Tre kryeministrat Rama, Thaçi dhe Erdoğan i janë drejtuar së bashku banorëve në një tubim në qytetin e Prizrenit.
Kryeministri Rama, gjatë fjalës së tij përshëndetëse u shpreh se ndihej jashtëzakonisht i nderuar për prezencën e tij në krah të dy miqve shumë të shtrenjtë. Prizreni për Kryeministrin shqiptar është qyteti, ku kulturat dhe besimet janë jo vetëm në harmoni shpirtërisht, por dhe ku objektet e kultit janë shumë pranë dhe në harmoni fizikisht.
Më poshtë fjala e Kryeministrit Edi Rama:
“Shumë të nderuar miq dhe vëllezër, Kryeministra të Kosovës dhe Turqisë,
Shumë të dashur vëllezër,
Të dashura motra,
Të dashur qytetarë dhe qytetare të Prizrenit, të këtij simboli të Ballkanit të së djeshmes, të sotmes dhe të së nesërmes.
Zona ku ndodhej hoteli ku qëndrova herën e fundit në Stamboll quhet Ortakëj (“Ortaköy”). Ortakëj, që në shqip do të thotë “fshat i mesëm” dhe më treguan që një libër i njohur në turqisht fliste për fshatin e mesëm që u quajt kështu, si lagjja në mes, për shkak të shqiptarëve, që mbronin sulltanin Abdulhamit, i cili rrinte në Jëldëz Saraj (Yıldız Saray). “Fshati i mesëm,” Ortakëj, është mes Arnavutkëj (Arnavautköy), shqip “fshati shqiptar,” ku ishin vendbanimet e ushtarëve dhe pallatit mbretëror Jëldëz Saraj.
Në qendër të vet Ortakëj, bashkon në një hapësirë ecjeje rreth 5 minuta, një xhami të shekullit të 19-të, një sinagogë historike dhe një kishë, po ashtu me histori shumë të hershme. Ndërthurja e këtyre relikeve të çmuara të kulturave dhe të besimeve të ndryshme në një hapësirë shumë të vogël, por të ruajtur me aq kujdes, të kujton Prizrenin.
Ky është qyteti, ku kulturat dhe besimet janë jo vetëm në harmoni shpirtërisht, por dhe ku objektet e kultit janë shumë pranë dhe në harmoni fizikisht.
Prizreni qëndron bashkë, i pandarë dhe i pandashëm, njësoj si Kosova që qëndron bashkë e pandarë dhe e pandashme. Qëndron bashkë si një pasuri, që pikërisht pse është kështu me objekte dhe kultura që jetojnë në harmoni përbën një vlerë që e bën Prizrenin një nga pasuritë më të çmuara të historisë dhe të ardhmes së Ballkanit. Dhe besoj se nuk ka sfond më të bukur, sesa historia e këtij qyteti dhe nuk ka vend më të bukur sesa sheshi i këtij qyteti, për të qenë së bashku si përfaqësues të Kosovës, të Turqisë dhe të Shqipërisë, si tre kryeministra, të tre vendeve, ku dy popuj vëllezër mundohen të ndërtojnë së bashku ardhmërinë e tyre. Unë besoj që edhe mikpritja e jashtëzakonshme që qyteti i ofroi mikut dhe vëllait tonë të shtrenjtë, kryeministrit Erdoğan është shprehje e së shkuarës, e të sotmes, dhe e së nesërmes së një miqësie që vetëm mund të forcohet.
Më e bukura e së shkuarës, e historisë me emrin “Ortaköy” është se ata ushtarët që ndaleshin për të pushuar në Ortakëj, ndërsa kalonin nga vendbanimi Arnautkëj për vendin e punës “Jëlldëz Saraj,” ata vinin nga Prizreni. Kjo nuk do të thotë që prizrenasit bënë Ortakëj, apo që larmishmëria e Ortakëj bëri Prizrenin, sepse qoftë Ortakëj, qoftë Prizreni janë dy realitete shumë më të vjetra sesa kjo histori, por kjo mbase do të thotë, që prizrenasit e zgjedhin bukur rrugën ku kalojnë, që nuk mund të jetë tjetër përveçse rruga e mirëkuptimit, në emër të miqësisë së të shkuarës dhe të së ardhmes së fëmijëve të tyre.
Prandaj, më lejoni t’ju them me gjithë zemër që ndihem jashtëzakonisht i nderuar, që jam këtu sot në krah të dy miqve shumë të shtrenjtë, kryeministrit Erdoğan dhe kryeministrit Thaçi dhe njëkohësisht ndihem i privilegjuar, që ju më dhatë mundësinë të flas përpara jush dhe që më duruat me kaq shumë dashamirësi.
Faleminderit!
Zoti e bekoftë Prizrenin!
Zoti e bekoftë Kosovën! “