Kryeministri Edi Rama në llogaridhënien publike në Durrës:
Përshëndetje të gjithëve!
Shumë faleminderit që jeni këtu!
Me të gjithë respektin për të gjithë ata që janë këtu si qytetarë nga rrugët e tjera të jetës, atyre që janë këtu edhe si pjesë e familjes tonë politike, Partisë Socialiste, dua t’ju uroj 27-vjetorin e Partisë Socialiste. Të tjerëve që janë këtu dhe s’janë bërë akoma pjesë dhe mendojnë që janë më mirë diku tjetër i them, më mirë se tek ne nuk ka. S’jemi më të mirët, por më të mirë nuk kemi parë akoma.
Jemi këtu për fushatën e llogaridhënies, e cila është një proces që nuk është bërë më parë nga asnjë qeveri e që ne duam ta kthejmë në traditë në përfundim të çdo viti politik, pra, të çdo sesioni parlamentar të legjislaturës, pasi ne besojmë shumë që duhet të vazhdojmë përpjekjet e mëdha, edhe pse të vështira, për të ndërtuar një urë komunikimi me njerëzit dhe për ta kthyer idenë e bashkëqeverisjes me njerëzit nga një ide e bukur për t’u dëgjuar, në një koncept qeverisës të materializuar në jetën e përditshme.
Dua ta filloj pikërisht me këtë, me bashkëqeverisjen dhe me instrumentin e ri të qeverisjes, që funksionon si një instrument konkret për të bashkëqeverisur me njerëzit, që është platforma www.shqiperiaqeduam.al. Është një instrument që i jep mundësinë secilit ta ketë qeverinë në xhep. Mjafton që të shkarkohet aplikacioni dhe gjithkush që ka një smartphone ka në çdo moment mundësinë që në jo më shumë se 3 minuta maksimumi të çojë një sinjal për një hall me administratën, për një problem të pazgjidhur me burokracinë, apo për një shqetësim edhe të vetë lagjes, ose të komunitetit dhe sinjali shkon drejtpërdrejtë te ministri përkatës.
Nëse historikisht jemi mësuar që , kur ndeshemi me murin qorr dhe shurdh të administratës, kërkojmë rrugën e tjera, mikun, kushëririn, deputetin, apo ryshfetin, ky instrument bën të mundur që të kesh menjëherë në dispozicion mikun më të fortë në atë sektor, në kuptimin simbolik, por dhe në kuptimin konkret të fjalës, që është ministri përkatës. Çdo ministër i qeverisë e ka për detyrë që të ndjekë personalisht ecurinë e çdo ankese apo kërkese të çdo qytetari, pavarësisht sesi quhet, pavarësisht se jeton në qytet apo në fshat, pavarësisht se ka apo nuk ka fuqi, sepse për ne është shumë e rëndësishme që të gjithë ta kuptojnë, ta besojnë dhe të na vënë në provë, mos ta besojnë pa na vënë në provë, që çdo qytetar duhet të ketë akses të drejtpërdrejtë në qeveri, edhe më shpesh sesa e ka një deputet.
Nëse një deputet çon një mesazh te ministri, s’është e thënë që ministri i përgjigjet menjëherë. Ndërsa në momentin kur një qytetar çon një mesazh në platformën e bashkëqeverisjes, menjëherë fillon procedua, e mbikëqyrur nga rreth 30 njerëz që janë mbrapa ekranit, të ndarë nëpër ministri dhe nën përgjegjësinë personale të ministrit.
Çdo javë, në fund të mbledhjes së qeverisë është raporti i ecurisë së çështjeve që kanë ngritur qytetarët, hallet individuale për një hipotekë, për një legalizim, për një faturë të parregullt, për një ankesë lidhur me inspektorët e tatimeve, për dokumentet e pensionit, për një çështje konsullore e me radhë, çdo gjë që mund të dalë përpara si problem për shkak zyrash dhe për shkak punonjësish që janë shumë larg akoma konceptit që ne kemi për shtetin sesi duhet të funksionojë në favor të qytetarëve.
Në vend se të humbasim kohë duke u ankuar dhe duke kërkuar rrugë të tjera, është shumë e thjeshtë, është 3 minuta maksimumi dhe 10 ditë për ta provuar a është apo jo e vërtetë. Janë me mijëra sot, qytetarët që kanë provën e të vërtetës. Janë mbi 10 mijë raste në pak më shumë se 6 muaj që ka platforma që funksionon, që janë trajtuar dhe kanë marrë përgjigje. Jo të gjitha marrin zgjidhje, sepse rastet që kanë të bëjnë me gjykatat nuk janë në dorën tonë.
Njerëzit ankohen me të drejtë për lloj-lloj padrejtësish nëpër gjykata, por nuk është në dorën tonë që të zgjidhim problemet që duhet t’i zgjidhin gjykatat. Ama në dorën tonë është që të bëjmë atë që po bëjmë, reformën në drejtësi. Dëgjoj shpesh dhe lexoj shpesh edhe në faqen time në Facebook, të thonë “si nuk i fute në burg këta”, “ti je njëlloj si këta”. E vërteta është qënë këtë sistem, në burg nuk të fut qeveria, nuk të fut partia, nuk të fut kryeministri, të fut drejtësia. Nëse kemi drejtësi që për 28 vjet deri më sot ka qenë e pafuqishme, apo ka qenë e kapur në atë formë që nuk ka mundur kurrë të trajtojë në mënyrë të barabartë si të shkurtrin, si të gjatin, ne duam një drejtësi ku metrin ta vendosë ligji, jo pushteti, jo paraja, jo status social.
Për këtë arsye, ne po bëjmë një proces vettingu që është një proces pastrimi. Ju e shikoni çdo ditë që është një proces shumë rigoroz, ku “priten” koka, në kuptimin shembullor të fjalës dhe jo koka të vogla, koka të mëdha të një sistemi të kalbur deri në fund dhe të kapur deri në fund. Por kjo kërkon kohën e vet. Nuk mund të bëhet sa hap e mbyll sytë.
Vetëm imagjinoni çfarë do kishte ndodhur sot, në Shqipëri, me të gjithë vajzat dhe djemtë e këtij vendi, në rast se reformat që ne i nisëm pas 20 e kusur vitesh vonesash e zvarritjes, të ishin bërë realitet, duke u nisur 20 e kusur vite më parë, për së mbari.
Çfarë do ndodhte sot, po të mos kishim vjedhur njëri-tjetrin për 20 e ca vite, duke disa paguar e disa mos paguar energjinë elektrike, ujin, apo shumëçka tjetër?
Çfarë do kishte ndodhur sot, sikur ne të kishim ndërtuar një arsim profesional dinjtoz që t’i kishim vajzat dhe djemtë e këtij vendi me profesione, me zanate dhe të gatshëm për të shkuar në një punë dhe për të marrë një rrogë shumë më të mirë se ajo që mund të marrin sot, kur shkojnë atje dhe nuk dinë të bëjnë asgjë?
Do ishim në kushtet që do kishim kompani shumë më tepër vendase dhe të huaja dhe do kishim aftësinë të kryenim në Shqipëri procese teknike që sot nuk kemi mundësinë t’i kryejmë.
Pse duhet sot, në Shqipëri, pas 28 vitesh qëkur ne u hapëm ndaj botës, që për të ndërtuar stadiumin kombëtar, shumica e saldatorëve të jenë të huaj?
Pse duhet sot, që në një investim kolosal, siç është gazsjellësi Trans-Adriatik, shumica e saldatorëve të jenë të huaj?
Sepse duket qesharake, por është dhimbshëm e vërtetë, nuk kemi mjaftueshëm krah pune të kualifikuar. Kjo është arsyeja që sot, ne kemi një sfidë paralele, nga njëra anë të punësojmë vazhdimisht sa më shumë njerëz, por nga ana tjetër të rrisim sa më shumë kapacitetet në mënyrë që të kalojmë në një nivel tjetër, me kapacitete të atilla teknike dhe profesionale që krijojnë kushtet për të pasur rroga shumë më të larta.
Shumë njerëz ankohen, “fasoneria”. I gjithë rajoni ka një segment të ekonomisë së vet dhe të punësimit që bazohet tek fabrikat me material porositësi. Po të shikoni rrogat, janë pak a shumë të njëjtat, sepse normalisht këto kompani vijnë dhe duke pasur një krah pune jo aq sa do duhet të ishte i kualifikuar për ne, por mjaftueshmërisht për ta, shfrytëzojnë koston e ulët të krahut të punës. Është krah pune me kosto të ulët. Ky është i gjithë problemi. Koston e krahut të punës nuk e rrit qeveria me një vendim, por e rrit procesi i formimit profesional, ashtu sikundër dhe një sërë elementësh të tjerë që vijnë me zhvillimin ekonomik.
Dje kemi marrë një lajm të mirë që shumëkush nuk është i prirur as ta besojë. Papunësia ka rënë për herë të parë pas 22 vitesh nën 13%, 12.5%. E thotë INSTAT-i, me metodologjinë që ka zhvilluar këtë proces llogaritjeje të papunësisë qysh prej vitit 2014. INSTAT-i në 2014-ën e kishte llogarinë e papunësisë mbi 18%, si rezultat i faktit që u nda INSTAT-i nga zyra e kryeministrit. Ju kujtohet kur dilte kryeministri përpara se të dilte INSTAT-i dhe të thoshte po rritemi më shumë se Gjermania. INSTATI u nda, u bë i pavarur realisht. Ajo që INSTAT-i thotë është reflektimi i asaj që shkruhet në raportin e fundit të Bankës Botërore.
Raporti më i fundit i Bankës Botërore thotë në të gjithë rajonin, Shqipëria ka ecurinë më pozitive në drejtim të punësimit. Këto janë fakte. Nuk kemi pse të mërzitemi. Nuk kemi pse të inatosemi. Nuk kemi pse të shfryjmë mllef, duke bërë akuza në hava përballë fakteve.
Kjo nuk do të thotë se ekonomia po lulëzon. Kjo nuk do të thotë që punësimi po lulëzon. Unë jam i vetëdijshëm që ne duhet të bëjmë shumë më tepër dhe që pagat e ulëta duhet të rriten. Por rritja e pagave të ulëta në sektorin privat nuk vjen se do qeveria. E tha qeveria me vendim dhe u bë. Ashtu edhe në sektorin publik. Vjen si rezultat i rritjes së kapaciteteve që ti ofron.
Çka është akoma më e rëndësishme është që ne sot shohim zhvillime shumë pozitive në bazën e ekonomisë, që janë reale dhe paralelisht kemi tani një shans të madh që duke vendosur disa baza dhe duke e ndryshuar imazhin e vendit, pavarësisht se nuk na kanë lënë gjë pa bërë këta brenda shtëpisë tonë për të na bërë bajat në sytë e botës por kemi një rritje galopante turizmi. Është një shans i madh, por është dhe një përgjegjësi e madhe sepse duet ti përgjigjemi me shtretër.
Mbërritëm 5 milion turistë vjet. Ne mund të shkojmë 10 milionë turistë në 10 vitet e ardhshme. Unë jam i bindur që edhe industria dhe natyra e investimeve dhe drejtimi investimeve do të fillojë të shkojë nga turizmi.
Pak nga pak, fabrikat me material porositësi, fasonët, kanë filluar të ndryshojnë. Kanë filluar të shkojnë drejt ciklit të mbyllur duke krijuar marka “Made in Albania”, por që është një proces i vështirë sepse cikli i mbyllur nuk do vetëm punëtorë me pagë të ulët. Cikli i mbyllur do një numër jo të vogël punonjësish të kualifikuar, dizajnë, teknologë e kështu me radhë, që po të shkoni neper ato fabrika janë shumica të huaj dhe një pjesë tjetër do të kthehen nga turizmi, do të investojnë në turizëm.
Këtu në Durrës ne e dimë shumë mirë se sa zhvillime ka pasur me investime të brendshme në bregdetin Adriatik vetëm vitin e fundit. Janë një sërë hotelesh të reja me standarde më të larta sesa të deritanishmet që janë hapur. Janë shumë njerëz që po punësohen nëpërmjet turizmit. Turizmi mund të punësojë, – e thotë raporti i BB, – 250 mijë njerëz nga afro 50 mijë që kemi pasur deri vjet, në turizëm. Në 10 vitet e ardhshme, kjo mund të sjellë një impakt të rëndësishëm në ekonomi, sepse turizmi rrit ndjeshëm ekonominë rurale, ekonominë e prodhimeve në fshat, rrit ndjeshëm ekonominë që vjen nga artizanati, nga tradita, rrit ndjeshëm kapacitetet për të gjeneruar para nëpërmjet ndërhyrjeve që janë ndërhyrje përreth industrisë.
Në Durrës, sot, falë ndryshimit të modelit të mënyrës se si ne i qasemi punësimit, kemi vetëm nga zyrat e punës mbi 1200 të punësuar, që do të thotë se jemi në një rrugë pozitive.
Edhe njëherë e përsëris, të gjitha këto nuk janë për të thënë, “shiko sa bukur, shiko sa mirë, etj.”. Absolutisht jo. Unë vazhdoj të mbetem vetë më i pakënaquri. Por, ama të mos jemi ne ata që themi të parët fjalën e keqe. Ajo që është mirë, është mirë. Ajo që nuk shkon, nuk shkon.
Më vjen mirë që, tani jemi çliruar nga mali i borxheve në kurriz. Një mal me borxhe. Një mandat për të larë borxhe për rrugë të lëna rrugëve dhe midis rrugës për t’u përfunduar dhe qeverisë, në çdo rrugë borxhe.
Megjithatë, po të shikojmë kilometrat e shtruara në çdo rrugë, faktikisht, janë më shumë ato që u bënë dhe janë bërë deri tani, sesa ato që bëri qeveria e mëparshme, e cila bëri tendera për shumë kilometra, por kilometra reale bëri shumë pak.
Tani ne hyjmë në fazën e kantierit të madh të investimeve publike, sepse tani kemi fuqi paguese, s’kemi më malin me borxhe mes nesh dhe të ardhmes.
Ditën e dielë, pas 100 vitesh ëndrra e heshtje, pritje, premtime, zotime, betime fillon kantieri i Rrugës së Arbrit. Është i pari. Po ashtu, do vazhdojmë me kantieret e Kashar-Thumanës, me kantierin e Milot-Balldrenit. Janë kantiere që do transformojnë një aks të rëndësishëm kombëtar në funksion dhe të prioritetit që kemi, të industrisë së turizmit dhe të rritjes së lëvizshmërisë dhe të sigurisë në rrugë për qytetarët, por edhe për turistët.
Rruga Shëngjin-Velipojë, – sot, për të shkuar nga Shëngjini në Velipojë duhet një orë e gjysmë, – do të bëhet për 20 minuta. Njëkohësisht po bëjmë studimin dhe besojmë deri në mes të korrikut do ta kemi gati, për rindërtimin dhe zgjerimin e rrugës Tiranë-Durrës. Rruga Tiranë-Durrës ka nevojë për një rindërtim dhe një zgjerim që të bëhet rruga kryesore lidhëse e metropolit Tiranë-Durrës me standarde europiane.
Paralelisht të rindërtojmë rrugën Tiranë-Ndroq-Plepa dhe rrugën e rindërtuar e të zgjeruar nga njëra anë ta bëjmë me pagesë, rrugën tjetër ta bëjmë pa pagesë dhe të krijojmë një shpejtësi shumë më të madhe lëvizjeje për të lidhur Tiranën me Durrësin.
Njëkohësisht rrugën e re Kashar-Rrogozhinë, në mënyrë që të shkojmë në Vlorë dhe drejt jugut me një distancë shumë më të shkurtër dhe me shpejtësi shumë më të madhe. Po ashtu rindërtimin e plotë, më në fund, të aksit nga Rrogozhina deri në Fier, që është një hata, që nuk merret vesh. Rrugë e qepur me dorë. Arna pas arnash. Tipike për rrobaqepësin Sali. Njësoj, siç i ka bërë të gjitha punët. E keni parë si është? Rrugë turistike është ajo?!
Kemi mundësinë t’i bëjmë këto dhe shumë më tepër se kaq se s’po i numëroj, rrugën e Delvinës me Kardhiqin poshtë që do shkurtojë goxha lidhjen me Sarandën dhe do evitojë të gjithë atë tororisje në Qafëm e Muzinës. Po kështu, By-Pass-in e Tepelenës. Po kështu rrugën e Orikumit, sepse shkon në Vlorë dhe sot të gjithë e thonë, deri dje s’lanë gjë pa thënë “c’është kjo që po bëhet në Vlorë”, sot Vlora është komplet gjë tjetër. Por, mbaron sapo del nga zona ku është investuar dhe vazhdon përsëri katundi i 28 viteve. Ndërkohë që i gjithë ai segment atje duhet të transformohet dhe ne do bëjmë rrugën e Orikumit dhe pastaj edhe tunelin e Llogarasë, në mënyrë që të evitohet, për ata që duan të shkojnë më shpejt dhe të mbrohet Parku Kombëtar i Llogarasë.
Do ndërtojmë aeroportin e Vlorës? Po, do ta ndërtojmë. Sa herë e keni dëgjuar? 20 e ca vjet, në çdo fushatë, do bëjmë një aeroport këtu, do bëjmë një aeroport atje. Në çdo vend ku shkonin do bënin aeroporte. Bënë ndonjë aeroport? Jo. Lanë vetëm Rinasin që kushton më shumë se çdo aeroport i Europës. Po të shikosh biletat – kanë shumë të drejtë njerëzit, – e atyre që vijnë nga Londra për në Tiranë janë të tmerrshme. Janë më të shtrenjtat për atë distancë në Europë. Shumica e atyre që vijnë nga Londra janë nga zona e veriut.
Do hapim aeroportin e Kukësit dhe do bëjmë që të vijnë me një çmim shumë më të lirë në Kukës. Aeroportin e Kukësit do ta hapim brenda këtij viti. Aeroportin e Vlorës do ta fillojmë brenda këtij viti. Po punojmë për aeroportin e Sarandës. Këto nuk janë përralla. Janë të gjitha projekte në faza të ndryshme, por që janë rrugës dhe që janë të gjitha çështje të këtij mandati. Por të gjitha këto do prodhojnë ekonomi. Të gjitha këto do rrisin punësimin. Për të gjitha ne na duhen njerëz të kualifikuar. Është gjynah që ne të bëjmë aeroportin e Vlorës dhe të marrim punëtorë nga Turqia. Ndërkohë që, e kemi vënë aty kriterin, që “duam që punëtorët të jenë shqiptarë”. Mirëpo problemi është që, njëkohësisht duhet t’i përgjigjemi edhe me kapacitete.
E fundit që kam, tek Durrësi dhe tek zona këtu, posaçërisht, ne kemi bërë ndryshime të mëdha. Nuk diskutohet që ka nevojë për shumë më tepër. Tani bashkë me Vangjushin do investojmë një bllok të madh në zonën e Shkëmbit të Kavajës për të gjithë transformimet e brendshme, rrugët, ndriçimi, pastrimi, të gjitha.
Duhet të mbyllim patjetër gangrenën e fushës së plehrave, që është një tmerr kombëtar, një turp dhe ta bëjmë park për qytetin. Ta bëjmë park për fëmijët. Ta bëjmë park për të moshuarit. Të prodhojë dhe energji, duke e mbyllur, por njëkohësisht duke shfrytëzuar pjesën e poshtme që mbetet dhe ndërkohë do garantojmë një proces që përpunimi i mbetjeve të bëhet në Tiranë. Nuk është Kina. Durrësi dhe Tirana bashkë janë një lagje e një qyteti të madh të Europës. Besoj që, brenda një periudhe të arsyeshme, unë shpresoj deri në vjeshtën e vitit të ardhshëm, ne ta kemi realizuar, të mos jetë më ajo aty, që është një tmerr.
Po kështu do vazhdojmë projekte transformuese edhe në zonën e shëtitores edhe në pjesën e Currilave dhe nuk diskutohet pastaj edhe në të gjitha ato pjesë që kanë nevojë për ndërhyrje.
Spitali i Durrësit, ju e dini shumë mirë, kush është nënë sidomos këtu, e di shumë mirë që Pediatria është një skandal. Do fillojmë rindërtimin e Pediatrisë. Do bëjmë një Pediatri model në Spitalin e Durrësit. Ndërkohë që, 1.2 milion euro është investimi për instrumentet kirurgjikalë dhe për centralin e sterilizimit. Kemi qëndruar 30 vjet me gërshërët dhe me bisturitë që solli Enver Hoxha kur ishte në marrëdhënie dashurie me kinezët, shto dhe vitet e tjera më pas, llogariteni vetë dhe me një sterilizim qesharak. 50 mijë operacione bëhen në vit. Raporti i operacioneve ishte një tmerr. Më shumë se gjysma e operacioneve përfundonin me infeksione post operatore jo nga mjekët, por nga instrumentet. 8 mijë operacione bëhen vetëm këtu për të gjithë zonën këtu. Atëherë si bëhet kjo punë? Duke modernizuar të gjithë procesin dhe duke garantuar me standardet më të larta instrumentet mjekësore.
Sot kemi marrë një vendim për një rritje të pensioneve. Është shumë e vogël në raport me çfarë duhet, por është 2.8%. Pra nuk kemi indeksuar pensionet vetëm në bazë të inflacionit, por kemi shkuar mbi inflacionin për t’i bërë një shtesë pensionistëve në 1 Korrik. Nuk është shumë, por ama janë gjëra që bëhen hap pas hapi.
Jam i bindur që, duke ecur hap pas hapi, pasi kemi vendosur disa baza, ne mund të bëjmë në këtë 4-vjecar një transformim real të ekonomisë dhe mund të sjellim dhe do të sjellim shumë më tepër të ardhura për familjet. E kemi thënë, duhet të kalojmë 5%-shin e rritjes ekonomike që të ndjehet te çdokush. Do ta kalojmë nuk diskutohet.
Po e mbyll dhe pastaj është fjala juaj, edhe njëherë aty ku e fillova. Kemi një problem që është problemi im më i madh dhe është shqetësimi, sekëlldia edhe turpi më i madh, kur njerëzit shkojnë nëpër zyra dhe nuk marrin atë që meritojnë dhe ngelen rrugëve për një copë letre. Por kjo është një gjë që ne mund ta zgjidhim së bashku. Mjafton që secili për hallin e vet të kërkojë të drejtën e vet 3 minuta, të shkruajë te Platforma dhe pastaj të presë. Punonjësit e administratës ta marrin vesh që çdokush që të vjen përpara, e njeh, s’e njeh ti, të duket ty i fortë, apo i dobët mund të të marrë në qafë, sepse, nëse ti nuk i jep të drejtën dhe ai shkruan atje, jo vetëm që ai do e marrë të drejtën por ti do ikësh nga puna.
Vetëm kështu ne mund t’i vendosim këta njerëz të papërgjegjshëm, pa ndërgjegje dhe pa turp, në presion nga lart dhe nga poshtë. Ka shumë njerëz të mirë në administratë. Ka shumë drejtues të mirë administrata. Por ka dhe një pjesë njerëzisht që janë të pakorrigjueshëm dhe që na marrin erzin të gjithëve ne që dalim dhe flasim këtu. Ama na duhet ndihma juaj për hallin tuaj, që ne t’ju gjendemi. Kam dëgjuar disa që thonë “c’është kjo, kjo është zëvendësim i shtetit”. Jo, kjo është thjesht një shpikje duke u bazuar tek teknologjia që na e jep këtë mundësi, tek telefonat që i kanë të gjithë nëpër xhepa dhe rrinë bëjnë fotografi dhe shumë mirë bëjnë që dalin në fotografi, se 50 vjet duhet të shkonim te Skënderbeu për të dalë në fotografi dhe tani nxjerrin të gjithë atë ankthin që dikur s’dilnin dot në fotografi vetë, shumë mirë, rrinë dhe në “Facebook” gjithë kohën, punë e tyre, por ai telefoni mund të të bëjë të pushtetshëm. Mjafton që ti të shkosh te platforma dhe të thuash çfarë halli ke. Kaq. Në vend se të rrish e të presësh, të vish vërdallë dhe zgjidhen gjërat. Por ajo që na intereson është që zgjidhet problemi juaj, por ndërkohë heqim qafe dhe një parazit, apo një grabitqar më shumë që rri aty dhe mirë që të ka penguar ty, por ka penguar dhe të tjerët.
Shumë faleminderit!
Fjalën e keni ju!
-Në bazë të atyre që ju përmendët i kam ndjekur të gjitha rrugët për fitimin e një drejtë të mohuar. Që nga viti 2015 është nxjerrë një VKM që akoma nuk është zbatuar. Bëhet fjalë për kthim në vendin e punës. Kam shkruar edhe në platformën e bashkëqeverisjes para dy muajsh dhe më kanë kthyer përgjigje që “nuk kemi disponibël dokumentet që na duhen”. Pasi jua dërgova dhe ato më kthyen një përgjigje të institucionit të DAP, ku më kanë hedhur sërish nëpër gjyqe.
Kryeministri Edi Rama: E thashë përpara pa ma thënë ju. Në rastet e proceseve gjyqësore, duhet të mbarojë njëherë procesi gjyqësor dhe pastaj ta shikojmë.
-Gjykata e Strasburgut e ka trajtuar këtë vendim. Është marrë në favorin tim. Ju si Këshill Ministrash keni marrë në 2015 një vendim për zbatimin e këtij vendimi dhe nuk është zbatuar akoma.
-Kryeministri Edi Rama: Ndërkohë që dikush tjetër merr fjalën, e verifikojmë që tani dhe ju jap unë përgjigje përfundimtare se çfarë kanë thënë ata. Por besoj që në rast se është kështu si thoni ju, kjo është e zgjidhur. Por, nuk ma ha mendja se është kaq e zgjidhur sa c’thoni. Por le ta shikojmë se çfarë përgjigje do të japin ata të platformës.
–Përshëndetje! Unë kisha problemin e shtëpisë. Ka 5 vite që diskutohet pronësia e shtëpisë. Gjykatën e shkallës së parë e kam fituar. Në apel nuk e fitova sepse personi tjetër pagoi. Tani më thonë dil nga shtëpia. Po ku do shkojmë ne pa u strehuar në vend tjetër, jemi gjithë këto familje. Dua një përgjigje nga ju.
Kryeministri Edi Rama: Përgjigja ime është kjo. Do ta pastrojmë sistemin e drejtësisë, që mos kemi padrejtësi të tilla në vazhdim. Nuk kemi një mundësi tjetër sepse nuk mund ta bëjë dot qeveria, gjykatësin. Ndërkohë që çështjen “me strehë apo pa strehë”, duhet ta trajtojë bashkia, nuk e trajtomë ne. Por, tek gjykatat jemi “pa gojë” të gjithë. Ajo që po bëjmë ne është që po bëjmë një reformë që duhet të ishte bërë me vite. Edhe njëherë tjetër, nuk jeni as e para as e fundit, për fat të keq, se tani që ne po flasim ata kushedi se çfarë po bëjnë sepse janë të tmerruar nga vetingu. Disa e dinë që nuk do e kalojnë dhe të thonë të kapim çfarë të kapim. Megjithatë unë besoj se historia nuk mbaron me kaq. Ata që përjashtohen nga vettingu nuk do shpëtojnë pa u kthyer dhe njëherë para gjyqit për problematikat që kanë krijuar.
–Jam një banore në lagjen Erzen, Shijak. E kemi bërë disa here problem lumin Erzen. Këtë vit na ka ardhur muaj për muaj, duke na përmbytur. Sidomos tani në muajin maj. Emergjencat e marrin vesh që ne do përmbytemi dhe vijnë na lajmërojnë. Falënderojmë shumë edhe çunat e zjarrfikëseve. Kam 51 vjet në atë lagje. Ketë situatë përmbytjesh që po përjetojmë këto vitet e fundit, asnjëherë se mendonim. Si do zgjidhet problemi ynë?
Kryeministri Edi Rama: Kjo çështje nuk ka përgjigje të thjeshtë. Unë e kuptoj që ju keni menduar që mjafton të na zgjidhni ne dhe lumi nuk do të vijë më, por puna është që lumi ka 30 vjet që është inatosur nga gërryerjet, nga plehrat, nga qeset plastike, nga gjithë mbeturinat që faktikisht na kanë sjellë në këtë gjendje.
E thashë, ne do të donim t’i bënim të gjitha dhe t’i bënim menjëherë, por nuk i bëjmë dot të gjitha dhe menjëherë sepse këto janë mundësitë. Për të bërë ndërhyrjet në lumenj kërkohet një investim shumë i madh dhe jo vetëm kaq, por problemi është që, sa mbrohet ai investim pastaj sepse njerëzit vazhdojnë të përsëritin të njëjtin avaz. Ne po bëjmë dy projekte të domosdoshme që besoj do të fillojmë t’i zbatojmë, për Vjosën dhe për Bunën që përmbysin dynjanë, siç e keni parë. Kemi marrë masa këto vite që kanë qenë pjesërisht të mjaftueshme dhe ndërkohë ajo që unë besoj se duhet të bëjmë është një vendim shumë radikal. Ne po e studiojmë. Ka shumë anë pozitive. Nuk është i lehtë se duhen matur të gjithë ato efektet negative që mund të ketë. Të ndalojmë qeset plastike në Shqipëri. Të mos ketë më qese plastike. Se me idenë që do edukohemi, do qytetërohemi , do të bëhemi patriotë, kur patriotët tregojnë veten që sa dalin nga shtëpia, se patriotë në stadium dhe patriotë për të dalë dhe për të bërtitur kundër komshinjve – është kollaj. Por patriotë është ai që mbron mjedisin e atdheut të vet dhe paguan taksat. Këtu fillon patriotizmi. Pastaj rritet deri në luftërat çlirimtare kur është nevoja. Kështu që po e studiojmë, do të shikojmë dhe kur ta vendosim do ta ndajmë me publikun, nëse do e vendosim dhe unë jam që të vendosim ndalimin përfundimisht të qeseve plastike në Shqipëri. Në mënyrë që gjithë kjo katrahurë të ndalet dhe që ku pastrojmë të mos na kthehet prapë për një javë siç ishte dhe mbi të gjitha të mbrojmë shkatërrimin e mëtejshëm të florës të faunës dhe të ardhmes së fëmijëve tanë. Konkretisht do të bëjmë aq sa mundemi dhe gjithçka mundemi do ta bëjmë me siguri që të zgjidhim këto situata. Kemi një situatë tjetër prapë me lumin në Fushë-Kruje që është një histori tjetër atje me urën. Aty prapë na duhet një ndërhyrje, do të bëjmë një financim, sepse dhe aty prapë ka probleme dhe me shiun më të parë të furishëm që bie, përmbytet menjëherë e gjithë puna që është bërë dhe njerëzit përmbyten. Këto janë situatat që i dimë.
-Kam tre vjet që kam dalë në pension. Më ka dalë pensioni 84 mijë lekë të vjetra, ndërkohë që kam 41 vjet punë. Nuk më njohin vitet nga 74-92 dhe dy pushime të lindjes që kam bërë.
Kryeministri Edi Rama: Më ke dalë në shteg sepse me dokumentet e pensionit kemi patur jo pak raste që janë zgjidhur përmes platformës së qeverisjes. Nuk e di rastin konkret. Nëse është çështje gjykatash, ne nuk e zgjidhim dot një çështje që e ka gjykata. Por sidoqoftë ju merreni mundimin tre minuta të aplikoni, nipi ose mbesa me siguri janë me telefon që të bëjnë fotografitë e dokumenteve. Për 10 ditë ne ju japim përgjigje se c farë mund të bëjmë për këtë çështje. Kemi patur disa raste, pikërisht me vitet e pensioneve dhe i kemi zgjidhur. Na i dërgo atje dokumentacionin dhe ne do t’i trajtojmë me shumë seriozitet.
Kryeministri Edi Rama: (Lidhur me verifikimin e çështjes së largimit nga puna) Zonjë, më thatë që nuk ju kanë kthyer përgjigje, por të kanë kthyer përgjigje që në muajin mars. E dyta, ju keni pasur një vend pune në Kapiteneri. Kapiteneria ka ndryshuar si institucion. Vendi i punës që ju keni pasur është një vend që dikush tjetër, i dalë nga konkursi i Departamentit të Administratës Publike, punon dhe ndërkohë DAP ju ka propozuar disa vende pune, jo një. Një nga vendet e punës që ju kanë propozuar është në Drejtorinë e Bujqësisë Durrës dhe me ligjin e shërbimit civil është vend pune në vijën paralele. Sipas ligjit, ju është propozuar vendi i punës dhe ju e keni refuzuar. Në bazë të ligjit të shërbimit civil, kur dikush që është larguar nga një vend pune rikthehet me vendim gjykate, ka detyrimin t’i japë vendin e punës në vijë paralele, në rast se ai vend pune është i zënë.
-Kam paguar faturën e ALUIZN-it në tetor të 2015-s. Është zonë B. Do marrim një përgjigje?
Kryeministri Edi Rama: Nuk është përgjigje vetëm për ty, se duhet të zgjidhet për gjithë zonën, se është zonë arkeologjike. Në zonë arkeologjike duhet marrë vendimi për të gjithë se çfarë do bëhet.
-Jam Sekretar i Shoqatës së Gjuetarëve. Do ju kërkoja në emër të gjithë gjuetarëve të Durrësit, por edhe të Shqipërisë, brenda një kuadri ligjor shumë të rreptë, të shihet mundësia edhe njëherë të na e lironi moratoriumin. Ky është një hall qejfi, nuk është hall halli.
Kryeministri Edi Rama: Çfarë nuk u është punuar këtu, me çifte në krah, lloj-lloj kafshëve dhe lloj-lloj zogjve. Nga moratoriumi jonë janë katërfishuar speciet. Kemi filluar të dëgjojmë zogjtë nga e para, se dëgjonim vetëm të bërtiturit e Saliut në miting.