Lidhja mes SHBA dhe Shqipërisë më e fortë se kurrë

Me Nën/Sekretaren e Shtetit për Arsimin dhe Kulturën, Marie Royce, në vazhdën e vizitave të nivelit të lartë të qeverisë amerikane në Shqipëri:

Nënsekretarja e Shtetit për Arsimin dhe Kulturën Marie Royce: Të nderuar të pranishëm! Faleminderit zoti Kryeministër Rama për mikpritjen!Kjo është hera ime e parë në Shqipëri dhe që tani jam mahnitur nga bukuria natyrore e vendit tuaj dhe mikpritja e ngrohtë e shqiptarëve.

Ne, SHBA kemi qenë me ju që në fillim. Lidhja mes SHBA dhe Shqipërisë, mes dy popujve tanë nuk ka qenë kurrë më e fortë se tani dhe jam shumë e lumtur që jam këtu në Shqipëri tani, si Zëvendës Sekretare Shteti për Çështjet e Arsimit dhe Kulturës.

Dua të theksoj dhe përforcoj disa nga mënyrat tona të bashkëpunimit me Shqipërinë në arsim dhe kulturë. Më shumë se 2340 shqiptarë kanë marrë pjesë në programet e zyrës sime, për Arsimin dhe Kulturën. Siç vë re Presidenti Trump në strategjinë kombëtare të sigurisë, shkëmbimet mes popujve krijojnë rrjetet për liderët e të tashmes dhe të ardhmes politike, të shoqërisë civile dhe të arsimit që do të krijojnë një botë të lirë dhe të begatë.

Programet e shkëmbimit janë një nga mënyrat më të mira për shqiptarët dhe amerikanët dhe njerëz nga vende të tjera për të mësuar kulturat e tjera, të krijojnë miqësi dhe të zhvillojnë aftësitë e tyre. Para pak kohësh, kolegu im, nënsekretari Keith Krach ishte këtu dhe unë jam këtu për të vazhduar rrugën e tij. Do shihni shumë amerikanë këtu, në Shqipëri, për këtë ju garantoj. Faleminderit, Zoti Kryeministër!

Faleminderit që më pritët sot dhe që theksuat vetëm disa nga programet shumë të rëndësishme që ne kemi bashkë. Mezi pres të ndjek mbledhjen tonë dhe të vazhdoj udhëtimin tim dhe e di që marrëdhënia mes SHBA dhe Shqipërisë do forcohet edhe më shumë në të ardhmen.

Shumë faleminderit!

 

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit dhe jeni shumë e mirëpritur si gjithmonë, kur dikush vjen nga ajo pjesë e botës, nuk më kujtohen në tërë përvojën time ndonjë vizitë në fushën e arsimit dhe të kulturës që të ishte e këtij niveli, prandaj kjo është një ngjarje e rëndësishme për ne, pasi kam shumë besim tek forca e arsimit, kulturës dhe megjithëse ju kemi parë gjithmonë si superfuqi, ka qenë gjithmonë në lidhje me fusha të ndryshme nga arsimi apo kultura.

Sigurisht, megjithëse kemi pasur që ditën e parë programe bashkëpunimi në fushën e kulturës dhe arsimit, siç thatë edhe ju, një numër mbresëlënës shqiptarësh përfitojnë nga programet tuaja në SHBA, ka edhe më shumë shqiptarë që përfitojnë nga programet tuaja në Shqipëri, por prapë mendoj që ka shumë gjëra të tjera për të bërë dhe shpresoj shumë që vizita juaj të ndihmojë në këtë aspekt, për të bërë më shumë në të ardhmen e afërt dhe të largët dhe pa dyshim që ka shumë gjëra fantastike për të mësuar nga SHBA-të  edhe në fushat e arsimit dhe kulturës. Por më besoni që nuk janë pak gjëra që ju mund të mësoni nga kultura jonë. Në fund të ditës, kultura është një sferë ku SHBA ka akoma për të mësuar nga shumë vende të tjera që kanë një histori më të gjatë dhe shumë më komplekse të rrënjosur prej mijëra vitesh.

Faleminderit sërish për praninë dhe më lejoni të falënderoj edhe Ambasadoren tuaj këtu që ka sjellë shumë energji dhe vullnet për të sjellë më shumë mbështetje edhe në fushën e kulturës dhe arsimit dhe falënderoj Ambasadorin tonë në SHBA që ka qenë shumë i rëndësishëm në zgjerimin e horizontit të bashkëpunimeve tona.

Ja kalofshi bukur në Shqipëri!

Mezi e kthyem diellin dhe tani e kemi këtu për ju.

Shijojeni!