Kryeministri Edi Rama zhvilloi ditën e sotme një takim të veçantë me Kryeministrin e Republikës Popullore të Kinës, zotin Li Keqiang.
Gjatë këtij takimi, Kryeministri Rama theksoi rëndësinë e marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kinës, si edhe prioritetin që Qeveria shqiptare i ka dhënë projekteve rajonale në fushën e transportit, infrastrukturës dhe energjisë. Kryeministri Rama e njohu homologun kinez me reformat e ndërmarra nga Qeveria shqiptare, si edhe me disa nga projektet kryesore në fushat e lartpërmendura.
Kryeministri i Republikës Popullore të Kinës uroi zotin Rama për fitoren e zgjedhjeve dhe drejtimin e suksesshëm të Qeverisë. Zoti Li Keqiang vlerësoi marrëdhëniet e deritanishme mes dy vendeve dhe theksoi nevojën për nxitjen e tyre në fushën e tregtisë dhe industrisë.
Më parë, Kryeministri Rama ka zhvilluar disa takime dypalëshe edhe me Kryeministrin polak, çek, sllovak dhe estonez.