Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Këshilli i Ministrave miratoi sot, vendime që lidhen drejtpërsëdrejti me masa konkrete në luftën pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cilat u bënë të ditura përmes një deklarate për shtyp nga Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha dhe Ministri i Drejtësisë Nasip Naço.

Ministrja Gjosha tha se hapat konkretë që do të ndërmerren, janë fryt i një pune të përbashkët dhe të mirëkoordinuar mes Ministrisë së Integrimit, ministrive të linjës, si dhe institucioneve të pavarura, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Ndërsa, Ministri i Drejtësisë Naço bëri me dije se ndryshimet që do të bëhen në kuadrin ligjor do t’i hapin rrugë Prokurorisë që nga java që vjen, të fillojë realisht të hetojë dhe të luftojë korrupsionin në Shqipëri.

 

  • Deklarata e plotë e Ministres së  Integrimit Klajda Gjosha:

 

“Vendimi i miratuar sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave ka të bëjë me një plan veprimi tepër të rëndësishëm për sa i përket hapave konkretë, në luftën që Qeveria do të ndërmarrë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Këto hapa konkretë janë punuar nga Ministria e Integrimit në koordinim të plotë me ministritë e linjës, ministritë më kryesore, siç janë Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme dhe Ministri i Çështjeve Vendore, si dhe me institucione të pavarura, Prokuroria e Përgjithshme dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, për të koordinuar dhe për të plotësuar të gjitha reformat që duhen ndërmarrë.

Ky plan veprimi është bërë dhe vjen pas rekomandimit tepër pozitiv që ne kemi marrë edhe nga Komisioni Evropian. Në bazë të këtij rekomandimi, për të ndërmarrë më tej hapa të rëndësishëm kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, Ministria e Integrimit do të punojë me të gjitha ministritë e linjës dhe me këto institucione të pavarura. Ne jemi me të vërtetë të vendosur për t’i çuar këto reforma deri në fund.

Këto hapa konkretë do të shpalosen edhe në tryezën e rrumbullakët që do të organizohet javën që vjen, ku zoti Füle do të jetë një nga drejtuesit kryesorë të kësaj tryeze së bashku me Kryeministrin. Në tryezën e dialogut të nivelit të lartë këto hapa konkretë do të shpalosen, në kuadër të mëtejshëm të procesit të integrimit, për hapjen e negociatave dhe për të vazhduar edhe më tej këtë proces të rëndësishëm.

Jemi të vendosur që të luftojmë krimin e organizuar dhe korrupsionin deri në fund, për ta çuar Shqipërinë sa më shpejt në familjen evropiane dhe për të ndërmarrë hapat më kryesorë  në procesin e integrimit evropian.

Faleminderit!”

 

 

  • Deklarata e plotë e Ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço:

 

“Qeveria shqiptare sot ka marrë një nga vendimet më të rëndësishme lidhur me strategjinë dhe luftën antikorrupsion që pjesë-pjesë, ne do ta zbatojmë deri në fund.

Një nga ndryshimet thelbësore që në kemi paraqitur dhe shumë shpejt nga sot do kalojnë në parlament, janë ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale që kanë të bëjnë me imunitetet e deputetëve,  të gjyqtarëve,  të cilat u bënë ndryshime në Kushtetutë, por nuk u shoqëruan me Kodin e Procedurës Penale. Përmirësimet që bëhen janë të ndjeshme për t’i hapur rrugë Prokurorisë, e cila që nga java që vjen të fillojë realisht të hetojë dhe të luftojë korrupsionin në Shqipëri.

Ndryshimet e tjera konsistojnë dhe tek kompetenca lëndore që i shtohen Prokurorisë dhe Gjykatës së Krimeve të Rënda për rastet e korrupsionit. Pra, ne e konsiderojmë korrupsionin një fenomen të rëndë që do të hetohet nga Gjykata  e Krimeve të Rënda për t’u thënë të gjithëve që e barazojmë njëlloj me organizatat kriminale, me bandat, sepse ky është një nga fenomenet më të përhapura në Shqipëri dhe ne duhet të jemi të denjë për t’u integruar.

Ndryshimet do të shkojnë akoma më tej.

Ne sigurisht duam që të dekurajojmë korrupsionin dhe për këtë kemi propozuar edhe në ligjin tjetër për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafiqeve, veprat penale të korrupsionit të futen në fushën e zbatimit; që do të thotë që duam ta luftojmë në zemër korrupsionin, duke vendosur sekuestro dhe konfiskim të pasurisë të të gjithë atyre që kanë një akuzë për korrupsion, apo u provohet korrupsioni. Ne jemi të bindur që me masat e marra do ta luftojmë realisht korrupsionin. Kjo, sepse ne kemi premtuar. Shqiptarët presin. Të gjithë kanë shpresë tek kjo maxhorancë që ka marrë mbështetjen dhe është votuar nga 1 milion shqiptarë.

Faleminderit!”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.