Konkursi Ndërkombëtar për Kampusin e Ri Universitar “Aleksandër Moisiu”, në Durrës , hyri sot në fazën finale, ku pas një gare që mblodhi 41 ekipe shqiptare dhe ndërkombëtare, 5 ekipet finaliste do të prezantojnë sot, përgjatë ditës, vizionet e tyre për kampusin e ri universitar të Durrësit, një projekt që synon të krijojë një hapësirë moderne ku arsimi, kërkimi shkencor, inovacioni, sipërmarrja, kultura dhe jeta studentore ndërthuren në një ekosistem të vetëm zhvillimi.
5 ekipet finaliste janë:
51N4E + Jeshile
Bjarke Ingels Group (BIG) + Kristo Krisiko + Architevo Design Collective + Embrace IDEAS + Rider Levett Bucknall + HSC Studio + Ergys Çaushi
-FRPO Rodriguez & Oriol + Porras & La Casta Arquitectos + Studio B&L + Agim Seranaj + Adrian Paci
-OZ + iRI shpk + Felixx Landscape Architects & Planners + Studio Sabine Marcelis + BUROMILAN Milan Ingegneria
-Practica + Studio Rebus + Studio de Peisaj Ana Horhat
Në ceremoninë e nisjes së fazës finale të Konkursit mori pjesë edhe Kryeministri Rama:
Kënaqësi shumë e veçantë që konkursi ndërkombëtar i radhës është spostuar këtu në kampusin e Universitetit të Durrësit dhe dua të falënderoj sinqerisht të gjithë të pranishmit që i përkasin kësaj hapësire të jetës akademike të vendit tonë dhe posaçërisht dua të falënderoj rektorin për angazhimin dhe mbështetjen e vyer që i ka dhënë të gjithë këtij procesi.
Jemi në një konkurs ndërkombëtar të radhës, në vazhdën e dhjetëra konkurseve të tilla, të cilat janë shëmbëlltyrë e ambicies tonë për Shqipërinë dhe prej të cilave lindin mundësi të jashtëzakonshme për zhvillime që ndryshojnë, jo vetëm cilësinë e jetës së atyre që pastaj bëhen përdoruesit e asaj që ndërtohet, por ndryshojnë edhe mënyrën e të parit të vetes dhe të së ardhmes të një komuniteti.
Jemi shumë krenarë që meqenëse jemi këtu në një universitet, e pashë të udhës ta theksoj këtë, kemi krijuar universitetin më të madh në Europë të hapur të zhvillimit urban duke bërë bashkë një numër të jashtëzakonshëm arkitektësh dhe studiosh prestigjioze ndërkombëtare me studiot lokale, me arkitektët dhe arkitektet e reja të Shqipërisë.
Është një universitet i hapur në kuptimin e plotë të fjalës, sepse u jep mundësi të gjithë atyre që i janë përkushtuar arkitekturës dhe zhvillimit urban këtu në vendin tonë, që të ballafaqojnë dijet e tyre, të ballafaqojnë bindjen e tyre, me dijet dhe me bindjet e arkitektëve dhe të studiove që janë në pararojë të zhvillimeve urbane në botë.
U jep mundësi të rriten profesionalisht, u jep mundësi të mësojnë, duke bërë punën dhe jo thjesht teorikisht, U jep mundësi të shoqërojnë në gjithë presin krijues dhe pastaj në procesin e zbatimit arkitektë dhe profesionistë të nivelit më të lartë ndërkombëtar dhe unë jam i bindur që nga ky universitet i hapur nuk do të presim shumë vite për të parë që ndër arkitektët e admiruar dhe të respektuar të botës do të ketë edhe emra, vajzash dhe djemsh, që sot janë pjesë e këtij universiteti të hapur. Do të kemi edhe ne, yjet tona në qiellin e arkitekturës dhe të zhvillimit urban botëror, por deri atëherë, unë dua të them se sot jemi në kushtet kur kemi gati zanafillën e një projekti shumë të madh dhe ambicioz për kampusin e ri universitar të Durrësit, për të investuar në një zhvillim që do të përmbyllë një proces të nisur shumë e shumë vite më parë dhe pa asnjë lloj plani realisht serioz me çeljen e këtij universiteti dhe do të mundësojë që këtu në këtë territor të mos ketë thjesht studentë që vijnë për të marrë mësim dhe për t’u larguar, po të ketë një qendër komunitare studentore e cila të jetojë 24 orë.
Ky është një tjetër rezultat i protestës së studentëve të vitit 2018, ku ne dëgjuam me shumë vëmendje se çfarë kërkohej dhe natyrisht ndamë gjithçka që nuk kishte lidhje me të ardhmen dhe me mundësitë tona, me atë që kishte realisht lidhje me të ardhmen dhe me mundësitë tona dhe kështu mbi bazën e Paktit për Universitetin ndërtuam një proces, i cili solli shumë risi pozitive për studentët, solli kushte shumë më të mira në konvikte, solli kushte shumë më të mira në universitet, solli laboratorë të rinj e të tjera e të tjera e të tjera, solli edhe patjetër mbështetje më të madhe financiare për arsimin e lartë, por ne jemi të vetëdijshëm që sot ky proces duhet të shkojë një shkallë më tutje dhe siç do shihni dhe nga projektet ne duam që t’i japim një drejtim edhe çështjes shumë të mprehtë, gjithmonë e më të mprehtë në fakt të strehimit të studentëve gjatë periudhës së studimeve, pasi ju e dini më mirë se unë që jo të gjithë studentët qëndrojnë në konvikte, jo e gjithë infrastruktura e konvikteve ka kapacitetin të përballojë kërkesat dhe shumë studentë marrin apartamente me qera në qytet, në Tiranë apo në Durrës dhe kjo e rëndon buxhetin e familjeve të tyre.
Ndërkohë që krijimi i një zone rezidenciale për studentët bën të mundur që studentët mund të kenë një strehim shumë më të arsyeshëm, por nga ana tjetër që të socializohen dhe që zhvillimi akademik të ecë paralel edhe me zhvillimin e tyre njerëzor dhe social.
Po ashtu se jam i bindur që ndërkohë që unë po flas dhe kur po fliste ministrja po e mendoja ata në Tiranë, të Universitetit të Tiranës po shtrembërojnë buzët edhe nuk janë edhe aq të lumtur me çfarë po dëgjojnë sepse kanë kohë që përpiqen për t’i dhënë një impuls edhe për t’i dhënë një zhvillim të ri kampusit të Universitetit të Tiranës. Nuk është ky kampus një zhvillim që përjashton atë tjetrin. Ne jemi edhe në një proces të ë harmonizimit të nevojave dhe të adresimit të tyre mes Kolegjit të Europës edhe Universitetit të Tiranës. Kolegji i Europës po ndërtohet në Tiranë dhe është një zhvillim tjetër spektakolar i bazuar në një tjetër projekt të armatës tonë të arkitektëve ndërkombëtarë dhe aty do të krijohet mundësia që të ketë hapësirë të konsiderueshme edhe për Universitetin e Tiranës.
Dua ta mbyll me diçka që lidhet me këtë konkurs. Ky konkurs ka dy risi të veçanta që janë propozuar nga një grup studentësh të universitetit prestigjioz të ETH në Zyrih të cilët pikërisht pse Shqipëria është bërë një adrese shumë tërheqëse për profesionistët e fushës së arkitekturës dhe zhvillimit urban dhe ne nuk kemi vetëm arkitektët e huaj që punojnë këtu, por kemi dhe plot të tjerë që vijnë, që lidhen me ne, që bëjnë vizita studimore apo që duan të ndërtojnë bashkëpunime. Studentët e Zyrihut kanë gati një vit që po bëjnë projekte kërkimore në Shqipëri dhe janë dy risi që aplikohen për herë të parë në një proces konkurrimi.
E para është krijimi i një jurie studentore, e cila do të punojë në mënyrë të pavarur dhe do punojë paralelisht me jurinë ndërkombëtare zyrtare dhe dua t’i falënderoj anëtarët e jurisë që kanë ardhur nga jashtë për të gjykuar këto projekte.
Studentët do të bëjnë dhe një analizë dhe vlerësim të pesë propozimeve finalistë dhe do hartojnë dhe një raport më konkluzionet e tyre që do ia paraqesin jurisë zyrtare përpara marrjes së vendimit përfundimtar prej saj dhe ky raport do shërbejë dhe si një kontribut këshillimor në procesin e vlerësimit. Në të njëjtën kohë një përfaqësues i studentëve është pjesë e jurisë, mesa shoh është përfaqësuese, aq më mirë akoma, jurisë zyrtare gjatë gjithë procesit, në rolin e këshilltares së përhershme duke sjellë në tryeze dhe perspektiven e atyre që e përdorin kampusin sot dhe që kanë natyrisht parafytyrimin e tyre për kampusin e së nesërmes
Risia e dytë lidhet dhe me zgjerimin e diskutimit përtej kufijve të perimetrit të konkursit, krahas projektimit të kampusit i është kërkuar ekipeve finaliste që të reflektojnë dhe mbi një zonë lidhëse mes universitetit dhe qytetit të Durrësit duke e konsideruar dhe atë si pjesë të së njëjtës histori urbane dhe qëllimi është që të arrijmë të kuptojmë më mirë marrëdhënien mes kampusit dhe qytetit si dhe mënyrën sesi zhvillimi i tyre, pra i kampusit dhe i qytetit mund të mbështesë njëri-tjetrin.
Ndërkohe që juria zyrtare dhe juria studentore do të zhvillojnë diskutime dhe vlerësimet e tyre, ekipet finaliste do të marrin pjesë në një “workshop” intensiv me përfaqësues të bashkisë së Durrësit, të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit, të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit dhe komunitetit lokal.
Për disa orë arkitektët, planifikuesit, institucionet dhe qytetarët do të punojnë së bashku për të identifikuar problematikat kryesore të zonës dhe për të hedhur ide për projekte konkrete që mund të përmirësojnë jetën e banorëve, por dhe të studentëve përtej perimetrit e përsëris, të kampusit.
Sigurisht që “workshop”-i ka disa tema, hapësira publike, siguria rrugore, lëvizshmëria, aksesi i këmbësorëve dhe biçikletave, transformimi i zonave informale përmes projektimin urban dhe në përfundim të procesit synohet që secili ekip finalist të patronazhojë, – patronazhimin ju e dini që unë e kam shumë qejf, – një ose dy projekte pro bono, pa pagesë, gjë për të ciklën arkitektët kanë rënë dakord.
Dhe dua me këtë rast të them që unë jam shumë mirënjohës për arkitektët ndërkombëtarë që punojnë në Shqipëri sepse jo që nuk thuhet, ajo që nuk duket, ajo që nuk shihet është kontributi i tyre në shumë zgjidhje apo në projekte pro bono, pa pagesë për shkolla, për qendra shëndetësore apo për të tjera kërkesa që mund të vijnë si rezultat i punës sonë në terren.
Kështu këto një ose dy projekte do zhvillohen në bashkëpunim pastaj me bashkinë e Durrësit dhe me institucionet partnere, Fondin Shqiptar të Zhvillimit etj, nën mbikëqyrjen profesionale të Ministrit për Pushtetin Vendor, zotit Demo.
Në këtë mënyrë ne nuk e kufizojmë konkursin vetëm tek përzgjedhja e një fituesi, por e konsiderojmë një start për shumë më tepër se kaq. Nuk dua të zgjatem më tutje. Dua që dhe një herë tjetër të falënderoj anëtarët e jurisë që na u bashkuan në këtë përpjekje, të falënderoj studiot që marrin pjesë, siç e dinë të gjithë këtu nuk mund të ketë 5 fitues, do ketë vetëm një fitues, por kjo s’do të thotë që do ketë 4 humbës pasi në ndërkohë të gjithë jemi të angazhuar dhe të gjithë janë të angazhuar për të bërë më të mirën në një proces transformues, pa kthim për Shqipërinë.
Shumë faleminderit!