Shqipëria po kalon një fazë transformimi të gjithanshëm, ku reformat strukturore, investimet strategjike dhe procesi i integrimit europian po ecin paralelisht për të ndërtuar një shtet më modern, më konkurrues dhe më afër standardeve të Bashkimit Europian. Nga infrastruktura, energjia dhe sektori i ujit, te shëndetësia, arsimi, inovacioni, zhvillimi ekonomik dhe forcimi i institucioneve, ndryshimet e viteve të fundit kanë krijuar baza të reja për rritje të qëndrueshme dhe përmirësim të cilësisë së jetës së qytetarëve.
* * *
Transporti ajror në Shqipëri ka përjetuar një rritje të jashtëzakonshme në periudhën 2016–2026, duke u kthyer në një nga sektorët më dinamikë të ekonomisë dhe një faktor i rëndësishëm për ndërlidhjen e vendit me rajonin dhe Europën. Në qendër të këtij transformimi qëndron Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA), i cili është shndërruar në aeroportin kryesor në Ballkanin Perëndimor. Në 2016-n, kur filloi një fazë e re në punën e përbashkët për transformimin e mëtejshëm të aeroportit dhe modernizimin e aviacionit tonë civil, kishte vetëm 22 mijë fluturime në vit për 2.2 milionë pasagjerë.
Më pak se 10 vite më vonë, numri i pasagjerëve arriti në 13.7 milionë dhe numri i fluturimeve në 82 mijë, një shifër që parashihet të kalojë 100 mijët në fund të kësaj dekade dhe në fillim të dekadës tjetër.
Në muajin qershor 2026 Shqipëria u bë pjesë e hartës së fluturimeve Transoqeanike, deri dje e paimagjinueshme, ndërsa sot është një realitet, me nisjen e fluturimeve direkte me Kanadanë, në linjën Tiranë –Toronto.