Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama e cilësoi mbylljen provizore të tre kapitujve të parë të negociatave me Bashkimin Evropian si një tjetër gur kilometrik në rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë në BE. Në përfundim të Konferencës së IX Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Evropian, ku u zyrtarizua mbyllja provizore e Kapitullit 25 “Shkenca dhe Kërkimi”, Kapitullit 26 “Arsimi dhe Kultura” dhe Kapitullit 30 “Marrëdhëniet me Jashtë”, kryeministri deklaroi se ky zhvillim përbën një vlerësim të qartë për progresin e Shqipërisë dhe rezultatet e reformave të ndërmarra.

“Nuk është thjesht një hap në këtë proces të gjatë, por një vlerësim i qartë që Shqipëria po ecën përpara, që reformat po japin rezultate dhe që vendi ynë është gjithnjë e më i përgatitur për të marrë përsipër përgjegjësitë e anëtarësimit”, u shpreh kryeministri Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin irlandez për Çështjet Evropiane dhe Mbrojtjen, Thomas Byrne, dhe Komisioneren e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos.

Kryeministri Rama theksoi se procesi i integrimit mbetet i bazuar në meritë dhe rezultate konkrete, duke nënvizuar se Shqipëria do të vijojë reformat për afrimin e standardeve evropiane, forcimin e institucioneve dhe ndërtimin e një vendi të gatshëm për të marrë përgjegjësitë e anëtarësimit. Ai shtoi se përparimi i Shqipërisë dhe reagimi i Bashkimit Evropian ndaj rezultateve të arritura dëshmojnë funksionimin e një procesi negociues të bazuar në meritë.

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, e cilësoi nisjen e mbylljes së kapitujve si një moment të rëndësishëm për Shqipërinë dhe për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Sipas saj, ky zhvillim u bë i mundur pas përmbushjes së kushteve të ndërmjetme në grupkapitullin “Themeloret” dhe shënon hyrjen e negociatave në një fazë të re. Ajo theksoi se reformat, veçanërisht në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duhet të vijojnë me të njëjtin ritëm, duke rikonfirmuar mbështetjen e Komisionit Evropian për Shqipërinë gjatë procesit të anëtarësimit.

Ministri irlandez për Çështjet Evropiane dhe Mbrojtjen, Thomas Byrne, vlerësoi ritmin e avancimit të Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit, duke theksuar se vendi ka hapur të gjashtë grupkapitujt negociues brenda një viti dhe tashmë ka nisur fazën e mbylljes së kapitujve. Ai nënvizoi se Bashkimi Evropian pret vijimin e reformave, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit, ndërsa riafirmoi mbështetjen e Irlandës për avancimin e mëtejshëm të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.