Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

U prezantua sot Programi Kombëtar “Rilindja 2.0″, i cili parashikon një investim prej 1.5 miliardë eurosh dhe synon të çojë zhvillimin vendor në një fazë të re, duke e zhvendosur fokusin nga ndërtimi i infrastrukturës bazë drejt rritjes së cilësisë së jetës, shërbimeve publike dhe përvojës së qytetarëve në komunitetet ku jetojnë.

Programi “Rilindja 2.0” mbështet vizionin për Shqipërinë 2030 dhe përgatitjen e vendit për anëtarësimin në Bashkimin Europian, duke vendosur në qendër qytetarin, mirëqenien dhe zhvillimin e qëndrueshëm të çdo bashkie.

Në fjalën e tij, Kryeministri Edi Rama theksoi se Shqipëria ka hyrë në një etapë të re zhvillimi, ku pritshmëritë e qytetarëve janë rritur së bashku me standardet e arritura. Ai nënvizoi se “Rilindja 2.0” do të fokusohet tek adresimi i nevojave të reja të komuniteteve, përmes investimeve në transport publik modern, parkime, muze të identiteteve lokale, mbështetje për biznesin dhe startup-et, strehim të përballueshëm, mbrojtje mjedisore, ujitje, menaxhim të mbetjeve dhe shërbime publike me standarde europiane.

***

Fjala e Kryeministrit Edi Rama: Mirë, shumë faleminderit!

Në radhë të parë dua të falënderoj ministrin për punën gjithëpërfshirëse që ka bërë qoftë me ju, qoftë edhe me të tjerë komponentë të rëndësishëm të kësaj panorame që u paraqit. Një program kombëtar ambicioz për të kaluar tek “Rilindja Urbane 2.0” duke e vendosur në dispozicion të këtij kapërcimi një objektiv prej 1.5 miliard eurosh.

Ajo që mendova se është e rëndësishme ta ndaj me ju sot lidhet jo thjesht dallimin mes këtij programi të ri dhe programit të parë të Rilindjes Urbane, por me arsyet që na çojnë në këtë program.

Përpara disa ditësh pata një komunikim me njërin prej jush që ishte shumë i acaruar me një grup njerëzish që i kishin dalë në një lloj proteste për një çështje komunitare. Edhe po më thoshte që i kam gjetur në llum, s’kishin rrugë, s’kishin ndriçim, mbushur me ferra mes plehrave, ja ua kam bërë atë lagjen me rrugë, me drita, me pemë, edhe stola kam vënë, po janë mosmirënjohës.

Tani unë besoj që ky është leximi më i gabuar i mundshëm i një reagimi për të cilin normal atij nuk i vinte mirë, askujt nuk i vjen mirë. Për më tepër, kur ke parasysh pikërisht atë që ai thoshte që nga ishte nisur dhe nuk e kuptonte dot se si një komunitet të cilit i kishte bërë gjithë atë hyzmet t’i kthej kundër.

Fakti është që sa më shumë përmirësohen kushtet, aq më shumë bie në sy si e papranueshme ajo që mungon dhe kjo nuk është mosmirënjohje, është pritshmëri për standarde të tjera. Shoqëritë e varfra, ne kemi qenë një shoqëri e varfër, ne nuk jemi më një shoqëri e varfër. Nuk thashë që ne nuk kemi varfëri, por nuk jemi më një shoqëri e varfër dhe shoqëritë e varfra janë shumë më tolerante ndaj mungesave, sepse në shoqëritë e varfra dominon mendësia që ka dhe më keq. Ndërkohë që shoqëritë e zhvilluara apo shoqëritë që hyjnë në një fazë zhvillimi kur gjërat që deri dje dukeshin që nuk ishin pjesë e mundshme e jetës bëhen realitet, janë gjithmonë e më intolerante ndaj mungesave, që do të thotë që suksesi, rezultati, ndryshimi nuk ul pritshmëritë, i rrit pritshmëritë, ka dhe më mirë ndërsa në shoqëritë e varfra ka dhe më keq, në shoqëritë e zhvilluara apo në ato ku zhvillimi hyn në fazën e re të pakthyeshmërisë, siç është rasti jonë ka dhe më mirë dhe sigurisht që ka dhe më mirë dhe kjo është shenja më e sigurt që ne sot jemi zyrtarisht në një fazë të re.

Pse them zyrtarisht? Sepse më kujtohet që kur mbas zgjedhjeve të fundit unë në një mbledhje të mbyllur këmbëngula që 83 mandatet janë një bekim, po aq se janë një mallkim. Më thoshin: – Çfarë është ky mallkimi? Pse mallkim? Ne në rregull jemi! Jo, sepse jemi në një fazë të re të marrëdhënies së çdokujt që jeton ne këtë vend me veten, me vendin, me shtetit dhe programi është një nga instrumentet që e adreson këtë fazë të re duke u nisur nga prezumimi që Rilindja Urbane që ne njohim e ka kryer funksionin e saj.

Tani duhet kaluar përtej dhe para se të kaloj në disa nga pikat që kam shënuar po i kthehem asaj që tha ministrja lidhur me papunësinë. Të gjitha ato janë shifra reale, por prapë do të ishte gabim i madh të mendohej që ata që i refuzojnë ato shifra si një arsye për t’u ndjerë mirë, por përkundrazi i marrin ato shifra dhe thonë: “Çfarë punësimi? Këtu kush punon skllav. Këtu të japin 200€”, këtu është mbase gabim në mënyrën se si i formulon gjërat, por është në pritshmëri shumë më të lartë.

Rilindja Urbane ishte dalja nga një fazë e gjatë rrënimi dhe degradimi që ishte kudo dhe nëse e përmendi kryetarja e bashkisë çështjen e shesheve kryesore, nëse sheshi kryesor është fytyra e një qyteti, sheshet kryesore të qyteteve tona ishin fytyra e degradimit dhe dorëzimit përpara fatit të çdo qyteti, edhe të sheshit “Skënderbej” i asokohe. Dalja nga degradimi, rikthimi i qytetit si vendi ku njerëzit kanë një jetë të mundshme sociale dhe gjithë çfarë pastaj e përmbledh mozaikun e Rilindjes Urbane me sheshet, rrugët,  ndriçimin, shkollat, çerdhet, ujësjellës-kanalizimet, se do vijë dhe tek çështja e ujësjellës-kanalizimeve i përkisnin një faze kur Shqipëria, njerëzit filluan të besojnë tek vetja, filluan të besojnë se Shqipëria mund të ishte e bukur jo thjesht nëpër male edhe 100 metra nga bregu kur notoje, se 100 metrat e para ishin hall më vete, por mund të ishte e bukur dhe mund ti prezantohej bukur kujtdo që e jetonte apo hapte derën për vizitorët.

Tani, nuk jemi më në fazën që na mungojnë këto. Mua më kujtohet gjithmonë e më shumë kur mbillnim pemë në tiranë, ishte sikur jepnim shfaqje. Njerëzit ndalonin dhe mblidheshin rreth pemëve. Kur kemi mbjellë kumbullat e kuqe tek rruga e Kavajës bllokohej trafiku sepse njerëzit shihnin mbjelljen e pemëve, domethënë kishin ndjesinë e jashtëzakonshme që po kthehen pemët në qytet, që ishin sakatuar dhe prerë nga të katër anët.

Sot ata që s’kishin lindur në vitin 2001, 2002, 2003, 2004 as nuk e kanë idenë që 90% e pemëve që janë nëpër rrugët e Tiranës, janë mbjellë në atë fazë. Mirëpo tani nuk jemi më në fazën e mungesës. Po shikonim një material që po përgatisim për gjithë ata që nuk e dinë se çfarë është bërë me Shqipërinë mjedisore, janë mbjellë 5 milionë pemë në zonat e mbrojtura të Shqipërisë. 5 milionë!

Sot jemi në një fazë tjetër, nuk është mungesa problemi kryesor, është sasia dhe cilësia e gjësë që ke dhe që do. Do më shumë dhe e do me një cilësi më të mirë dhe kjo nuk është mosmirënjohje, nuk është as një kërkesë e pajustifikueshme. Ne ndërtojmë shkolla, dikur në fazën e parë të Rilindjes Urbane, ishte një gjë shumë e madhe. Sot Durrësi edhe për shkak të Rindërtimit, sot Kamza edhe për shkak të Rindërtimit janë qytete që tërësinë e shkollave e kanë të standardeve të një qyteti europian ku të doni ju vëreni dorën, por nuk mjafton më. Mund të thuash ‘po ndërtojmë një shkollë të re’’, e çfarë pastaj? Ça pastaj? Sepse nuk është më ndërtimi, por është çfarë ka brenda. Nuk është më infrastruktura, por është mënyra se si shfrytëzohet dhe çfarë del nga ajo infrastrukturë për shoqërinë. Nuk është më investimi, po është përvoja.

Zoti Demo ka një fjalë magjike, eksperienca thotë, dhe ka të drejtë, sepse nuk është më rruga 5 kilometra e shtruar me të gjitha standardet që i bën përshtypje atij që kalon në atë rrugë, janë ato 50 metrat pas 5 kilometërshit që janë keq dhe aty është pastaj ‘’libri’’ i shtëpisë sonë. Ndalon muzika që shoqëron rrugën panoramike dhe fillon ‘’libri’’. Nuk është mosmirënjohje, është një stad i ri ku është sot shoqëria falë gjithë kësaj pune që ne kemi bërë dhe për të cilën s’kemi asnjë arsye të mos jemi krenarë, por ndërkohë  duke qenë prapë në këtë detyrë, duhet të përballemi me këtë sfidë shumë të madhe, sepse dikur kërkohej një rrugë, domethënë dikur, se këtu ka disa që janë veteranë si puna ime, fitoheshin zgjedhjet në çakull. Ishte një kohë e sistemit maxhoritar. Fitoheshin zgjedhje me çakull. Dy kamionë çakull që hidheshin në një gjurmë rruge ku në fakt gropat ishin më shumë sesa pjesët e sheshta, sillnin votat. Sot kilometrat që ekzistojnë, nuk janë fare, fare, hiç në vëmendje, janë kilometrat që mungojnë. Nuk është në vëmendje thjesht infrastruktura dhe aty ku nuk mungojnë kilometrat, është siguria.

Shkollat, mua më kujtohet debati, një nga debatet më legjendare që mbaj mend unë se ka pasur shumë koha e parë, përpara Rilindjes, për ngrohjen në shkolla dhe për faktin që shkollat ishin të mbipopulluara me nxënës për klasë.

Ministri i Arsimit dhe kjo është një gjë që ndodhte në tryezën e qeverisë, ministri i Arsimit kishte një qasje strategjike lidhur me ngrohjen që thoshte; “sa më shumë nxënës në klasë, aq më shumë fryma e tyre ngroh ambientin”, prandaj kini parasysh që nëqoftëse do t’i keni më pak nxënësit, do jetë më ftohtë’’ dhe nuk hyhej fare në diskutimin që ore, të bëjmë shkollë me ngrohje.

Sot nuk është më fare tema a ka ngrohje, a s’ka ngrohje, sot tema nuk është as a ka palestra, a s’ka palestra. Sot nuk është tema a ka bibliotekë, a s’ka bibliotekë; a ka laborator, a s’ka laborator; sot jemi në kushtet kur po financojmë një program për të arritur në 1000 laboratorë “smart”, digjitalë. Nuk mjaftojnë këto fare. Sot tema është çfarë ndodh në shkollë, çfarë jete komunitare ka në shkollë, çfarë sigurie ka në shkollë, si është marrëdhënia e fëmijës me mësuesin, e mësuesit me fëmijën etj, dhe kur ne ishim në fazën e Rilindjes së parë, ishim akoma në një Shqipëri ku fizkultura ishte konsideruar një program parazitar. Fizkultura! Dhe antikomunistët e kishin hequr si një atavizëm të gjimnastikës së mëngjesit dhe kur ne futëm fizkulturën, s’kishim mësues. Ndërkohë që krijuam lëvizjen sportive në shkolla, kemi sot 12- 13 mijë nxënës dhe nxënëse që merren me sport, me uniforma, me kampionate, me stërvitje, me trajnerë, me mjekë, me kartela individuale mjekësore; kemi artet dhe zejet për të krijuar hapësira dhe për ata që duan të merren me të tjera gjëra dhe jo me sport por nuk është mosmirënjohje, nëse prindërit, nëse shoqëria thotë ‘’s’kemi gjë në terezi’’.

Dikur dhe jo në shekullin e kaluar, në ketë shekull, përpara sesa ne të merrnim detyrën, ishin të përditshme lajmet nëpër çdo ekran, jo me një, me dy persona, por me turma që ulërinin nëpër gardhet e spitaleve se nuk kishte asnjë ilaç, s’kishte aspirina. Vinin në spitalin “Nënë Tereza” me batanije me vete, me çarçafë me vete, me jastëkë me vete, me ilaçe me vete, me çdo gjë me vete. Kishte vetëm mjekë që punonin me heroizëm, asgjë tjetër. Futeshe në spitalin “Nënë Tereza” nuk kuptoje a ishe në spital, a ishe në stacionin e trenit, a ishe në një treg ilegal fruta-perimesh, a ishe te gabi, të gjitha ishin bashkë. Në korridoret e spitaleve njerëzit lëviznin me biçikletë, e nuk kuptohej kush ishte në biçikletë, ishte doktori, ishte pacienti, ishte familjari sepse mjekët s’kishin as përparëse. Kjo ishte situata.

Sot, nuk ka rëndësi fare që spitalet janë spitale, që mjekët, infermierët janë të gjithë të veshur, të paguar, të trajtuar, sepse nuk kërkohet më kjo. Kërkohet dinjiteti i çdokujt, të respektohet sikundër çdokush e pretendon me të drejtë, kërkohet shkurtimi i kohëve të pritjes, kërkohet teknologji. Nuk është mosmirënjohje, është për ne që jemi si ai kolegu këtu që di se nga ka nisur kjo punë dhe thotë, po pritë një sekondë se është bërë kjo, është bërë kjo, është bërë kjo, është stresuese po është çmimi i rezultatit. Çmimi i suksesit, fatura.

Flitet për ujë, sot me fakte, me shifra, me fatura, me të dhëna, Shqipëria furnizon popullsinë e vet me ujë të pijshëm më shumë se kurrë në historinë e saj, përfshirë edhe periudhën kur ishte një parti shumë serioze në pushtet. Çfarë rëndësie ka kjo? Sepse në fakt nuk jemi kudo, rregullisht, 24 orë në të gjithë territorin, sepse nuk është akoma e gjitha ashtu siç njerëzit duan dhe mjafton një rubinet që fishkëllen dhe nuk nxjerr ujë, një video, bëhet virale dhe duket sikur gjithë Shqipëria është pa ujë.

Dikur mjaftonte një park, një lulishte në qendër të qytetit dhe njerëzit të shikonin sikur kishe sjellë material nga Hëna. Sot, e kërkojnë lulishten në çdo pikë ku jetojnë. S’është mosmirënjohje, është pritshmëri.

Lana dhe çdo lloj kanali rrjedhje uji, lumi, quajeni si të doni, që kalonte nëpër qytete, mjafton të mos dilte nga shtrati dhe ishte “ok” pavarësisht se mos pyet çfarë llumi dhe çfarë pisllëku dhe çfarë katandie ishte. Sot nuk mjafton! Çfarë rëndësie ka sot që lumi i Gjanicës nga një burim skandaloz pisllëku, nga një turp si ato të çarat në fytyrë të njeriut, është kthyer në një aset urban nëse nuk shkon deri ku del në det, sepse askush nuk është më i kënaqur me atë që është përgjatë disa kilometrave, por po këtu dhe është pritshmëri. Nuk mund t’i thuash pse ti kërkon këtë kur është bërë kjo, kjo dhe pse ti s’ke më durim. Durimi është një mall që nuk gjendet më në treg dhe të tentosh ta shesësh, i bie të marrësh përsipër të të këndojnë” librin” e shtëpisë më shumë sesa ç’nomalisht ta këndojnë.

Vijmë te transporti publik. Dikur, përpara Rilindjes Urbane, fugonat ishin normaliteti. Lufta për të hequr fugonat ishte si një lufte për të luftuar COVID-in me grushte. Sot as nuk bëhet fjalë që ne të pretendojmë që njerëzit të jenë të kënaqur me transportin publik, pavarësisht se ka linja, ka autobusë, duhet nivel tjetër. E tha ministri, çështjen e mbetjeve. Dikur nuk ishte problemi se si përpunohen mbetjet. Dikur problemi ishte kur do vijë makina e plehrave që vinte një herë në javë, ndërkohë që sot shqetësimi është si përpunohen mbetjet, tjetër temë pastaj që pjesëmarrja në mosndotje është minimale.

Për ta mbyllur këtë pjesë, dua të them kush mendon që shoqëria është bërë më negative, nuk duhet të merret me politikë, nuk duhet të merret me punë të cilat janë funksion publik, shërbim publik sepse nuk e përballon dot atë që e percepton si negativitet. Është një mënyrë për ta perceptuar, por mund ta konsiderosh të tillë, por s’duhet të merresh me këtë punë. Sot kush merret me këtë punë, duhet thjesht dhe vetëm ta ketë të ndarë mendjen se shoqëria është bërë më kërkuese, jo më negative, më kërkuese. Se si e shpreh shoqëria kërkesën, është një tjetër temë që nuk jemi këtu për këtë, ne jemi këtu për të kuptuar se duhet kaluar në një nivel tjetër me patjetër dhe kjo nuk është sot një çështje shërbimesh. Kjo është një çështje ekzistenciale e shoqërisë demokratike. Është një çështje ekzistenciale e shoqërisë së ekonomisë së lirë tregut. Është një çështje ekzistenciale e një shoqërie që bazohet te sipërmarrja për të mos lejuar që pastaj Shqipëria të kthehet me kokë poshtë nga pritshmëritë.

Nuk ka më asnjë rëndësi krahasimi jo me kohën para Rilindjes Urbane,  po as me vetë Rilindjen Urbane, nuk ka më asnjë rëndësi, se s’ka më asnjë vlerë. Ajo ka vlerë thjesht për ne, për të kuptuar që jemi në gjendje t’i bëjmë gjërat, të bëjmë më shumë, por krahasimi më shumë është një arsye për të nxitur negativitet sesa për të shpjeguar ndonjë gjë. Nuk ka vlerë!

Nuk do t’ia dijë askush. Ka të drejtë të mos ia dijë, po çfarë faji ka? Se në qoftë se e shohim thjesht: a ka të drejtë që mos t’ia dijë, do dalim në konkluzionin – Jo s’ka të drejtë! Po çfarë faj ka? Kur thotë çfarë më duhet mua se si ka qenë? Çfarë më duhet mua thotë dikush që nuk e ka parë se ka pasur as mendjen edhe në qoftë se ka pasur moshën, gjithë këtë transformim kur sot të kërkon dhe unë mendoj që nga një anë, që nuk është ana jonë, kjo është një fitore për të cilën ne kemi dhënë kontributin kryesor që Shqipëria, që shqiptarët të mos kenë sens justifikimi për ato gjëra që mungojnë.

Ne kemi çelur një horizont komplet të ri, por horizonti mbetet horizont dhe standardin e kemi vendosur vetë, është Europa dhe tani duhet të përputhim Europën me çdo gjë që secili në këtë vend sheh, por nëse ka një këshilltar të keq, më i keq i mundshëm përballë pritshmërive është t’i kesh frikë apo t’i konsiderosh irracionale.

Pritshmëritë janë karburant, varet se kush do ta marri karburantin ta përdori. A do ta përdori për ta ngjitur Shqipërinë më lart? Gjë që duhet dhe mund ta bëjmë vetëm ne. Nuk ka Shqipëri më lart me recetat që dëgjohen vërdallë, çdo recetë nga ato që dëgjohen vërdallë është Shqipëria me kokë poshtë. Apo do të jetë një karburant që do ta çojë Shqipërinë me kokë poshtë? Prandaj “Rilindja Urbane 2.0” është mbulim i gjerë i gjithë kësaj fushe të mbushur me lule dhe në shumë pjesë të saj me ferra.

“Rilindja Urbane 2.0” është të mos shohësh më lulet, por të fokusohesh vetëm te ferrat. Lulet kush t’i shohi dhe t’i çmojë, shumë faleminderit. Kush nuk i sheh, prapë faleminderit. Duhet fokusuar tek ferrat, duhet fokusuar tek mungesat dhe gjithë programi i “Rilindjes Urbane 2.0” janë mungesat.

Filloi paraqitja e programit me Muzetë e Identiteteve Lokale, duket sikur, mund të duket, se mbase s’duket, mund të duket sikur: Ore çfarë thonë këta? Në fakt është e papranueshme që ne të synojmë të ngjitemi më lart si një vend turistik dhe të besojmë që ne mund të ngjitemi më lart thjesht dhe vetëm duke mirëmbajtur atë që kemi dhe duke pranuar këtë kategori ku jemi.

Kategoria ku jemi ne sot është një kategori që duhet me patjetër ta lëmë mbrapa, sepse përndryshe do të na vëri poshtë si vend turistik, turizmi masiv. Ndërkohë diversifikimi i portofolit të ofertës tonë është domosdoshmëri për të diversifikuar gjithë përmbajtjen e asaj mase turistësh që janë 12 milion që hyjnë e që dalin, por flas për ata qëndrojnë dhe konsumojnë këtu kohë edhe konsumojnë ofertën tonë. Prandaj të gjitha këto që u thanë duhen marrë me seriozitet dhe duhen bërë. Muzetë e Identiteteve Lokale janë një element.

Transporti modern është një element tjetër i domosdoshëm dhe për këtë arsye ne kemi filluar dhe do të hyjmë tani në një fazë të krijimit të një kompanie të përbashkët mes Fondit Shqiptar Zhvillimit dhe Bashkive për të furnizuar bashkitë duke filluar me bashkitë që kanë fluksin më të madh të turistëve me autobus të një gjenerate të re, autobus elektrik, të cilët do duhet të plotësojnë shumë nevoja të rritura, sidomos gjatë sezonit dhe pastaj hap pas hapi të krijojmë lidhjen rajonale, të krijojmë intermodalitetin.

Një tjetër komponent i programit janë parkimet. Nuk mundet më që ne të mos hyjmë në një fazë komplet të re të ndërtimit të parkimeve në qytete. Nëntokësore, mbitokësore, me të gjitha ato formula që u paraqitën këtu dhe programin e kanë plotësisht funksional, besojmë ne.

Tjetra që është e rëndësishme është gjithçka do të bëjmë me ekonominë në sensin e fuqizimit të subjekteve vendore nga SHBB-të që po krijohen. 33 SHBB nuk janë pak, por duhet të kemi shumë akoma, tek programi për mbështetjen e të gjitha bizneseve të vogla dhe të mesme me garancinë sovrane, Programi “Dyfisho biznesin tënd” që do të lançohet dhe do të hapi dyert e bankave për të gjithë ata që duan financim për të dyfishuar kapacitetet e tyre në të gjithë territorin. Tek startup-et ku zoti Demo kishte një të dhënë paksa të pa update-uar që nuk është në natyrën e tij të mos jetë i update-uar, po nuk është më 85%, por është 75% pesha e Tiranës. Në aplikimin e fundit kemi 25% të startup-eve nga bashkitë e tjera, por këtu duhet bërë një punë e posaçme nga ju, sepse ne besojmë që pikërisht pse bashkitë e tjera mund të jenë më pak të ekspozuara ndaj gjithë zhvillimeve sesa Tirana mund të jenë pika ku startup-et mund të jenë më shumë, sepse talentet nuk mungojnë në asnjë fshat të Shqipërisë, jo më nëpër qytetet.

Dhe kompania tjetër që do të krijojmë për të mbështetur të gjitha bashkitë, kompani prapë dhe ajo e përbashkët e logjistikës për të çuar në një nivel tjetër mirëmbajtjen e kanaleve ujitëse, mirëmbajtjen e kanaleve kulluese, duke i shpërndarë kapacitetet në mënyrë harmonike dhe me prioritete që vijnë si rezultat i nevojave që ka njëri e tjetri e tjetri, do të jenë dhe ato një vlerë e shtuar ndërkohë që ne po përgatisim dhe programin e ri të investimeve që nuk ishte në ketë prezantim, programi i ri i investimeve për mbrojtjen lumore; programi i ri i investimeve për përmbylljen e gjithë hartës së ujitjes, ka akoma një pjesë harta e ujitjes që kërkon investime; programi i ri për strehimin, do të kemi së shpejti atë që për të cilin jemi zotuar që këtë mandat do të kemi një qasje tërësisht të re ndaj strehimit, jo vetëm social, por edhe strehimit të përballueshëm. Dhe do të mbështesim fuqimisht çiftet e reja, konkretisht dhe jemi duke punuar për programin i cili dhe ai do të financohet masivisht.

Në mbyllje dua që së bashku të biem dakord në një pikë; që nuk mund të lejojmë që çështja e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian ta banalizohet dhe që njerëzit ta ndiejnë këtë si një çështje që nuk lidhet me jetën e tyre të përditshme, sepse është tërësisht e pavërtetë. Prandaj bërja e prekshme e përfitimeve të këtij procesi është detyrë e përbashkët e të gjithëve ne.

Ky është një proces historik për 1001 arsye, por ky është një proces historik dhe për ekonominë e kujtdo. Është ekonomia e kujtdo që me ketë proces do të rritet dhe veçanërisht është ekonomia e atyre që sot janë të reja dhe të rinj. Nëse për ata që janë gjenerata më të vjetra, nuk më vjen fjala e vjetër, por më të rritura në moshë, kjo që thashë është relative, për ata që janë gjenerata e re, kjo është absolute. Falë anëtarësimit në Bashkimin Europian, Shqipëria e pas 10 vjetëve nga anëtarësimi, do jetë Europa e të rejave dhe të rinjve, por nuk mundet dot ta vëmë në rrezik këtë proces dhe nuk mundet dot të lejojmë që një narrativë absurde që ‘’ç’na duhet ne kjo, po lëre tani se kjo është propagandë’’, të kanalizojë energji negative ndaj procesit, jo ndaj nesh.

Dhe duhet shpjeguar që Evropa është standardi që kërkohet. Këto pritshmëritë e rritura, kjo nevoja për të parë jo 5 kilometrat e ndërtuara, por për t’u fokusuar tek 100 metrat që mungojnë, është ekzaktësisht çfarë e lidh pazgjidhshmërisht Europën dhe Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian me këtë nevojë, për ato 100 metra.

Kështu që Rilindja 2.0 nuk është thjesht të ndërtojmë infrastrukturë por është të ndërtojmë cilësi; cilësi jete, cilësi bashkëjetese; nuk është të ndërtojmë më tej qytetin, por është të ndërtojmë më tej komunitetin; nuk është ‘’hajde të ndërtojmë rrugë të tjera’’, por të ndërtojmë lidhje dhe të krijojmë ndërlidhje, mobilitet të brendshëm dhe jo thjesht parqe dhe sheshe, por marrëdhënie dhe natyrisht jo thjesht ekonomi, por mirëqenie sepse hiri i të vërtetës e do të thuhet, që po të shikojmë të gjitha shifrat, ekonomia jonë nuk ka qenë asnjëherë më mirë. Po të shikojmë raportin e kësaj ekonomie që ne e shohim me shifra dhe me atë që është ekonomia e perceptuar e njerëzve, atëherë kemi problem ne, jo njerëzit që është ndjesia reale e mirëqenies dhe e perspektivës për mirëqenien.

Këto ishin fjalët e mia. Besoj shumë tek ky program dhe besoj shumë tek eksperienca që kemi akumuluar, ashtu sikundër besoj shumë që nëse eksperienca nuk do të na bëjë cinikë, por do të na bëjë të hapur, më të hapur ndaj kritikës apo ndaj pakënaqësisë, apo ndaj reagimit të kujtdo qoftë, e thënë me fjalë të tjera, aty ku e nisa nuk do të na bëjë të ngurtë dhe të karakterizojmë atë që na vjen përballë si mosmirënjohje, por do të na ndihmojë eksperienca që ta adresojmë si duhet dhe atë që vjen përballë, atëherë ne do të bëjmë një sukses të ri. O do jemi viktima të suksesit tonë, që është një mundësi. Ia thashë atij mikut tonë këtu, por s’po e përmend, i thashë, po i quajte mosmirënjohës ata, je viktimë e suksesit tënd. S’ke shpresë. Po i kuptove dhe do t’i japësh një marsh tjetër që t’i arrish ti tek ata, jo të vijnë ata tek ty, atëherë do të bëhesh heroi i tyre dhe je përsëri ti që e mishëron suksesin. Shumë e thjeshtë.

Dhe ajo që ne kemi detyrë kombëtare, miqtë e mi, historike, është që të mos lejojmë në asnjë mënyrë që marrëzia e zgjidhjeve magjike të fitojë terren, se pastaj gjithçka që kemi fituar, do të shkojmë me kokë poshtë. Do shkojmë me kokë poshtë jo për ne, do shkojmë me kokë poshtë për të nesërmen dhe jo Bashkim Europian, por kthim prapa dramatik. Përpara sa të jetë vonë për ata që besojnë tek këto lloj ilaçesh çudibërëse, ne duhet të vrapojmë më shpejt. Shumë më shpejt!

Se po shikoj Vangjelin, Vangjeli është mjek, por vjen një moment kur njerëzit besojnë tek mjekët popullorë, pastaj vjen një moment tjetër kur nga mjekët popullorë kalojnë tek fallxhorët. Fallxhoret, se kisha në mend në fakt fallxhorët, se këta që ofrojnë recetat në publik, janë fallxhorë me ë. Ne s’duhet ta lejojmë këtë. Ne, po, duhet të kuptojmë pse i lind nevoja për fallxhorët, njerëzve? Dhe shkaku jemi ne që ta kemi shumë të qartë! Po e kërkuam shkakun tek të tjera gjëra, duhet ta lëmë këtë punë sepse do të thotë që eksperienca na ka bërë cinikë. E dimë, kemi mësuar shumë gjëra, themi ‘’këta ia fusin kot’’. Fallxhorët ia fusin kot, njerëzit nuk ia fusin kot. Njerëzit kanë një nevojë që ne duhet t’ua kuptojmë dhe t’ua plotësojmë. Po ngelën në dorë të fallxhorëve, do jetë shumë vonë pastaj. Do jetë shumë vonë. Pastaj nuk ka më vlerë të shkosh prapë te mjeku, t’i thuash ‘’ore shiko tani’’, të thotë, ‘’po mirë të thashë hajde ta kurojmë me ilaçe, deshe të marrësh qumësht miu me mjaltë grerëze, tani çfarë të bëj unë, tani duhet të të pres, larg qoftë këmbën’’.

Shumë faleminderit!

 

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.