Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 20 Nëntor 2026:
V E N D I M
PËR
EMËRIMIN E NJË ANËTARI TË KOMISIONIT KOMBËTAR RREGULLATOR TË SEKTORIT TË FURNIZIMIT ME UJË DHE LARGIMIT E PËRPUNIMIT TË UJËRAVE TË NDOTURA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 3 e 5, të nenit 4, të ligjit nr.8102, datë 28.3.1996, “Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Kamelia Vojka emërohet anëtar i Komisionit Kombëtar Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RIFORCIMIT TË BANESAVE INDIVIDUALE NË BASHKITË SHIJAK, VORË DHE KRUJË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nënndarjes “i”, të shkronjës “b”, nenit 13, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 319 350 424 (treqind e nëntëmbëdhjetë milionë e treqind e pesëdhjetë mijë e katërqind e njëzet e katër) lekë pa TVSH, për financimin e riforcimit të banesave individuale për ata individë, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë, që rezultojnë me shkallë dëmi DS4 dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, por kanë nevojë për punime rikonstruksioni, në bazë të aktekspertizave të thelluara, në bashkitë Shijak, Vorë dhe Krujë, sipas detajimit të mëposhtëm:
a) Bashkisë Shijak i transferohet fondi, në masën 20 376 100 (njëzet milionë e treqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e njëqind) lekë pa TVSH;
b) Bashkisë Vorë i transferohet fondi, në masën 221 966 407 (dyqind e njëzet e një milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë e katërqind e shtatë) lekë pa TVSH;
c) Bashkisë Krujë i transferohet fondi, në masën 77 007 917 (shtatëdhjetë e shtatë milionë e shtatë mijë e nëntëqind e shtatëmbëdhjetë) lekë pa TVSH.
2. Efekti financiar përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2026, dhe i transferohet bashkive Shijak, Vorë dhe Krujë në formën e transfertës së pakushtëzuar.
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe bashkitë Shijak, Vorë dhe Krujë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KALIMIT TË KONTRATËS SË QIRASË, NDËRMJET BASHKISË TEPELENË, SI QIRADHËNËS, DHE SHOQËRISË “ZAGROTURIZËM”, SH.P.K., SI QIRAMARRËS, NË KONTRATË ME TARIFË 1 EURO/KONTRATA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të aktit normativ nr.4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008, të ndryshuar, dhe në vijim të pikës 6, të kreut V, të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontratave të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e kalimit të kontratës së qirasë nr.997 rep., nr.554 kol., datë 16.9.2024, ndërmjet Bashkisë Tepelenë, si qiradhënës, dhe shoqërisë “ZAGROTURIZËM”, sh.p.k., si qiramarrës, në kontratë me tarifë 1 euro/kontrata.
2. Ngarkohet Bashkia Tepelenë për lidhjen e kontratës së qirasë me tarifë 1 (një) euro/kontrata me shoqërinë “ZAGROTURIZËM”, sh.p.k., dhe për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KRITEREVE DHE TË MASËS SË PËRFITIMIT TË QIRASË PËR STREHIM TË PUNONJËSVE OPERACIONALË TË AGJENCISË SË MBIKËQYRJES NË SISTEMIN E EKZEKUTIMIT TË VENDIMEVE PENALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 62, të ligjit nr.28/2026, “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përcaktimin e kritereve dhe të masës së përfitimit të pagesës së qirasë për strehim për punonjësit operativë të Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (në vijim, punonjësi i Agjencisë), të cilët transferohen në detyrë jashtë vendbanimit të përhershëm brenda dhe jashtë vendit dhe të cilëve nuk u sigurohet akomodimi nga Agjencia.
2. Kur punonjësi i Agjencisë nuk ka në ngarkim persona të tjerë familjarë, me të cilët zhvendoset jashtë vendbanimit të përhershëm, i paguhet qiraja e banesës për sipërfaqe banimi deri në 30 (tridhjetë) m² neto. Për çdo person familjar shtesë, sipërfaqja neto shtohet me 10 (dhjetë) m².
3. Punonjësi i Agjencisë, që transferohet jashtë vendbanimit të tij të përhershëm brenda vendit, përfiton kompensim për qira banese, nëse transferohet për shkak të detyrës, për nevoja pune, në largësi mbi 36 (tridhjetë e gjashtë) km.
4. Numri i personave, pjesëtarë të familjes, në ngarkim të punonjësit të Agjencisë, vërtetohet nëpërmjet certifikatës familjare, në momentin e transferimit.
5. Masa e përfitimit të kompensimit për strehim të jetë sa vlera minimale e qirasë mujore, sipas përcaktimeve në pikën 2, të vendimit nr.469, datë 3.6.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e vlerës minimale të çmimit të referencave të qirave të ndërtesave për qëllime tatimore”.
6. Punonjësi i Agjencisë, që përfiton kompensim për qira banese, paraqet pranë strukturës përgjegjëse të burimeve njerëzore dokumentet e mëposhtme:
a) Kërkesën me shkrim për kompensimin e qirasë së banesës;
b) Fotokopjen e kartës së identitetit;
c) Kontratën e noterizuar të qirasë së banesës, ku është transferuar;
ç) Vërtetimin nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës se ai ose pjesëtarët e familjes, që ka në certifikatën e gjendjes familjare, nuk kanë banesë apo nuk kanë aplikuar për legalizim banese, në juridiksionin territorial, ku është emëruar ose transferuar.
7. Në rast se dokumentacioni i parashikuar në pikën 6, të këtij vendimi, është i plotë dhe punonjësi nuk përfiton nga kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit, struktura përgjegjëse për burimet njerëzore përgatit praktikën dhe ia paraqet për miratim drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale.
8. Punonjësi i Agjencisë përfiton kompensim për qira, sipas këtij vendimi, për aq kohë sa zgjat transferimi i tij, ose deri në sistemimin me banesë të përhershme në vendin e punës, ku është transferuar.
9. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË DOGANAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 15, të ligjit nr.102/2014, “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Z. Besmir Beja, drejtor i Përgjithshëm i Doganave, lirohet nga kjo detyrë.
2. Z. Fation Shehu, emërohet drejtor i Përgjithshëm i Doganave.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PJESSHME TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI TË BASHKISË HIMARË, TË QARKUT TË VLORËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e listës përfundimtare të pjesshme të pronave të paluajtshme publike shtetërore, brenda juridiksionit territorial dhe administrativ të Bashkisë Himarë, që transferohen në pronësi të saj, sipas lidhjes 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Lista përbëhet, gjithsej, nga 2 (dy) fletë formulari, 8 (tetë) planrilevime e 2 (dy) planimetri dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi.
3. Ngarkohen Bashkia Himarë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
MASAT PËRGATITORE DHE SHOQËRUESE PËR PJESËMARRJEN E ARDHSHME TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË SISTEMIN E INFORMACIONIT TË TREGUT TË BRENDSHËM (IMI)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 36, të ligjit nr.42/2026, “Për lirinë e vendosjes dhe ofrimit të shërbimeve në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
Ky vendim përcakton masat përgatitore dhe shoqëruese për zbatimin e ligjit nr.42/2026, “Për lirinë e vendosjes dhe ofrimit të shërbimeve në Republikën e Shqipërisë” (në vijim, ligji nr.42/2026), duke ngritur bazën institucionale, organizative dhe procedurale për pjesëmarrjen e ardhshme të Republikës së Shqipërisë në Sistemin e Informacionit të Tregut të Brendshëm (IMI) dhe konkretisht:
a) strukturën kombëtare përgatitore të koordinimit me sistemin IMI, autoritetet kompetente dhe personat institucionalë të kontaktit;
b) rregullat organizative dhe procedurale për përgatitjen e bashkëpunimit administrativ dhe, pas aktivizimit të aksesit, sipas pikës 2, të nenit 17, të këtij vendimi, shkëmbimin e informacionit nëpërmjet sistemit IMI;
c) masat për trajnimin e nëpunësve dhe, me referencë te legjislacioni në fuqi, garancitë për mbrojtjen e të dhënave personale në kuadër të përgatitjes e të përdorimit të ardhshëm të sistemit IMI;
ç) mënyrën, afatet, formën dhe procedurat për hartimin, miratimin e paraqitjen e njoftimeve dhe të raporteve, sipas nenit 35, të ligjit nr.42/2026.
Neni 2
Fusha e zbatimit
1. Ky vendim zbatohet për ministrinë përgjegjëse për ekonominë dhe tregtinë dhe për të gjitha autoritetet kompetente, në nivel qendror, rregullator e vendor, që marrin pjesë në përgatitjen e bashkëpunimit administrativ në fushat e mbuluara nga ligji nr.42/2026.
2. Deri në aktivizimin e aksesit sipas pikës 2, të nenit 17, ky vendim rregullon vetëm punën përgatitore kombëtare: ngritjen e strukturave, mbajtjen e regjistrave, trajnimin, simulimet para anëtarësimit dhe procedurat e brendshme ndërmjet autoriteteve shqiptare. Gjatë kësaj faze, çdo referencë në këtë vendim, për shkëmbimin e informacionit nëpërmjet sistemit IMI, kuptohet si procedurë e brendshme përgatitore dhe nuk përfshin asnjë shkëmbim me autoritetet e shteteve anëtare ose me Komisionin Evropian.
3. Bashkëpunimi administrativ operacional, nëpërmjet sistemit IMI, për qëllime të shkëmbimit të informacionit dhe të ndihmës së ndërsjellë me autoritetet kompetente të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe me Komisionin Evropian, në përputhje me kreun VI, të ligjit nr.42/2026, kryhet vetëm pas aktivizimit të aksesit sipas pikës 2, të nenit 17, të këtij vendimi.
Neni 3
Përkufizime
Termat e përdorur në këtë vendim kanë të njëjtin kuptim me atë të përcaktuar në ligjin nr.42/2026, ndërsa termat e mëposhtëm, për qëllime të zbatimit të këtij vendimi, kanë këto kuptime:
a) “Sistemi IMI”, Sistemi i Informacionit të Tregut të Brendshëm, mjeti elektronik i centralizuar që zhvillohet, mirëmbahet e vihet në dispozicion nga Komisioni Evropian për bashkëpunimin administrativ ndërmjet autoriteteve kompetente të shteteve anëtare dhe Komisionit Evropian;
b) “Koordinatori kombëtar përgatitor i IMI-t”, struktura e ngarkuar me detyrat përgatitore dhe koordinuese për pjesëmarrjen e ardhshme të Republikës së Shqipërisë në sistemin IMI, e cila, pas aktivizimit të aksesit sipas pikës 2, të nenit 17, të këtij vendimi, ushtron funksionin e koordinatorit kombëtar të IMI-t (NIMIC);
c) “Koordinator sektorial”, personi ose struktura e caktuar sipas nenit 7, të këtij vendimi, përgjegjës për koordinimin e përgatitjes në një fushë legjislative të caktuar dhe që, pas aktivizimit të aksesit, mund të ushtrojë funksionin e koordinatorit të deleguar të IMI-t (DIMIC);
ç) “Menaxhuesi i aksesit”, funksioni i regjistrimit ose i vërtetimit të regjistrimit të autoriteteve dhe të përdoruesve në sistemin IMI dhe i administrimit të të drejtave të aksesit, i cili ushtrohet vetëm pas aktivizimit të aksesit sipas pikës 2, të nenit 17, të këtij vendimi;
d) “Autoritet kompetent”, çdo organ i ngritur në nivel qendror, rregullator ose vendor, me përgjegjësi, sipas kuadrit ligjor në fuqi, për zbatimin e ligjit nr.42/2026 ose të legjislacionit sektorial në një ose më shumë fusha legjislative;
dh) “Person institucional i kontaktit”, nëpunësi i caktuar nga çdo autoritet kompetent si pikë referimi për komunikimin me koordinatorin kombëtar përgatitor të IMI-t gjatë fazës përgatitore dhe që, pas aktivizimit të aksesit, kryen funksionin e pikës së kontaktit, sipas kreut VI, të ligjit nr.42/2026;
e) “Përdorues i ardhshëm i IMI-t”, personi fizik që punon nën përgjegjësinë e një autoriteti kompetent, i paraidentifikuar dhe i trajnuar për t’u regjistruar si përdorues i IMI-t pas aktivizimit të aksesit, sipas pikës 2, të nenit 17, të këtij vendimi;
ë) “Fushë legjislative”, fusha e tregut të brendshëm, në të cilën kryhet bashkëpunimi administrativ nëpërmjet sistemit IMI, si fusha e shërbimeve sipas ligjit nr.42/2026;
f) “Modul”, procedura e paracaktuar e bashkëpunimit administrativ e vënë në dispozicion në sistemin IMI për një fushë legjislative të caktuar;
g) “Simulim para anëtarësimit”, ushtrimet e trajnimit dhe të testimit, që riprodhojnë procedurat e sistemit IMI pa lidhje me sistemin operacional, përfshirë, kur vihet në dispozicion nga Komisioni Evropian, përdorimin e mjedisit të trajnimit të IMI-t.
Neni 4
Raporti me të drejtën e Bashkimit Evropian
1. Dispozitat e këtij vendimi zbatohen pa cenuar zbatueshmërinë e drejtpërdrejtë të rregullores (BE) nr.1024/2012 dhe të akteve të saj zbatuese, me anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
2. Deri në datën e anëtarësimit, ose deri në një datë më të hershme të përcaktuar shprehimisht nga një akt i zbatueshëm i Bashkimit Evropian ose nga një marrëveshje a rregullim detyrues me Bashkimin Evropian ose me Komisionin Evropian, ky vendim rregullon vetëm ngritjen e strukturave institucionale, rregullat procedurale dhe kapacitetet administrative të nevojshme për pjesëmarrjen e ardhshme në sistemin IMI.
3. Përpara aktivizimit formal të aksesit, sipas pikës 2, të nenit 17, të këtij vendimi, asnjë autoritet nuk mund të pretendojë statusin e IMI-t, të regjistrojë përdorues operacionalë në sistemin IMI ose të transmetojë a të shkëmbejë informacion nëpërmjet sistemit IMI.
4. Termat dhe konceptet e përdorura në këtë vendim interpretohen në përputhje me parimet e rregullores (BE) nr.1024/2012 dhe të akteve zbatuese të miratuara në bazë të saj, për aq sa është e nevojshme për përgatitjen e pjesëmarrjes së ardhshme.
5. Me anëtarësimin, kur dispozitat e këtij vendimi mbivendosen me rregulloren (BE) nr.1024/2012 ose me aktet e saj zbatuese, këto të fundit zbatohen drejtpërdrejt dhe kanë përparësi. Ky vendim nuk vendos rregulla për çështjet që rregullohen drejtpërdrejt nga ajo rregullore.
KREU II
STRUKTURA INSTITUCIONALE PËRGATITORE
Neni 5
Koordinatori kombëtar përgatitor i IMI-t
1. Ministria përgjegjëse për ekonominë dhe tregtinë caktohet si koordinatori kombëtar përgatitor i IMI-t dhe përgatitet të marrë përsipër, pas aktivizimit të aksesit, sipas pikës 2, të nenit 17, të këtij vendimi, funksionin e koordinatorit kombëtar të IMI-t (NIMIC) dhe të menaxhuesit të aksesit.
2. Gjatë fazës përgatitore, koordinatori kombëtar përgatitor i IMI-t vepron si struktura kryesore koordinuese në nivel kombëtar dhe si pikë referimi për komunikimin me Komisionin Evropian për çështjet përgatitore, që lidhen me pjesëmarrjen e ardhshme në sistemin IMI, pa ushtruar asnjë funksion aksesi, regjistrimi ose administrimi brenda sistemit IMI.
3. Funksionet e koordinatorit kombëtar të IMI-t (NIMIC) dhe të menaxhuesit të aksesit brenda sistemit IMI ushtrohen vetëm pas aktivizimit të aksesit sipas pikës 2, të nenit 17, të këtij vendimi.
4. Brenda ministrisë, detyrat e koordinatorit kombëtar përgatitor të IMI-t ushtrohen nga struktura përgjegjëse për tregun e brendshëm dhe bashkëpunimin administrativ, e cila përcaktohet me urdhër të ministrit përgjegjës për ekonominë dhe tregtinë.
Neni 6
Detyrat e koordinatorit kombëtar përgatitor të IMI-t
1. Gjatë fazës përgatitore, koordinatori kombëtar përgatitor i IMI-t:
a) mban dhe vërteton regjistrin e autoriteteve kompetente, të personave institucionalë të kontaktit dhe të fushave legjislative përkatëse, sipas nenit 8, të këtij vendimi;
b) organizon trajnimin, simulimet para anëtarësimit dhe mbështetjen për autoritetet kompetente, përfshirë për mbrojtjen e të dhënave personale;
c) koordinon përgatitjen institucionale dhe teknike për lidhjen e ardhshme me sistemin IMI, në bashkëpunim me institucionin përgjegjës për qeverisjen elektronike;
ç) vepron si pikë kontakti për komunikimin me Komisionin Evropian për çështjet përgatitore.
2. Pas aktivizimit të aksesit sipas pikës 2, të nenit 17, të këtij vendimi, koordinatori kombëtar përgatitor i IMI-t ushtron detyrat e koordinatorit kombëtar të IMI-t dhe, në veçanti:
a) regjistron ose vërteton regjistrimin e koordinatorëve dhe të autoriteteve kompetente në sistemin IMI, në cilësinë e menaxhuesit të aksesit;
b) siguron funksionimin efikas të sistemit IMI në nivel kombëtar, përfshirë përgjigjet në kohë dhe të përshtatshme ndaj kërkesave për bashkëpunim administrativ;
c) vepron si ndërlidhës i Komisionit Evropian për çështjet që lidhen me sistemin IMI.
3. Regjistri i personave institucionalë të kontaktit përmban vetëm të dhënat personale të nevojshme për përmbushjen e qëllimit të tij. Aksesi në këto të dhëna u lejohet vetëm personave të autorizuar, duke garantuar zbatimin e masave të përshtatshme teknike dhe organizative për sigurinë dhe konfidencialitetin e tyre.
Neni 7
Koordinatorët sektorialë
1. Pas konsultimit me koordinatorin kombëtar përgatitor të IMI-t, caktohen koordinatori sektorial dhe zëvendësi i tij për fushën legjislative përkatëse me urdhër të titullarit të autoritetit kompetent përkatës (ministrit), kreut të autoritetit të pavarur rregullator ose organit drejtues të njësisë së vetëqeverisjes vendore (kryetarit të bashkisë).
2. Ministri përgjegjës për ekonominë dhe tregtinë cakton me urdhër koordinatorë sektorialë vetëm brenda ministrisë dhe institucioneve të varësisë së saj.
3. Koordinatorët sektorialë veprojnë nën koordinimin e koordinatorit kombëtar përgatitor të IMI-t dhe e informojnë atë rregullisht për veprimtarinë e tyre. Pas aktivizimit të aksesit sipas pikës 2, të nenit 17, të këtij vendimi, ata mund të ushtrojnë funksionin e koordinatorëve të deleguar të IMI-t për fushën e tyre legjislative.
Neni 8
Autoritetet kompetente
1. Çdo autoritet kompetent konfirmon me shkrim fushën e tij legjislative të kompetencës, e cila rrjedh nga kuadri ligjor në fuqi, dhe cakton personin institucional të kontaktit dhe përdoruesit e ardhshëm të IMI-t.
2. Koordinatori kombëtar përgatitor i IMI-t mban e vërteton listën e autoriteteve kompetente dhe të fushave legjislative përkatëse, mbi bazën e konfirmimeve sipas pikës 1, të këtij neni, dhe e përditëson atë pa vonesë sa herë që ndryshon. Koordinatori nuk përcakton kompetencën ligjore të autoriteteve, e cila rrjedh vetëm nga kuadri ligjor në fuqi.
3. Pas aktivizimit të aksesit sipas pikës 2, të nenit 17, të këtij vendimi, autoritetet kompetente bashkëpunojnë, nëpërmjet sistemit IMI, duke vepruar nëpërmjet përdoruesve të IMI-t e në përputhje me procedurat e bashkëpunimit administrativ, dhe sigurojnë që përgjigjja të jepet brenda afatit më të shkurtër të mundshëm dhe, në çdo rast, brenda afatit të caktuar.
Neni 9
Personat institucionalë të kontaktit
1. Çdo autoritet kompetent cakton personin institucional të kontaktit dhe zëvendësin e tij. Gjatë fazës përgatitore, të dhënat e tyre i komunikohen vetëm koordinatorit kombëtar përgatitor të IMI-t dhe përditësohen pa vonesë sa herë që ndryshojnë.
2. Personat institucionalë të kontaktit lehtësojnë komunikimin ndërmjet autoritetit kompetent dhe koordinatorit kombëtar përgatitor të IMI-t, përgatitjen e regjistrave dhe pjesëmarrjen në trajnime dhe në simulimet para anëtarësimit.
3. Pas aktivizimit të aksesit, sipas pikës 2, të nenit 17, të këtij vendimi, të dhënat e kontaktit u komunikohen shteteve anëtare dhe Komisionit Evropian dhe personat institucionalë të kontaktit kryejnë funksionin e pikave të kontaktit, sipas pikës 3, të nenit 28, të ligjit nr.42/2026. Përdoruesve të IMI-t u jepen vetëm të drejtat e aksesit në modulet e nevojshme për kryerjen e detyrave të tyre.
4. Të dhënat personale të personave institucionalë të kontaktit ruhen për aq kohë sa janë të nevojshme për përmbushjen e qëllimit të përpunimit dhe fshihen kur nuk ekziston më një nevojë e ligjshme për ruajtjen e tyre, veçanërisht në rastet kur personat përkatës nuk ushtrojnë më funksionet, për të cilat janë caktuar.
Neni 10
Natyra e sistemit IMI dhe mbështetja teknike
1. Sistemi IMI është një aplikacion qendror në internet, që zhvillohet, mirëmbahet e vendoset nga Komisioni Evropian. Pjesëmarrja në sistemin IMI nuk kërkon ngritjen e ndonjë sistemi kombëtar të veçantë dhe as ndërtimin e ndonjë ndërfaqeje automatike me sistemin IMI.
2. Detyrat teknike në nivel kombëtar kufizohen në sigurimin e aksesit të sigurt në internet për përdoruesit e ardhshëm të IMI-t, të pajisjeve të nevojshme të punës dhe, sipas rastit, të mjeteve të identifikimit elektronik, si dhe në mbështetjen bazë për përdoruesit.
3. Koordinatori kombëtar përgatitor i IMI-t siguron mbështetjen e parashikuar, sipas pikës 2, të këtij neni, në përputhje me kërkesat teknike të publikuara nga Komisioni Evropian dhe legjislacionin në fuqi.
KREU III
BASHKËPUNIMI ADMINISTRATIV
Neni 11
Procedurat e bashkëpunimit administrativ
1. Dispozitat e këtij kreu, për aq sa lidhen me shkëmbimin e informacionit nëpërmjet sistemit IMI, zbatohen vetëm pas aktivizimit të aksesit, sipas pikës 2, të nenit 17, të këtij vendimi. Deri në atë datë, ato shërbejnë si kuadër referimi për trajnimin, simulimet para anëtarësimit dhe përgatitjen e procedurave të brendshme.
2. Bashkëpunimi administrativ nëpërmjet sistemit IMI bazohet në modulet dhe në procedurat e bashkëpunimit administrativ, që zbatojnë dispozitat përkatëse të kreut VI, të ligjit nr.42/2026.
3. Kërkesat për informacion, për kryerjen e kontrolleve, inspektimeve dhe hetimeve duhet të jenë të arsyetuara, duke specifikuar arsyen e kërkesës dhe, sipas rastit, bazën e saj ligjore. Informacioni i shkëmbyer përdoret vetëm në lidhje me çështjen për të cilën është kërkuar dhe trajtohet në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.
4. Autoritetet kompetente u përgjigjen kërkesave për bashkëpunim administrativ brenda afatit më të shkurtër të mundshëm dhe, në çdo rast, brenda afatit të caktuar nga procedura përkatëse; kur një kërkesë nuk mund të përmbushet brenda atij afati, autoriteti kompetent informon pa vonesë autoritetin kërkues dhe koordinatorin kombëtar përgatitor të IMI-t, duke shpjeguar arsyet.
Neni 12
Konfidencialiteti dhe sekreti profesional
1. Autoritetet kompetente dhe përdoruesit e IMI-t u nënshtrohen rregullave të sekretit profesional dhe detyrimeve të barasvlershme të konfidencialitetit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
2. Autoritetet kompetente sigurojnë respektimin e kërkesave të autoriteteve të tjera pjesëmarrëse për trajtimin konfidencial të informacionit të shkëmbyer nëpërmjet sistemit IMI, në përputhje me legjislacionin shqiptar në fuqi.
3. Trajtimi konfidencial, sipas pikës 2, të këtij neni, nuk cenon detyrimet që rrjedhin nga legjislacioni për të drejtën e informimit, nga urdhrat ose vendimet gjyqësore, ose nga detyrime të tjera ligjore për dhënien e informacionit, të parashikuara nga legjislacioni shqiptar në fuqi.
KREU IV
MBROJTJA E TË DHËNAVE PERSONALE
Neni 13
Mbrojtja e të dhënave personale
1. Shkëmbimi dhe përpunimi i të dhënave personale nëpërmjet sistemit IMI, pas aktivizimit të aksesit, sipas pikës 2, të nenit 17, të këtij vendimi, kryhen në përputhje me ligjin nr.124/2024, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, dhe me rregulloren (BE) nr.1024/2012 dhe aktet e saj zbatuese.
2. Çdo autoritet, që përpunon të dhëna personale në kuadër të këtij vendimi, është kontrollues për veprimtarinë e tij të përpunimit dhe siguron që subjektet e të dhënave të informohen për përpunimin dhe të mund të ushtrojnë të drejtat e parashikuara në legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale, përfshirë të drejtën e aksesit, të korrigjimit e të fshirjes.
3. Të dhënat personale të përpunuara në sistemin IMI, përfshirë të dhënat e përdoruesve të IMI-t, ruhen, bllokohen e fshihen brenda afateve dhe në përputhje me garancitë e parashikuara në rregulloren (BE) nr.1024/2012 dhe në legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.
4. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale është autoriteti përgjegjës për mbrojtjen e të dhënave personale dhe mbikëqyr në mënyrë të pavarur ligjshmërinë e përpunimit të të dhënave personale në kuadër të këtij vendimi, në përputhje me ligjin nr.124/2024. Autoritetet kompetente bashkëpunojnë me Komisionerin dhe i vënë në dispozicion çdo informacion të nevojshëm për ushtrimin e funksioneve të tij mbikëqyrëse.
KREU V
TRAJNIMI, NJOFTIMET DHE RAPORTET
Neni 14
Trajnimi i nëpunësve dhe simulimet para anëtarësimit
1. Koordinatori kombëtar përgatitor i IMI-t, në bashkëpunim me institucionet kompetente, organizon trajnimin e nëpunësve dhe simulimet para anëtarësimit për përdorimin e sistemit IMI, përfshirë njohuritë për mbrojtjen e të dhënave personale, me qëllim ndërtimin e kapaciteteve administrative për pjesëmarrje efektive në bashkëpunimin administrativ dhe në mekanizmin e ndihmës së ndërsjellë.
2. Simulimet para anëtarësimit kryhen pa lidhje me sistemin operacional IMI dhe, kur vihet në dispozicion nga Komisioni Evropian, nëpërmjet mjedisit të trajnimit të IMI-t.
3. Koordinatori kombëtar përgatitor i IMI-t mban regjistrin e nëpunësve të trajnuar dhe siguron vijueshmërinë e programit të trajnimit.
Neni 15
Kanalet dhe vlerësimi i përbashkët
1. Pas aktivizimit të aksesit, sipas pikës 2, të nenit 17, të këtij vendimi, njoftimet dhe raportet transmetohen nëpërmjet Sistemit të Informacionit të Tregut të Brendshëm (IMI) ose, sipas rastit, nëpërmjet Sistemit të Transparencës për Informacionin mbi Rregullat Teknike dhe Shërbimet e Shoqërisë së Informacionit (TRIS), në përputhje me legjislacionin përkatës të Bashkimit Evropian.
2. Njoftimet e paraqitura nëpërmjet sistemit TRIS konsiderohen të barasvlershme me njoftimet nëpërmjet sistemit IMI, kur përmbajtja dhe informacioni i raportuar janë identike dhe të aksesueshme nga Komisioni Evropian dhe shtetet anëtare.
3. Ministria përgjegjëse për ekonominë dhe tregtinë cakton me urdhër ministri koordinatorin e njoftimeve, që ka për detyrë të koordinojë dhënien e përgjigjeve ndaj komenteve ose kërkesave për sqarim nga Komisioni Evropian ose shtetet anëtare, dhe përgatit raportin përmbledhës të vlerësimit të përbashkët, në bashkëpunim me autoritetet kompetente.
4. Pas aktivizimit të aksesit, sipas pikës 2, të nenit 17, të këtij vendimi, autoritetet kompetente mund të paraqesin, nëpërmjet ministrisë përgjegjëse për ekonominë dhe tregtinë, komente mbi masat në projekt të njoftuara nga shtetet anëtare nëpërmjet sistemit IMI.
Neni 16
Mënyra, forma dhe afatet
1. Autoritetet kompetente i transmetojnë ministrisë përgjegjëse për ekonominë dhe tregtinë projektaktet dhe informacionin e nevojshëm për vlerësimin paraprak dhe për njoftim, në formatet standarde të miratuara nga ministria, të paktën 30 (tridhjetë) ditë përpara datës së parashikuar të miratimit të masës.
2. Pas aktivizimit të aksesit sipas pikës 2, të nenit 17, të këtij vendimi, ministria e paraqet njoftimin në Komisionin Evropian përpara miratimit të masës, sa herë që është e mundur. Kur, për arsye urgjence të justifikuara nga një arsye madhore e interesit publik, një masë është miratuar pa njoftim paraprak, ministria e njofton Komisionin Evropian pa vonesë dhe jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pas miratimit të saj, duke shpjeguar arsyet e urgjencës. Njoftimi nuk pezullon hyrjen në fuqi të masës.
3. Kur Komisioni Evropian ose një shtet anëtar paraqet komente ose kërkesë për sqarim, ministria koordinon përgjigjen dhe e paraqet atë brenda afatit të caktuar nga Komisioni Evropian dhe, në çdo rast, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga marrja e komenteve, përveçse kur bihet dakord për një afat më të gjatë.
4. Emrat dhe të dhënat e kontaktit të organeve të përcaktuara në përputhje me ligjin nr.42/2026 i komunikohen Komisionit Evropian brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga aktivizimi i aksesit, sipas pikës 2, të nenit 17, të këtij vendimi, ose, nëse caktimi bëhet më vonë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga caktimi i tyre, dhe përditësohen pa vonesë sa herë që ndryshojnë.
5. Ministria përgjegjëse për ekonominë dhe tregtinë miraton, me udhëzim, formatet standarde, kanalet e komunikimit dhe procedurën e brendshme për hartimin, miratimin dhe paraqitjen e njoftimeve dhe raporteve, brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
KREU VI
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
Neni 17
Zbatimi me faza dhe aktivizimi i aksesit
1. Strukturat institucionale, regjistrat, rregullat procedurale, masat për trajnimin e nëpunësve dhe simulimet para anëtarësimit, të parashikuara në këtë vendim, ngrihen dhe vihen në funksionim që nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
2. Dispozitat e mëposhtme të këtij vendimi zbatohen nga data e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian ose nga një datë më e hershme e përcaktuar shprehimisht nga një akt i zbatueshëm i Bashkimit Evropian ose nga një marrëveshje a rregullim detyrues me Bashkimin Evropian ose me Komisionin Evropian, në përputhje me nenin 41, të ligjit nr.42/2026 (në vijim, aktivizimi i aksesit):
a) pika 3, e nenit 2;
b) nenet 5, pika 3, dhe 6, pika 2;
c) nenet 8, pika 3, dhe 9, pika 3;
ç) nenet 11 e 12, për aq sa lidhen me shkëmbimin e informacionit nëpërmjet sistemit IMI;
d) neni 13, për aq sa lidhet me përpunimin e të dhënave personale në sistemin IMI;
dh) nenet 15 e 16, pikat 2, 3 e 4.
3. Deri në datën e aktivizimit të aksesit, sipas pikës 2, të këtij neni, zbatohet ndalimi i parashikuar në pikën 3, të nenit 4, të këtij vendimi.
4. Koordinatori kombëtar përgatitor i IMI-t raporton çdo vit te ministri përgjegjës për ekonominë dhe tregtinë për gatishmërinë institucionale dhe teknike për lidhjen me sistemin IMI, duke pasqyruar rezultatet në raportin vjetor të monitorimit, sipas nenit 38, të ligjit nr.42/2026.
Neni 18
Burimet financiare
Shpenzimet për zbatimin e këtij vendimi përballohen nga buxheti i miratuar për institucionet përkatëse. Ministria përgjegjëse për ekonominë dhe tregtinë parashikon në buxhetin e saj vjetor fondet e nevojshme për përgatitjen e pjesëmarrjes në sistemin IMI dhe, pas aktivizimit të aksesit sipas pikës 2, të nenit 17, të këtij vendimi, për administrimin e tij në nivel kombëtar.
Neni 19
Shfuqizimi i dispozitave në datën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian
1. Në datën e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, shfuqizohen dispozitat e këtij vendimi, që rregullojnë drejtpërdrejt procedurat e bashkëpunimit administrativ, shkëmbimin e përpunimin e informacionit nëpërmjet Sistemit të Informacionit të Tregut të Brendshëm (IMI), për aq sa këto çështje rregullohen nga rregullorja nr.1024/2012 e Bashkimit Evropian dhe aktet e saj zbatuese.
2. Dispozitat e këtij vendimi, që përcaktojnë organizimin institucional kombëtar, caktimin e koordinatorit kombëtar dhe të autoriteteve kompetente, si dhe masat organizative dhe administrative të nevojshme për funksionimin e sistemit IMI, mbeten në fuqi për aq sa nuk bien në kundërshtim me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Neni 20
Hyrja në fuqi
1. Hyrja në fuqi e këtij vendimi nuk sjell aktivizimin e shkëmbimit të jashtëm të informacionit. Dispozitat e këtij vendimi, që kërkojnë aktivizimin e aksesit në sistemin IMI ose në një sistem tjetër njoftimi të Bashkimit Evropian, zbatohen në përputhje me pikën 2, të nenit 17, të këtij vendimi.
2. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.145, DATË 11.3.2026, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E DOKUMENTIT TË POLITIKAVE PRIORITARE 2027 – 2029”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 16, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe në vijim të pikës 5, të vendimit nr.887, datë 27.12.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e menaxhimit të investimeve publike”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Aneksi 1, i përmendur në kreun V, “Lista Unike e Projekteve me Rëndësi Kombëtare”, i Dokumentit të Politikave Prioritare 2027 – 2029, bashkëlidhur vendimit nr.145, datë 11.3.2026, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Dokumentit të Politikave Prioritare 2027 – 2029”, të ndryshuar, zëvendësohet me aneksin me të njëjtin numër, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Financave, Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, si dhe të gjitha institucionet e tjera të administratës shtetërore, që janë pjesë e procesit të buxhetimit, për ndjekjen e zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E LLOJEVE DHE TË NATYRËS SË MBËSHTETJES FINANCIARE DHE/OSE TË RISQEVE FISKALE TË MUNDSHME NË KONTRATAT E PARTNERITETIT PUBLIK PRIVAT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 8, të nenit 51, të ligjit nr.88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
Objekti i këtij vendimi është përcaktimi i llojeve dhe i natyrës së mbështetjes financiare dhe/ose të risqeve fiskale të mundshme në kontratat e partneritetit publik privat (PPP).
Neni 2
Fusha e zbatimit
1. Ky vendim përcakton llojet dhe natyrën e mbështetjes financiare dhe/ose të risqeve fiskale të mundshme që lidhen me kontratat e partneritetit publik privat, në zbatim të pikës 8, të nenit 51, të ligjit nr.88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”.
2. Për miratimin e parashikuar në pikën 8, të nenit 51, të ligjit nr.88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, ky vendim zbatohet për ministritë dhe institucionet publike në varësi ose nën përgjegjësinë e tyre, që financohen nga buxheti i shtetit dhe lidhin kontrata partneriteti publik privat, që kanë mbështetje financiare dhe mbartin risqe fiskale.
3. Autoritetet ose entet kontraktuese identifikojnë e dokumentojnë mbështetjen financiare dhe risqet që lidhen me kontratën, ndërsa ministria përgjegjëse për financat ushtron kompetencat e saj të vlerësimit e të miratimit paraprak, sipas legjislacionit në fuqi.
Neni 3
Terminologjia dhe natyra e detyrimeve
1. Termat “mbështetje financiare”, “detyrim kontingjent” dhe “risqe fiskale” përdoren me kuptimin e përcaktuar në ligjin nr.88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”. Termat e lidhur me angazhimet dhe shpenzimet buxhetore përdoren në përputhje me legjislacionin për menaxhimin e sistemit buxhetor.
2. Për qëllime të këtij vendimi, “detyrim i drejtpërdrejtë” është detyrimi financiar, që rrjedh nga kontrata e partneritetit publik privat dhe nuk kushtëzohet nga ndodhja e një ngjarjeje të pasigurt.
3. Për qëllime të zbatimit të këtij vendimi, “ekspozim fiskal” është vlera e angazhimeve dhe e detyrimeve të mundshme, që mund të ndikojnë financat publike nga kontrata e partneritetit publik privat. Për qëllime të analizës fiskale, vlera nominale e angazhimit, ekspozimi maksimal i mundshëm dhe kostoja fiskale e pritshme dallohen nga njëra-tjetra, sipas natyrës së detyrimit dhe metodologjive të zbatueshme.
Neni 4
Miratimi i mbështetjes financiare dhe i risqeve fiskale
1. Në rastet e përcaktuara në pikën 8, të nenit 51, të ligjit nr.88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, Këshilli i Ministrave miraton dhënien e mbështetjes financiare ose marrjen përsipër të risqeve fiskale pas marrjes së dakordësisë së ministrit përgjegjës për financat.
2. Vlerësimi paraprak i implikimeve fiskale të projektit dhe të kontratës nga ministria përgjegjëse për financat kryhet sipas nenit 11, të ligjit nr.88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, dhe akteve përkatëse në zbatim të tij.
3. Miratimi, sipas pikës 1, të këtij neni, nuk zëvendëson kërkesat për planifikimin, autorizimin, regjistrimin dhe administrimin e angazhimeve buxhetore, përfshirë angazhimet shumëvjeçare, sipas legjislacionit për menaxhimin e sistemit buxhetor.
KREU II
LLOJET DHE NATYRA E MBËSHTETJES FINANCIARE
Neni 5
Format e mbështetjes financiare
1. Autoriteti ose enti kontraktues identifikon, argumenton e dokumenton nevojën për mbështetje financiare, formën e propozuar, bazën ligjore dhe ndikimin e mundshëm fiskal. Ministria përgjegjëse për financat vlerëson implikimet fiskale, në përputhje me kompetencat e saj ligjore.
2. Mbështetja financiare e drejtpërdrejtë monetare, sipas natyrës së kontratës dhe legjislacionit përkatës, mund të përfshijë:
a) pagesa për disponueshmëri;
b) subvencione dhe kontribute kapitale;
c) bashkëfinancim nga buxheti i shtetit;
ç) pagesa për shërbime në përputhje me kontratën.
3. Mbështetja financiare, që mund të krijojë detyrime kontingjente, sipas kushteve të parashikuara në kontratë dhe në legjislacionin në fuqi, mund të përfshijë:
a) garanci kontraktore për të ardhura minimale;
b) kompensime kontraktore për ndryshime ligjore ose rregullatore, vetëm kur parashikohen e lejohen shprehimisht nga kuadri ligjor dhe kontraktor;
c) garanci të tjera kontraktore të lejuara nga legjislacioni në fuqi.
4. Mbështetja financiare jomonetare mund të përfshijë vënien në dispozicion ose dhënien e të drejtave të përdorimit të pronës publike, në përputhje me legjislacionin për administrimin e pronës publike. Natyra juridike, kushtet dhe vlera ekonomike e kësaj mbështetjeje dokumentohen sipas rregullave përkatëse.
5. Garancitë shtetërore të huas i nënshtrohen legjislacionit të posaçëm dhe nuk krijohen ose miratohen nëpërmjet këtij vendimi. Parashikimi i formave të mbështetjes në këtë nen nuk përbën, në vetvete, autorizim për dhënien e tyre ose të drejtë automatike për përfitim.
Neni 6
Ndarja e risqeve dhe parimet e ndarjes së tyre
1. Ndarja e risqeve ndërmjet palës publike dhe partnerit privat mbështetet në natyrën e projektit dhe në aftësinë e secilës palë për të administruar riskun në mënyrë efikase, në përputhje me ligjin nr.88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”.
2. Në varësi të natyrës së projektit dhe të ndarjes kontraktore të risqeve, ekspozimi fiskal i mundshëm i palës publike mund të lidhet me ndryshimet ligjore dhe rregullatore, disponueshmërinë, kërkesën, kushtet makroekonomike, aksesin në pronë, lejet, ngjarjet e forcës madhore, si dhe ngjarje ose detyrime të tjera të parashikuara ligjërisht ose në kontratë.
3. Marrja përsipër ose ndarja e risqeve nga pala publike lejohet vetëm kur justifikohet nga natyra e projektit, parashikohet në dokumentacionin dhe kontratën përkatëse dhe miratohet sipas legjislacionit në fuqi. Ajo nuk shërben për transferimin automatik te pala publike të humbjeve nga risqet, që i takojnë partnerit privat.
4. Autoriteti ose enti kontraktues identifikon dhe argumenton ndarjen e risqeve në nivel projekti. Implikimet fiskale dhe përballueshmëria buxhetore vlerësohen nga institucionet kompetente, sipas përgjegjësive të parashikuara në legjislacionin në fuqi.
KREU III
NATYRA E ANGAZHIMEVE FISKALE
Neni 7
Angazhimet e drejtpërdrejta
1. Angazhimet dhe detyrimet e drejtpërdrejta të lidhura me kontratat e partneritetit publik privat përfshijnë pagesat ose angazhimet financiare, që rrjedhin nga kontrata dhe që nuk kushtëzohen nga ndodhja e një ngjarjeje të pasigurt.
2. Për qëllime të identifikimit të natyrës së tyre, këto detyrime mund të shtrihen në një ose më shumë vite buxhetore. Marrja përsipër dhe regjistrimi i angazhimit dallohen nga momenti kur pagesa përkatëse bëhet e kërkueshme.
3. Planifikimi, regjistrimi dhe financimi i detyrimeve të drejtpërdrejta kryhen sipas legjislacionit për menaxhimin e sistemit buxhetor, pa krijuar me këtë vendim procedura të veçanta buxhetore.
Neni 8
Detyrimet kontingjente
1. Detyrimet kontingjente, sipas kuptimit të ligjit nr.88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, janë detyrime potenciale, që varen nga materializimi i ngjarjeve ose i kushteve të pasigurta, të cilat mund të jenë të parashikuara në kontratë ose në legjislacionin në fuqi.
2. Detyrimet kontingjente mund të lidhen, ndër të tjera, me garanci kontraktore, kompensime të kushtëzuara dhe detyrime të tjera të parashikuara ligjërisht ose në kontratë, në varësi të ndodhjes së ngjarjeve përkatëse.
3. Kur një detyrim kontingjent materializohet e lind një detyrim i kërkueshëm për pagesë, ai trajtohet sipas legjislacionit për menaxhimin e sistemit buxhetor, pa cenuar evidentimin e riskut të materializuar.
Neni 9
Marrëdhënia me vlerësimin dhe monitorimin fiskal
Identifikimi, vlerësimi, regjistrimi, monitorimi, konsolidimi dhe raportimi i risqeve fiskale dhe i detyrimeve që rrjedhin nga kontratat e partneritetit publik privat kryhen nga autoritetet dhe institucionet përgjegjëse, sipas kompetencave dhe procedurave të përcaktuara në ligjin nr.88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, dhe në legjislacionin për menaxhimin e sistemit buxhetor. Ky vendim nuk ndryshon përgjegjësitë ose procedurat e përcaktuara në këto akte.
KREU IV
DISPOZITA PËRFUNDIMTARE
Neni 10
Hyrja në fuqi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D IM
PËR
TRANSFERIMIN NË PËRDORIM TË BASHKISË MALIQ TË DISA PRONAVE DHE PËR DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.127, DATË 2.2.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN, NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM, TË BASHKISË MALIQ, TË QARKUT TË KORÇËS”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin në përdorim të Bashkisë Maliq të pronave, me numër rendor 977-1014, sipas shtojcës nr.1, formularëve dhe planeve të rilevimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Pronat sipas shtojcës nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi, i shtohen lidhjes nr.1, dhe listës së inventarit që i bashkëlidhet vendimit nr.127, datë 2.2.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të Bashkisë Maliq të Qarkut të Korçës”, të ndryshuar.
3. Bashkisë Maliq i ndalohet ndryshimi i destinacionit dhe tjetërsimi i pronave të përcaktuara në pikën 1 të këtij vendimi.
4. Ngarkohen Bashkia Maliq dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU