Shumë prej produkteve shqiptare “Made in Albania” janë dhjetëfishuar vitet e fundit, falë zhvillimit të kompanive vendase që janë shndërruar në krenari kombëtare, si rezultat i përkushtimit familjar, por edhe skemave mbështetëse të qeverisë për sipërmarrjen, bujqësinë dhe agropërpunimin.
Ky kombinim i iniciativës private me politikat mbështetëse ka prodhuar histori konkrete suksesi në ekonominë shqiptare, një prej të cilave është edhe kompania e prodhimit të frutave të thata “Alegria”, në Gjirokastër.
Kryeministri Rama i cili vizitoi sot Gjirokastrën ishte në kompaninë “Alegria”, ku u njoh nga afër me investimet më të fundit, teknologjinë e re dhe produktet tradicionale të agropërpunuara që tashmë eksportohen në tregje ndërkombëtare si SHBA, Kanada, Angli dhe Belgjikë.
Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, cila shoqëronte Kryeministrin në këtë vizitë vlerësoi transformimin e kompanisë si një histori frymëzuese suksesi:
“Kjo kompani quhet “Alegria” dhe kjo që shikoni këtu është në fakt ndërtimi më i ri. E ka nisur me një gjë fare të vogël dhe sot ka pushtuar tregun me produkte tradicionale që i agropërpunojnë dhe me frutat e thata të cilët me teknologjitë e reja që kanë futur kanë bërë edhe gjithë pajisjet e hotelerisë shqiptare me paketimet e vogla që sot janë shumë të kërkuara. Turizmi nga një anë i krijoi djemve një mundësi të re për investim dhe për të zgjeruar ofertën e tyre kështu që bën edhe blerje të reja teknologjike dhe inovacion Edhe më vjen shumë mirë që vetëm një vit më parë kjo nuk ishte kur ishim bashkë këtu por ju e dini më mirë historinë.” – shpjegoi Kumbaro.
Nga ana e tij, pronari i kompanisë theksoi se rritja e shpejtë e viteve të fundit nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen institucionale dhe investimet strategjike:
“ Falë suportit tuaj realisht që na u bë të mundur për ta ngritur sepse normalisht hapat që po hedhim këto tre vitet e fundit për neve si kompani ishin shumë të mëdha dhe kishim nevojë për zgjerim. Ne i prumë brenda tre viteve të fundit dy risi. Një format paketimi unik dhe që nuk është në tregun rajonal që quhet “canpet” që frutat e thata ne i paketojmë në vazo plastike me easy open dhe jemi të vetmit rajon në të gjithë Ballkanin, nuk ekziston ky lloj formati paketimi Dhe së fundi, vitin që kaloi ne kemi bërë një investim në një linjë prodhimi të kokoshkave të karamelizuara që prapë është për tregun shqiptar, askush nuk e ka. Kemi filluar dhe prodhimin e saj prej gjashtë muajsh dhe pritshmëritë nga tregu janë shumë të mira por baza gjithmonë është këtu, tek produktet tradicionale. Prodhojmë jufkën, prodhojmë petkën, prodhojmë rroshnicat, prodhojmë trahana. Ajo atje është linja full automatike e prodhimit të kokoshkave, që prodhojmë ndërsa këtu jemi me linjë gjysmë automatike të paketimit të në kanpet. Kjo është lajthi e vendit, është e Gjirokastres, e fshatrave përballë. Kjo është e fermerëve tanë.” – shpjegoi drejtuesi i kompanisë lidhur me disa produkte.
Kompania numëron mbi 4,000 klientë në të gjithë vendin dhe është e pranishme gjerësisht në sektorin e hotelerisë, ndërsa produktet e saj – përfshirë lajthinë vendase dhe bukëfiqen tradicionale – po fitojnë gjithnjë e më shumë terren edhe në tregjet ndërkombëtare.
Suksesi i “Alegria” është një dëshmi e qartë se si tradita, inovacioni dhe mbështetja e duhur mund të ndërthuren për të krijuar produkte konkurruese në tregun global, duke e kthyer “Made in Albania” në një markë gjithnjë e më të kërkuar dhe të besueshme.