Kryeministri Edi Rama priti sot në takim, Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Z. Hoyt Yee.
Kryeministri Rama e uroi për detyrën e re dhe e vlerësoi të vyer eksperiencën që Z. Yee ka në rajonin tonë. Rama e falënderoi Z. Yee për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Shqipërisë dhe përpjekjeve të saj në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.
Më tej, Kryeministri Rama e njohu Z. Yee me programin dhe prioritetet e Qeverisë shqiptare, me theks të veçantë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kryeministri u ndal edhe në operacionin më të fundit të Policisë së Shtetit për bllokimin e lojërave të fatit që ushtronin aktivitetin në mënyrë të paligjshme.
Në takim u vlerësua kontributi i Shqipërisë në shërbim të paqes e sigurisë globale. Kryeministri Rama siguroi zyrtarin e lartë amerikan, se Shqipëria do të jetë në krah të SHBA-së, në përpjekjet e përbashkëta për promovimin e paqes dhe sigurisë në botë.
Z. Yee i uroi gjithashtu, Kryeministrit Rama suksese në detyrën e re. Ai e falënderoi për mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 2118 mbi Sirinë, duke mbështetur kërkesën e komunitetit ndërkombëtar për të vënë para përgjegjësisë regjimin e Assad-it.
Z. Yee e siguroi Kryeministrin për mbështetjen e SHBA-së në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe mirëpriti Progres Raportin e Komisionit Evropian që rekomandon statusin e vendit kandidat për Shqipërinë.