Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Banka e  Shqipërisë përkujtoi sot 100 vjetorin e krijimit të saj. Me këtë rast u organizua  konferenca shkencore e nivelit të lartë me temë: ”Një shekull banking qendror: Nga themelimi institucional te roli si ankorë rajonale” me pjesëmarrjen e  guvernatorëve të bankave qendrore, përfaqësuesve të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe akademikë të fushës, në një diskutim mbi sfidat me të cilat përballen ekonomitë e vogla dhe të mesme në një mjedis makroekonomik gjithnjë e më të fragmentuar, me kushte të reja gjeopolitike dhe zhvillime të shpejta në fushën e inovacionit financiar.

Kryeministri Edi Rama, i cili përshëndeti eventin tha se ky është një moment i rëndësishëm në historikun e Bankës së Shqipërisë, ndërkohë që e vlerësoi Bankën si një institucion të konsoliduar me standarde, që ka përballuar shumë sfida në rrugëtimin e tij. “Duke ardhur në këtë moment celebrimi mendoja që Banka e Shqipërisë është në mos i vetmi ndër shumë të paktit institucione të Republikës sonë që mund të quhet i tillë me plot gojën – institucion. Në atë kuptim dhe me ato standarde që kemi parasysh kur flasim për institucionet që i duhen një vendi dhe që bëjnë që ky vend të përmbushë kriteret e të qenit një vend në botën e zhvilluar dhe në tryezën e familjes europiane.” – u shpreh Kryeministri.

Me rastin e 100 vjetorit të Bankës së Shqipërisë u emetua edhe monedha numizmatike prej argjendi, pa kurs ligjor me vlerë emërore 100 lekë, e cila u prezantua nga Guvernatori i Shqipërisë Gent Sejko.

 

* * *

 

Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje në radhë të parë të gjithë miqve që kanë ardhur nga jashtë kufijve për të asistuar në këtë moment të rëndësishëm të jetës së Bankës së Shqipërisë dhe më lejoni ta nis duke cituar dikë, që për ju të gjithë është një nga pikat e referimit, John Keynes, i cili thoshte se në planin afatgjatë jeta është afatshkurtër dhe detyra e Bankës Qendrore është pikërisht që të garantojë që në afat shkurtër gjithçka të jetë brenda kornizës së një afati të gjatë.

Duke ardhur në këtë moment celebrimi mendoja që Banka e Shqipërisë është në mos i vetmi ndër shumë të paktit institucione të Republikës sonë që mund të quhet i tillë me plotë gojën – institucion, në atë kuptim dhe me ato standarde që kemi parasysh kur flasim për institucionet që i duhen një vendi dhe që bëjnë që ky vend të përmbushë kriteret e të qenit një vend në botën e zhvilluar dhe në tryezën e familjes europiane.

Nuk është e lehtë të thuhet e njëjta gjë për plot institucione të tjera, të cilat janë më plot gojën në formim e sipër dhe do të ishte vërtet e dobishme që historia e zhvillimit dhe e përpjekjeve të Bankës së Shqipërisë për t’u formësuar dhe t’u konsoliduar si institucion të merret përsipër dhe të shkruhej për t’iu dhënë të tjerëve një pasqyrë të gjithë rrugës se si u ngrit një institucion i tillë, i cili sot është faktikisht dhe praktikisht një institucion plotësisht i integruar në botën ku jetojmë, dëshmi e thjeshtë e këtij fakti ishin dhe dy adresimet e bëra nga dy personalitete që e përfaqësojnë drejtpërdrejtë botën e zhvilluar në të cilën operon një institucion si Banka e Shqipërisë.

Dhe për hir të vërtetës nuk është se Banka e Shqipërisë ka një histori më të gjatë sesa qeveria e Shqipërisë apo sesa disa institucione të tjera. Ishte pikërisht në vitin 1913 kur me ndihmën e austriakëve Ismail Qemali gati sa nuk e krijoi Bankën e Shqipërisë.  Ai tha se: “E them me lavdërim, se puna e Bankës për Shqipërinë është një deklaratë e dytë pavarësie, këtë herë një pavarësi ekonomiko-politike”, por përpjekja u ndërpre brutalisht brenda disa muajsh nga Lufta e Dytë Botërore dhe u desh që të kalonin 12 vjet të tjera nga ai moment që Shqipëria të kishte bankën e vet qendrore. Megjithatë, fara e mbjellë në 1913 bëri që Banka e Shqipërisë të lindte, edhe pse historia edhe me Bankën e Shqipërisë nuk ka qenë bujare, ashtu sikundër edhe me gjithë institucionet e tjera, e përsëris, që për arsye që do të duhej të studioheshin dhe të shpjegoheshin në mënyrë shteruese, ky është një institucion që na përfaqëson si një model, i asaj që duhet të jenë institucionet e pavarura të vendit.

50 vjet më parë, kur Bashkimi Europian ishte një eksperiment i ri, nëse mund të thuhet, Banka Qendrore e Suedisë organizoi një konferencë ndërkombëtare, ku shtrohej e njëjta pyetje që ne bëjmë sot dhe shtrohej e njëjta sfidë që ne kemi sot – Bankat Qendrore përballë sfidës së integrimit dhe cilat janë detyrat e tyre? Guvernatori i atëhershëm i Bankës Qendrore të Suedisë, Per Åsbrink, parashikoi se pak nga pak roli i bankave do të ndryshonte, duke mos qenë vetëm ruajtëse të ekuilibrave të brendshëm dhe komardare e fundit e shpëtimit të qeverive përpara krizave. Sipas fjalës së tij, në atë kohë Bankat Qendrore ishin të destinuara të bëheshin gjithmonë e më përcaktuese në ekuilibrat e gjerë transnacional dhe sot besoj që kjo profeci e guvernatorit të atëhershëm të Bankës Qendrore të Suedisë është më e prekshme dhe më reale se kurrë, pasi politikat monetare të ndjekura nga Bankat Qendrore, natyrisht sipas peshës, edhe influencës së tyre në skenën e madhe globale kanë pasoja që shkojnë shumë larg kufijve kombëtarë.

Sot, Banka e Shqipërisë hyn në shekullin e saj të dytë dhe gjendet në një hartë krejt të re nga harta ku ajo u vendos në fillim të shekullit të saj të parë. Pas pandemisë globale, luftës në Europë, dallgëve inflacioniste, sot jemi të gjithë të vetëdijshëm se politika monetare nuk matet më vetëm me normën bazë, por matet detyrimisht, edhe me pritshmëritë. Dhe sot normalizimi do të thotë shumë më tepër sesa përdorimi i mekanizmit të normës bazë, pasi do të thotë edhe transparencë, edhe kreativitet, edhe kurajë, hap pas hapi, me vigjilencë dhe pa panik nga befasitë gjithmonë e më të pranishme në jetën e përditshme të vendeve dhe të fshatit tonë global. Natyrisht që në këtë kontekst, sfida e bankës tonë qendrore është e dyfishtë, pasi nga njëra anë duhet të shikojë përtej të sotmes dhe shumë më larg në të ardhmen, ndërkohë që e ardhmja bëhet gjithmonë e më e afërt dhe nga ana tjetër duhet të vazhdojë të provojë se është në lartësinë e duhur për sa i takon funksionit të saj bazë, funksionit të saj tradicional, funksionit të saj historik.

Në ndërkohë që ne përpiqemi që të gjithë së bashku të hedhim sa më shpejt hapat e procesit të anëtarësimit duke menduar çdo ditë sesi ta mbajmë ritmin e lartë ku kemi hyrë me hapjen e njëpasnjëshme të grup kapitujve dhe duke u përpjekur të kuptojmë se çfarë duhet të bëjmë më shumë për të mos u gjendur përpara pamundësisë për t’i mbyllur grup kapitujt në ndërkohë që hapësira e kohës që kemi është shumë e ngushtë dhe në ndërkohë që tendenca e përgjithshme është për të luajtur në fushë të sigurte, bota ndryshon me një shpejtësi marramendëse dhe të rejat që penetrojnë globalisht por edhe lokalisht në botën e  financave, në botën e parasë janë vërtete të atilla që tronditin deri në themel ato që deri pak kohë më parë, deri dje, literalisht dje dukeshin çështje të zgjidhura dhe çështje pa dilemë.

Natyrisht që nëse 50 vite më parë kur guvernatori i bankës së Suedisë paralajmëroi se bankat qendrore po hynin në një fazë kur do duhej të ndër vepronin dhe të mendonin bashkarisht për ekuilibrat përtej kufijve kombëtar, sot digjitalizimi i pasuar nga inteligjenca artificiale dhe nga gjithfarë zhvillimesh në botën e parasë, pagesat e menjëhershme 24/7, open-banking, bankat digjitale, kripto-monedhat sjellin me vete oportunitete të jashtëzakonshme dhe dilema të jashtëzakonshme duke u kthyer në koncepte të cilat duhen integruar në mënyrën tradicionale të të menduarit një orë e më parë, ndërkohë që është fare e qartë që kjo botë kaq e hapur i integron ato pavarësisht vullnetit të qeverive, pavarësisht vullnetit të bankave qendrore dhe kështu krijohet një hapësirë gjithmonë e më e gjerë veprimesh dhe ndërveprimesh jashtë rrezes së veprimit të qeverive dhe jashtë kontrollit të bankave qendrore, por edhe më shumë se kaq mbeten jashtë potenciale të jashtëzakonshme që në fakt duhen integruar dhe duhen shfrytëzuar brenda një kuadri krejtësisht të ri inovativ rregullator.

Ka qenë rreth 200 vjet më parë kur dikush, një njeri i mençur tha se paraja nuk e menaxhon dot veten dhe këtë më mirë se çdokush e dini të gjithë ju që jeni pjesë e kësaj përpjekjeje profesionale, institucionale për të menaxhuar sa më mirë paranë, por sot jemi në një nivel krejt tjetër kur krahas me paranë që duhet menaxhuar kemi përballë algoritmet të cilat aq më tepër nuk e menaxhojnë dot veten dhe ekzaktësisht për këtë arsye krahas politikes monetare duhen mekanizma të rinj kontrolli në funksion të menaxhimit të algoritmeve, por duhet dhe një mendje shumë më e hapur për t’i përqafuar këto fakte të reja të imponuara nga zhvillime të cilat tanimë ne nuk i kontrollojmë dot, por duhet të bëjmë çmos që të mos na kontrollojnë.

Nuk dua të marr kohë dhe të flas gjatë, për herë të parë qysh se unë marr pjesë në takime të tilla, fjalimi i guvernatorit ishte i gjatë edhe kur u ul aty tha “sot fola më gjatë se çdo herë tjetër por ishin 100 vjet”, kështu që unë përgjithësisht flas gjatë edhe kur flas për dje jo më për 100 vjet por ju siguroj që nuk do t’ju marr më shumë kohë.

Është shumë sfiduese, është shumë pasionuese ajo që ndodh sot në botën e financave, në botën e qarkullimit të parasë, në botën e zhvillimeve frenetike që sjell teknologjia dhe natyrisht që për bankën qendrore, për bankat qendrore që janë institucione të vendosura thellë në histori dhe në traditë dhe që kanë një hije të rënde pikërisht sepse vijnë si institucione të rritura dhe të konsoliduara me vetëdijen që duhet të ruajnë stabilitetin. Kjo kohë është një sfidë e jashtëzakonshme.

Gjithsesi unë dua të them se për qeverinë e Republikës së Shqipërisë dhe për qeveritë e Republikës së Shqipërisë pa bërë dallime, është vërtetë fat që kanë mundësinë të punojnë në një mjedis ku është kjo bankë qendrore e cila ka kaluar krizat e veta, posaçërisht krizën e kalimit nga diktatura dhe ekonomia e centralizuar në hapësirën e lirë të ekonomisë së tregut dhe të mungesës së plotë së institucioneve kur faktikisht Shqipëria u bë një shembull tragjik i daljes nga kontrolli të parasë me skemat piramidale, por që pas kësaj e ka marrë veten më së miri dhe ka ditur më së miri të lundrojë në detin nganjëherë të trazuar të financave pikërisht për shkak të influencës së krizave të ardhura nga jashtë kufijve të vendit.

Nga ana tjetër dua shumë të besoj dhe të shpresoj që Banka Qendrore ashtu sikundër ka kapacitetet që të qetësojë, edhe që të garantojë duke pas krijuar një besim që nuk është një besim tipik në opinionin publik shqiptar lidhur me institucionet, do të mundet që edhe të rinovojë edhe të shohë  me kurajo, ato risi që sjell e përditshmja në zhvillimet e teknologjisë dhe do të mundet kështu të ruajë ekuilibrat, duke shtyrë përpara zhvillimin dhe duke mos lejuar që gjithë këto potenciale të jashtëzakonshme që sjell bashkë me risqet e veta zhvillimi i teknologjisë dhe hyrja në jetët tona e AI, të mbeten jashtë rrezes së veprimtarisë dhe të veprimit të saj të përditshëm.

Po e mbyll me shprehjen e një bankieri të madh i cili për shumë vite ishte një monument në sytë e të gjithë bankierëve dhe pastaj edhe ai pati momentin e vet të vënies në diskutim të monumentit që përfaqësonte, Alan Greenspan i cili thotë diçka që mendoj se i shkon shumë kohës që jetojmë lidhur me kurajën që duhet të ketë një Bankë qendrore; ‘’Përmbytjet ndodhin 1 herë në 100 vjet”, – këtë e ka thënë kur në fakt përmbytjet ndodhnin vërtetë 1 herë në 100 vjet, ndërkohë që ne e dimë shumë mirë që ndodhin më shpesh se 1 herë në 100 vjet, – “dhe është e kotë që çdo vit të mendosh për përmbytjet, nëse je një institucion financiar dhe aq më tepër nëse je një Bankë Qendrore’’.

Zgjidhni dhe merrni, zoti Guvernator. Këto ishin fjalët e mia në respekt të plotë të pavarësisë suaj, të cilën duhet dhe do ta vlerësojmë por edhe do ta vuajmë njëkohësisht me dinjitet edhe me qetësi.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.