Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 21 Janar 2026: 

 

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE EOLIKE DHE VEPRAVE NDIHMËSE, I CILI NUK ËSHTË OBJEKT KONCESIONI, NË NJËSINË ADMINISTRATIVE MOLLAJ, BASHKIA KORÇË, QARKU KORÇË, NGA BASHKIMI I PËRKOHSHËM I SHOQËRIVE “ALBPOWER”, SH.P.K., “FAVINA”, SH.P.K., DHE “FAVINA 1”, SH.P.K.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike eolike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në njësinë administrative Mollaj, Bashkia Korçë, Qarku Korçë, nga bashkimi i përkohshëm i shoqërive “ALBPOWER”, sh.p.k., “FAVINA”, sh.p.k., dhe “FAVINA 1”, sh.p.k., me elementet, si më poshtë vijon:

a) Emri i aplikuesit: Bashkimi i përkohshëm i shoqërive “ALBPOWER”, sh.p.k., “FAVINA”, sh.p.k., dhe “FAVINA 1”, sh.p.k.;
b) Numri i identifikimit personal të zyrës së taksave NIPT/NUIS: “ALBPOWER”, sh.p.k.: M23904001G; “FAVINA”, sh.p.k.: J64104078V dhe “FAVINA 1”, sh.p.k.: K54624001I;
c) Tipi i centralit: Eolik;
ç) Kapaciteti i instaluar: 55 MW me kapacitet tolerance deri në 5% më pak e këtij kapaciteti, bazuar në projektin përfundimtar të zbatimit;
d) Afati i pritshëm i vënies në punë dhe pajisja me leje ndërtimi: Koha për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në operim të impiantit eolik do të jetë brenda 48 (dyzet e tetë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
dh) Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: Njësia administrative Mollaj, Bashkia Korçë, Qarku Korçë;
e) Afati i operimit: 49 (dyzet e nëntë) vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
ë) Koordinatat e tokës dhe planvendosja sipas aneksit 1 bashkëlidhur këtij vendimi;
f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit e dokumentacionin e projektit;
g) Bashkimi i përkohshëm i shoqërive “ALBPOWER”, sh.p.k., “FAVINA”, sh.p.k., dhe “FAVINA 1”, sh.p.k., duhet të krijojë pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit një shoqëri për qëllime të veçanta, për ndërtimin, shfrytëzimin dhe administrimin e centralit eolik. Bashkimi i përkohshëm i shoqërive “ALBPOWER”, sh.p.k.,, “FAVINA”, sh.p.k., dhe “FAVINA 1”, sh.p.k., si dhe shoqëria për qëllime të veçanta do të jenë bashkërisht përgjegjëse për detyrimet sipas këtij miratimi dhe kontratës së nënshkruar me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë;
gj) Shoqëria për qëllime të veçanta solidarisht me bashkimin e përkohshëm të shoqërive “ALBPOWER”, sh.p.k., “FAVINA”, sh.p.k., dhe “FAVINA 1”, sh.p.k., ka detyrimin që:

i. të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj), pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, informacion për ecurinë e ndërtimit të centralit eolik;
ii. të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës ndërmjet bashkimit të përkohshëm të shoqërive “ALBPOWER”, sh.p.k., “FAVINA” sh.p.k., dhe “FAVINA 1”, sh.p.k., dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat e detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera që lidhen me zbatimin e saj;
iv. t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike në masën 2% të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.

2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe bashkimi i përkohshëm i shoqërive “ALBPOWER”, sh.p.k., “FAVINA”, sh.p.k., dhe “FAVINA 1”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE FOTOVOLTAIKE DHE VEPRAVE NDIHMËSE, I CILI NUK ËSHTË OBJEKT KONCESIONI, NË VLASHAJ, NJËSIA ADMINISTRATIVE SHUPENZË, BASHKIA BULQIZË, QARKU DIBËR, NGA SHOQËRIA “GERTI”, SH.P.K.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në Vlashaj, njësia administrative Shupenzë, Bashkia Bulqizë, Qarku Dibër, nga shoqëria “GERTI”, sh.p.k., me elementet, si më poshtë vijon:

a) Emri i aplikuesit: Shoqëria “GERTI”, sh.p.k.;
b) NIPT/NUIS: J96829417K;
c) Tipi i centralit: Fotovoltaik;
ç) Kapaciteti i instaluar: 10 MW;
d) Afati i pritshëm i vënies në punë dhe pajisja me leje ndërtimi: Koha për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në operim të impiantit fotovoltaik do të jetë brenda 36 (tridhjetë e gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
dh) Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: Në Vlashaj, njësia administrative Shupenzë, Bashkia Bulqizë, Qarku Dibër;
e) Afati i operimit: 49 (dyzet e nëntë) vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
ë) Koordinatat e zonës së projektit dhe planvendosja, sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme, me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit e dokumentacionin e projektit;
g) Shoqëria “GERTI”, sh.p.k., ka detyrimin që:

i. të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj) pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore informacion për ecurinë e ndërtimit të centralit fotovoltaik;
ii. të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës, ndërmjet shoqërisë “GERTI”, sh.p.k., dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera që lidhen me zbatimin e saj;
iv. t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.

2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqëria “GERTI”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

EMËRIM NË DETYRË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Z. Erlind Sulo emërohet zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

FINANCIMIN E SHËRBIMEVE SHËNDETËSORE SPITALORE NGA SKEMA E DETYRUESHME E SIGURIMEVE TË KUJDESIT SHËNDETËSOR PËR VITIN 2026

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, dhe të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Financimin nga skema e detyrueshme e sigurimeve shëndetësore të paketës së shërbimeve të ofruara në spitalet publike, sipas listës së shërbimeve në shtojcën nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Spitali e ushtron veprimtarinë e tij në përputhje me standardet, treguesit e cilësisë e të performancës, protokollet e diagnozës e të trajtimit, të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

3. Buxheti për mbulimin e paketës së shërbimeve spitalore, sipas listës së shërbimeve që ofron çdo spital, ndahet sipas shtojcës nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

4. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor lidh kontratat me spitalet për financimin e paketave të shërbimeve shëndetësore të ofruara prej tyre, në përputhje me indikatorët e performancës spitalore.

5. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor financon paketën e shërbimeve spitalore të kontraktuara me këto metoda:

a) Buxhetim me zëra shpenzimesh për:

i. paga dhe shpenzime të tjera lidhur me pagën e personelit;
ii. kontribute për sigurime shëndetësore e shoqërore të personelit;
iii. mallra e shërbime të tjera.
b) Buxhetim për pagesën e paketave të shërbimeve me çmime të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Buxhetimi detajohet për çdo spital në zëra shpenzimesh me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor;
c) Buxhetim për spitalet Durrës e “Memorial” Fier. Detajimi në zëra shpenzimesh i buxhetit miratohet nga bordet e këtyre spitaleve. Fondi financon dy spitalet nëpërmjet transfertave në llogaritë bankare që kanë spitalet në bankat e nivelit të dytë.

6. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor financon spitalet, në zbatim të vendimit nr.258, datë 24.4.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kontratës së koncesionit/partneritetit publik privat për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjës”. Fondi rishikon financimin e spitaleve për këtë kontratë gjatë vitit, me vendim të Këshillit Administrativ, me propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

7. Spitali është përgjegjës për zbatimin e buxhetit të kontraktuar, sipas zërave të përcaktuar të buxhetit, në përputhje me indikatorët dhe aktivitetin e shërbimit spitalor.

8. Rishpërndarja e buxhetit ndërmjet spitaleve bëhet brenda një kufiri prej 3 (tre) % të buxhetit të spitaleve, me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

9. Një fond jo më i madh se 30 (tridhjetë) % e buxhetit vjetor, i planifikuar për shërbimet spitalore, mbahet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për ta shpërndarë gjatë vitit, me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, përkatësisht, për:

a) financimin e shërbimit spitalor gjatë vitit;
b) pagesat e paketave të shërbimeve të veçanta, të ofruara nga shërbimet spitalore, publike e jopublike, brenda vendit, të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave;
c) pagesat për kujdes shëndetësor në institucione jopublike, brenda e jashtë vendit, sipas miratimit, rast pas rasti, me vendim të Këshillit të Ministrave;
ç) pagesat për kujdes shëndetësor, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare të nënshkruara;
d) pagesat e shërbimeve të kryera për llogari të spitaleve publike nga operatorë të kontraktuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale;
dh) transferta për individët (mjekë në shërbimet spitalore).

10. Shpenzimet kapitale për investimet në spitale mbulohen nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Spitalet paraqesin kërkesën për investime në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

11. Burime të tjera financimi për spitalet janë fondet e krijuara nga të ardhurat e realizuara gjatë veprimtarisë së tyre dhe nga dhurimet, të cilat përdoren tërësisht nga vetë spitali. Përdorimi i të ardhurave dytësore miratohet nga bordi drejtues i spitaleve për spitalet që kanë përfituar autonominë menaxheriale. Për spitalet e tjera, përdorimi i të ardhurave bëhet bazuar në procedurat e miratuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Këto të ardhura vlerësohen si të ardhura jashtë limitit, të cilat mbarten në vitin buxhetor pasardhës.

12. Spitali zbaton sistemin e referimit dhe tarifat për shërbimet me pagesë, të miratuara nga ministri i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, me përjashtim të spitaleve që kanë përfituar autonominë financiare.

13. Numri i përgjithshëm i punonjësve të spitaleve, që financohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, është 13 200 (trembëdhjetë mijë e dyqind) veta.

14. Për raste të veçanta të mungesës së mjekut specialist në shërbime të ndryshme të spitaleve rajonale, bashkiake, ministri i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, brenda numrit të përgjithshëm të personelit spitalor, urdhëron kontraktimin, për një periudhë të caktuar, të mjekëve specialistë. Mjekët e përcaktuar në këtë pikë, përveç pagës, trajtohen financiarisht me një bonus deri në 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë në muaj. Vlera e bonusit përcaktohet, rast pas rasti, nga ministri i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, bazuar në vlerësimin e komisionit përkatës. Ky bonus, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, trajtohet sipas shkronjës “e”, të pikës 2, të kreut II, të vendimit nr.77, datë 28.1.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për kontributet e detyrueshme dhe përfitimet nga sistemi i sigurimeve shoqërore dhe sigurimi i kujdesit shëndetësor”, të ndryshuar.

15. Mjekët e kontraktuar, sipas pikës 14, të këtij vendimi, nuk e përfitojnë shpërblimin sipas shkronjave “a” e “b”, të pikës 17.6, të vendimit nr.424, datë 26.6.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës së pagave, niveleve të pagave e shtesave mbi pagë, kompensime dhe trajtime të tjera financiare të punonjësve të sistemit shëndetësor në institucionet shëndetësore, në sistemin e ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, në strukturat shëndetësore të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit”.

16. Për spitalet rajonale, bashkiake, që nuk plotësojnë nevojat me personel mjek të strukturës në shërbimin e urgjencës, ministri i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale urdhëron kontraktimin e mjekëve të përgjithshëm dhe kryerjen e shërbimit nga mjekë të qendrave shëndetësore të shërbimit parësor.

17. Numri i pedagogëve me kontratë shërbimi për spitalet universitare miratohet çdo vit nga ministri i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Masa e shpërblimit mujor të mjekëve pedagogë të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, bazohet në aktivitetin mjekësor e në kohën e angazhimit në strukturat shëndetësore universitare dhe nuk mund të jetë më e lartë se masa e shpërblimit mujor të drejtuesit të shërbimit me gradën “Doktor i shkencave”. Pagesa e tyre bëhet nga buxheti për shërbimet e spitalit.

18. Financimi i institucioneve dhe i shërbimeve, të përcaktuara në shtojcën nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi, bëhet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor vetëm kundrejt shtesave përkatëse në buxhet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

19. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Financave dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë, botohet në “Fletoren zyrtare“ dhe i fillon efektet nga data 1 janar 2026.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E FUSHAVE TË RËNDËSISË SË VEÇANTË TË KËRKIMIT SHKENCOR, PËR TË CILAT KËRKOHET LEJE E VEPRIMTARISË KËRKIMORE-SHKENCORE, SI DHE TË KRITEREVE E TË PROCEDURAVE PËR LËSHIMIN E LEJES

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 19, të ligjit nr.109/2024, “Për shkencën dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. FUSHAT E RËNDËSISË SË VEÇANTË TË KËRKIMIT SHKENCOR, PËR TË CILAT KËRKOHET LEJE E VEPRIMTARISË KËRKIMORE-SHKENCORE

Përcaktimin e fushave të kërkimit shkencor të një rëndësie të veçantë, për të cilat kërkohet leje e veprimtarisë kërkimore-shkencore, të cilat janë në përputhje me ligjin nr.109/2024, të detajuara, si më poshtë vijon:

a) Biosiguria – Kërkime shkencore të kërcënimeve biologjike, të tilla si sëmundjet infektive, bioterrorizmi etj.;
b) Siguria bërthamore – Kërkime shkencore të fokusuara në përhapjen bërthamore, kontrollin e armëve, parandalimin e terrorizmit bërthamor dhe shfrytëzimin e energjisë bërthamore për pavarësi energjetike;
c) Shëndetësia – Kërkime shkencore, që përfshijnë përdorimin, prodhimin, manipulimin ose magazinimin e agjentëve biologjikë me risk të lartë (BSL-3 dhe BSL-4), kërkime me karakter “dual-use” apo aktivitete që paraqesin rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare, me përjashtim të kërkimeve rutinë në shëndetin publik, përfshirë survejancën epidemiologjike, analizat statistikore, studimet retrospektive, monitorimin e ujit, ushqimit, ajrit, tokës, biodiversitetit, entomologjinë, rodentologjinë, si dhe aktivitetet e Programit Kombëtar të Imunizimit dhe Kontrollit të Infeksioneve, të cilat nuk i nënshtrohen detyrimit për leje sipas këtij vendimi;
ç) Kimikatet – Vetëm kërkimet shkencore, që përdorin ose prodhojnë substanca kimike me risk të lartë, CMR 1A/1B, “Highly Hazardous Chemicals”, sipas listave ndërkombëtare dhe Konventës për Armët Kimike.

II. KRITERET PËR DHËNIEN E LEJES PËR USHTRIMIN E VEPRIMTARISË NË NJË FUSHË TË NJË RËNDËSIE TË VEÇANTË

Institutet e kërkimit shkencor dhe njësitë e veçanta të kërkimit shkencor, që krijohen për të ushtruar veprimtarinë e tyre në fusha të një rëndësie të veçantë apo që kërkojnë të shtojnë në aktivitetin e tyre veprimtarinë në fushat e një rëndësie të veçantë të kërkimit shkencor, plotësojnë kriteret e mëposhtme:

a) Të jenë krijuar e regjistruar në Republikën e Shqipërisë, sipas legjislacionit në fuqi;
b) Të jenë të regjistruara në Regjistrin Kombëtar të Institucioneve, Instituteve, Njësive të Veçanta të Kërkimit Shkencor dhe Kërkuesve Shkencorë;
c) Të zotërojnë burime njerëzore të kualifikuara me përvojë shkencore në fushën përkatëse;
ç) Të paraqesin planin kërkimor-shkencor të detajuar e të argumentuar për qëllimet, metodat dhe rezultatet e pritshme të projektit;
d) Të kenë mekanizma të brendshëm për vlerësimin e shmangies së riskut në kërkimin shkencor;
dh) Të disponojnë infrastrukturë kërkimore-shkencore të nevojshme, në përputhje me fushën e rëndësisë së veçantë, që t’i shërbejnë funksionimit normal të veprimtarisë kërkimore-shkencore;
e) Të disponojnë burimet e financimit dhe të garantojnë qëndrueshmërinë financiare.

III. PROCEDURAT PËR DHËNIEN E LEJES PËR USHTRIMIN E VEPRIMTARISË NË NJË FUSHË TË NJË RËNDËSIE TË VEÇANTË

1. Institutet e kërkimit shkencor dhe njësitë e veçanta të kërkimit shkencor paraqesin kërkesë, nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-Albania”, për përfitimin e lejes për ushtrimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore në një fushë të rëndësisë së veçantë, pranë ministrisë përkatëse, sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore, në të cilën do të ushtrohet veprimtaria e fushës së rëndësisë së veçantë.

2. Institutet e kërkimit shkencor dhe njësitë e veçanta të kërkimit shkencor paraqesin dokumentacionin justifikues të përmbushjes së kritereve, si më poshtë vijon:

a) Aktin e krijimit si person juridik publik apo privat në formën e institutit apo të njësisë së veçantë të kërkimit shkencor;
b) Vërtetimin e regjistrimit në Regjistrin Kombëtar të Institucioneve, Instituteve, Njësive të Veçanta të Kërkimit Shkencor dhe Kërkuesve Shkencorë;
c) Dokumentacionin justifikues, që zotërojnë burime njerëzore të kualifikuara me përvojë shkencore në fushën përkatëse;
ç) Planin kërkimor-shkencor të detajuar, përfshirë afatin e zbatimit dhe argumentimin lidhur me qëllimet, metodat e rezultatet e pritshme të projektit;
d) Vlerësimin e Komitetit të Etikës për shmangien e riskut në kërkimin shkencor, në përputhje me Kodin e Etikës në Shkencë dhe në Kërkim Shkencor për projektin kërkimor dhe ndryshimin e tij për veprimtaritë e produktin e kërkimit shkencor;
dh) Dokumentacionin justifikues, që disponon infrastrukturë kërkimore-shkencore të nevojshme, në përputhje me fushën e rëndësisë së veçantë, që t’i shërbejnë funksionimit normal të veprimtarisë kërkimore-shkencore;
e) Dokumentacionin justifikues që disponon burimet e financimit dhe garanton qëndrueshmëri financiare.

3. Ministria përkatëse, sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore, shqyrton aplikimin brenda 20 (njëzet) ditëve, sipas procedurave të brendshme. Në rast se konstaton që kërkesa është paraqitur me dokumentacion të plotë, përcillet pranë ministrisë përgjegjëse për çështjet e shkencës dhe të kërkimit shkencor, shoqëruar me vlerësimin e saj mbi aplikimin. Në rast të mungesës së dokumentacionit, ia përcjell subjektit kërkues për të bërë plotësime brenda 10 (dhjetë) ditëve. Në rast të plotësimit të dokumentacionit, vijohet me shqyrtimin e kërkesës, në të kundërt kërkesa konsiderohet e arkivuar.

4. Ministria përgjegjëse për çështjet e shkencës dhe të kërkimit shkencor shqyrton propozimin brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, bazuar mbi vlerësimin e ministrisë përkatëse, sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore.

5. Propozimi për dhënien ose refuzimin e lejes për ushtrimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore në një fushë të një rëndësie të veçantë i paraqitet ministrit për çështjet e shkencës dhe të kërkimit shkencor për vendimmarrje.

Ministri miraton, me urdhër, dhënien e lejes, duke përfshirë edhe kohëzgjatjen e saj, sipas afatit në planin kërkimor-shkencor.

6. Subjekti, të cilit i është refuzuar dhënia lejes, ka të drejtën e ankimit pranë ministrisë përgjegjëse për çështjet e shkencës dhe të kërkimit shkencor, në përputhje me përcaktimet e Kodit të Procedurave Administrative.

7. Leja e dhënë regjistrohet në Regjistrin Kombëtar të Institucioneve, Instituteve, Njësive të Veçanta të Kërkimit Shkencor dhe Kërkuesve Shkencorë.

IV. DISPOZITA TË FUNDIT

1. Për fusha të tjera të kërkimit shkencor, që nuk janë të parashikuara në këtë vendim, veprimtaria kërkimore-shkencore ushtrohet nga institutet dhe njësitë e veçanta të kërkimit shkencor, në përputhje me legjislacionin në fuqi për shkencën e kërkimin shkencor dhe legjislacionin specifik të fushës, për pajisjen me leje për ushtrimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore në atë fushë.

2. Procedura e aplikimit, sipas këtij vendimi, nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-Albania”, zbatohet pasi ministria përgjegjëse për çështjet e shkencës e të kërkimit shkencor të publikojë në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare përfundimin e zhvillimeve teknike për realizimin e procedurës në Sistemin Shqiptar të Informacionit të Kërkimit Shkencor (ACRIS).

3. Kërkesa për përfitimin e lejes për ushtrimin e veprimtarisë kërkimore- shkencore në një fushë të rëndësisë së veçantë, së bashku me dokumentacionin, paraqiten në formë të shkruar pranë ministrisë përkatëse, sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore, në të cilën do të ushtrohet veprimtaria e fushës së rëndësisë së veçantë, deri në momentin e implementimit e të funksionalitetit të Sistemit Shqiptar të Informacionit të Kërkimit Shkencor (ACRIS).

4. Ngarkohen ministria përgjegjëse për çështjet e shkencës dhe të kërkimit shkencor, ministritë përkatëse, sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore, institutet dhe njësitë e veçanta kërkimore-shkencore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E GARANCIVE SHTETËRORE, NË FAVOR TË RAIFFEISEN BANK, SH.A., PËR KONTRATAT E KREDISË, NDËRMJET RAIFFEISEN BANK, SH.A., DHE FURNIZUESIT TË SHËRBIMIT UNIVERSAL (FSHU), SH.A., OPERATORIT TË SISTEMIT TË SHPËRNDARJES (OSSH), SH.A., OPERATORIT TË SHPËRNDARJES SË ENERGJISË ELEKTRIKE (OSHEE) GROUP, SH.A., FURNIZUESIT TË TREGUT TË LIRË (FTL), SH.A., PËR PROJEKTIN “QËNDRUESHMËRIA E OSHEE-SË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 38, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 57, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e garancisë shtetërore, në favor të Raiffeisen Bank, sh.a., për kontratën e kredisë, ndërmjet Raiffeisen Bank, sh.a., dhe Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU), sh.a., Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) Group, sh.a., Furnizuesit të Tregut të Lirë (FTL), sh.a., dhe Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), sh.a., për rifinancimin e kredisë me kufi, në shumën 15 000 000 (pesëmbëdhjetë milionë) euro.

2. Miratimin e garancisë shtetërore, në favor të Raiffeisen Bank, sh.a., për kontratën e kredisë, ndërmjet Raiffeisen Bank, sh.a., dhe Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), sh.a., Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) Group, sh.a., Furnizuesit të Tregut të Lirë (FTL), sh.a., dhe Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU), sh.a., për rifinancimin e kredisë me kufi, në shumën 750 000 (shtatëqind e pesëdhjetë mijë) euro.

3. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU), sh.a., Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), sh.a., Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) Group, sh.a., dhe Furnizuesi i Tregut të Lirë (FTL), sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E KRITEREVE DHE TË PROCEDURAVE TË SHPËRNDARJES SË GRANTIT PËR KOMITETIN OLIMPIK KOMBËTAR SHQIPTAR, KOMITETIN PARALIMPIK KOMBËTAR SHQIPTAR, ORGANIZATËN KOMBËTARE ANTIDOPING, FEDERATAT SPORTIVE OLIMPIKE, FONDACIONET SPORTIVE, ME THEMELUES INSTITUCIONET PUBLIKE PËRGJEGJËSE NË FUSHËN E SPORTIT, DHE KËSHILLIN E ARBITRAZHIT SPORTIV

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 13, të ligjit nr.79/2017, “Për sportin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ky vendim ka si objekt përcaktimin e kritereve dhe të procedurave të shpërndarjes së grantit nga buxheti i shtetit, në formë transferte, për organizatat sportive, si më poshtë vijon:

a) Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar;
b) Komitetin Paralimpik Kombëtar Shqiptar;
c) Organizatën Kombëtare Antidoping;
ç) Federatat sportive olimpike;
d) Fondacionet sportive, me themelues institucionet publike përgjegjëse në fushën e sportit;
dh) Këshillin e Arbitrazhit Sportiv.

2. Organizatat sportive, të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, përfitojnë nga granti i buxhetit të shtetit kur plotësojnë kriteret e përgjithshme, shoqëruar me dokumentacionin përkatës për:

a) regjistrimin si person juridik, sipas legjislacionit në fuqi;
b) miratimin e statutit nga ministri përgjegjës për sportin;
c) konstituimin e organeve drejtuese, të zgjedhura në zbatim të legjislacionit në fuqi dhe statutit;
ç) NIPT-in aktiv dhe përmbushjen e detyrimeve tatimore;
d) bilancin financiar të vitit paraardhës, i miratuar sipas legjislacionit në fuqi;
dh) përmbushjen e detyrave statutore, në përputhje me llojin e veprimtarisë së organizatës sportive;
e) administrimin e fondeve publike të akorduara nga ministria përgjegjëse për sportin në llogari bankare të dedikuar;
ë) raportin financiar periodik për fondet publike të akorduara nga ministria përgjegjëse për sportin;
f) auditimin e jashtëm të pavarur për fondet publike të akorduara nga ministria përgjegjëse për sportin, për vitin paraardhës;
g) publikimin e raporteve financiare dhe të informacionit për aktivitetet në faqet e tyre zyrtare.

3. Federatat sportive olimpike plotësojnë dhe kriteret e posaçme, duke e shoqëruar me dokumentacionin përkatës për:

a) aktivitetet ndërkombëtare të organizuara gjatë vitit kalendarik;
b) rezultatet e arritura në veprimtari ndërkombëtare për sportet individuale dhe kolektive;
c) masivitetin, si:

i. numrin e organizatave sportive anëtare me status aktiv;
ii. numrin e sportistëve të regjistruar në sportet individuale;
iii. numrin e sportistëve të regjistruar në sportet kolektive.

ç) raportin gjinor në organet ekzekutive të organizatës dhe sekretarin e Përgjithshëm;
d) përfshirjen e personave me aftësi ndryshe intelektuale dhe fizike në aktivitetin sportiv të federatës;
dh) traditën dhe jetëgjatësinë e federatës kombëtare, përfshirë edhe vitin e themelimit;
e) numrin total vjetor të organizimit të aktiviteteve kombëtare;
ë) numrin total vjetor të pjesëmarrjes në aktivitete ndërkombëtare;
f) ngritjen e kapaciteteve lidhur me:

i. miratimin e planit strategjik afatmesëm për zhvillimin e sportit;
ii. trajnime të organizuara për sportistë, trajnerë, arbitra dhe administratorë.

g) logjistikën e nevojshme për organizimin e Kampionatit Kombëtar dhe Kupës së Shqipërisë, sipas veprimtarisë së organizatës sportive.

4. Zërat e shpenzimeve, që lejohen të përballohen nga fondi “Grant/transfertë korrente e brendshme” për Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, Komitetin Paralimpik Kombëtar Shqiptar, Organizatën Kombëtare Antidoping, fondacionet sportive, me themelues institucionet publike përgjegjëse në fushën e sportit, dhe Këshillin e Arbitrazhit Sportiv, janë:

a) financimi i shpenzimeve të personelit, sipas strukturës organizative të miratuar nga organet vendimmarrëse, në masën jo më pak se niveli i pagës minimale, sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë, dhe fondeve në dispozicion;
b) financimi/bashkëfinancimi i shpenzimeve operative të KOKSH-it dhe të Organizatës Kombëtare Antidoping, sipas veprimtarive të tyre përkatëse, për mbështetjen e sportistëve elitarë, ekipeve kombëtare olimpike për sportet verore e dimërore dhe zbatimin e rregullave antidoping, kryerjen e testimeve dhe kontrollit doping për sportistët që marrin pjesë në veprimtaritë kombëtare e ndërkombëtare, si dhe kryerjen e veprimtarive të edukimit antidoping e të parandalimit të tij.

5. Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, Komiteti Paralimpik Kombëtar Shqiptar, Organizata Kombëtare Antidoping, fondacionet sportive, me themelues institucionet publike përgjegjëse në fushën e sportit, dhe Këshilli i Arbitrazhit Sportiv financohen në bazë të programeve vjetore e të planeve të zhvillimit përkatës dhe nuk i nënshtrohen sistemit të pikëzimit.

6. Zërat e shpenzimeve, që lejohen të përballohen nga fondi buxhetor “Grant/transfertë korrente e brendshme” për federatat sportive olimpike, janë:

a) shpenzimet operative të aktiviteteve kombëtare dhe ndërkombëtare;
b) trajtimi ushqimor, në natyrë ose në vlerë, i sportistëve të nivelit të lartë, si dhe pagesat e kontratave të shërbimit për trajnerët e ekipeve kombëtare, sipas rëndësisë së aktivitetit ndërkombëtar, bazuar në aktet ligjore e nënligjore në fuqi;
c) shpenzimet për grumbullimin stërvitor të ekipeve kombëtare;
ç) sigurimi shëndetësor për sportistët e ekipeve kombëtare;
d) trajtimi mjekësor dhe shpenzimet e riaftësimit të sportistëve, sipas përcaktimeve në ligjin për sportin;
dh) shpenzimet për pritje-përcjellje delegacionesh, konferenca, çmime etj., në nivelin e lejuar nga legjislacioni në fuqi;
e) shpërblimi për arritjen e rezultateve të larta sportive, sipas akteve ligjore e nënligjore;
ë) furnizimi me bazë materiale/uniforma sportive;
f) shpenzimet për seminare, trajnime, kualifikime dhe licencimi i trajnerëve, gjyqtarëve, mjekëve, fizioterapistëve, si dhe mbështetja e kërkimit shkencor në sport;
g) shpenzimet për analiza të kontrollit doping;
gj) shpenzimet e personelit, jo më pak se niveli i pagës minimale, sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë.

7. Organizatat sportive, të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, për të përfituar prej grantit nga buxheti i shtetit, dorëzojnë në ministrinë përgjegjëse për sportin dokumentacionin e mëposhtëm:

a) Projektprogramin afatmesëm, brenda datës 15 gusht të vitit korrent;
b) Kërkesën për mbështetje financiare, sipas përcaktimeve të pikave 2 dhe 3, të këtij vendimi, brenda datës 15 nëntor të vitit korrent;
c) Planin e detajuar të përdorimit të fondeve në dispozicion të përfituesit për vitin korrent, brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga njoftimi zyrtar i përfitimit të transfertës;
ç) Planin e detajuar të aktiviteteve dhe objektivat konkretë, që do të arrihen/synohen të arrihen, si dhe programet e zhvillimit të disiplinës sportive apo funksionit të organizatës;
d) Kopjen e vendimit të Asamblesë së Përgjithshme të përfituesve për ndarjen dhe përdorimin e fondeve publike.

8. Pas marrjes së kërkesës, struktura përgjegjëse pranë ministrisë, brenda 7 (shtatë) ditëve nga data e regjistrimit të kërkesës, nëse konstatohen të meta, i cakton kërkuesit një afat prej 7 (shtatë) ditësh për plotësimin e të metave.

9. Për vlerësimin e aplikimeve të paraqitura në ministrinë përgjegjëse për sportin, ngrihet një komision ad hoc vlerësimi, i përbërë nga 5 (pesë) anëtarë, i cili mblidhet brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e fundit për paraqitjen e kërkesës, sipas shkronjës “b”, të pikës 7, të këtij vendimi. Komisioni, nëse konstaton parregullsi, brenda 7 (shtatë) ditëve nga mbledhja e tij, njofton aplikuesit, duke iu caktuar afatin 5 (pesë) – ditor për plotësimin e tyre. Përbërja nominale e komisionit dhe formulari i aplikimit përcaktohen me urdhër të ministrit përgjegjës për sportin.

10. Komisioni i Vlerësimit, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e mbledhjes së tij të parë, pasi shqyrton dokumentacionin e paraqitur, vlerëson për miratimin ose mosmiratimin e aktivitetit dhe i paraqet ministrit përgjegjës për sportin një raport të hollësishëm për këtë qëllim. Subjekti aplikues njoftohet për rezultatin e vlerësimit të komisionit brenda 7 (shtatë) ditësh nga data e vendimmarrjes së tij. Aplikuesit, brenda 5 (pesë) ditëve nga data e njoftimit, mund të ankimojnë rezultatin e vlerësimit të komisionit te ministri përgjegjës për sportin. Vendimi për shpërndarjen e grantit miratohet nga ministri përgjegjës për sportin dhe i njoftohet zyrtarisht organizatave sportive përfituese.

11. Fondet alokohen në llogaritë bankare të nivelit të dytë të përfituesve nga ministria përgjegjëse për sportin.

12. Fondet buxhetore, që do t’i akordohen fondacioneve nga ministria përgjegjëse për sportin, duhet t’i nënshtrohen rregullave të menaxhimit financiar dhe kontrollit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin financiar dhe kontrollin.

13. Përjashtimisht për vitin 2026, kërkesa për mbështetje financiare, sipas shkronjës “b”, të pikës 7, të këtij vendimi, do të paraqitet brenda 10 (dhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e tij.

14. Ngarkohen Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, Komiteti Paralimpik Kombëtar Shqiptar, Organizata Kombëtare Antidoping, federatat sportive olimpike, fondacionet sportive, me themelues institucionet publike përgjegjëse në fushën e sportit, dhe Këshilli i Arbitrazhit Sportiv për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

LIRIMIN NGA DETYRA TË DREJTORIT TË BIBLIOTEKËS KOMBËTARE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 27, të ligjit nr.8576, datë 3.2.2000, “Për bibliotekat në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Z. Piro Misha, drejtor i Bibliotekës Kombëtare, lirohet nga kjo detyrë.

2. Ngarkohet Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË PREFEKTIT TË QARKUT TË DURRËSIT

Në mbështetje të neneve 100 e 114 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Z. Emiljan Jani, prefekt i Qarkut të Durrësit, lirohet nga kjo detyrë.

2. Z. Adrian Gurra emërohet prefekt i Qarkut të Durrësit.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË PREFEKTIT TË QARKUT TË KORÇËS

Në mbështetje të neneve 100 e 114 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Z. Nertil Jole, prefekt i Qarkut të Korçës, lirohet nga kjo detyrë.

2. Znj. Florinda Zegullaj emërohet prefekt i Qarkut të Korçës.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

LIRIMIN NGA DETYRA TË INSPEKTORIT TË PËRGJITHSHËM TË INSPEKTORATIT TË PËRGJITHSHËM

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 15, të ligjit nr.99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Z. Shkëlqim Hajdari, inspektor i Përgjithshëm i Inspektoratit të Përgjithshëm, lirohet nga kjo detyrë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E LISTAVE TË MALLRAVE, QË MUND TË PËRDOREN OSE NUK KANË PËRDORIM TJETËR PËRVEÇ QËLLIMIT TË DËNIMIT ME VDEKJE, TORTURËS OSE DËNIME APO TRAJTIME MIZORE, ÇNJERËZORE OSE POSHTËRUESE, TË CILAT JANË OBJEKT I KONTROLLIT SHTETËROR TË TRANSFERIMEVE NDËRKOMBËTARE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3, pika 5, 9, pika 5, e 13, pika 6, të ligjit nr.27/2023, “Për kontrollin e tregtimit të produkteve që mund të përdoren për dënime me vdekje, torturë ose dënime apo trajtime mizore, çnjerëzore ose poshtëruese”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e listës së mallrave, që nuk kanë përdorim tjetër përveç qëllimit të dënimit me vdekje, torturës ose dënime apo trajtime mizore, çnjerëzore ose poshtëruese, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të cilat janë objekt i kontrollit shtetëror të transferimeve ndërkombëtare.

2. Miratimin e listës së mallrave, që mund të përdoren për qëllime torture ose ndëshkime mizore, çnjerëzore apo poshtëruese, sipas shtojcës nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të cilat janë objekt i kontrollit shtetëror të transferimeve ndërkombëtare.

3. Miratimin e listës së mallrave, që mund të përdoren për dënimin me vdekje, sipas shtojcës nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të cilat janë objekt i kontrollit shtetëror të transferimeve ndërkombëtare.

4. Vendimi nr.806, datë 28.12.2023, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës të mallrave, që mund të përdoren ose nuk kanë përdorim tjetër përveç qëllimit të dënimit me vdekje, torturës ose dënime apo trajtime mizore, çnjerëzore ose poshtëruese, të cilat janë objekt i kontrollit shtetëror të transferimeve ndërkombëtare”, shfuqizohet.

5. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS ITALIANE, LIDHUR ME BASHKËPUNIMIN NË FUSHËN E MBROJTJES

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Italiane, lidhur me bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES EKZEKUTIVE, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS ITALIANE, PËR REALIZIMIN E NISMËS “FORCIMI I KAPACITETEVE TË MBROJTJES CIVILE NË SHQIPËRI”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes ekzekutive, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Italiane, për realizimin e nismës “Forcimi i kapaciteteve të mbrojtjes civile në Shqipëri”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DHËNIE MENDIMI KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR PROJEKTLIGJIN JOQEVERITAR “PËR PARANDALIMIN E KONFLIKTIT TË INTERESAVE NË USHTRIMIN E FUNKSIONEVE PUBLIKE”

Në mbështetje të neneve 82, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin joqeveritar “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” , sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.532, DATË 8.7.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA DREJTORIA E PËRGJITHSHME E ARKIVAVE TEK AGJENCIA SHTETËRORE E KADASTRËS, TË PASURISË 2/128, ZONA KADASTRALE 8541, NJËSIA ADMINISTRATIVE GJIROKASTËR, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.660, DATË 4.8.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË ARKIVAVE”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.532, datë 8.7.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave tek Agjencia Shtetërore e Kadastrës, të pasurisë 2/128, zona kadastrale 8541, Njësia Administrative Gjirokastër, dhe për një ndryshim në vendimin nr.660, datë 4.8.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave”, të ndryshuar”, bëhen këto ndryshime:

a) Në pikën 1, togfjalëshi, “… të truallit me sipërfaqe 774 m2, katit bodrum, me sipërfaqe 74.4 m2, katit përdhes me sipërfaqe 220.7 m2 dhe katit të parë 282.7 m2, …” zëvendësohet me “… të truallit me sipërfaqe 742 (shtatëqind e dyzet e dy) m2, katit bodrum me sipërfaqe 74.4 (shtatëdhjetë e katër pikë katër) m2, katit përdhes me sipërfaqe 275 (dyqind e shtatëdhjetë e pesë) m2, katit të parë me sipërfaqe 282.7 (dyqind e tetëdhjetë e dy pikë shtatë) m2 dhe katit të dytë me sipërfaqe 221.7 (dyqind e njëzet e një pikë shtatë) m2, …”;
b) Në pikën 2, togfjalëshi “Pjesa e pasurisë 2/128” zëvendësohet me “Pasuria nr.2/128”;
c) Planimetria e katit të dytë, bashkëlidhur vendimit, zëvendësohet me planimetrinë, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E ORGANIZIMIT TË BRENDSHËM, TË ORGANEVE DREJTUESE E TË MËNYRËS SË FUNKSIONIMIT TË AGJENCISË KOMBËTARE TË EKONOMISË SË MBETJEVE, SH.A.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 22, të ligjit nr.57/2025, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve, sh.a., me emrin e shkurtuar “AKEM”, sh.a., është shoqëri aksionare me kapital 100% shtetëror, e themeluar me qëllim përmbushjen e objektivave të përcaktuar në ligjin nr.57/2025, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. Autoriteti publik, që përfaqëson shtetin si pronar të 100% të aksioneve të shoqërisë aksionare, është ministria përgjegjëse për mjedisin.

2. Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve, sh.a., ofron, kundrejt pagesës, shërbimin e trajtimit fundor të mbetjeve dhe çdo shërbim tjetër, në përputhje me qëllimin e krijimit dhe statutin e saj.

3. Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve, sh.a., sipas përcaktimeve në pikën 1, të këtij vendimi, themelohet, organizohet dhe funksionon me dy nivele administrimi, këshill mbikëqyrës dhe administrator, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar.

4. Kapitali fillestar për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve, sh.a., është 20 000 000 (njëzet milionë) lekë.
5. Ministria e Mjedisit, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, ndjek procedurat e nevojshme ligjore për:

a) themelimin dhe miratimin e statutit të shoqërisë aksionare;
b) regjistrimin e Agjencisë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve, sh.a., në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

6. Organet drejtuese të Agjencisë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve, sh.a., sipas parashikimeve të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, janë:

a) Asambleja e Përgjithshme e Aksionarit;
b) Këshilli Mbikëqyrës;
c) Administratori.

Detyrat dhe përgjegjësitë e Asamblesë së Përgjithshme të Akreditimit dhe Këshillit Mbikëqyrës rregullohen dhe funksionojnë sipas parashikimeve të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, dhe parashikimeve të statutit të shoqërisë “AKEM”, sh.a.

7. Këshilli Mbikëqyrës ka 5 (pesë) anëtarë, që emërohen nga Asambleja e Përgjithshme e Aksionarit, si më poshtë vijon:

a) 2 (dy) anëtarë, përfaqësues nga ministria përgjegjëse për mjedisin;
b) 1 (një) anëtar, përfaqësues nga ministria përgjegjëse për financat;
c) 1 (një) anëtar, përfaqësues nga ministria përgjegjëse për pushtetin vendor;
ç) 1 (një) anëtar, përfaqësues nga ministria përgjegjëse për ekonominë.

8. Kriteret e emërimit të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, periudha e emërimit apo e riemërimit të tyre, masa dhe skema e shpërblimit caktohen në statutin e shoqërisë, duke mbajtur në konsideratë parashikimet e nenit 167, të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar.

9. Administratori i shoqërisë “AKEM”, sh.a., emërohet, lirohet ose shkarkohet nga detyra, me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të Aksionarit, sipas parashikimeve të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, dhe statutit të shoqërisë. Kriteret për emërimin e drejtuesit të shoqërisë janë, si më poshtë vijon:

a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) Të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
ç) Të ketë diplomë të nivelit “Master i shkencave” apo “Master profesional”, të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë, me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 (dy) vite akademike ose të barasvlershme me to, sipas legjislacionit për arsimin e lartë;
d) Të ketë eksperiencë pune jo më pak se 10 (dhjetë) vjet, prej të cilave 5 (pesë) vjet në pozicione drejtuese apo menaxheriale në sektorin publik apo privat;
dh) Ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna, që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi;
e) Të mos ketë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës në përputhje me legjislacionin e konfliktit të interesave.

10. Administratori i shoqërisë “AKEM”, sh.a., lirohet nga detyra kur:

a) jep dorëheqjen;
b) mbush moshën e pensionit të pleqërisë;
c) vërtetohet fakti i pamundësisë për të ushtruar detyrën;
ç) humbet shtetësinë shqiptare;
d) deklarohet i paaftë për punë nga komisioni kompetent mjekësor apo merr formë të prerë vendimi gjyqësor për kufizimin apo heqjen e zotësisë për të vepruar.

11. Administratori i shoqërisë “AKEM”, sh.a., shkarkohet nga detyra kur:

a) kryen shkelje të rënda të etikës;
b) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
c) kryen shkelje të rënda gjatë kryerjes së detyrës;
ç) me vendim gjyqësor të formës së prerë i është kufizuar apo hequr zotësia për të vepruar;
d) nuk përmbush objektivat e shoqërisë;
dh) kryen veprimtari që krijon konflikt interesash, në përputhje me legjislacionin e konfliktit të interesave.

12. Shoqëria “AKEM”, sh.a., realizon objektivat dhe ushtron kompetencat e parashikuara në ligjin nr.57/2025, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, dhe për nevojat e saj mund të nënshkruajë:

a) marrëveshje bashkëpunimi me institucionet përkatëse brenda fushës së kompetencave të tyre për ofrimin e asistencës teknike, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
b) marrëveshje bashkëpunimi me entitete publike apo organizma ndërkombëtarë, me qëllim marrjen e ndihmës/ekspertizës së nevojshme për kryerjen e funksioneve të saj, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi për mbetjet apo rritjen e kapaciteteve institucionale;
c) marrëveshje bashkëpunimi me ekspertë të fushave të ndryshme, sipas legjislacionit në fuqi.

13. Burimet e financimit të shoqërisë “AKEM”, sh.a., janë në përputhje me parashikimet e ligjit nr.57/2025, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.

14. Struktura dhe organika e shoqërisë “AKEM”, sh.a., miratohen nga Këshilli Mbikëqyrës.

15. Marrëdhëniet e punës së punonjësve të shoqërisë “AKEM”, sh.a., rregullohen sipas dispozitave të Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë dhe akteve të brendshme të kësaj shoqërie dhe kriteret specifike të emërimit të punonjësve përcaktohen në aktet e brendshme të shoqërisë.

16. Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve do të vijojë të kryejë funksionet e saj, në emër dhe për llogari të ministrisë përgjegjëse për mjedisin, deri në fillimin e ushtrimit të veprimtarisë së shoqërisë “AKEM”, sh.a.

17. Shoqëria “AKEM”, sh.a., njofton me shkrim ministrinë përgjegjëse për mjedisin për datën e fillimit të ushtrimit të veprimtarisë.

18. Me mbylljen e veprimtarisë së AKEM-it, brenda 30 (tridhjetë) ditëve, inventari ekonomik, dokumentacioni dhe arkivi i kësaj Agjencie transferohet pranë shoqërisë “AKEM”, sh.a. Për punonjësit aktualë të Agjencisë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve, në rastin e mbylljes së institucionit, zbatohen dispozitat e Kodit të Punës.

19. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi për krijimin e kapitalit fillestar të shoqërisë, në vlerën 20 000 000 (njëzet milionë) lekë, përballohen nga buxheti i Agjencisë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve, në artikullin 231 “Shpenzime kapitale”, të programit 06220 “Menaxhimi i mbetjeve urbane”, viti buxhetor 2026. Injektimi i kapitalit fillestar do të kryhet menjëherë pas regjistrimit të shoqërisë aksionare në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

20. Fillimi i ushtrimit të funksionimit të veprimtarisë së AKEM-it si shoqëri aksionare, sipas parashikimeve të këtij vendimi, do të kryhet me shfuqizmin e vendimi nr.132, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve, sh.a.”, të ndryshuar.

21. Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Ministria e Financave, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor dhe Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E PLANIT TË SHPENZIMEVE, PËR VITIN 2026, TË ENTIT RREGULLATOR TË SEKTORIT TË FURNIZIMIT ME UJË DHE LARGIMIT E PËRPUNIMIT TË UJËRAVE TË NDOTURA (ERRU)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 11, të ligjit nr.8102, datë 28.3.1996, “Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e planit të shpenzimeve, për vitin 2026, të Entit Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura, në shumën 76 762 426 (shtatëdhjetë e gjashtë milionë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e dy mijë e katërqind e njëzet e gjashtë) lekë, sipas pasqyrës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ngarkohet Enti Rregullator i Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura (ERRU) për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PLANIN VJETOR TË PRANIMIT, PËR VITIN 2026, NË INSTITUCIONET E ADMINISTRATËS SHTETËRORE, PJESË TË SHËRBIMIT CIVIL

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.152/2013 “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Numri i vendeve vakante të planifikuara për rekrutim, gjatë vitit 2026, është, gjithsej, 1067 (një mijë e gjashtëdhjetë e shtatë), të ndara sipas kategorive të mëposhtme:

a) Për Trupën e Nëpunësve Civilë të Nivelit të Lartë Drejtues 11;
b) Për kategorinë e mesme drejtuese 99;
c) Për kategorinë e ulët drejtuese 205;
ç) Për kategorinë ekzekutive 752.

2. Grupet e administrimit të përgjithshëm dhe të posaçëm në kategorinë ekzekutive janë, si më poshtë vijon:

a) Shkenca juridike;
b) Audit i brendshëm;
c) Shkenca ekonomike;
ç) Shkenca ekonomike/juridike;
d) Shkenca shoqërore;
dh) Shkenca sociale;
e) Histori dhe filologji;
ë) Shkenca mjekësore;
f) Veterinari;
g) Agronomi;
gj) Zootekni;
h) Mbrojtje bimësh;
i) Shkenca biologjike dhe të ngjashme me to;
j) Kimi;
k) Shkenca mjedisore ose të tjera të përshtatshme;
l) Shkenca inxhinierike;
ll) Arkitekturë;
m) Arkeologji dhe restaurime;
n) Arte të bukura;
nj) Gjeodezi;
o) Shkenca ekzakte;
p) Shkenca edukimi;
q) Mësuesi;
r) Arsim i lartë ushtarak/policor;
rr) Arsim i lartë.

3. Institucionet e administratës shtetërore, ku planifikohen vendet vakante gjatë vitit 2026, janë sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

4. Fondet buxhetore për vendet vakante të planifikuara për rekrutim për vitin 2026 janë pjesë të fondeve buxhetore të miratuara me ligjin e buxhetit për vitin 2026 për secilin institucion të administratës shtetërore.

5. Plotësimi i vendeve vakante në kategorinë ekzekutive, gjithsej, 752 (shtatëqind e pesëdhjetë e dy), në kategorinë e ulët drejtuese, gjithsej, 205 (dyqind e pesë), apo në kategorinë e mesme drejtuese, gjithsej, 99 (nëntëdhjetë e nëntë), bëhet, së pari, nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele, ku mund të konkurrojnë nëpunësit civilë të së njëjtës kategori në të njëjtin institucion apo në një institucion tjetër të shërbimit civil, që plotësojnë kushtet për lëvizjen paralele dhe kërkesat e posaçme për vendin/vendet e lira.

6. Vendet, që mbeten të lira në përfundim të procedurës së lëvizjes paralele:

a) për kategorinë ekzekutive, plotësohen nëpërmjet procedurës së pranimit në shërbimin civil, ku mund të konkurrojnë të gjithë ata kandidatë jashtë shërbimit civil, që plotësojnë kërkesat e përgjithshme dhe ato të posaçme, të përcaktuara në shpalljen e konkurrimit;
b) për kategorinë e ulët dhe atë të mesme drejtuese, plotësohen nëpërmjet procedurës së ngritjes në detyrë, ku mund të konkurrojnë nëpunësit civilë të një kategorie paraardhëse, të punësuar në të njëjtin institucion apo në një institucion tjetër të shërbimit civil, nëse plotësojnë kushtet e kërkesat e veçanta për vendin/vendet e lira.

7. Plotësimi i vendeve vakante në Trupën e Nëpunësve Civilë të Nivelit të Lartë Drejtues bëhet sipas përcaktimeve në nenet 27 – 30, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.

8. Ngarkohet Departamenti i Administratës Publike, në cilësinë e njësisë përgjegjëse, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

 

HAPJEN E PROCEDURËS SË PRANIMIT TË DREJTPËRDREJTË NË TND EDHE PËR KANDIDATË TË TJERË JASHTË SHËRBIMIT CIVIL DHE PËR PËRDORIMIN E PROCEDURËS SË PRANIMIT TË DREJTPËRDREJTË NË TND, PËR VITIN 2026

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 27, pika 5, dhe 29, pika 1, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, si dhe në vijim të pikave 2, 3 e 4, të kreut V, të vendimit nr.118, datë 5.3.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e emërimit, menaxhimit dhe përfundimit të marrëdhënies në shërbimin civil të nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues dhe të anëtarëve të TND-së”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përjashtimisht, për vitin 2026, procedura e pranimit të drejtpërdrejtë në TND është e hapur edhe për kandidatë të tjerë jashtë shërbimit civil, që plotësojnë kërkesat specifike për pranimin në TND.

2. Për vitin 2026, pranimi në TND bëhet në mënyrë të drejtpërdrejtë, nëpërmjet një konkursi kombëtar.
3. Numri i pozicioneve, për të cilat do të përdoret procedura e pranimit të drejtpërdrejtë në TND, është 11 (njëmbëdhjetë).

4. Kriteret minimale të pranimit për këtë procedurë për kandidatët nga jashtë shërbimit civil janë, si më poshtë vijon:

a) Të plotësojnë kushtet e përgjithshme të pranimit në shërbimin civil, të përcaktuara në shkronjat “a” deri në “dh”, të nenit 21, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar;
b) Të zotërojnë një diplomë të nivelit “Master i shkencave” apo “Master profesional të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 (dy) vite akademike”, ose të barasvlershme me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë. Diplomat, të cilat janë marrë jashtë vendit, duhet të jenë të njohura paraprakisht pranë institucionit përgjegjës për njësimin e diplomave, sipas legjislacionit në fuqi;
c) Të kenë të paktën 3 (tre) vjet përvojë pune në pozicione të mesme drejtuese ose të barasvlershme në:

i. institucione të administratës publike;
ii. institucione bankare të nivelit të dytë e që aktualisht nuk kanë detyrime ndaj shtetit ose nuk janë në proces kundër tij;
iii. shoqëri tregtare, të cilat, sipas legjislacionit në fuqi, konsiderohen si biznes i madh e që aktualisht nuk kanë detyrime ndaj shtetit ose nuk janë në proces kundër tij;
iv. organizata jofitimprurëse, të cilat kanë, të paktën, 5 (pesë) vjet që janë krijuar.

ç) Të mos kenë procese gjyqësore, civile, penale, administrative, të cilat janë në proces, si edhe të mos jenë në ndjekje penale nga prokuroria;
d) Të mos kenë masë disiplinore në fuqi, që nuk janë shuar sipas legjislacionit përkatës.

5. Përjashtimisht, për kandidatët nga jashtë shërbimit civil, të cilët kanë punuar dhe/ose punojnë:

a) në institucione ndërkombëtare brenda vendit;
b) në profesion jashtë vendit;
c) pedagogë në institucione të arsimit të lartë;
ç) avokatë, noterë apo kontabilistë, të miratuar brenda ose jashtë vendit,

kriteri i përvojës në punë të jetë, të paktën, 5 (pesë) vjet në këto institucione ose në profesion.
6. Ngarkohet Departamenti i Administratës Publike për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E PROGRAMIT TË REFORMAVE EKONOMIKE (ERP) 2026-2028

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e Programit të Reformave Ekonomike (ERP) 2026-2028, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

NJË SHTESË DHE NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.183, DATË 9.3.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DHËNIEN E MIRATIMIT PËR LIDHJEN E KONTRATËS SË QIRASË ME TARIFËN 1 EURO/KONTRATA, NDËRMJET MINISTRISË SË ZHVILLIMIT EKONOMIK, TURIZMIT, TREGTISË DHE SIPËRMARRJES, SI QIRADHËNËS, DHE SHOQËRISË “PARTIZANI”, SH.A., SI QIRAMARRËS, PËR PASURINË “AMBIENTE TË PRONËS NR.4, ME EMËRTIM “REPARTI USHTARAK NR.4030, RRUGA “MYSLYM KETA”, TIRANË”, NË ADMINISTRIM TË MINISTRISË SË MBROJTJES”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të aktit normativ nr.4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008, të ndryshuar, dhe të krerëve I, pika 5, shkronja “e”, dhe V, të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës e të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.183, datë 9.3.2016, të Këshillit të Ministrave, bëhen shtesa dhe ndryshimi, si më poshtë vijon:

1. Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:

“1.1. Dhënien e miratimit për lidhjen e shtesës së kontratës së qirasë, me tarifën 1 euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, si qiradhënës, dhe shoqërisë “Partizani”, sh.a., me NUIS K02322003T, si qiramarrës, për pasurinë e paluajtshme shtetërore nr.3/442 (prona nr.6, me emërtim “Reparti ushtarak nr.6010 (IGJIU), ish-RU nr.7030 (IGJU)”), me sipërfaqe të përgjithshme 12 692.94 (dymbëdhjetë mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e dy pikë nëntëdhjetë e katër) m2, në zonën kadastrale 8110, me vendndodhje në Tiranë, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes, sipas dokumentacionit të pronësisë, genplanit dhe tekstit të projektkontratës, që i bashkëlidhen këtij vendimi.”.

2. Në pikën 2, emërtesa “Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes” zëvendësohet me “Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË KRUJË TË DISA PRONAVE DHE PËR DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.242, DATË 6.3.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË BASHKISË KRUJË, TË QARKUT TË DURRËSIT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Transferimin në pronësi të Bashkisë Krujë të pronave me numrat rendorë 437 – 443, sipas shtojcës nr.1, formularëve dhe planeve të rilevimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.

2. Pronat sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, i shtohen lidhjes 1, që i bashkëlidhet vendimit nr.242, datë 6.3.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të Bashkisë Krujë, të Qarkut të Durrësit”.
3. Ngarkohen Bashkia Krujë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

SHPALLJEN E DISA ZONAVE ME PËRPARËSI ZHVILLIMIN E EKONOMISË MALORE NË BASHKINË DIBËR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 4, të ligjit nr.20/2025, “Për paketën e maleve”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpalljen “Zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore” në territorin e Bashkisë Dibër të zonave, si më poshtë vijon:

a) Zona zhvillimore nr.1, Bjeshkët e Korabit, me sipërfaqe 1146.11 (një mijë e njëqind e dyzet e gjashtë pikë njëmbëdhjetë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitur mbi ortofoto;
b) Zona zhvillimore nr.2, Bjeshkët e Hinoskës, me sipërfaqe 272.02 (dyqind e shtatëdhjetë e dy pikë zero dy) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitur mbi ortofoto;
c) Zona zhvillimore nr.3, Bjeshkët e Gramës, me sipërfaqe 859.80 (tetëqind e pesëdhjetë e nëntë pikë tetëdhjetë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitur mbi ortofoto;
ç) Zona zhvillimore nr.4, Bjeshkët e Zimurit, me sipërfaqe 559.83 (pesëqind e pesëdhjetë e nëntë pikë tetëdhjetë e tre) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitur mbi ortofoto;
d) Zona zhvillimore nr.5, Kodra e Gjaricës, fshati Brezhdan, pjesë e njësisë administrative Tomin, me sipërfaqe 195.72 (njëqind e nëntëdhjetë e pesë pikë shtatëdhjetë e dy) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitur mbi ortofoto;
dh) Zona zhvillimore nr.6, fshati Kallë, pjesë e njësisë administrative Sllovë, me sipërfaqe 34.32 (tridhjetë e katër pikë tridhjetë e dy) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitur mbi ortofoto;
e) Zona zhvillimore nr.7, fshati Lashkizë, pjesë e njësisë administrative Zall-Dardhë, me sipërfaqe 160.48 (njëqind e gjashtëdhjetë pikë dyzet e tetë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitur mbi ortofoto;
ë) Zona zhvillimore nr.8, fshati Lugjej, pjesë e njësisë administrative Zall-Dardhë, me sipërfaqe 626.74 (gjashtëqind e njëzet e gjashtë pikë shtatëdhjetë e katër ha), sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitur mbi ortofoto;
f) Zona zhvillimore nr.9, Lurë, pjesë e njësisë administrative Lurë, me sipërfaqe 509.05 (pesëqind e nëntë pikë zero pesë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitur mbi ortofoto;
g) Zona zhvillimore nr.10, fshati Qa (Prat), pjesë e njësisë administrative Zall-Dardhë, me sipërfaqe 107.38 (njëqind e shtatë pikë tridhjetë e tetë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitur mbi ortofoto;
gj) Zona zhvillimore nr.11, fshati Sllatinë, pjesë e njësisë administrative Sllovë, me sipërfaqe 79.62 (shtatëdhjetë e nëntë pikë gjashtëdhjetë e dy) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitur mbi ortofoto;
h) Zona zhvillimore nr.12, Lan – Lurë, pjesë e njësisë administrative Lurë, me sipërfaqe 219.35 (dyqind e nëntëmbëdhjetë pikë tridhjetë e pesë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitur mbi ortofoto;
i) Zona zhvillimore nr.13, livadhet e Kallës – Vleshë, pjesë e fshatrave Kallë dhe Vleshë, pjesë e njësisë administrative Sllovë, me sipërfaqe 868.34 (tetëqind e gjashtëdhjetë e tetë pikë tridhjetë e katër) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitur mbi ortofoto;
j) Zona zhvillimore nr.14, lugina e lumit Drin, me sipërfaqe 971.29 (nëntëqind e shtatëdhjetë e një pikë njëzet e nëntë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitur mbi ortofoto;
k) Zona zhvillimore nr.15, pjesë e njësive administrative Selishtë dhe Luzni, me sipërfaqe 8590.19 (tetë mijë e pesëqind e nëntëdhjetë pikë nëntëmbëdhjetë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitur mbi ortofoto;
l) Zona zhvillimore nr.16, fshati Rabdisht, pjesë e njësisë administrative Melan, me sipërfaqe 1421.12 (një mijë e katërqind e njëzet e një pikë dymbëdhjetë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitur mbi ortofoto.

2. Shtrirja, kufijtë dhe pikat e hyrjes e të daljes së këtyre zonave përcaktohen në hartën treguese, sipas sistemit KRGJSH, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

3. Llojet e aktiviteteve që do të zhvillohen në këtë zonë janë:

a) të zhvillimit ekonomik;
b) të zhvillimit industrial;
c) të zhvillimit turistik.

4. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Dibër për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

SHPALLJEN E DISA ZONAVE ME PËRPARËSI ZHVILLIMIN E EKONOMISË MALORE NË BASHKINË MEMALIAJ

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 4, të ligjit nr.20/2025, “Për paketën e maleve”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpalljen “Zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore” në territorin e Bashkisë Memaliaj të zonave, si më poshtë vijon:

a) Zona zhvillimore nr.1, që përfshin territore nga fshatrat Arrëz e Madhe, Maricaj dhe Vagalat, pjesë e njësisë administrative Luftinjë, me sipërfaqe 1 152.01 ha (një mijë e njëqind e pesëdhjetë e dy pikë zero një) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitur mbi ortofoto;
b) Zona zhvillimore nr.2, njësia administrative Buz, me sipërfaqe 5 916.22 ha (pesë mijë e nëntëqind e gjashtëmbëdhjetë pikë njëzet e dy) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitur mbi ortofoto;
c) Zona zhvillimore nr.3, fshati Rabie, pjesë e njësisë administrative Luftinjë, me sipërfaqe 1 241.43 ha (një mijë e dyqind e dyzet e një pikë dyzet e tre) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitur mbi ortofoto.

2. Shtrirja, kufijtë dhe pikat e hyrjes e të daljes së këtyre zonave përcaktohen në hartën treguese, sipas sistemit KRGJSH, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

3. Llojet e aktiviteteve që do të zhvillohen në këtë zonë janë:

a) të zhvillimit ekonomik;
b) të zhvillimit industrial;
c) të zhvillimit turistik.

4. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Memaliaj për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

SHPALLJEN E DISA ZONAVE ME PËRPARËSI ZHVILLIMIN E EKONOMISË MALORE NË BASHKINË TEPELENË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 4, të ligjit nr.20/2025, “Për paketën e maleve”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpalljen “Zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore” në territorin e Bashkisë Tepelenë të zonave, si më poshtë vijon:

a) Zona nr.1, pjesë e njësisë administrative Kurvelesh, me sipërfaqe 9673 (nëntë mijë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e tre) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitur mbi ortofoto;
b) Zona nr.2, pjesë e njësisë administrative Lopës, me sipërfaqe 3741 (tre mijë e shtatëqind e dyzet e një) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitur mbi ortofoto;
c) Zona nr.3, pjesë e njësisë administrative Qendër-Tepelenë, me sipërfaqe 19291 (nëntëmbëdhjetë mijë e dyqind e nëntëdhjetë e një) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitur mbi ortofoto.

2. Shtrirja, kufijtë dhe pikat e hyrjes e të daljes së këtyre zonave përcaktohen në hartën treguese, sipas sistemit KRGJSH, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

3. Llojet e aktiviteteve që do të zhvillohen në këtë zonë janë:

a) të zhvillimit ekonomik;
b) të zhvillimit industrial;
c) të zhvillimit turistik.
4. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Tepelenë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.