”, e kësaj shkronje. Propozimi për dhënien e kësaj mase bëhet nga Komisioni i Lartë Disiplinor.

c) Shefi i Shtabit të Përgjithshëm për dhënien e masave disiplinore:

i. Masat disiplinore të rënda, të parashikuara në shkronjat “a” dhe “ç”, të pikës 2, të nenit 14, për oficerët me grada madhore;
ii. Masat disiplinore të lehta e të rënda për ushtarakët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm e të strukturave me drejtues civilë, të varësisë së tyre të drejtpërdrejtë;
iii. Masat disiplinore të lehta e të rënda për ushtarakët që shërbejnë në shtabet e NATO-s, përfaqësitë ushtarake të Republikës së Shqipërisë pranë NATO-s, në organizatat ndërkombëtare dhe në shtabet ushtarake ndërkombëtare;
iv. Masat disiplinore të lehta e të rënda për drejtuesit ushtarakë të strukturave mbështetëse dhe strukturave të varësisë së Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura;
v. Masat disiplinore shumë të rënda, të përcaktuara në shkronjat “d” dhe “dh”, të pikës 3, të nenit 14, për nënoficerët dhe ushtarët e Forcave të Armatosura. Propozimi për dhënien e kësaj mase bëhet nga Komisioni i Lartë Disiplinor.

ç) Komandanti i forcës dhe strukturës mbështetëse për dhënien e masave disiplinore të mëposhtme:

i. Masat disiplinore të lehta e të rënda për drejtuesit e strukturave të varësisë, me përjashtim të oficerëve me grada madhore;
ii. Masat disiplinore të lehta e të rënda për ushtarakët në varësi të tyre;
iii. Masat disiplinore shumë të rënda për nënoficerët dhe ushtarët e forcës dhe strukturës mbështetëse, me përjashtim të masave disiplinore, për të cilat autoritet përgjegjës është shefi i Shtabit të Përgjithshëm. Propozimi për dhënien e kësaj mase bëhet nga Komisioni i Lartë Disiplinor.

d) Komandantët në nivel brigade, regjimenti, distrikti, batalioni, flotilje, njësie kryesore ose njësie bazë në institucionet arsimore për dhënien e masave disiplinore të mëposhtme:

i. Masat disiplinore të lehta e të rënda për drejtuesit e strukturave të varësisë;
ii. Masat disiplinore të lehta e të rënda për ushtarakët në varësi të tyre.

dh) Komandant në nivel kompanie ose toge për dhënien e masave disiplinore për ushtarakët në varësi të tyre.”.

Neni 2

Shkronja “e”, e pikës 1, të nenit 11, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“e) përdorimi dhe lejimi i lëvizjes së automjeteve të Forcave të Armatosura pa dokumentacionin përkatës.”.

Neni 3

Pas shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 12, shtohet shkronja “b/1”, me këtë përmbajtje:

“b/1) dhënia e intervistave të paautorizuara në mediat e shkruara dhe audiovizive, në kundërshtim me rregullat e miratuara për këtë qëllim;”.

Neni 4

Në shkronjën “e”, të nenit 13, fjalët “…, kur nuk përbën vepër penale;” hiqen.

Neni 5

Pas shkronjës “dh”, të pikës 3, të nenit 14, shtohet shkronja “e”, me këtë përmbajtje:

“e) “Ndërprerja e studimeve”, e cila është masë ekstreme e dhënë për studentët dhe kursantët për shkelje disiplinore shumë të rënda.”.

Neni 6

Në nenin 16 bëhen ndryshimi dhe shtesat e mëposhtme:

1. Në pikën 1, fjalët “… me shkrim …” hiqen.

2. Pas pikës 1 shtohen pikat 1/1 dhe 1/2, me këtë përmbajtje:

“1/1. Njoftimi i personave, që ndodhen në shërbim në Forcat e Armatosura, bëhet nëpërmjet administratës së tyre.

1/2. Mënyrat dhe mjetet e njoftimit, në kuptim të këtij neni, janë, si më poshtë vijon:

a) Njoftimi me shkrim;
b) Njoftimi me postë;
c) Njoftimi me mjete elektronike.”.

Neni 7

Në pikën 1, të nenit 17, fjalët “… me shkrim …” zëvendësohen me “ … sipas përcaktimeve të nenit 16, të këtij ligji …”.

Neni 8

Pas nenit 21 shtohet neni 21/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 21/1
Pushimi i procedimit disiplinor

1. Procedimi disiplinor ndërpritet në rast se gjatë hetimit disiplinor rezulton se:

a) shkelja disiplinore e pretenduar nuk ka ndodhur;
b) veprimi apo mosveprimi i shqyrtuar nuk përbën shkelje disiplinore, sipas përcaktimeve të këtij ligji;
c) shkelja disiplinore nuk është kryer nga ushtaraku për të cilin ka filluar procedimi disiplinor;
ç) shkelja disiplinore është parashkruar;
d) për të njëjtën shkelje është dhënë një masë disiplinore.

2. Pushimi i procedimit disiplinor vendoset nga struktura përgjegjëse për hetimin disiplinor, sipas përcaktimeve të këtij ligji.

3. Në rastet kur procedimi disiplinor pushohet, sipas përcaktimit të shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij neni, por gjatë hetimit rezulton se ka ndodhur një shkelje tjetër disiplinore, që hetohet nga një strukturë tjetër, dokumentacioni dhe materialet e grumbulluara i përcillen strukturës kompetente.”.

Neni 9

Pas shkronjës “b”, të nenit 23, shtohet shkronja “c”, me këtë përmbajtje:

“c) ushtarakët e Forcave të Armatosura, ndaj të cilëve është marrë një masë disiplinore shumë e rëndë, sipas përcaktimeve të shkronjave “a”, “b”, “c”, “ç” dhe “d”, të pikës 3, të nenit 14, të këtij ligji, dhe që për një periudhë 2-vjeçare nuk kanë kryer asnjë shkelje tjetër disiplinore të rëndë.”.

Neni 10

Në nenin 25 bëhen ndryshimet e mëposhtme:

1. Pika 2 shfuqizohet.

2. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Ankimi për masat disiplinore të rënda, të dhëna nga komandantët në nivel regjimenti, distrikti, batalioni, baze ajrore, bëhet tek eprori i drejtpërdrejtë i autoritetit përgjegjës që ka dhënë masën disiplinore.”.

3. Në pikën 8, togfjalëshi “… 10 ditëve …” zëvendësohet me “… 30 ditëve …”.

4. Pika 9 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“9. Autoriteti përgjegjës, tek i cili bëhet ankimi, merr vendim brenda 30 ditëve nga data e marrjes dijeni për ankimin. Nëse gjatë procesit rezulton se nevojitet më shumë kohë për sigurimin e informacioneve apo verifikimin e rrethanave, autoriteti përgjegjës mund të vendosë shtyrjen e afatit edhe për 30 ditë të tjera, në përputhje me përcaktimet e Kodit të Procedurave Administrative. Arsyet që kanë sjellë shtyrje të afatit duhet t’i njoftohen palës.”.

Neni 11
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
NIKO PELESHI

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.173/2014, “PËR DISIPLINËN NË FORCAT E ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.173/2014, “Për disiplinën në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

SHOQERITE EVROPIANE TE BASHKEPUNIMIT

STATUTI I SHOQERIVE EVROPIANE

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE. 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.