Akt normativ për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë gjyqësore, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga covid-19

A K T  N O R M A T I V

PËR

MARRJEN E MASAVE TË VEÇANTA NË FUSHËN E VEPRIMTARISË GJYQËSORE, GJATË KOHËZGJATJES SË GJENDJES SË EPIDEMISË SË SHKAKTUAR NGA COVID-19

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Neni 1
Objekti

Ky akt normativ ka për objekt përcaktimin e rregullave të veçanta për zhvillimin e veprimtarisë gjyqësore dhe të prokurorisë, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga përhapja e COVID-19.

Neni 2
Qëllimi

Ky akt normativ ka për qëllim garantimin e të drejtës për një proces të rregullt në veprimtarinë gjyqësore dhe atë të prokurorisë, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë të shkaktuar nga përhapja e COVID-19.

Neni 3
Masat e veçanta dhe efektet në fushën e veprimtarisë gjyqësore

1. Seancat gjyqësore në çështjet administrative, civile dhe penale, të planifikuara pranë të gjitha gjykatave, shtyhen deri në përfundimin e gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga përhapja e COVID-19.

2. Nga data e hyrjes së fuqi të këtij akti normativ deri në përfundimin e gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga përhapja e COVID-19 pezullohen afatet për ngritjen e padive, për paraqitjen e ankimeve si dhe për kryerjen e çdo veprimi procedural në çështjet administrative, civile dhe penale, sipas parashikimeve në këtë akt normativ. Kur afatet fillojnë gjatë periudhës së pezullimit, ato shtyhen deri në përfundimin e gjendjes së epidemisë.

3. Rregullat sipas pikave 1 dhe 2, të këtij neni, nuk zbatohen në këto raste:

a) Në çështjet administrative, me objekt gjykimin e masave të sigurimit të padisë, në rast se gjykata vlerëson se shqyrtimi pas afatit të përcaktuar në nenin 2, të këtij akti normativ, mund të shkaktojë një dëm të rëndë e të pariparueshëm për palët;
b) Në çështjet familjare, me objekt gjykimi kujdesin, detyrimet dhe respektimin e të drejtave të të miturve, kujdestarinë dhe birësimin, masat mbrojtëse ndaj dhunës në familje, ushtrimin e përgjegjësisë prindërore, përkujdesjen dhe detyrimet për ushqim, si dhe në ato çështje civile në të cilat, përjashtimisht, gjykata vlerëson se shqyrtimi i vonuar i tyre mund të shkaktojë dëm të rëndë e të pariparueshëm për palët;
c) Në çështjet penale, që lidhen me vleftësimin e arrestit në flagrancë ose ndalimit, caktimin, verifikimin e kushteve e të kritereve të caktimit dhe nevojat e sigurimit, zëvendësimin, revokimin, bashkimin ose shuarjen e masave të sigurimit të “arrestit në burg” ose të “arrestit në shtëpi”, kur të arrestuarit, të pandehurit ose mbrojtësit e tyre kërkojnë që të vijohet me shqyrtimin e tyre, si dhe në çështjet penale që lidhen me caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”;
ç) Në çështjet penale, në të cilat afatet e kohëzgjatjes maksimale të paraburgimit, sipas pikës 6, të nenit 263, të Kodit të Procedurës Penale, mbarojnë gjatë periudhës së pezullimit;
d) Në çështjet penale të një natyre urgjente, për shkak të nevojës së sigurimit të provës, sipas nenit 316, të Kodit të Procedurës Penale. Urgjenca vlerësohet nga gjykata që shqyrton çështjen;
dh) Në çështjet penale në ngarkim të të miturve në konflikt me ligjin, kur ndaj tyre është zbatuar masa e arrestit apo e ndalimit, sipas nenit 15, të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur;
e) Në çdo çështje tjetër penale ku i pandehuri është i paraburgosur ose është duke vuajtur dënimin me burgim, në rast se i pandehuri ose mbrojtësi i tij kërkojnë vazhdimin e gjykimit.

4. Gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë të shkaktuar nga përhapja e COVID-19 dhe me synimin për të kufizuar efektet negative në veprimtarinë gjyqësore, këshillat si dhe organet e administrimit gjyqësor të çdo gjykate, sipas kompetencave të tyre të përcaktuara me ligj dhe në funksion të zbatimit të rregullave nënligjore të nxjerra nga organet përgjegjëse, miratojnë masa organizative specifike për zhvillimin e proceseve gjyqësore, të nevojshme për të shmangur grumbullimet në ambientet e gjykatave dhe brenda sallave gjyqësore, si dhe kontaktet e ngushta ndërmjet individëve, që kanë të bëjnë me:

a) kufizimin e hyrjes së publikut në ambientet e gjykatës, duke garantuar, kundrejt rregullave të vendosura për këtë qëllim, vetëm aksesin e individëve që duhet të kryejnë veprimtari që kanë urgjencë;
b) rregullimin e aksesit në shërbime, me rezervim, edhe nëpërmjet komunikimit telefonik ose elektronik, duke u kujdesur që përdoruesit të mund të përdorin shërbimet brenda një kohe të caktuar, si dhe miratimin e çdo mase që konsiderohet e nevojshme për të shmangur grumbullimet;
c) vendosjen e udhëzuesve detyrues për kufizimin dhe mënyrën e lëvizjes së personave. Udhëzuesit publikohen në faqen e internetit të gjykatës dhe Këshillave;
ç) zhvillimin me dyer të mbyllura të të gjitha seancave gjyqësore publike për çështjet e parashikuara në pikën 3, të këtij neni, në zbatim të pikës 2, të nenit 20, të ligjit nr.49/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, të nenit 173, të Kodit të Procedurës Civile, ose të nenit 340, të Kodit të Procedurës Penale;
d) kryerjen e seancave mbi bazë dokumentesh në çështjet administrative dhe civile, të parashikuara në pikën 3, të këtij neni, në të cilat nuk kërkohet prania e palëve, nëpërmjet përdorimit të mjeteve të komunikimit elektronik për paraqitjen e akteve procedurale dhe dhënien e vendimit nga gjykata.

Neni 4
Pjesëmarrja në distancë në seanca gjyqësore

1. Pjesëmarrja e personave të dënuar apo me masë sigurimi “arrest në burg”, si dhe e përfaqësuesve ligjorë të tyre, në të gjitha seancat gjyqësore gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë, sigurohet, atje ku është e mundur, nëpërmjet ndërlidhjes audiovizive në distancë, duke përdorur programe kompjuterike të përshtatshme për këtë qëllim.

2. Mënyra e ndërlidhjes në distancë duhet të sigurojë në çdo rast shikueshmërinë e ndërsjellë të personave të pranishëm në të dyja vendet e ndërlidhura dhe mundësinë e dëgjimit nga të gjitha palët. Nëse parashikohet pjesëmarrja e disa të pandehurve, secili prej tyre duhet të vendoset në kushte që të mund të shikojë dhe të dëgjojë të tjerët.

3. Ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor që të sigurojnë mjetet dhe programet kompjuterike të nevojshme për sigurimin e ndërlidhjes në distancë, sipas këtij neni.

Neni 5
Hyrja në fuqi

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA