Finiqi, mundësi fantastike për agroturizmin

“Foinike” është një oaz i vërtetë mes të natyrës së bukur të Finiqit, që ka pritur rreth 15 mijë turistë gjatë sezonit, falë panoramës së veçantë dhe mikpritjes së ofruar.

Ndalesa e Kryeministrit Rama, gjatë vizitës në Finiq, ishte pikërisht këtu, për të diskutuar dhe ndarë mendime me disa drejtues të pushtetit lokal dhe banorë mbi problematika dhe perspektivën premtuese të zhvillimit të zonës.

Kryetari i Bashkisë së Finiqit, Kristo Kiço falënderoi lidhur me tre projektet e përfituara nga kjo bashki, të cilat do të mundësojnë furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë për të gjithë bashkinë dhe zonat përreth, duke i dhënë zgjidhje përfundimtare njëherë e mirë problemit të mungesës së ujit të pijshëm prej dekadash. “Unë dua t’u falënderoj për tre projekte të rëndësishme që kemi marrë për ujin. Janë tre projekte rajonale ujësjellësish. I pari ka 15 fshatra, plus dy në Bashkinë e Konispolit. Ujësjellësi i dytë është ujësjellësi i Leshnicës, dhe i treti është ujësjellësi rajonal i Finiqit. Të gjithë fshatrat e Finiqit do të furnizohen me ujë te rrjedhshëm nga një burim afër Syrit të kaltër. Ky është  një hap përpara sa i përket furnizimit me ujë,” – u shpreh kryebashkiaku, ndërkohë që theksoi se ndër prioritetet e kësaj bashkie është zhvillimi i agroturizmit. Kjo për faktin se Finiqi është një atraksion i vërtetë jo vetëm për natyrën e mrekullueshme që ofron, por edhe për trashëgiminë kulturore të tij. “Finiqi është një alternativë shumë e mirë e ka kërkesa pa fund nga shoqëritë turistike për turizëm për shkak të destinacioneve që kemi. Duhet ta promovojmë më shumë këtë pasuri, duke filluar nga teatri antik i Finiqit, duke vazhduar tek kisha e Shën Kollit të Mesopotamit, një kishë unikale që u rikonstruktua dhe ka marrë një pamje krejt ndryshe”, – u shpreh kryetari i Bashkisë Finiq, Kristo Kiço.

“Kjo është shumë zonë e bukur për agroturizmin”, – u shpreh Kryeministri, – “fantastike dhe duhet të bëjmë nja dy modele që të tjerët ta ndjekin vetë. Bëhet një kryevepër këtu.”