Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Gjermania është angazhuar në terma afatgjatë për të mbështetur Shqipërinë në zhvillimin e saj ekonomik. Gjatë Konsultimeve Qeveritare rreth politikave për zhvillim të datës 5 nëntor 2013, përfaqësues të të dy qeverive, shqiptare dhe gjermane, vendosën se si dhe në ç’formë do të vijohet më tej bashkëpunimi i ardhshëm.

Nën drejtimin e Zëvendëskryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Z. Niko Peleshi, dhe përfaqësueses së Ministrisë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Znj. Angela Eckert, u përcaktua vijimësia e projekteve të mbështetjes gjermane të miratuara në vitin 2012.

Në kuadër të angazhimit tradicional të Gjermanisë në sektorët e energjisë, zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë, furnizimit me ujë si dhe trajtimit të mbetjeve dhe ujërave të ndotur mendohet që në të ardhmen të konsolidohet në mënyrë të veçantë bashkëpunimi në sektorin e menaxhimit të mbetjeve. Pala shqiptare siguroi, se do të jepte mbështetjen e plotë për ndërtimin e linjës së tensionit të lartë Shqipëri-Kosovë.

Pala gjermane shprehu vlerësimin e saj për iniciativën e Qeverisë së re shqiptare për të ecur e vendosur në rrugën e luftës kundër korrupsionit dhe zgjidhjes së problemeve mjedisore.

Gjermania e mbështet gjerësisht Shqipërinë prej vitit 1988. Kështu, projekte të bashkëpunimit për zhvillim mes Gjermanisë dhe Shqipërisë kanë bërë të mundur garantimin e furnizimit të qindra mijëra njerëzve me ujë të pijshëm të pastër dhe energji elektrike. Krahas kësaj, shumëkund  është përmirësuar sistemi i trajtimit të mbetjeve dhe ujërave të ndotura – përmendim këtu Pogradecin, Korçën, Shkodrën, Elbasanin Beratin apo Gjirokastrën.

Veç të tjerash, projektet gjermano-shqiptare mbështesin gjerësisht shkollat e formimit profesional si dhe sipërmarrjet e vogla e të mesme, para së gjithash në rajonet rurale, duke nxitur kështu përmes masave në infrastrukturë dhe mbrojtje të mjedisit zhvillimin e potencialit turistik të vendit. Bashkëpunimi gjermano-shqiptar për zhvillim, ndikon ndër të tjera edhe në aftësimin e Shqipërisë për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

 

Fjala e Zëvendëskryeministrit Niko Peleshi, në Konsultimet Qeveritare rreth politikave për zhvillim në vijim të formësimit të mëtejshëm të Bashkëpunimit Ekonomik mes Gjermanisë dhe Shqipërisë:

 

“I nderuar Shkëlqesia juaj, Ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë Z. Hellmut Hoffmann,

E nderuar Znj. Angela Eckert, Referente për Shqipërinë në Ministrinë Federale për Bashkëpunim Ekonomik për Zhvillim,

Të nderuar Zëvendësministra,

Të nderuar pjesëmarrës,

Është kënaqësi e veçantë për mua të hap sot bisedimet për protokollin e bashkëpunimit midis Qeverisë Shqiptare dhe Qeverisë Gjermane. Ky takim dëshmon dhe njëherë rolin konstant që Gjermania ka luajtur në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe çka është më e rëndësishme, në mbështetje të procesit të integrimin evropian të Shqipërisë.

Këto konsultime mbahen në përvjetorin e 26 të bashkëpunimit dypalësh dhe rrjedhimisht  dëshmojnë historinë e gjatë të një miqësie të fortë midis dy vendeve tona.

Të gjithë jemi dëshmitarë që Shqipëria në këto dy dekada ka bërë hapa të rëndësishëm, por që tashmë akoma më shumë kërkohet që sfidat e të ardhmes t’i kthejmë në projekte konkrete dhe histori të përbashkëta suksesi. Programi i Qeverisë së re synon që të ndërmarrë me ritëm të lartë thellimin e reformave në drejtim të konsolidimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, si dhe krijimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe punëdhënëse.

Të nderuar përfaqësues të Qeverisë gjermane dhe të agjencive për bashkëpunim financiar dhe teknik, KFW dhe GiZ,

Dëshiroj të veçoj këtu se ndihma juaj ka qenë thelbësore në projekte të zhvillimit në sektorë prioritarë si energjia, infrastruktura dhe ujësjellës- kanalizimet. Gjithashtu, ju keni dhënë një mbështetje të vyer teknike për realizimin e reformave në fushën e shërbimeve bazë, si arsimi apo edhe rritja e konkurrueshmërisë ekonomike dhe punësimi.

Republika Federale e Gjermanisë është donatori i dytë më i madh për Shqipërinë për periudhën 2000-2012, me një vlerë angazhimi prej 715 milionë euro dhe çka më domethënëse, është donatori i parë dypalësh. Tregues i rëndësishëm është angazhimi i Qeverisë gjermane gjatë dy protokolleve të fundit 2010- 2012, me një fond prej 117 milion euro.

Për më tepër, vlen të përmendet roli i Gjermanisë si kontribuuesi i parë si vend anëtar i Bashkimit Evropian ndaj programit kryesor të asistencës së Komisionit Evropian- IPA.

Projekte strategjike janë investuar me asistencën e Qeverisë gjermane për sektorë prioritarë si: Ujësjellës Kanalizime që prej vitit 1992, Banka Gjermane për Zhvillim (KFW) ka qenë dhe mbetet financuesi më i madh i investimeve në sektorët e furnizimit me ujë, administrimin e mbetjeve, trajtimit të ujërave të përdorura dhe mbrojtjen e mjedisit, të shtrira në disa zona urbane dhe rurale të vendit.

Mund të veçojmë programet e investimeve masive në shumë qytete të vendit. Programi aktual i infrastrukturës bashkiake I-II, me vlerë 30 milion euro, për rehabilitimin e rrjeteve të ujësjellës – kanalizimeve në më shumë se 7 qytete, si Saranda, Gjirokastra, Lushnja, Fieri, Korça, Berati, Kuçova, Lezha, si dhe projekte të veçanta infrastrukturore në Pogradec, me një buxhet 10 milionë euro dhe Shkodër, 12 milionë euro, të cilat përmbushin nevojat tona imediate për këto shërbime të rëndësishme për komunitetin.

Gjithashtu, Programi i Infrastrukturës Rurale, me vlerë 44 milion euro, po synon të sjellë infrastrukturë të rehabilituar në vende të largëta dhe të thella, duke u bërë motor zhvillimi për ekonomitë rurale. Në këtë sektor, KFW ka rolin e zbatuesit të disa programeve në bashkëfinancim me IPA, si edhe donatorë të tjerë, duke mundësuar që asistenca në këtë sektor të alokohet mbi bazë programi sektorial dhe e mirëkoordinuar.

Sektori i energjetikës është shtylla e dytë e bashkëpunimit financiar me një gamë të gjerë aktivitetesh. Ato përfshijnë kryesisht investime për përmirësimin e sistemit të transmetimit, ku vlen të theksohet linja Tiranë-Podgoricë, me vlerë 45 milion euro, apo rehabilitimin e hidrocentraleve kryesorë në jug të vendit, Bistrica I dhe II.

Me synimin për t’u bërë pjesë e tregjeve rajonale të energjisë, bashkërisht me KFW-në, ne po fillojmë një projekt tjetër madhor dhe me rëndësi të veçantë për ne, si linja e Interkonjeksionit me Kosovën, duke siguruar për të dy vendet diversifikim burimesh dhe rrjedhimisht, qëndrueshmëri energjetike. Në të ardhmen, ne shpresojmë të realizojmë edhe linjën e transmetimit me Maqedoninë, duke i dhënë kështu rajonit një perspektivë të re për sektorin energjitik.

Bashkëpunimi teknik për ne ka një rëndësi po aq të madhe, ku Zyra e GIZ është prezente në sektorët e zhvillimit të qëndrueshëm social-ekonomik, punësim dhe furnizim me ujë. Ne shprehim besim të plotë që projektet që sapo kemi programuar, me vlerë 8.1 milion euro, në sektorët e arsimit profesional, zhvillimit rural dhe reforma në sektorin e ujit, do të kenë impaktin e dëshiruar nga ne.

Do të vlerësoja rolin e Zyrës së KFW-së dhe të GIZ, që janë shumë aktiv në koordinimin e ndihmës së huaj, duke marrë rolin e donatorit kryesor në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, energjisë, si dhe bujqësisë dhe zhvillimit rural.

Ne shpresojmë që prioritete e reja të Qeverisë shqiptare, si menaxhimi i integruar i mbetjeve dhe i ujërave do të jenë pjesë e bashkëpunimit të ardhshëm midis dy vendeve tona.

Në përfundim, dua të theksoj këtu vullnetin e plotë që Qeveria e re shqiptare dhe strukturat përkatëse të koordinimit dhe programimit të ndihmës së huaj, kanë për ta çuar në një nivel më të lartë dhe më cilësor dialogun me partnerët tanë për zhvillim. Për ne do të jetë e rëndësishme mbështetja e Qeverisë gjermane për të orientuar financimin drejt rezultateve të prekshme dhe me impakt të gjerë në zhvillimin e sektorëve dhe jo vetëm në nivel projekti.

Në këtë kontekst është thelbësore që Qeveria shqiptare dhe partnerët e saj për zhvillim të adoptojnë një përqasje në bazë sektori, ku prioritet sektoriale janë të mirëkoordinuara me programimin buxhetor afatmesëm dhe financimin e huaj.

Jam i sigurt që Qeveria gjermane, krahas Komisionit Evropian, do të jetë aktive në promovimin e këtyre e këtyre mekanizmave të rinj të bashkëpunimit!

Ju falënderoj dhe uroj punë të mbarë në diskutimin e sotëm!”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.