Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 15 Korrik 2026:

 

P R O J E K T L I GJ
PËR 
DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9662, DATË 18.12.2006, “PËR BANKAT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”
Në mbështetje të neneve 78 dhe 81, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.9662, datë 18.12.2006, “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, bëhen këto ndryshime:
Neni 1
Në  nenin 4 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Pika 46 shfuqizohet.
2. Pika 47 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“47. “Para elektronike” ka të njëjtin kuptim siç përcaktohet në legjislacionin për shërbimet e pagesave.”.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I  
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME  NË LIGJIN NR.9662, DATË 18.12.2006, “PËR BANKAT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr.9662, datë 18.12.2006, “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.133/2013,  “PËR SISTEMIN E PAGESAVE”
Në mbështetje të neneve 78 dhe 81, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.133/2013, “Për sistemin e pagesave”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Shkronjat “k” dhe “l”, të nenit 5, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“k) “Institucion” nënkupton:
i. një institucion krediti, sipas përkufizimit në pikën 13/2, të nenit 5, të ligjit nr.55/2020, “Për shërbimet e pagesave”, të ndryshuar;
ii. një subjekt, që kryen veprimtari bankare ose financiare, përfshirë shërbime pagesash, ushtrimi i veprimtarisë së të cilit rregullohet me ligj të veçantë;
iii. Bankën e Shqipërisë dhe banka qendrore të huaja;
iv. një shoqëri komisionere, veprimtaria e së cilës rregullohet sipas legjislacionit për tregjet e kapitalit;
v. autoritetet publike dhe subjektet, detyrimet e të cilave janë të garantuara me fonde publike; ose
vi. institucionet e kreditit ose shoqëritë komisionere të huaja, të rregulluara në mënyrë të ngjashme me institucionet në nënndarjet “i” dhe “iv”, të kësaj shkronje, kur institucionet në nënndarjet “i” deri në “vi”, të kësaj shkronje, marrin pjesë në një sistem pagesash dhe janë përgjegjëse për përmbushjen e detyrimeve financiare, që rrjedhin nga urdhrat e transfertave brenda këtij sistemi;
vii. një institucion pagesash të rregulluar sipas ligjit nr.55/2020, “Për shërbimet e pagesave”, të ndryshuar, me përjashtim të personit fizik ose juridik, që përfiton nga përjashtimet, sipas neneve 27 ose 28, të ligjit nr.55/2020, “Për shërbimet e pagesave”, të ndryshuar; ose
viii. një institucion të parasë elektronike të rregulluar sipas  ligjit nr.55/2020, “Për shërbimet e pagesave”, të ndryshuar, me përjashtim të personit juridik, që përfiton nga përjashtimet, sipas            nenit 28/8, të ligjit nr.55/2020, “Për shërbimet e pagesave”, të ndryshuar, kur institucionet në nënndarjet “vii” dhe “viii”, të kësaj shkronje, marrin pjesë në një sistem, ekzekutojnë urdhërtransferta, sipas përcaktimeve të nënndarjes “i”, të shkronjës “t”, të  këtij neni, dhe janë përgjegjëse për përmbushjen e detyrimeve financiare, të cilat rrjedhin nga këta urdhra transfertash brenda këtij sistemi.
Për qëllime të këtij ligji, institucion mund të konsiderohet nga Banka e Shqipërisë edhe një subjekt, që merr pjesë në një sistem të rregulluar nga ky ligj dhe që ekzekuton vetëm urdhra transferte, sipas përcaktimeve të nënndarjes “ii”, të shkronjës “t”, të këtij neni, si dhe ekzekuton pagesat që rezultojnë nga këta urdhra, i cili ka përgjegjësi për shlyerjen e detyrimeve financiare, që rrjedhin nga urdhrat e transfertave brenda këtij sistemi, me kusht që të paktën tre pjesëmarrës të këtij sistemi të përfshihen në kategoritë e mësipërme dhe që një vendim i tillë të jetë i garantuar për shkak të rrezikut sistemik.
l) “Pjesëmarrës” është një institucion, një shtëpi klerimi, një agjent shlyerës, një operator sistemi, një kundërpalë qendrore ose një anëtar klerimi i një kundërpale qendrore, që ushtron veprimtari në përputhje me legjislacionin për tregjet e kapitalit.”.
Neni 2
Pas nenit 15 shtohet neni 15/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 15/1
Pjesëmarrësi
Pjesëmarrësi, sipas përkufizimit në shkronjën “l”, të nenit 5, të këtij ligji, në përputhje me rregullat e sistemit, mund të veprojë edhe si kundërpalë qendrore, agjent shlyerës ose shtëpi klerimi, ose të kryejë një pjesë ose të gjitha këto detyra.”.
Neni 3
Në fund të nenit 16 shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Megjithatë, edhe në këtë rast, nuk do të kufizohet përgjegjësia e pjesëmarrësit, nëpërmjet të cilit nënpjesëmarrësi kalon urdhërtransfertat në këtë sistem.”.
Neni 2
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
NIKO PELESHI
***
V E N D I M 
PËR 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.133/2013, “PËR SISTEMIN  E PAGESAVE””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.133/2013, “Për sistemin e pagesave””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
###
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.