Postuar më: 6. Shtator 2018

700 mësues ndihmës për fëmijët me nevoja të veçanta

Fjala e kryeministrit Edi Rama në takimin me mësues ndihmës për fëmijët me nevoja të veçanta:

 

Shume faleminderit për mikpritjen! Zysha tha përshëndetje të gjithëve, unë them përshëndetje të gjithave, se këtu nga të gjithë, ka vetëm një grusht njerëzish dhe të gjithëve përshëndetje patjetër.

Jemi këtu për një temë që është shumë specifike, por besoj dhe shumë e rëndësishme që është tema e mësuesve ndihmës për fëmijët me aftësi të veçanta. Zakonisht ju i thoni fëmijë “me aftësi të kufizuara”, mua nuk më pëlqen ky term, më pëlqen shumë më tepër termi “me aftësi të veçanta” dhe besoj që pavarësisht se në numrin e përgjithshëm të nxënësve, 3700 fëmijë me aftësi të veçanta janë pak, në atë që ata përfaqësojnë dhe në atë që shoqëria ka detyrim ndaj tyre, -patjetër që përbëjnë një arsye shumë të fortë për të menduar dhe për të shtrënguar po themi rripin siç thotë populli, duke vënë në dispozicion një financim që deri dje nuk ishte.

Kur ne filluam rrugëtimin tonë, arsimi ishte në një situatë shumë dramatike dhe për këtë besoj ju jeni dëshmitarët dhe dëshmitarët më të besueshëm. Zero ishte numri i mësuesve ndihmës. Pra, këta fëmijë jo vetëm që nuk kishin asnjë mësues ndihmës, por kalonin përmes një rruge që e bënte edhe më të vështirë udhëtimin e tyre të jetës, duke qenë bashkë me të tjerët, në klasat ku mësuesit e kishin të pamundur që të merreshin me ta në mënyrë specifike dhe ku ata përjetonin situata deri edhe dramatike dhe sigurisht, edhe prindërit e tyre.

Ne, hapin e parë e hodhëm me 300 mësues. Tani jemi gati të hedhim edhe hapin e dytë me 700 mësues. Dikush mund të thotë po pse 700 dhe jo 3700? Me të drejte, sepse në fund të fundit, çfarë ishte iku mund të thotë kushdo. Rëndësi ka çfarë është e çfarë vjen.

E patjetër kjo është dhe arsyeja pse ne jemi në këtë punë, jo për t’u matur me çfarë ishte, por për t’u përballur me atë që vjen. Por ama, nga ana tjetër, gjithsekush kur gjykon për çfarë bën qeveria dhe për çfarë do duhej të bëhej më shumë, është mirë të niset nga vetja dhe nga shtëpia e vet. Askush nuk arrin dot të bëjë në shtëpinë e vet dhe për shtëpinë e vet gjithçka që do, por patjetër gjithkush meriton të ketë gjithçka që do për shtëpinë, për familjen, për fëmijët, kudo në botë. Ama kjo është arsyeja pse të gjithë punojmë, pse të gjithë sakrifikojmë, pse të gjithë planifikojmë e pse të gjithë përpiqemi çdo ditë që nesër të kemi më shumë se sa kishim dje dhe se sa kemi sot. Kështu funksionon edhe shtëpia e përbashkët.

Sot, ne kemi mundësi të bëjmë më shumë se dje për arsye se ne morëm një rrugë reformash të dhimbshme për shumëkënd, por të domosdoshme për të gjithë e mbi të gjitha të domosdoshme për fëmijët tanë. Nëse reformat që ne kemi ndërmarrë do të ishin ndërmarrë shumë vite më parë, ne sot do nuk do rrinim të diskutonim librat falas. Ne sot nuk do rrinim të diskutonim mësuesit ndihmës. Ne sot nuk do rrinim të diskutonim shumë e shumë gjëra të tjera, por vonesa në ndërmarrjen e këtyre reformave, të jetuarit me sy mbyllur përballë realitetit dhe të bërit politikë me idenë që ta shtyjmë për nesër punën e sotme, bëri që një gjeneratë, gjenerata e atyre që lindën në vitin ’90  të humbiste shanse të pafundme dhe vendi të humbiste një kohë të pafundme.

Shqipëria do të ishte krejt tjetër sot, nëse këto gjëra do të ishin bërë me kohë dhe Shqipëria nuk mundet të vazhdojë të jetë nesër, siç është sot. Kjo është arsyeja pse kur bëjmë gjërat, në radhë të parë mendojmë për Shqipërinë e fëmijëve nesër dhe jo thjeshtë për të konsumuar të sotmen.

Mësuesit ndihmës janë një nga masat e reja, që vijnë si rezultat i mundësisë për t’i kthyer njerëzve një pjesë të vogël të investimit të madh që njerëzit kanë bërë, duke i mbështetur reformat e duke si të thuash, i përjetuar nganjëherë edhe me dhimbje reformat.

Ata që thonë se: u bënë, duheshin bërë, duhen bërë, por jo kaq shpejt, jo të gjitha përnjëherë, bëjnë një gabim të madh. Është njësoj si të thuash se kanceri duhet luftuar, por jo përnjëherë. Nuk mundet dot, kurat janë të vështira, por siç e shikoni kanë filluar të japin efekt dhe kanë filluar të na japin mundësinë që t’jua kthejmë njerëzve me investime e me shërbime në favor të tyre. Po kështu edhe për librat.

Ne sot që flasim, vijmë nga një rrugë ku kemi dhënë tekste falas për jo pak por, për 108 mijë fëmijë, që nga klasa e parë deri në të nëntën, me probleme ekonomike, fëmijë në familje me ndihmë ekonomike, fëmija i tretë e me radhë, për ata që kanë shumë fëmijë, fëmijët e policëve të vrarë, fëmijët e prindërve me probleme shëndetësore, e kështu me radhë.

Nuk kanë qenë pak, por nuk kanë qenë mjaftueshëm.

Sot kemi mundësi ta bëjmë këtë për 190 mijë fëmijë. Vitin e ardhshëm për klasën e pestë, brenda mandatit për të gjithë fëmijët nga klasa e parë në të nëntën. Nuk është asgjë e jashtëzakonshme, por është diçka e nevojshme madje e domosdoshme. E nevojshme për familjet që kursejnë para, që i mbeten buxhetit të familjes për të tjera gjëra, por e domosdoshme për shoqërinë se nuk është vetëm aspekti financiar, por është edhe aspekti i kujdesit të një shoqërie të tërë për fëmijët dhe për edukimin e tyre. Nuk është vetëm çështja që po japim tekste falas, por çfarë tekstesh po japim falas, tekste totalisht ndryshe nga ato që shiteshin deri 2, 3, 4 vjet më parë. Kjo sepse reforma e teksteve, revolucioni që ne bëmë me tekstet është i shkallëzuar dhe mbyllet pikërisht vitin e ardhshëm me klasën e pestë, se kemi filluar me 1, 2, 3, 6, 7, 8  kështu me radhë dhe e pesta tani ka mbetur për të plotësuar një revolucion që bën që fëmijët e gjithë Shqipërisë të marrin librat e Oxford, Cambridge dhe Pearson. Janë shtëpitë botuese me prestigj botëror dhe jo libra që torturonin fëmijët, ju torturonin ju dhe torturonin prindërit. Libra që kishin nevojë për 7 përkthyes dhe që çdo përkthyes ta jepte ndryshe kuptimin.

Këto ikën, 600 libra, tekste u refuzuan nga ju, nga mësuesit. Pjesa tjetër u pastrua duke ia lënë vendin teksteve të një cilësie shumë të lartë që janë dhe më të shtrenjtë, patjetër. Sepse janë produkte reale. Ama do të jenë falas vit pas viti dhe në fund të mandatit do të mbyllet i gjithë cikli. Patjetër që, nuk na vjen mirë që një pjesë e prindërve duhet të vazhdojnë të blejnë tekste. Janë gati 2/3 e nxënësve që i marrin falas, nuk janë thjesht nga klasa e parë në të katërtën, por janë dhe pjesa tjetër e atyre që janë nga klasa e pestë deri tek e nënta që hyjnë tek ato kategoritë që thashë që vazhdojnë i marrin falas. Ndryshimi nga viti i kaluar nuk është që, vazhdo bli ti që ti kompensojë shteti, por është direkt, librat në dorë dhe ju e dini këtë sepse jeni marrë dhe me shpërndarjen e tyre.

Tjetër gjë që është shumë e rëndësishme është pjesa e mësueseve. Ne kemi arritur të bëjmë atë që duket e pamundur dhe është fakt. Politika ka dalë nga shkolla. Asnjë nga ju këtu, ose dhe ata që nuk janë këtu, – se për ju mbase nuk mund të thuhet kjo se keni ardhur këtu me dëshirën tuaj, por ka të tjerë që nuk kanë ardhur e nuk kanë dëshire të jenë në një takim ku është kryeministri, besojnë në tjetër gjë, votojnë tjetër gjë, – por nuk bën vaki që pas këtij takimi, drejtorja apo drejtori i kësaj shkolle apo drejtorët e shkollave të Elbasanit të rrinë e të merren me kush erdhi, kush nuk erdhi, pse erdhi, pse nuk erdhi. Kjo ka marrë fund.

Ashtu sikundër, ka marrë fund tjetra që, “po erdhe rri në shkollë, po nuk erdhe të heq nga shkolla” apo “po ishe me ne, bëhesh mësues ose mësuese edhe pse nuk je për atë punë, po nuk ishe nuk bëhesh kurrë mësues apo mësuese” sepse mësuese apo mësues sot të bën testimi. Sot testimi është ligj, nuk është më thjesht një rregullore dhe një udhëzim i ministres për drejtoritë arsimore.

Është ligj, është kaluar ligji pak muaj më parë që portali “mësues për Shqipërinë” tanimë mbrohet me ligj dhe gjithë procedurat i nënshtrohen ligjit. Janë mbi 5000 mësuese dhe mësues që janë bërë pjesë e trupës arsimore dhe unë kam takuar vetë mësuese, që kishin 7 vjet, 8 vjet, 11 vjet apo që ishin fare të reja që nuk e hapnin dot portën e arsimit. Si i kam takuar do thoni ju? I kam takuar sepse kemi bërë takime me mësueset që kanë dalë me pikët më të larta. Mësuesja që doli e para në gjithë Tiranën në një testim të matematikës dhe që është mësuese matematike sot, kishte 7 vjet pa punë. E para doli dhe u fut menjëherë mësuese. Sot e gjithë ditën, as nuk e di fare se për kë voton ajo dhe s’më intereson fare dhe nuk na intereson.

Po ashtu, këtë vit shkollor, se nuk po jap datë, nis shkolla e drejtorëve.

Drejtorët e shkollave do të kenë një shkollë të tyren. Nuk mundet dot  të vazhdojmë të synojmë më shumë, nëse kemi këtë nivel drejtimi në shkolla me gjithë respektin për drejtuesit e shkollave. Kemi hequr 300 drejtorë shkollash, jo për politikë dhe nuk i kemi zëvendësuar me politikë. I kemi zëvendësuar duke u kërkuar të bëhen drejtorë, 300 mësuesit më të mirë në bazë të pikëve që kanë marrë, por nuk mjafton se nuk është e thënë të jesh mësues shumë i mirë dhe të jesh drejtor shumë i mirë. Kështu që shkolla e drejtorëve do të jetë një shkollë për të trajnuar në mënyrë të vazhduar menaxherët e shkollave e kjo do ndryshojë shumë gjëra për shkollën besojmë ne. Ashtu sikundër, edhe trajnimi i mësuesve, sot ju e dini më mirë se unë, ka ndryshuar rrënjësisht si praktikë dhe si mundësi, ndryshe nga çfarë ishte deri dje. Këto nuk duan të thonë që gjërat janë rozë, por duan të thonë vetëm që, sot kemi mundësi të shikojmë me më shumë ambicie të nesërmen sepse kemi vendosur disa baza e kemi filluar t’i krijojmë, t’i shohim të krijohen më saktë sepse nuk i kemi krijuar ne, i kemi krijuar bashkërisht mundësinë për të kthyer mbrapsht tek familjet, frytet e përpjekjeve dhe vëmendja jonë është e gjitha aty.

Kemi konsumuar shumë kohë, shumë energji dhe mbi të gjitha kemi konsumuar shumë nerva tuajat e të njerëzve, duke e mbajtur vëmendjen shumë më tepër se sa ç’duhet tek politika e përditshme dhe tek palët e tjera. Kjo gjë do të ndryshojë rrënjësisht. Sigurisht që, nuk mundet dot të neglizhojmë plotësisht çdo gjë që lidhet me palët e tjera, por e gjitha vëmendja jonë do të jetë tek ju dhe tek njerëzit për të bërë maksimumin, bashkërisht.

Në mbyllje, dua të shtoj dhe një gjë tjetër. Më bëri përshtypje që këndi sportiv i shkollës është akoma siç ka qenë. Nuk duhet të jetë më kështu. Jo vetëm ky kënd, por dhe shumë kënde të tjera sportive në shkolla të tjera. Këtu dua të them që ne kemi në platformën e bashkëqeverisjes që është e përqendruar se nuk ka se si të jetë ndryshe tek volumi i ankesave dhe kërkesa të njerëzve, por kemi tek platforma e bashkëqeverisjes një rubrikë të dedikuar që është “shkolla ime”. Kjo rubrikë është specifikisht për mësuesit, për nxënësit e për prindërit, qoftë për t’u ankuar, – kemi pasur raste ankesash që janë trajtuar, – qoftë për të propozuar projekte.

Këndi sportiv, jam i bindur që nëse bëhen bashkë disa mësues, disa nxënës, disa prindër, jam i bindur që shkolla ka prindër që dinë të bëjnë një projekt për një kënd sportiv, ka mësues që dinë ta bënë këtë gjë, ka nxënës që mund të marrin pjesë në këtë gjë dhe projekti mund të kthehet në një projekt i yni i përbashkët dhe ne mund ta gjejmë mundësinë që këtë këndin sportiv ta sjellim në kohë me tekstet, se të studiosh me tekstet e Oxford dhe të kesh këto kosha basketbolli, janë dy gjëra që nuk shkojnë me njëra-tjetrën.

Këto kosha basketbolli janë për ata që bërtasin aty tek rruga, nuk janë për ne.

Ata mund të lozin basketboll me këto kosha, jo ne, jo fëmijët që u themi keni tekstet e Oxford, pavarësisht se ata nuk lozin dot basketboll se ata nuk njohin topin, njohin gurin, kjo është tjetër gjë dhe sport për të gjuajtur me gur nuk ka. Ose ka, por e dini ju ku zhvillohet.

Kështu që përtej shakasë që është gjysma e të vërtetës, vetëm gjysma, nuk është e plotë, unë sinqerisht ju inkurajoj të gjithë mësuesit dhe mësueset në radhë të parë sepse janë mësueset pastaj vijnë mësuesit, janë gratë pastaj vijnë burrat, që të shikojnë dhe këtë aspekt. Ne duam shumë që edhe në funksion të shkollës qendër komunitare, të ndërtojmë kanale bashkëpunimi me shkollat për projekte të shkollave, biblioteka të shkollave, kënde sportive të shkollave, aktivitete artistike, aktivitete kulturore të shkollave.

Shumë faleminderit për mikpritjen! Shumë faleminderit katër zonjave që janë mbrapa në rreshtin e dytë që përballuan gjithë aty diell që i bie mu në sy për të më dëgjuar mua.

Shumë faleminderit!