Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 6 mars 2026:
V E N D I M
PËR
EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 26.8.2025, PËR ÇËSHTJEN “KROI DHE NOÇKA KUNDËR SHQIPËRISË” (PËR KËRKESËN NR.84056/17)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46, të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me ligjin nr.8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 26.8.2025, për çështjen “Kroi dhe Noçka kundër Shqipërisë”, për kërkesën nr.84056/17, përfundimtar në datën 26.11.2025, sipas shumave të përcaktuara në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Vlerat e përcaktuara si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, konvertohen në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku depozitohet shuma, në datën e kryerjes së pagesës.
3. Vlerat e përcaktuara si detyrim, në pikën 1, të këtij vendimi, depozitohen në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kërkuesve, sipas shtojcës 1 që i bashkëlidhet këtij vendimi, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet, sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 26.8.2025, për çështjen “Kroi dhe Noçka kundër Shqipërisë”, kërkesa nr.84056/17, për secilin kërkues.
4. Pagimi i shumave të depozituara, sipas përcaktimeve në pikën 3, të këtij vendimi, në favor të dy kërkuesve, bëhet nga Ministria e Financave, pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda afatit 3-mujor nga dita kur vendimi i gjykatës është bërë përfundimtar.
5. Në rast mospagimi brenda afatit 3-mujor, të përmendur në pikën 4, të këtij vendimi, mbi shumat e sipërpërmendura paguhen interesa të thjeshtë, të barabartë me kursin marzhinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus tre për qind.
6. Efektet financiare, të parashikuara për ekzekutimin e këtij vendimi, përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2026.
7. Ngarkohet Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PЁRCAKTIMIN E RREGULLAVE, KRITEREVE DHE MASЁS PËR KOMPENSIMIN E KONTRIBUTEVE TË PUNËDHËNËSIT PËR KOSTON SHTESË, QË KRIJOHET SI REZULTAT I RRITJES SË PAGËS MINIMALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 9, të nenit 11, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënie kompensimi financiar çdo muaj, për periudhën kontributive janar–shtator 2026, për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të punëdhënësit për subjektet që preken nga rritja e pagës minimale.
2. Subjektet përfituese të kompensimit financiar duhet të ushtrojnë aktivitet në të gjithë sektorët ekonomikë të nomenklaturës së veprimtarive ekonomike dhe të plotësojnë kriteret e përcaktuara në pikën 5, të këtij vendimi.
3. Kompensimi financiar llogaritet dhe jepet bazuar në numrin maksimal të të punësuarve me fashën e pagës bruto, nga 40 000 (dyzet mijë) lekë deri në 49 999 (dyzet e nëntë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë) lekë, që figurojnë në listëpagesën e deklaruar në organet tatimore për muajin shtator 2025, për përditësimin më të fundit të bërë gjatë vitit 2025.
4. Kompensimi financiar për subjektet jepet çdo muaj, për periudhën kontributive janar–shtator 2026, nga Drejtoria Rajonale e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (DRAKPA), ku kanë adresën e vendit, në të cilin zhvillohet pjesa kryesore e veprimtarisë tregtare.
5. Subjektet me të drejtë aplikimi duhet të plotësojnë kriteret, si më poshtë vijon:
a) Të mos kenë një punonjës në total të regjistruar në listëpagesë;
b) Të mos jenë subjekte në pronësi shtetërore apo ente publike;
c) Të mos jenë subjekte të regjistruara në statusin e sigurimeve si:
i. i vetëpunësuar (i vetëm);
ii. i vetëpunësuar me punëmarrës dhe punonjës të papaguar të familjes;
iii. i vetëpunësuar pa punëmarrës dhe punonjës të papaguar të familjes.
ç) Të mos kenë detyrime (principal) ndaj organeve tatimore për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në momentin e aplikimit.
6. Subjektet aplikojnë në mënyrë elektronike nëpërmjet portalit “e-Albania” për periudhën që kërkojnë kompensim, duke filluar nga data 1 prill 2026 deri më 31 tetor 2026.
7. Kompensimi financiar jepet në masën e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore të punëdhënësit, 16.7%, llogaritur mbi diferencën e pagës së çdo punonjësi me pagë bruto, nga 40 000 (dyzet mijë) lekë deri në 49 999 (dyzet e nëntë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë) lekë në shtator 2025, me pagën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
8. Për subjektet, të cilat në muajin që kërkojnë kompensim kanë reduktuar numrin e punonjësve totalë në më pak se numri i punonjësve me pagë bruto, nga 40 000 (dyzet mijë) lekë deri në 49 999 (dyzet e nëntë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë) lekë në shtator 2025, kompensimi financiar jepet mbi shumën mesatare të fondit që do të përfitonte për punonjës, në rast mosreduktimi të numrit të punonjësve, sipas pikës 1, të këtij kreu, shumëzuar me numrin aktual të punonjësve në total.
9. Verifikimi i aplikimit kryhet nëpërmjet ndërveprimit elektronik të sistemeve dhe shpërndarja për përfituesit e këtij vendimi bëhet nga drejtoritë rajonale të AKPA-s.
10. Për kryerjen e kompensimit financiar, DRAKPA-ja urdhëron pagesën çdo muaj pranë strukturës së thesarit në degë, brenda 10-ditëshit të parë të muajit, për të gjitha kërkesat e muajit paraardhës. Kryhen aq urdhërpagesa sa janë bankat e nivelit të dytë (BND), me të cilat operojnë subjektet përfituese të kompensimit financiar. Pagesa urdhërohet në llogarinë tranzitore të pagave në BND për shumën totale të subjekteve përfituese në atë bankë dhe paralelisht DRAKPA-ja dërgon në BND listën e subjekteve përfituesve në bankën përkatëse me të dhënat e llogarisë bankare dhe shumën e kompensimit për çdo subjekt.
11. Efekti financiar për periudhën janar – shtator 2026 përballohet nga buxheti i shtetit, miratuar për vitin 2026, në programin “Tregu i punës”, për Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit.
12. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.649, DATË 14.9.2011,TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E LISTËS SË SPECIALITETEVE, NËNSPECIALITETEVE APO SPECIALITETEVE PLOTËSUESE PËR PROFESIONET E RREGULLUARA”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 13, të ligjit nr.10171, 22.10.2009, “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe të ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ndarja V, në shtojcën 1, “Lista e specialiteteve, nënspecialiteteve apo specialiteteve plotësuese për profesionet e rregulluara”, bashkëlidhur vendimit nr.649, datë 14.9.2011, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e listës së specialiteteve, nënspecialiteteve apo specialiteteve plotësuese për profesionet e rregulluara”, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“V. Profesioni i fizioterapistit, me diplomë në “fizioterapi” ose “shkenca rehabilitimi”.
2. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministria e Arsimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E PROCEDURËS SË DETAJUAR PËR KTHIMIN E GARANCIVE, HUAVE DHE NËNHUAVE DHE TË PROCEDURAVE TË MARRJES NË PRONËSI TË PASURIVE TË LËNA SI GARANCI OSE JO NGA HUAMARRËSIT E SHITJES SË KËTYRE PASURIVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 10, të ligjit nr.55/2023, “Për menaxhimin e garancive dhe kredive shtetërore të pakthyera”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. OBJEKTI
Ky vendim ka për objekt përcaktimin e parimeve, të rregullave dhe të procedurave për menaxhimin, administrimin dhe rikuperimin e garancive shtetërore të dhëna për huat e nënhuat, si dhe për kthimin e kredive shtetërore të pakthyera, të akorduara nga bankat e nivelit të dytë me kapital tërësisht shtetëror para procesit të privatizimit të tyre.
II. PROCEDURA E DETAJUAR E KTHIMIT TË GARANCIVE SHTETËRORE, HUAVE DHE NËNHUAVE
1. Agjencia e Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të Pakthyera (në vijim, Agjencia) fillon procedurat për vjeljen e rikuperimin e detyrimit, me qëllim kthimin e garancisë shtetërore të huas me marrjen e njoftimit nga ministria përgjegjëse për financat mbi kryerjen, nga kjo e fundit, të pagesës së garancisë, në favor të institucionit huadhënës, apo ekzistencën e detyrimit të pashlyer ndaj ministrisë nga subjekti përfitues i garancisë shtetërore, i marrëveshjes së huas ose të nënhuas.
2. Agjencia i dërgon huamarrësit njoftimin zyrtar “Njoftim për shlyerje detyrimi”, në përputhje me gjendjen e përditësuar të detyrimeve, që rrjedhin nga huat, nënhuat dhe garancitë shtetërore, sipas kushteve dhe detyrimeve të përcaktuara në marrëveshjen përkatëse të huas ose të nënhuas të nënshkruar ndërmjet palëve.
3. Agjencia kryen mbikëqyrjen dhe verifikimin e kushteve financiare të të gjithë huamarrësve, që kanë përfituar financim me garanci shtetërore, nënhua ose hua të akorduar nga buxheti i shtetit, dhe, në rast mospagimi të detyrimit, kërkon prej tyre informacionin e dokumentacionin e nevojshëm për realizimin e kësaj mbikëqyrjeje.
4. Pas verifikimit, në rast se rezulton se huamarrësi ka aftësi paguese dhe pagesa e detyrimit është kryer nga ministria përgjegjëse për financat, Agjencia, me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm, kërkon bllokimin e llogarive përkatëse dhe sekuestrimin e shumës së paguar nga ministria, si dhe ndjek shlyerjen e plotë të detyrimit, në përputhje me dispozitat e nenit 42, të ligjit nr.9665, datë 8.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas”, të ndryshuar.
5. Agjencia kërkon lëshimin e urdhrit të ekzekutimit nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe vijon me vënien në ekzekutim të titullit ekzekutiv, duke ndjekur procedurat përmbarimore deri në shlyerjen përfundimtare të detyrimeve të huamarrësve ndaj ministrisë, për pagesat e kryera nga kjo e fundit në kuadër të marrëveshjeve përkatëse, për huamarrësit që nuk kanë shlyer detyrimet dhe nuk kanë aftësi paguese.
6. Shumat, që janë objekt i këtij vendimi, lidhur me garancitë, huat dhe nënhuat, kthehen direkt në llogarinë unike të thesarit. Komisionet bankare, pagesat për shpenzime gjyqësore, përmbarimore ose çdo shpenzim tjetër i lidhur me rikuperimin e detyrimeve nuk zbriten nga shumat e arkëtuara.
7. Agjencia ka detyrimin të raportojë dhe të koordinojë çdo muaj me ministrinë përgjegjëse për financat lidhur me gjendjen e detyrimeve të pashlyera për secilin huamarrës dhe për çdo marrëveshje garancie, huaje ose nënhuaje, në përputhje me udhëzimin përkatës për bashkëpunimin ndërmjet Agjencisë së Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të Pakthyera me ministrinë përgjegjëse për financat, për menaxhimin e skemave të veçanta të garancive shtetërore, si dhe për kthimin e garancive shtetërore të huas e të nënhuave.
III. PROCEDURA E DETAJUAR E KTHIMIT TË GARANCIVE SOVRANE
1. Agjencia ka detyrimin të marrë, në mënyrë elektronike dhe shkresore, raportin mujor për gjendjen e garancive sovrane nga bankat e nivelit të dytë, në përputhje me marrëveshjet e lidhura ndërmjet ministrisë përgjegjëse për financat dhe bankave të nivelit të dytë.
2. Agjencia ka detyrimin të raportojë çdo muaj, në ministrinë përgjegjëse për financat, për gjendjen e garancive sovrane pas përpunimit dhe koordinimit të raportit me bankat, në përputhje me udhëzimin përkatës për bashkëpunimin ndërmjet Agjencisë së Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të Pakthyera me ministrinë përgjegjëse për financat, për menaxhimin e skemave të veçanta të garancive shtetërore, si dhe për kthimin e garancive shtetërore të huas dhe të nënhuave.
3. Me marrjen e kërkesës për pagesë nga institucioni huadhënës, Agjencia verifikon nëse kjo kërkesë përmban bashkëngjitur:
a) vlerën e përllogaritur të pagesës;
b) përshkrimin e detajuar të detyrimeve, duke përcaktuar në mënyrë analitike principalin, interesat e akumuluar, penalitetet dhe çdo detyrim tjetër në zbatim të marrëveshjes së huas, që rëndon mbi huamarrësin;
c) përshkrimin e detajuar të të gjitha proceseve të ndjekura nga huadhënësi gjatë periudhës kur subjekti nuk ka kryer pagesën, për të rikuperuar detyrimet nga huamarrësi, duke filluar nga momenti i gjenerimit të detyrimit deri në dërgimin e kërkesës për pagesë;
ç) numrin e llogarisë bankare të huadhënësit, ku do të kryhet pagesa e garancisë.
4. Agjencia shqyrton dokumentacionin ligjor të subjektit në vonesë dhe verifikon përmbushjen e kushteve dhe të kritereve për kryerjen e pagesës, në përputhje me marrëveshjet përkatëse të garancisë.
5. Agjencia ka të drejtën të kërkojë lëvizjet e llogarive bankare të huamarrësit, në mënyrë që, nëpërmjet përshkrimit të lëvizjeve, të verifikojë nëse fondet janë përdorur nga huamarrësi për qëllimin e lëvrimit të huas.
6. Para autorizimit për kryerjen e pagesës, Agjencia ka të drejtën të kërkojë nga huadhënësi informacion shtesë ose sqarime lidhur me dokumentacionin bashkëlidhur kërkesës për pagesë.
7. Në rast se Agjencia konstaton se fondet e huas nuk janë përdorur për qëllimin e përcaktuar ose nëse verifikon se nuk është përmbushur ndonjë nga kriteret apo kushtet e dhënies së huas, Agjencia nuk autorizon kryerjen e pagesës së garancisë në favor të huadhënësit.
8. Kur Agjencia vlerëson kërkesën për pagesë të huadhënësit si të rregullt dhe të plotësuar sipas kritereve të përcaktuara, ajo ka detyrimin të kërkojë nga ministria përgjegjëse për financat kryerjen e pagesës, në përputhje me formatin e përcaktuar në udhëzimin përkatës për bashkëpunimin ndërmjet Agjencisë së Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të Pakthyera me ministrinë përgjegjëse për financat, për menaxhimin e skemave të veçanta të garancive shtetërore, si dhe për kthimin e garancive shtetërore të huas dhe të nënhuave.
9. Pas njoftimit nga ministria për kryerjen e pagesës në favor të bankës së nivelit të dytë, Agjencia ka detyrimin të informojë huamarrësin për detyrimin e tij ndaj ministrisë, në përputhje me marrëveshjen e mirëkuptimit të nënshkruar nga huamarrësi.
10. Pas kryerjes së pagesës, Agjencia ka detyrimin të mbikëqyrë dhe të ndjekë veprimet e kryera nga bankat e nivelit të dytë, duke kërkuar dhe duke marrë informacion në formë shkresore lidhur me procesin e rikuperimit të detyrimeve të huamarrësve.
11. Në rast se huadhënësi rikuperon pjesërisht ose në tërësi detyrimin e huas, i cili më parë është paguar nga ministria përgjegjëse për financat, huadhënësi ka detyrimin të njoftojë me shkrim Agjencinë brenda një afati prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh pune. Njoftimi duhet të përfshijë vlerën e rikuperuar, procedurat e ndjekura për rikuperim, shpenzimet e lidhura me rikuperimin, si dhe çdo informacion tjetër të konsideruar të nevojshëm për Agjencinë.
12. Pas marrjes së njoftimit për rikuperimin e detyrimit, Agjencia ka detyrimin të njoftojë me shkrim huadhënësin për detajet e pagesës, përfshirë shumën e rikuperuar dhe numrin e llogarisë bankare, ku do të kryhet derdhja e saj.
13. Në rast se huadhënësi nuk ka mundur të rikuperojë detyrimet e huamarrësit, Agjencia ka detyrimin të ndërmarrë të gjitha masat ligjore të nevojshme për ekzekutimin e detyrimeve, në përputhje me dispozitat përkatëse të Kodit të Procedurës Civile.
IV. PROCEDURAT E MARRJES NË PRONËSI TË PASURIVE TË LËNA SI GARANCI OSE JO NGA DEBITORËT, TË ADMINISTRIMIT E TË SHITJES SË KËTYRE PASURIVE
1. Ky vendim përfshin të gjitha pasuritë, qoftë të lëna si garanci apo jo, nga debitorët e Agjencisë, të cilat konsiderohen të përfshira dhe kalojnë në pronësi të Agjencisë, në rast se nuk janë shitur në ankandet e zhvilluara nga përmbaruesi gjyqësor, në përputhje me procedurat ligjore të ekzekutimit të detyrueshëm.
2. Marrja në pronësi e pasurive, qoftë të lëna si garanci apo jo nga debitorët, realizohet me pëlqimin e Agjencisë, si palë kreditore, duke u bazuar në vlerën e ankandit të fundit të zhvilluar nga përmbaruesi gjyqësor.
3. Agjencia është përgjegjëse për ruajtjen dhe administrimin e sendeve të luajtshme të marra në pronësi. Në raste të veçanta, mund të vendoset ruajtja fizike ose elektronike e këtyre sendeve. Kur ruajtja në ambientet e Agjencisë nuk është e mundur, sendet mund të ruhen kundrejt pagesës në magazina ose vende parkimi në pronësi të të tretëve. Shpenzimet për ruajtjen dhe administrimin e sendeve të marra në pronësi i shtohen vlerës së detyrimit të debitorit dhe konsiderohen të detyrueshme për këtë të fundit.
4. Agjencia kontabilizon pronën e marrë në pronësi, sipas vlerës së përcaktuar nga përmbaruesi gjyqësor në vendimin për kalimin e pronësisë.
5. Në këtë rast, vlera e pronës, e parashikuar në pikën 2 të këtij kreu, si dhe vlera e pasurive në pronësi të Agjencisë, për efekt të deklarimit të realizimit të të ardhurave, kontabilizohet duke zbritur detyrimin e debitorit.
6. Pas kontabilizimit të pronës, Agjencia i propozon debitorit, të cilit i është marrë pasuria nëpërmjet procedurave përmbarimore, shitjen e sendit të marrë në pronësi. Debitori ka detyrimin të kthejë përgjigje brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e njoftimit. Pas përfundimit të këtij afati, Agjencia përgatit dosjen për realizimin e shitjes me ankand.
7. Agjencia përgatit dhe ndjek procedurën e ankandit, duke përfshirë shpalljen për publikim në buletinet e Agjencisë së Prokurimit Publik, dërgimin e shpalljeve në organet e pushtetit vendor dhe në vendndodhjen e sendit, objekt të shitjes, mbajtjen e procesverbalit të ankandit, si dhe kryerjen e çdo procedure tjetër të nevojshme për realizimin e procesit të ankandit.
8. Procedurat e ankandit organizohen nga Agjencia, duke respektuar rregullat dhe procedurat e shitjes së pronës shtetërore, të parashikuara në legjislacionin në fuqi mbi ankandin publik.
9. Vendimmarrja mbi ankandin kryhet nga komisioni i ankandit, i ngritur me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë dhe i përbërë nga pesë anëtarë. Si vlerë fillestare e pronës, që do të shitet me ankand, konsiderohet vlera e kontabilizuar nga Agjencia ose, sipas rastit, vlera e rivlerësuar.
10. Agjencia ka të drejtën të kryejë rivlerësimin e gjendjes aktuale të pronës para fillimit të procedurave të shitjes me ankand. Vlerësimi ose rivlerësimi i pronës do të bëhet sipas çmimit minimal fiskal, përcaktuar në legjislacionin në fuqi.
11. Komisioni i vlerësimit të pasurive ka detyrimin të propozojë rivlerësimin e sendit në pronësi të Agjencisë, kur ekzistojnë kushtet e parashikuara në ligj ose në aktet nënligjore në fuqi.
12. Vlerësuesi i pasurive të paluajtshme duhet të jetë një person i specializuar në vlerësimin e pasurive të paluajtshme, i pajisur me licencën përkatëse për këtë aktivitet dhe i shoqëruar me jetëshkrimin e formularin për deklarimin e konfliktit të interesave.
13. Njoftimi publikohet në faqen zyrtare të Agjencisë dhe përzgjedhja e vlerësuesit kryhet pas shqyrtimit të kërkesave, duke marrë parasysh eksperiencën e tij dhe ofertën më të përshtatshme.
14. Të ardhurat e siguruara nga shitja e pronave të sekuestruara nga debitorët, si rezultat i procedurave të ankandit, derdhen në buxhetin e shtetit.
15. Për kreditë e debitorëve të transferuar nga bankat e nivelit të dytë me kapital tërësisht shtetëror para privatizimit të tyre, të cilët kanë shlyer detyrimin për principal dhe shpenzimet gjyqësore para hyrjes në fuqi të ligjit nr.55/2023, “Për menaxhimin e garancive dhe kredive shtetërore të pakthyera”, pasuria e të cilëve rezulton në pronësi të Agjencisë, kjo e fundit i kthen pronën debitorit. Kthimi i pronës bëhet vetëm pasi debitori ka përmbushur të gjitha detyrimet dhe ka shlyer të gjitha shpenzimet e kryera nga Agjencia për këtë qëllim.
V. LLOGARITË BANKARE DHE VEPRIMET MBI TO
1. Llogaritë bankare në bankat e nivelit të dytë, të transferuara nga ish-Agjencia e Trajtimit të Kredive, në monedhat lek, euro dhe dollar amerikan (USD), mbahen të hapura dhe përdoren për qëllimet e mëposhtme:
a) Arkëtimet që vijnë nga kreditë sipas pikave 1 dhe 2, të nenit 15, të ligjit nr.55/2023, “Për menaxhimin e garancive dhe kredive shtetërore të pakthyera”;
b) Arkëtimet nga shitja e pronave të sekuestruara, të cilat janë në pronësi të Agjencisë;
c) Arkëtimet e mbledhura në këto llogari përdoren për komisionet bankare për mirëmbajtjen e llogarive, si dhe për kthimin e 20% të shumës së derdhur për pjesëmarrjen në ankand, në rast se ka ofertues.
2. Për arkëtimet e të gjithë debitorëve në trajtim nga Agjencia, në rast se fondet derdhen në një llogari aktive në monedhë tjetër nga monedha në të cilën debitori ka detyrimin, konvertimi kryhet sipas kursit të Bankës së Shqipërisë në datën e kryerjes së veprimit.
VI. DISPOZITA TË FUNDIT
1. Vendimi nr.681, datë 11.6.2009, i Këshillit të Ministrave, “Për trajtimin e kredive të transferuara nga bankat e nivelit të dytë, me kapital tërësisht shtetëror, në Agjencinë e Trajtimit të Kredive, për kriteret dhe kushtet për ndryshimin e marrëveshjes së kredisë, si dhe procedurat e marrjes në pronësi të pasurive, të lëna si garanci ose jo nga huamarrësit, të administrimit, shitjes dhe dhënies me qira apo me enfiteozë të këtyre pasurive”, i ndryshuar, shfuqizohet.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Agjencia e Menaxhimit të Garancive dhe Kredive të Pakthyera për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA