“Flamingo Mirror/Pasqyra e Flamingos” është ndërfaqja e parë e “Pasqyrë Albania”-s, e cila u ndez sot live për qytetarët dhe mediat, shqip dhe anglisht, duke ofruar transparencë të plotë mbi faktet e një dosjeje qeveritare.
Sot janë në dispozicion, të gjitha dokumentet zyrtare, referencat ligjore, informacioni i detajuar për çdo pyetje e shqetësim publik lidhur me dosjen e Zvërnec/Sazanit në stadin aktual të saj.
Ndërkohë që çdo dosje e ”Flamingo Mirror/Pasqyra e Flamingos” është e hapur dhe e përditësueshme.
“Është shumë e rëndësishme që të thuhet që në Pasqyrën e Flamingos nuk ka retorikë, nuk ka deklarata politike, nuk ka përgënjeshtrime që targetojnë burime të ndryshme, të cilat përhapin lajmin e rremë apo gjysmë të vërtetat, që janë dhe gënjeshtrat më të mëdha. Ka vetëm gjuhë faktesh dhe gjuhë faktesh të mbështetur në referenca ligjore, të mbështetur në dokumente zyrtare.” – u shpreh Kryeministri Rama në prezantimin e “Flamingo Mirror/Pasqyra e Flamingos”.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Mirëdita. Sot jemi mbledhur këtu për të bërë një prezantim me rëndësi të një prej komponentëve të Pasqyrë Albania-s, e cila është ende në ndërtim e sipër dhe ky është një komponent jashtëzakonisht i rëndësishëm i Pasqyrë Albania-s sepse lidhet me transparencën 100% të dosjeve qeveritare.
Natyrisht që edhe ky komponent i Pasqyrë Albania-s, si vetë Pasqyrë Albania, është rezultat i një nxitjeje të ardhur nga shoqëria përmes manifestimit të protestës në fillim të muajit qershor dhe nga ana tjetër si domosdoshmëri e një kohe të re, kur faktet janë gjithmonë e më shumë nën presionin e madh të reve të dezinformimit, të trillimeve, të gjysmë të vërtetave ose edhe thjesht dhe vetëm të informacioneve të paverifikuara.
E kemi quajtur “Pasqyra e Flamingos” ose “Flamingo Mirror”, është në të dy gjuhët, në shqip dhe në anglisht. Patjetër që nuk mund të mos niste me dosjen më tërheqëse të Republikës së Shqipërisë sot që flasim, me dosjen e Sazan Zvërnecit dhe është një burim, i cili do t’i shërbejë të gjithëve. Do t’i shërbejë qytetarëve për të parë jo se çfarë shkruan qeveria, por se çfarë është e shkruar në të gjithë dokumentet zyrtare dhe çfarë thonë të gjitha materialet e një dosjeje qeveritare.
Nga ana tjetër është e qartë që në këtë Pasqyrë të Flamingos ne do të vendosim vijimisht çdo dosje qeveritare me një ndjeshmëri të posaçme dhe jemi duke përgatitur me skuadrën. e cila koordinohet nga Jonida, disa tema të tjera.
Shumë shpejt do të publikojmë dosjen qeveritare të Kajos, një tjetër emër që tanimë përflitet në rrugët e kanaleve sociale dhe në hapësirat e medias televizive.
Po ashtu Milot – Balldreni ka qenë një tjetër temë e cila është diskutuar mbi, sipas nesh, trillime, gjysmë të vërteta, informacione të paverifikuara dhe pastaj sigurisht faktet janë vendosur në të gjitha këto raste nën presionin e madh që vjen nga një botë, e cila varet gjithmonë e më shumë nga çfarë thuhet dhe jo nga si dhe sa verifikohet.
E thashë, është një komponent i Pasqyrë Albania-s. Pasqyra Albania do të ketë një sërë komponentësh.
Pjesë e Pasqyrë Albania-s do të jetë dhe mundësia për të ndjekur në kohë reale çdo projekt qeveritar, çdo projekt publik, çdo vepër publike të financuar nga taksat e qytetarëve dhe po ashtu në pasqyrën e flamingos ka dhe një komponent tjetër që është pyetjet dhe përgjigjet. Pyetjet e mbledhura në kohë reale edhe nëpërmjet inteligjencës artificiale nga çfarë thuhet dhe shkruhet lidhur me dosjen në fjalë dhe përgjigjet zyrtare është shumë e rëndësishme dhe do ta mbyll për t’i dhënë fjalën Jonidës. Është shumë e rëndësishme që të thuhet që në pasqyrën e Flamingos nuk ka retorikë, nuk ka deklarata politike, nuk ka përgënjeshtrime që targetojnë burime të ndryshme të cilat përhapin lajmin e rremë apo gjysmë të vërtetat që janë dhe gënjeshtrat më të mëdha, ka vetëm gjuhë faktesh dhe gjuhë faktesh të mbështetur në referenca ligjore, të mbështetur në dokumente zyrtare dhe është një hapje, si të thuash, sot e “bibliotekës së fshehtë”, të pushtetit ekzekutiv. Ky është qëllimi. Është një pasqyrë në përditësim të vazhdueshëm, sepse edhe dosja që do të prezantohet sot nuk është një dosje e mbyllur, është një dosje e hapur, e cila do të plotësohet me të tjera dokumente që do të vijnë në proces.
Në rastin konkret është dhe ministri i Mjedisit këtu. Dosja nuk e ka studimin e impaktit mjedisor, sepse studimi i impaktit mjedisor ende nuk ka ardhur. Dosja nuk e ka projektin urbanistik dhe arkitektonik, sepse projekti ende nuk ka ardhur. Në momentin që këto do të vijnë dhe çfarëdo tjetër do të vijë, do të vendoset menjëherë në pasqyrë. Pra e them këtë për të krijuar qartësi lidhur me çfarë mund të duket sikur mungon. Çfarë mungon është thjesht dhe vetëm çfarë nuk është ende në dispozicion dhe për këtë arsye dosja është e hapur.
Në momentin kur dosja mbyllet, flas nga ana zyrtare, atëherë aty ka edhe një status që thotë dosje e mbyllur. Pra, në pasqyrën e flamingos janë dosjet e hapura.
Po ia kaloj fjalën Jonidës që të bëjë një prezantim më të detajuar dhe konkretisht se çfarë ka dosja që hap sot, që ndez sot këtë pasqyrë si komponent i Pasqyrë Albania-s që është një pasqyrë shumë më e madhe e cila, siç thashë, është në ndërtim e sipër.
* * *
Kryeministri Edi Rama: E para, edhe një herë, pyetjet janë produkt i hulumtimit me inteligjencë artificiale të gjithçkaje që diskutohet në rrjetet sociale dhe të gjithçkaje që del në rrjetet sociale edhe nga mediat tradicionale. Pra, nuk janë pyetje të përzgjedhura, janë pyetje të grumbulluara dhe të vendosura në radhë, në një numër shumë të konsiderueshëm, e para. Dhe e dyta që besoj është shumë e rëndësishme të theksohet është se dosja vendoset në Pasqyrën e Flamingos duke u nisur nga një interes i posaçëm publik në kohën kur bëhet kjo përzgjedhje. Por thënë kjo tek Pasqyrë Albania sipas sektorëve dhe për faktin që Pasqyrë Albania-s do të jetë adresa e vetme unike e qeverisë shqiptare si fillim, po ne themi që duhet të bëhet dhe e shtetit shqiptar ku duhet të futen edhe pushteti legjislativ edhe pushteti gjyqësor, po ne flasim për qeverinë shqiptare. Aty sipas sektorëve, çdokush, çdo qytetar do të jetë në gjendje të gjejë përgjigjen apo të marri informacionin për çështjen që atij i intereson lidhur me punët publike, lidhur me investimet në territorin e interesit të tij, lidhur me ndërtimet në lagjen e tij apo në qytetin e tij dhe kështu me radhë. Natyrisht është një punë super voluminoze. Ka një angazhim shumë të madh të atyre që po merren me ndërtimin e “Pasqyrë Albania” nën drejtimin e ekipit tonë të teknologjisë, por patjetër që janë të përfshirë juristët, sepse Pasqyrë Albania siç e kemi thënë do të bëhet ligj dhe Pasqyrë Albania do të integrohet në ligjin aktual që kemi të Bashkëqeverisjes dhe aty ku kemi përcaktuar ligjërisht platformën e qeverisje si instrument të ndërveprimit të qeverisë me qytetarët, do të kemi të integruar Pasqyrë Albania.
Por hap pas hapi të gjitha këto do të fillojnë të dalin në publik. Pas disa ditësh nuk e di ekzaktësisht kur është caktuar ne do të rikthehemi për një tjetër komponent të rëndësishëm që është prezantimi i një moduli të ri të Diellës, ekzekutuar nga skuadra e inteligjencës artificiale e Akshi-t dhe kështu me radhë i gjithë mozaiku do të plotësohet muaj pas muaji dhe ne besojmë që në harkun e një viti do ta kemi të gjithë sistemin të konsoliduar.
***
Duke shpresuar që ky komunikim do të vlejë për të gjithë ata që e ndoqën, por edhe më tutje për të gjithë ata që do të kenë interes real për faktet, për dokumentet lidhur me çështje me interes të veçantë, unë dua që ta mbyll duke i falënderuar kontributorët e kësaj pune jo të vogël, shumë intensive përgatitore, duke shtuar po ashtu që mbajtja gjallë në të përditshmen e vetë e Pasqyra Albania, e cila siç thashë është në ndërtim e sipër, është në të njëjtën kohë një sfidë shumë e madhe për administratën, për institucionet tona qendrore, për çdo ministri, edhe për Kryeministrinë, në sensin që duhet menduar nga e kundërta e asaj që është menduar tradicionalisht dhe vijimësisht.
Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që nëse tradicionalisht, vijimësisht është menduar që dokumentacioni të trajtohet si një pronë mbi të cilën shteti ka ekskluzivitetin e vetë edhe në të gjitha ato raste kur në fakt dokumentacioni duhet të jetë një pronësi e përbashkët me publikun, gjë që ka bërë që në shumë raste qeverisja të bjerë pre edhe pastaj e shumë dyshimeve, e shumë e shumë ndjenjave jo pozitive ndaj saj si rezultat i daljes në dritë të dokumentave që posedohen nga institucionet, por nxirren nga individë apo konsiderohen si akte heroike të nxjerrjes në dritë të të vërtetës. Në ndërkohë që të gjitha të vërtetat e firmosura dhe të vulosura në institucionet e shtetit duhet që shteti t’i ndajë me publikun pa humbur kohë.
Natyrisht ka një klasifikim për institucione të caktuara dhe për dokumente të një natyre të caktuar, ka një publikim të kufizuar, por këtu bëjmë fjalë për një përqindje shumë të vogël, ndërkohë që masa e madhe e dokumentacionit është pronë e përbashkët dhe duhet trajtuar si pronë e përbashkët, por kjo është një sfidë shumë e madhe kulturore e administratës.
Dhe përfitoj nga rasti që këtu janë drejtues të agjencive për ta përcjellë këtë mesazh për ju dhe për të gjithë ata si ju që nuk janë këtu të pranishëm, që problematika jonë me informimin publik, raportet e përsëritura të komisionerit për të drejtën e informimit dhe sfida jonë e sotme që është rezultat edhe i një përballje të re në një rrafsh krejt të ri të të vërtetës me gënjeshtrën, në një botë ku gënjeshtra ka fituar një platformë që s’e ka pasur kurrë më parë dhe e vërteta tkurret vijimësisht, bëjnë që ne të jemi shumë të vendosur për të bërë atë që na takon që publiku të ketë mundësi kur e dëshiron që të marri informacionin në burim, pra të njihet me faktin drejtpërdrejtë, personalisht dhe ndihma për ta çuar te fakti të mos jetë retorik, të mos jetë agjitacion, të mos jetë propagandë, të mos jetë politik, por të jetë didaktike.
Është shumë e rëndësishme kjo për të shpëtuar shtetin si koncept i pa i pa negociueshëm që njerëzit mund të jetojnë në harmoni dhe mos të hanë njëri-tjetrin për së gjalli nga gjithë kjo lukuni e madhe gënjeshtre dhe nga gjithë këto furtuna dizinformimi dhe keqinformimi që ngrihen në të përditshmen e jetës publike.
Natyrisht që Pasqyra e Flamingos, Pasqyra Albania, gjithë këto mjete të reja që ne po përpiqemi të vëmë në dispozicion të shtetit duke hyrë në të njëjtën fushë, në fushën e botës digjitale ku mbretëron gënjeshtra, nuk janë shkopinj magjik, por duhet të bëjmë tonën me të gjithë vullnetin dhe bindjen absolute që s’kemi asgjë për të fshehur. Që qeveria nuk ka asgjë për të fshehur, që nëse ka të meta në një proces, nëse ka boshllëqe në një procedurë, nëse ka devijime në një dosje, ka dy mënyra për t’i parë dhe për t’i kuptuar ato duke e ndarë se çfarë është defekt, çfarë është një gabim i paqëllimshëm, çfarë është një mungesë që vjen si rezultat e të metës në proces, nga çfarë është qëllimisht e devijuar për arsye të tjera.
Dhe unë besoj që transparenca 100% në këtë përpjekje do të ndihmojë shumë dhe në këtë drejtim, do ndihmojë shumë dhe në çlirimin e punonjësve të administratës dhe të gjithë atyre që i përkushtohen shërbimit ndaj shtetit, nga presioni i madh i gabimi të paragjykuar si krim.
Besoj që janë arsye të mjaftueshme për të qenë shumë të angazhuar në rritjen e kësaj gjallese të re dhe në mbajtjen gjallë të gjithë kësaj përpjekjeje, duke i dhënë asaj frymëmarrjen e jetës së përditshme të qeverisjes.
Ndërkohë që, shumë nga misteret dhe shumë nga mitet e Zvërnec – Sazanit apo Sazan – Zvërnecit praktikisht janë automatikisht të zbuluara dhe të rrëzuara në Pasqyrën e Flamingos.
Shumë faleminderit!
Faleminderit të gjithëve për kontributin!