Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Pesë nga studiot më të njohura ndërkombëtare të arkitekturës sjellin vizionet e tyre për transformimin e një prej pikave më të rëndësishme të Tiranës. Në zemër të kryeqytetit, projekti “Tirana Fountain Plaza” prezanton pesë propozime arkitektonike për zhvillimin e hapësirës së njohur si “Taivani”, në Parkun Rinia, duke hapur një kapitull të ri në transformimin urban të Tiranës drejt vitit 2030.

Në një konkurs ndërkombëtar të kërkuar nga shteti, me nismë të sipërmarrjes private, pesë studio me emër në arkitekturën bashkëkohore — Barozzi Veiga nga Spanja, BIG – Bjarke Ingels Group dhe COBE nga Danimarka, si dhe l’AUC dhe JDSA – Julien De Smedt Architects nga Franca — paraqitën vizionet e tyre për një zhvillim që synon të harmonizojë nevojat e një Tirane në rritje me hapësirën publike, identitetin urban dhe historinë e vendit.

***

Fjala e Kryeministrit Edi Rama: Sot ne rikthehemi të bëjmë atë që dimë të bëjmë më mirë kur vjen puna tek zhvillimi i projekteve me rendësi të veçantë të cilat tanimë prej vitesh në Shqipëri ua besojmë profesionistëve e me profile dhe me karriera të veçanta në fushën e planifikimit, në fushën e projektimit arkitektonik dhe të ndërtimit të objekteve që kanë një impakt me rëndësi për qytete tona, një impakt me rëndësi për zona të caktuara ku lidhen bashkë zhvillimi individual i një prone me zhvillimin më tërësor të një komuniteti apo të vendit.

Dhe faktikisht sot ne jemi këtu për të adresuar, ose më saktë për të riadresuar zhvillimin e një prone ku siç e patë dhe nga filmi, në krye të herës u ngrit një park dhe më pas po aty në atë park u ngrit një ndërtesë e cila ishte nga të paktat ndërtesa në kohën e komunizmit ku njerëzit mund të takoheshin jo për mbledhje, jo për punë në shërbim të ndërtimit të komunizmit, por për të kaluar kohën e lirë .

E mbajnë mend shumë mirë të gjithë që aso kohe në Shqipëri koha e lirë kalohej në këmbë dhe pikat e shërbimeve për të ngrenë apo për të pirë diçka së bashku apo për të pirë qoftë dhe një kafe quheshin vetëshërbime dhe rrihej në këmbë sepse ndenja ulur bashkë me njerëz, miq dhe të afërm ishte në vetvete një kërcenim për stabilitetin e regjimit pasi duke u ulur dhe duke bërë muhabet njerëzit mund të merrnin rrugë qorre në arsyetimet e tyre kështu që më mirë të rrinin në këmbë.

Aty te Parku Rinia u ngrit një nga strukturat e  para dhe të pakta për tu ulur, një strukturë e cila për nga forma iu dha njerëzve mendimin që ta pagëzonin si Taivani sepse iu dukej si një arkitekturë kineze, por duke qenë se nuk e kishin Kinën fort përzemër ia vunë emrin Taivani.

Më pas struktura u ri transformua pasi erdhi koha kur ndenja ulur me shoqërinë u bë pjesë e rëndësishme e jetës së përditshme dhe Taivani i cili në ndërkohë kishte kaluar dhe proceset e privatizimeve u kthye në një ngrehinë për shumë më tepër njerëz, për shumë më tepër shërbime dhe ku natyrisht objektivi kryesor i atyre që e administrojnë është t’i mbajnë njerëzit sa më shumë ulur dhe mundësisht t’i lënë pa punë.

Sot jemi këtu përsëri për një zhvillim tjetër të asaj godine e cila ka nevojë të transformohet për të adresuar nevojat dhe ambiciet e një qyteti që sot nuk është më ai që ishte as në vitet ’50 kur u krijua Parku Rinia, as më pas në fund të viteve ’70, fillim të viteve ’80 kur u ndërtua Taivani, as në vitet e para 2000 kur Taivani rimori një tjetër volum, por jemi praktikisht në një kohë kur nevojat janë shumë më të mëdha dhe ambiciet janë shumë më të mëdha dhe si jo pak projekte të tjera, ky është një projekt i sipërmarrjes private në një pronë private. Është një projekt që për arsye se zhvillohet në zemër të parkut, brenda perimetrit të pronës private, aty ku aktualisht jemi në kushtet që duhet rindërtuar, por nga ana tjetër ndërtimi do ketë një impakt të rëndësishëm në gjithë hapësirën përreth, po zhvillojmë një konkurs ndërkombëtar duke ia besuar në radhë të parë një mundësie zgjedhjeje të gjere vendimin për cila do të jetë mënyra sesi do të ri konceptohet dhe ri zhvillohet Taivani dhe nga ana tjetër duke besuar shumë fort që me arkitektët që i janë vëne në dispozicion kësaj sfide do të kemi mundësi të bëjmë një zgjedhje e cila te jetë më e mira e mundshme për zhvillimin e asaj prone, por dhe për vetë kryeqytetin.

Nuk mund të rri dot sot pa thënë se unë vazhdoj të besoj dhe besoj gjithmonë e me shumë, se rruga që kemi zgjedhur për të ftuar në Shqipëri dhe për të përfshirë në këtë fazë historike ëndrrash dhe ambiciesh të mëdha, një numër të konsiderueshëm arkitektësh ndërkombëtar, jo vetëm që është rruga e vetme për të sotmen, por është rruga më e mirë për të nesërmen.

Dhe duke qenë se kjo rrugë është vënë nën agresionin e një pjese të caktuar të opinionit apo edhe nën agresionin e një pjese të caktuar të medias së interesuar ndërkombëtare, unë dua të ndaj me ju disa shkëmbime që kemi pasur në ditët e fundit me një gazetar të njohur që paraqitet si kritik i arkitekturës i cili kishte çuar një sërë pyetjesh që në këndvështrimin tim janë të pabesueshme për nga sipërfaqësia dhe njëkohësisht dhe nga mendjelehtësia me të cilën janë ndërtuar, por nuk është ai fajtori, natyrisht ai është në të drejtën e tij t’i bëjë të gjitha pyetjet, por është mënyra krejt e shtrembër e të parit të diçkaje të jashtëzakonshme që po ndodh me Shqipërinë dhe në Shqipëri. Duke filluar nga ajo që ai e quan “the opacity of decision making”.

Nëse ka vendimmarrje transparente, nëse ka vendimmarrje të bëra me një ndjenjë të fortë përgjegjësie por njëkohësisht edhe më një dëshirë të madhe për të arritur në një vendimmarrje më të mirë, janë pikërisht vendimmarrjet e këtyre konkurseve ku faktikisht shumica e jurisë janë arkitektë, janë urbanistë, janë profesorë, akademikë të njohur të cilët janë tërësisht të lirë që të vendosin për projektet dhe ku siç e  tregojnë të gjitha shënimet e jurive, nga ana e palës shqiptare që është në minorancë, asnjëherë nuk ka një orientim apo një ndikim mbi jurinë që ta detyrojë jurinë që të marrë një vendim ndryshe nga ai që vjen natyrshëm nga mendimi profesional.

Pastaj, flitet për në pyetjet e tij për ‘’distraction of heritage’’, ndërkohë që e kundërta është e vërtetë. Edhe këtu, në rastin e parkut ne jemi përpara një cope historie, por nga ana tjetër jemi përpara një pjesë të asaj cope ku gjatë historisë ka pasur një transformim dhe transformimi ka ndodhur qysh në kohën e komunizmit kur edhe vetë komunistët e panë të arsyeshme që aty të ndërtojnë diçka dhe pastaj më pas, kur zhvillimi ekonomik në kushtet e ekonomisë së tregut solli domosdoshmërinë që ai ndërtim të transformohet dhe pastaj përsëri kur kushtet e reja kërkojnë një transformim të ri. Ndërkohë që është shumë e qartë edhe në perimetrin e përcaktuar nga konkursi që çfarëdo që do të vendoset dhe çfarëdo që do të zhvillohet, do të duhet të rivlerësojë dhe të ndikojë në rigjenerimin e edhe të vetë Parkut, pa prekur asgjë që aty natyra ka si prani, por duke shtuar.

Tjetra është absurditeti që me demek në projektet tona, ne bëjmë nxjerrjen me forcë nga shtëpitë të njerëzve për të imponuar projekte që arkitektët ndërkombëtarë i bëjnë pa pasur parasysh njerëzit. Përveçse kjo është një mungesë e pajustifikueshme respekti për personalitet e një bote ku ka shumë më tepër përgjegjshmëri dhe ka shumë më tepër sens të përkatësisë ndaj vendit se sa ka në komentatorët e punëve ë tyre, kjo është pastaj edhe totalisht e pavërtetë. Nuk ka ndodhur në Shqipëri asnjëherë, në asnjë rast dhe për asnjë arsye që të bëhet nxjerrja me forcë e askujt nga shtëpia për të zhvilluar një projekt privat, dhe në asnjë rast, asnjë pronari legjitim nuk i është penguar liria e tij për të vendosur vetë nëse do të zhvillojë apo s’do të zhvillojë ndërkohë që nga ana tjetër, ne e dimë shumë mirë që kemi sfida herë pas here me  zaptues të pronave të tjerëve, të cilët janë pjesë e proceseve të legalizimeve dhe edhe për ata, ligji është shumë i qartë dhe ne asnjëherë nuk kemi mbajtur anën e pronarit apo të zhvilluesit nëse pronari dhe zhvilluesi nuk kanë garantuar që për personin i cili gjendet aty, të jepet një kontratë qiraje për diku tjetër për një numër të caktuar vitesh, të paguhet nga zhvilluesi deri kur personi apo familja të hynë në programe të trajtimit të strehimit nga ana e bashkive.

Dhe ajo që është pastaj kulmi në këtë qasje të këtij gazetari, po janë të gjithë këta që bëjnë këto komente, është që arkitektët e huaj vijnë në Shqipëri për të bërë ‘’art ëashing buldozer politics’’ dhe për të realizuar gjëra që janë jashtë standardeve. Ndërkohë që e vërteta është krejt e ndryshme. Ne kemi pasur vazhdimisht diskutime mbi rregullimin, kemi pasur vazhdimisht diskutime për shumë pengesa që kanë dalë në rrugën e zhvillimit urban dhe të zhvillimit arkitektonik në vende europiane, por kjo nuk do të thotë që ne në Shqipëri ndërtojmë pa rregulla, apo ne në Shqipëri bëjmë diçka që në vendet e tjera do ishte e papranueshme dhe e palejueshme dhe dua ta mbyll këtë hyrje duke thënë që në fakt ka diçka shumë të qartë për mua, në gjithë këtë qasje agresive ndaj gjithë këtij procesi, ndaj gjithë këtyre projekteve që është xhelozia.

Është xhelozia e njerëzve mediokër dhe e njerëzve të cilët kapen pas nacionalizmit, kapen pas pasaportës, kapen pas faktit që janë pjesë e komunitetit lokal edhe nuk kapen pas profesionit, pas argumenteve dhe pas mundësisë për të qenë konkurrues, në ndërkohë që janë shumë arkitektë dhe janë shumë profesionistë të rinj shqiptarë të cilët janë pjesë e këtij transformimi dhe janë pjesë e punës me arkitektët e huaj dhe kjo e bën Shqipërinë jo vendin ku arkitektët vendas përjashtohen, po e bën Shqipërinë vendin ku arkitektët vendas kanë mundësi shumë më shumë se në vende të tjera që të rriten profesionalisht duke punuar me arkitektë që janë në nivelin më të lartë sot të mendimit dhe të punës në këtë profesione të jashtëzakonshëm. Sot Shqipëria dhe Tirana janë ‘’universiteti ‘’më i madh i hapur në natyre i arkitekturës. Sot arkitektët e rinj shqiptarë kanë mundësi që të takojnë, që të  ndjekin, që të punojnë konkretisht me  mjeshtra.

Për të shkuar për të bërë një stazh 1-mujor në studion e secilit prej këtyre mjeshtrave që janë këtu sot, duhet të aplikosh edhe ke një shans 1 në 1000. Dhe mund të shkosh të rrish 1 muaj në studion e tyre dhe mund të mos kesh kurrë shansin që ta takosh atë arkitektin për të folur sy më sy.

Ndërkohe që këtu, arkitekti që ti dëshiron të takosh 1 herë në jetë për të bërë një fotografi, vjen  dhe ti je pjesë e projektimit bashkë me të.

Dhe unë jam i bindur që në disa vite më pas, ne do kemi arkitektë tanët që do jenë në gjendje të konkurrojnë edhe përtej Shqipërisë dhe do kemi një, dy emra shqiptarë që do jenë pjesë e kësaj elite në kuptimin e mirë të fjalës.

Dhe të mos e harrojmë dhe një gjë tjetër dhe po e mbyll, ndërtimi i kullave është kaq kompleks, është kaq delikat dhe kërkon kaq shumë profesionistë të bërë bashkë, saqë ne duhet ta pranojmë që ne nuk e kemi akoma në Shqipëri te gjithë kapacitetin dhe nuk i kemi të gjitha dijet për të bërë ndërtime të kësaj natyre. Duhet ta pranojmë këtë gjë sepse i kemi parë tentativat dhe jemi shumë të qartë që kjo gjë do të vijë hap pas hapi, pro për të ardhur deri këtu na duhet dhe gjithë ky proces, na duhet dhe gjithë ky komunitet arkitektësh. Pra këtu nuk kemi të bëjmë me një komunitet biznesmenësh që vijnë nga të gjitha anët e botës për të shfrytëzuar Shqipërinë. Këtu kemi të bëjmë me një komunitet dijeje, me një komunitet vizionesh, me një komunitet talentesh, me komunitet krijuesish që sjellin në Shqipëri, patjetër profesionalizmin e tyre për të bërë projekte, por sjellin në Shqipëri gjithashtu dhe një kulturë krejt të re dhe hedhim bazat e një shkolle shqiptare të arkitekturë. Kështu që duke i falënderuar që të gjithë arkitektët e pranishëm, duke falënderuar konkurruesit, duke falënderuar anëtarët e jurisë, unë po kthehem edhe një herë në anglisht për ta mbyllur.

Këtë do të bëjmë sepse këtë gjë dimë të bëjmë më mirë, që të luftojmë për një të ardhme më të mirë.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.