Borrell: Shqipëria, shembull në rajon

Bruksel, konferencë e përbashkët me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Europian për Punët e Jashtme, Joseph Borrell dhe Komisionerin për Zgjerim, Oliver Varhelyi:

 

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Punët e Jashtme, Joseph Borrell: I nderuar Zoti Kryeministër, i nderuar Komisioner!

Jam vërtetë shumë i kënaqur që kam patur mundësinë t’i uroja mirëseardhjen Kryeministrit Rama në takimin e 11-të të Këshillit të Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe BE-së, i cili sapo ka përfunduar. Përpara se të hyjmë në hollësi për ato që diskutuam në këtë takim, më lejoni të theksoj disa mesazhe tejet të rëndësishme.

Së pari, Shqipëria është një partner kyç për Bashkimin Europian, është një partner i besueshëm për sigurinë dhe në shumë aspekte, shembull për rajonin. Shqipëria në mënyrë konsistente është 100% në përputhshmëri të plotë me vendimet e politikës së BE-së për çështjet e jashtme dhe të sigurisë dhe kjo jep një sinjal të fortë të angazhimit tuaj dhe të përkushtimit për angazhimin dhe anëtarësimin në BE dhe në këtë formë jeni një shembull në Ballkan dhe nuk mund ta themi këtë gjë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Nga ana tjetër, Bashkimi Europian është partneri më i fortë i Shqipërisë dhe ne do vazhdojmë t’ju ndjekim dhe t’ju qëndrojmë përkrah në rrugëtimin tuaj drejt BE-së. Ne ju kemi dhënë dhe do vazhdojmë t’ju japim mbështetje të paprecendentë, si për pasojat pas tërmetit, për COCID-in dhe për rimëkëmbjen.

Këshilli i sotëm ishte një mundësi pë ne të kuptonim se si dhe ku jemi në këtë marrëdhënien tonë dhe për zbatimin e reformave të nevojshme, pra, një inventar që ne bëmë. Meqenëse po flasim për reformat, ne përgëzuam Shqipërinë për këmbënguljen për të ecur përpara me axhendën e saj të reformave dhe për rezultatet që janë arritur tashmë, në veçanti në fushën e sundimit të ligjit apo shtetit të së drejtës. Ne dëshirojmë që të vazhdojmë ta përgëzojmë dhe ta inkurajojmë Shqipërinë të vazhdojë me këto reforma për rrugëtimin e saj drejt BE-së dhe për faktin se këto reforma janë kyçe për modernizimin e Shqipërisë dhe për të mirën e qytetarëve shqiptarë.

Në kontekstin në të cilin jemi, pra, zgjedhjet në 25 prill, ne theksojmë nevojën që të gjithë të bëjnë të mundur të sigurojnë që listat e kandidatëve të kenë njerëz me integritet. Kjo është kyçe që vendi të tregojë që vërtetë dëshiron që ta luftojë korrupsionin dhe lufta kundër korrupsionit është një nga aspektet kyçe dhe përparësitë kyçe të BE-së për Shqipërinë dhe të një demokracie funksionale.

Sa i përket zgjedhjeve, ne kemi një mesazh për të gjithë udhëheqësit politikë dhe partitë politike, për të gjitha palët. Integrimi europian duhet të jetë një objektiv i të gjithëve e të cilin ju të gjithë e ndani dhe për të cilin kërkohet angazhimi i të gjithëve për të pasur dialog konstruktiv. Polarizimi i skajshëm nuk është shenjë e pjekurisë politike, nuk i shërben vendit, pasi pengon ecurinë e progresin e vendit dhe nuk është në interesin e qytetarëve shqiptarë.

Në fund të fjalës time, më lejoni t’ju them se me shumë kërshëri po presim që të organizojmë Konferencën e Parë Ndërqeveritare sa më shpejt që të jetë e mundur, pas miratimit të kuadrit negociues dhe në përputhje me kushtet që janë për të organizuar këtë Konferencë të parë Ndërqeveritare, sipas përfundimeve që janë nxjerrë nga Këshilli i BE-së në mars të vitit 2020, pra, një vit më parë.

Faleminderit shumë për vëmendjen të gjithëve.

 

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit shumë Zoti Borrel, Zoti Varhelyi, të gjithëve këtu që na ofruan një mikpritje kaq të ngrohtë në kohë kaq të çuditshme!

Më lejoni së pari e mbi të gjitha t’ju them se ne i vlerësojmë shumë përpjekjet e bëra nga komisioneri për të qenë në anën tonë në këtë moment kaq delikat, ku ne Shqipëria dhe vende të tjera të rajonit u lanë mënjanë në shpërndarjen e vaksinave. Ishte një moment tronditës për njerëzit tanë, pasi, siç e dinë të gjithë, ne nuk jetojmë në kufi me Bashkimin Europian, por jetojmë brenda Bashkimit Europian, jemi të rrethuar në rajonin tonë nga kufijtë e Bashkimit Europian dhe duke pasur dhe ne të moshuarit, të sëmurët tanë, njerëzit tanë, të cilët e ndjenë që vaksinat nuk ishin diçka që nuk e meritonin të kishin në të njejtën kohë me të tjerët, ishte diçka e keqe.

Megjithatë, unë e di, ju të gjithë e dini si shkoi kjo gjë. Sot ka 140 vende që nuk kanë nisur asnjë injeksion. Sot ka 10 shtete që kanë 70% të prodhimit, kështu që është e vështirë jo vetëm për ne, por dhe shumë vende anëtare të BE-së dhe shpresoj shumë që kjo situatë do të zhbllokohet. Jam i lumtur që dëgjoj prej jush dhe të shpall së bashku me ju që COVAX po nis më në fund t’u japë vendeve dozat e para. Do jemi shumë të lumtur të marrim dërgesën e parë të vaksinës AstraZeneca. Ndërkohë që po punojmë shumë fort për të rritur kapacitetet, edhe pse nuk qe zgjedhja jonë më e mirë, po shohim përtej burimeve tashmë të dëshirueshme të vaksinave.

Së dyti, jam shumë i lumtur të dëgjoj drejtpërdrejtë nga ju këtu, atë çka kemi dëgjuar në rrethana të ndryshme, ndërkohë që theksohet nga ju që Shqipëria ka bërë gjithçka që duhej të bënte për çeljen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare. E di sesi shkojnë gjërat, ne e dimë sesi shkojnë gjërat, mund të ndodhë e mund të mos ndodhë, por më e rëndësishme për ne është që ne e kemi bërë punën tonë. Jemi gjithmonë shumë të vëmendshëm të dëgjojmë Komisionin, sepse, në këndvështrimin tim, Komisioni është mekanizmi më i lartë vlerësues mbi baza faktike të progresit të një vendi.

Së fundmi, në radhë, por jo nga rëndësia, shpresoj shumë fort që plani për investimin në Ballkan, i prezantuar nga komisioneri Varhelyi vitin e kaluar e që tashmë po vihet në lëvizje, është një strument jashtëzakonisht i dobishëm për të forcuar ekonomitë tona, për të forcuar bashkëpunimin tonë e për ta bërë të ardhmen tonë më të sigurt e më të mirë, ndërkohë që ne luftojmë e përpiqemi të ecim përpara në procesin e integrimit. Siç ju thashë dhe më parë, ne nuk i bëjmë reformat sepse na i kërkoni ju apo sepse të tjerët kërkojnë që t’i bëjmë. Këto reforma janë ajo çka u detyrohemi fëmijëve tanë, brezave që vijnë e në këtë mënyrë do doja të thoja që Bashkimi Europian është një bekim për njerëzit tanë e për të ardhmen e njerëzve tanë. Mund të duket sikur është mallkim në rrethanat aktuale, por në fakt nuk është e tillë. Është një dhimbje me të cilën duhet të merremi në emër të së ardhmes. Nuk ka asgjë në të ardhmen tonë që mund të konkurrojë apo të krahasohet me Bashkimin Europian.

Faleminderit shumë!

 

Komisionerin për Zgjerim, Oliver Varhelyi: Faleminderit! Thjesht dëshiroj që t’ju përgëzoj dhe të plotësoj disa gjëra nga ato që tashmë janë thënë. Dëshiroj po ashtu t’ju tërheq vëmendjen për faktin se Shqipëria është ai vend, i cili jo vetëm ka vuajtur me pandeminë, por përpara pandemisë iu desh të përballej edhe me një tërmet të fortë. Sfidat janë të jashtëzakonshme në Shqipëri dhe ndoshta edhe më shumë në numër sesa gjetkë në rajon dhe vazhdojnë të jenë të tilla edhe sot e megjithatë, sot, ne vazhdojmë të shikojmë që Shqipëria po jep rezultate e po mban premtimet që ka bërë dhe po përmbush kriteret që duheshin përmbushur për Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme dhe duhet ta themi këtë që të jepet një sinjal shumë i qartë; jo vetëm që Shqipëria ka mundur ta bëjë këtë gjë, por ka dhënë rezultate, qoftë për shtetin e së drejtës, por dhe në fusha të tjera. Pra, duhet ta përçojmë këtë mesazh për sundimin e ligjit, reformën në drejtësi. Këto ishin natyrisht çështjet kyç.

Dua të përsëris edhe atë që është thënë me këtë vlerësim të përbashkët, procesin e Vetting-ut, meqenëse po ecën fuqishëm me Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë po ashtu, tashmë kemi arritur aty ku duhet. Pra, nga ana jonë, vlerësimi që ne po u japim vendeve tona anëtare të BE-së është që gjithçka është përmbushur tashmë për Konferencën e Parë Ndërqeveritare, në të gjitha kriteret.

Ndërkohë që çështja tjetër për të cilën ne kemi diskutuar është kriza e pandemisë COVID-19. Siç e keni parë në valën e pare, ne u mobilizuam menjëherë dhe sollën mbështetje domethënëse e të konsiderueshme në Ballkanin Perëndimor, natyrisht dhe Shqipërisë. Kemi mobilizuar po ashtu, edhe një program shumë të rëndësishëm dhe më erdhi mirë kur dëgjova Kryeministrin Rama që tha se ky është një element shumë i rëndësishëm për të, jo vetëm për zhvillimin afatgjatë dhe afatmesëm të vendit, por për mua, mendoj që është kontributi ynë për rimëkëmbjen ekonomike të Shqipërisë pas COVID-it, sepse ne duhet ta përpilojmë këtë strategji rimëkëmbjeje së bashku. Europa dëshiron që të jetë pjesë e procesit të rimëkëmbjes në Ballkanit Perëndimor dhe në Shqipëri dhe ky është një mesazh i fortë që duhet ta kuptojnë të gjithë.

Natyrisht që sot ne nuk flasim më për maska, apo respiratorë, apo mbështetje financiare. Sot, ne flasim për vaksinat, a kemi vaksina. Siç e keni parë, edhe shtetet tona anëtare kanë probleme që të arrijnë të marrin vaksinat për qytetarët e tyre dhe natyrisht që ne nuk e kemi harruar dhe nuk harrojmë shtetet e Ballkanit Perëndimor apo shtetet e tjera fqinje. Ne po punojmë shumë ditë e natë që të arrijmë t’i marrim këto vaksina dhe t’i çojmë në këto rajone. Për ne është përparësi dhe ne po punojmë jo vetëm v etëm, po punojmë dhe me anë të iniciativës COVAX, por edhe me iniciativa të tjera.

Jam shumë i kënaqur të them sot që do të ketë një shpërndarje të parë me iniciativën COVAX këtë muaj nga AstraZeneca në Shqipëri dhe ne po punojmë edhe me vendet e tjera, jo vetëm me anë të COVAX, por edhe me iniciativën tonë, me zgjidhjen tonë si Komision Europian, për ta sjellë ndihmën aty ku duhet, tek qytetarët. Kjo për arsye se ne e kuptojmë rëndësinë e kësaj gjëje.

Gjithashtu diskutuam dhe bëmë një bilanc për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Aty ecuria është e prekshme dhe e dukshme. Me kënaqësi kemi vënë re sesi është vënë në zbatim kjo Marrëveshje dhe sesi kjo na ka sjellë më afër në ekonomi, shoqëri.

Një fjalë e fundit për zgjedhjet. Ne e dimë që Shqipëria së shpejti do të ketë zgjedhje parlamentare dhe kemi folur dhe për këtë çështje. Ne shprehëm shpresën që zgjedhjet do jenë të lira e të ndershme e që do kemi edhe provën e pare, të themi, të funksionimit të demokracisë shqiptare dhe që pas zgjedhjeve, shumë shpejt të vazhdojmë punën që është bërë.

Një gjë tjetër që dëshiroj të theksoj, është që ne inkurajuam Shqipërinë dhe autoritetet shqiptare që të mos ndalojnë së punuari edhe gjatë fushatës apo edhe kur punojnë për fushatën, sepse arritja e rezultateve dhe e mbajtjes së premtimeve në terren ka qenë shumë e rëndësishme për të bindur shtetet anëtare për të mbështetur çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Prandaj kjo mbështetje do duhet të vazhdojë dhe ne inkurajuam autoritete shqiptare që të vazhdojnë të ecin përpara sa më shumë të jetë e mundur, pavarësisht nga zgjedhjet që do të kemi në prill.

 

– Faleminderit! Kam një pyetje për përfaqësuesin e lartë Borrel dhe komisionierin Varhelyi.

Përfaqësues i lartë, ju ngritët çështjen e zgjedhjeve që do të vijnë dhe e dini që në bazë të raportit të OSBE-së, disa parregullsi janë regjistruar në zgjedhjet e mëparshme si trysni mbi votuesit, përdorimi i administratës publike dhe blerja e votës. Ju e dini që ndjekja penale e blerjes së votës është një parakusht i vendimit të Këshillit vitin e kaluar për Shqipërinë dhe natyrisht reflektohet dhe në ndryshimet e fundit të konkluzioneve të Parlamentit Europian ku thuhet se këto çështje të dyshuara nuk kanë shkuar në gjykatë dhe asnjë arrestim nuk është bërë në këtë drejtim. A e ndani dhe ju këtë shqetësim të Parlamentit Europian dhr shteteve anëtare sa i takon blerjes së votës dhe a keni marrë ndonjë garanci nga qeveria shqiptare që këto parregullsi nuk do të përsëriten në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit?

Dhe për komisioner Verhelyi, e kuptojmë optimizmin tuaj sepse Komisioni është vërtetë institucioni që shtyn përpara integrimin e Shqipërisë kur thoni që çdo gjë është përmbushur për konferencën e parë ndërqeveritare megjithatë ju siguroj që shtetet anëtare do t’ju mbështesin kur thoni që organizmat e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar sapo kanë nisur funksionimin e tyre, ndërkohë që flasim, pasi ata duan sinjale të qarta të ndjekjes penale e ndëshkimit të rasteve të nivelit të lartë të korrupsionit e të krimit të organizuar, kështu që a mendoni se është e mjaftueshme që vetëm këto organizma të kenë filluar funksionimin edhe pa pasur sinjale të qarta dhe siç thatë ju në fund një bilanc? Dhe pyetja e dytë që kam për ju, a e konsideroni gjykatën kushtetuese dhe gjykatën e lartë plotësisht funksionale apo pjesërisht funksionale, siç konsiderohet nga disa shtete anëtare dhe gjithashtu dhe disa anëtarë të Parlamentit Europian?

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Punët e Jashtme, Joseph Borrell:  Do të na duhet ta ndajmë sëbashku përgjigjen. Sa u takon zgjedhjeve, kuptojmë që përgatitjet praktike për zgjedhjet e ardhshme janë në proces e sipër. E kemi inkurajuar kryeministrin që të ndjekë të gjitha aspektet që mbulohen nga rekomandimet e OSBE/ODIHR si dhe nga komisioni i Venecias.

Sa i takon çështjes specifike të blerjes së votës të cilës ju iu referuat, më lini t’ju them që raporti i fundit i komisionit për Shqipërinë theksoi rëndësinë e një hetimi të shpejtë e transparent të akuzave pra, për shkelje, pra akuza për shkelje të dyshuara zgjedhore. Po kështu, vendimi i Këshillit në mars të 2020, përfundimet përkatëse theksojnë se nisja e proceseve gjyqësore kundër atyre që akuzohen për blerjen e votës është një nga ato çështje që duhet reflektuar në kuadrin negociues në kuadër të bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë. Ky është qëndrimi zyrtar i Këshillit dhe i Komisionit.

Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varheyli: Atëherë, le ta ndajmë përgjigjen sëbashku. Po, përveç asaj çfarë tha përfaqësuesi i lartë, ajo çka mund t’ju them është se ne po i afrohemi zgjedhjeve që janë përgatitur në një mënyrë mjaft tërësore. Së pari, kemi pasur një marrëveshje midis partive parlamentare dhe partive jashtëparlamentare për reformën zgjedhore.

Ky është tashmë një element i ri krahasuar me zgjedhjet e mëparshme e kjo sjell po ashtu garanci sa u takon parregullsive të tjera apo dhe blerjes së votës në procesin e votimit.

Së dyti, kjo reformë qe në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODIHR ku është trajtuar si një çështje madhore ndaj besojmë që nga pikëpamja legjislative, kjo është trajtuar. Më pas, kjo u vijua nga opinioni i Komisionit të Venecias të cilin qeveria, dhe të gjitha partitë parlamentare të opozitës ranë dakord ta zbatonin plotësisht dhe kjo është një shtresë tjetër garancish për të shmangur këto parregullsi. Ndërkohë që shtresa e tretë e garancisë sipas mendimit tim, është pjesëmarrja e vëzhguesve në zgjedhje.

Me sa kuptoj janë ftuar vëzhguesit, për shkak të COVID për shkak të keq, kjo nuk është një detyrë e lehtë për tu zbatuar, por nga ana jonë ne do të ndihmojmë që vëzhguesit të vijnë, të jenë të pranishëm e të kryejnë detyrat e tyre. Kështu që me këto elemente besoj se garanci të mjaftueshme ofrohen në sistem.

Sigurisht, siç edhe ju pyetët, për blerjen e votës do të kemi vrojtime në terren nëse do të ndodhë një gjë e tillë dhe se cilat masa do të merren pastaj për rrjedhojë.

Nga ana jonë, sigurisht ne duam që ligji të zbatohet me fuqi të plotë dhe duam të shohim që të gjitha përpjekjet do të bëhen nga ana e autoriteteve organizatore të zgjedhjeve kundër çdo blerje vote.

Sa i takon pyetjes që lidhet me rastet e nivelit të lartë të korrupsionit dhe agjencitë përkatëse jam shumë i kënaqur t’ju them që është diçka që ne e kemi biseduar e ku Shqipëria po bën një përparim të qëndrueshëm e mbi bazën e kësaj në fakt ne arritëm që t’i bindnim shtetet anëtare që të votonin për çeljen e negociatave për anëtarësim për Shqipërinë.

Nuk ka dyshim që tashmë na duhet të shohim emërimet, na duhet të shohim funksionimin e këtyre organizmave e që ato të përmbushin detyrat për të cilat janë përgjegjëse.

Kur përmenda nevojën për të ndërtuar më tej bilancin, këtë kisha parasysh jo vetëm për këtë fushë, por gjithashtu dhe rivlerësimi i gjyqtarëve duhet të vazhdojë e gjithçka tjetër që kanë të bëjë me luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës e kështu me radhë. Kjo ka qenë qasja e këtij komisioni, që na duhet të bëjmë përparim në terren, jo më shumë nëpër salla të mbyllura, por në terren e ne do të këmbëngulim për këtë gjë.

Pyetja juaj në raport me Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese nëse janë plotësisht funksionale, ne e konsiderojmë Gjykatën Kushtetuese si plotësisht funksionale, ka tashmë numrin e nevojshëm të gjyqtarëve për të mbajtur të gjitha seancat e për të marrë të gjitha vendimet që duhet të marrë në bazë të ligjit.

Na mungojnë edhe dy gjyqtarë të gjykatës së lartë dhe me sa kuptoj edhe emërimi i tyre është në rrugë e sipër e shpresoj vërtetë që përpara zgjedhjeve do ti shohim edhe këto emërime të përfunduara. Kjo do të përfundonte apo do të përmbushte të gjitha kushtet që ne kemi vendosur Shqipërisë për konferencën e parë ndërqeveritare.

Kryeministri Edi Rama: Dua të shtoj diçka me lejen tuaj, sepse është mjaft mbresëlënëse të dëgjoj në gjuhën time një deklaratë kaq të pabesueshme si askush nuk është hetuar, asgjë nuk ka ndodhur, sa i takon rasteve të dyshuara për blerje vote ndërkohë që ka 20 persona të ndjekur, të akuzuar nga prokuroria e ndërkohë që flasim janë në proces e sipër pra po zhvillohet procesi ndaj tyre. 20 persona të dyshuar për blerje vote nga të gjitha partitë meqë ra fjala ndaj është mbresëlënëse që të shoh këtë aktivizëm dembel që shpreh vetveten në këtë tempull shumë të lartë të Bashkimit Europian, por ja që kështu është.

 – Mirëdita, pyetja ime e parë ka të bëjë me arsyen se pse u shty takimi i Këshillit të Stabilizim Asociimit mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, do të kishte ndodhur në shkurt por në fakt u shty. Do doja një përgjigje për këtë gjë. Dhe dëshiroj të di nëse ju keni diskutuar për shembull mundësinë që Shqipëria ta fillojë ose të organizohet konferenca e parë ndërqeveritare me Shqipërinë përpara se të bëhet me Maqedoninë e Veriut ndërkohë që deri pak më parë, ka qenë e kundërta. Po në rast se Shqipëria e fillon dhe organizohet kjo konferencë e parë ndërqeveritare me Shqipërinë përpara se të bëhet me Maqedoninë, çfarë do të ndodhë?

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Punët e Jashtme, Joseph Borrell: Sigurisht që vendimi juaj është shumë i rëndësishëm. Nuk ka ende një datë për konferencën e parë ndërqeveritare. Kemi diskutuar këtë çështje, kemi shprehur natyrisht dëshirën tonë që kjo konferencë e parë ndërqeveritare të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur, deri më tani nuk kemi një datë të caktuar, pra një datë të fiksuar pavarësisht faktit që Shqipëria ka bërë vërtetë shumë ecuri, ka ecur përpara, disa shtete anëtare janë të mendimit që ka ende nevojë për të avancuar edhe më shumë përpara se të organizohet kjo konferencë e parë ndërqeveritare megjithatë, unë jam besimplote që kjo do të organizohet shumë shpejtë.

Kryeministri Edi Rama: Për t’ju përgjigjur pyetjes suaj, së pari unë dua t’i kthehem asaj që thashë në fillim. Qoftë Shqipëria, qoftë Maqedonia e Veriut apo gjithsekush tjetër në rajonin tonë, ne kemi vetëm një gjë për të bërë, të vazhdojmë të ecim përpara e të bëjmë të mundur që ndryshimi të ndodhë në vendin tonë në çdo hap, që institucionet të ndërtohen, të forcohen, që shteti të funksionojë në mënyrë europiane e që qytetarët tanë të mund të jetojnë në vendet tona me standardet e BE-së.

Në fund të fundit, kjo është ajo çka kërkojmë e ajo çka duhet të realizojmë. Më pas mënyra se si apo kur do ta bëjmë, do të materializohet në hapa të konfirmuar zyrtarisht si konferenca e parë ndërqeveritare, si konferenca e dytë e tillë, e treta apo terapia kolektive në grup midis nesh e këtyre njerëzve këtu apo të tilla gjëra, megjithatë, kjo nuk varet nga ne. Duhet ta kuptojmë këtë, jetojmë në një kohë të ndryshme, jo më e mira për ne. Kur ata ishin në kohët më të mira, ne ishim ata më të këqijtë që mund të merreshe.

Tani ne jemi në formë të mire, por nuk janë ata në kohët më të mira, kështu që na duhet ta kuptojmë këtë gjë.

Kur bëhet fjalë për Maqedoninë e Veriut dhe për Shqipërinë e për si të thuash ndarjen, veçimin e tyre në të kundërtën, shpresoj fort që kjo nuk do të ndodhë. Shpresoj fortë që do të ecim sëbashku edhe në këtë rrugëtim. Megjithatë u tmerrova nga sekondi i parë që kuptova që kishin nisur diskutime mbi bazë identiteti midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë sepse është diskutimi më i keq i mundshëm që mund të zhvillohet, ndërkohë që kërkohet konsensus nga të gjithë anëtarët e Bashkimit Europian për të vijuar me hapat e mëtejshëm sepse është emocional, sepse është e ndërlikuar e 1000 sepse.

Shpresoj vetëm diçka, që udhëheqësit e mençur dhe janë të mençur, që udhëheqësit e mençur të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, do ta zgjidhin këtë. Unë shpresoj që vëllezërit tanë të Maqedonisë së Veriut nuk do të presin ndonjë shkop magjik nga Berlini, nga Londra sepse nuk do të vijë. Thjesht duhet gjetur një mënyrë për të rënë darkod me miqtë bullgarë lidhur me atë çka e shkuara jo tamam ishte, por me çfarë apo kush duhet të merret me të kaluarën. Nuk mund të jenë politikat dhe politikanët që të merren me të shkuarën. Nëse ndodh kjo, atëherë ne jemi destinuar të jemi skllevër të së shkuarës. Lini historianët, lini akademikët, shoqërinë civile, të tjerët ta bëjnë një gjë të tillë. Nëse politika përfshihet, kam frikë se ky do të jetë tjetër proces që larg qoftë do ta bllokojë Maqedoninë e Veriut nuk e di për sa kohë. Megjithatë ne jemi të lumtur që të jemi me ju, të përballojmë me ju e nëse na thuhet që “djema, ju keni bërë arritje por le të presim fqinjët”, për ne nuk ka problem, asnjë problem, ne do të jemi krah jush të përballojmë me ju.

Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi: Sa i përket konferencës së parë ndërqeveritare, ne kemi përsëritur këtë gjë ngahera. Ne kemi thënë që ky është një proces që bazohet tek merita. Cilido shtet i përmbush kriteret atëherë organizohet konferenca e parë ndërqeveritare si hapi i duhur. Kështu që sot ne kemi diskutuar Shqipërinë, ecurinë e Shqipërisë dhe gjetja e jonë, konstatimi ynë është që Shqipëria i ka përmbushur kushtet, kështu që ne do të bëjmë propozimin e duhur, do të jemi në kontakt të vazhdueshëm me shtetet anëtare që ata të bien dakord që të organizohet kjo konferencë e parë ndërqeveritare me Shqipërinë, sa më shpejt që të jetë e mundur.

Sa i përket arsyes se pse u shty Këshilli i Stabilizim Asociimit me Maqedoninë e Veriut, ndoshta ju e mbani mend që ky lloj Këshilli me Shqipërinë nuk do të bëhej sot por në nëntor. Kështu që tashmë ai ishte shtyrë njëherë. Me Maqedoninë e Veriut ne po kërkojmë një date, por në këtë kohë COVID-i, ndoshta mund të presim të gjithë ndonjë vonesë së caktuar sa i përket këtyre takimeve të rëndësishme që kërkojnë edhe takime fizike. Kështu që nuk është ndonjë gjë e pazakontë apo e çuditshme që po ndodh, por kjo është jeta jonë tashmë, në momentet e COVID.

– Përshëndetje! Kam një pyetje për çështjen e mbrojtjes, kjo për Kryeministrin, por dhe për përfaqësuesin e lartë të BE-së. Zoti Kryeministër, unë dëshiroj të di nëse Shqipëria është e interesuar që të marrë pjesë në bashkëpunimin e BE-së sa i përket çështjes së mbrojtjes e të sigurisë. Pra ju ndoshta e keni parë që ne kemi kërkuar në fakt që të ketë pjesëmarrje në projekte në të ardhmen dhe kjo pyetje tashmë për përfaqësuesin e lartë, mund të konfirmoni që SHBA-ja ka sjellë një kërkesë për të marrë pjesë në një nga këto projekte të paqes? Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Pikë së pari, duhet ta dini që me përkufizim ne marrim pjesë në gjithçka që BE-ja do që ne të marrim pjesë dhe nuk e vë në dyshim këtë.

Mund të duket çuditshme nga pikëpamja juaj, nga këndvështrimi juaj apo gjithkujt që nuk e kupton realisht apo që nuk mund ta kuptojë faktikisht historinë tonë dhe mënyrën apo rrugën që kemi bërë për të ardhur deri këtu, megjithëqë po flisnim me përfaqësuesin e lartë dhe Komisionierin më pare. Ne jemi një vend, i cili kurrë asnjëherë, në asnjë rrethanë nuk ka devijuar nga politika e jashtme e sigurisë e Bashkimit Europian, 100% përputhje me të dhe është një besnikëri unike.

E meqë ra fjala, kam lajm për ju. Ne tashmë jemi pjesë e kësaj nisme europiane të mbrojtjes, jemi pjesë, nuk është puna duam apo jo, jemi pjesë tashmë. Ndoshta, kështu jemi mësuar të jemi, t’i jemi besnik çdo perandorie dhe të fundit që ta lëmë, ta zhgënjejmë pra, perandorinë, historinë tonë.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Punët e Jashtme, Joseph Borrell:  Në lidhje me pjesëmarrjen e SHBA-së tek Tesco, ju siç e dini ne më së fundmi kemi arritur këtë marrëveshje në mënyrë që të bëhet e mundur pjesëmarrja e vendeve të treta, e shteteve të treta në këtë iniciativë dhe BE-ja dhe SHBA-ja dëshirojnë që të marrin pjesë në këtë iniciativë dhe kjo nismë, ne besojmë është një ide e mire, por që ndoshta ju dëshironi të konfirmoni një gjë që duhet konfirmuar nga amerikanët e ndoshta pyetja duhet të jetë për ta.

Ju faleminderit!​