Kryeministri Rama, i cili ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe, në kuadër të pjesëmarrjes në Javën e Qëndrueshmërisë 2026, organizuar nën kujdesin e veçantë të Presidentit Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan – ishte sot pjesë e panelit “Korridoret e Energjisë për një të Ardhme të Qëndrueshme”
Kryeministri Rama theksoi investimet e mëdha të dekadës së fundit në energjinë diellore dhe të erës, me synimin që deri në fund të vitit 2028 Shqipëria të arrijë sovranitet të plotë energjetik dhe të mos ketë më nevojë për importe.
Kryeministri nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit strategjik me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Italinë, duke e cilësuar këtë partneritet si një model vizionar që synon, jo vetëm sigurinë energjetike të rajonit, por edhe eksportin e energjisë së gjelbër drejt Bashkimit Europian përmes projekteve të mëdha ndërlidhëse.
* * *
– Çfarë seance fantastike e më vjen mirë që e shoh se gjithë holli është i mbushur plot. Është e jashtëzakonshme ajo që po ndodh në Europën Qendrore kur bëhet fjalë për tranzicionin energjetik, sepse edhe bashkëbisedimi duhet të jetë shumë i përqendruar në këtë çështje. Le t’i urojmë mirëseardhjen zotit, Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë. Kënaqësi që ju shoh, Edi.
Kryeministri Edi Rama: Jo, Edi Rami, Edi Rama.
– Po e nisim në mënyrë fantastike.
Kryeministri Edi Rama: Ah, ju jeni grek apo jo? Prandaj na keq shqiptuat emrat. E dimë këtë sepse jemi fqinj kështu që ju njohim shumë mirë.
– Kënaqësi që ju kam të dyve. Le të përqendrohemi tek kjo çështje duke qenë se kemi 14 minuta, kështu që do të kërkoj që të kemi një përqendrim shumë të fortë. Në fakt, kemi pasur një seancë me ju virtualisht nga Gjermania vitin e kaluar. Dua t’ju pyes; thuajse e gjithë energjia juaj vjen nga burime të ripërtëritshme dhe jeni me fat të keni burimin natyrore të energjisë hidrike. Si po ndërton Shqipëria në këtë bazë sepse keni një partneritet strategjik me Emiratet e Bashkuara, me Italinë për të eksportuar një pjesë të energjisë suaj të ripërtëritshme në BE dhe si ndikon kjo marrëdhënie me BE në të ardhmen?
Kryeministri Edi Rama: Në një farë mënyrë jemi me fat, ju e thatë, sepse kemi burimet hidrike dhe jemi 100% në energji të ripërtëritshme. Nuk kemi energji nga karburantet fosile. Pra këtu jemi tek niveli më i lartë i renditjes në këtë botë të re. Mos harroni sidoqoftë që hidro, pra burime ujore, do të thotë që ne varemi nga “humori” i Allahut. Kur Allahu qesh shumë dhe nuk qan, atëherë nuk kemi shi dhe kështu na duhet t’i drejtohemi importit dhe më pas kjo bëhet e vështirë. Ajo çfarë kemi bërë në këtë dekadë të fundit, është të investojmë shumë në energjinë diellore dhe atë të erës dhe të krijojmë një portofol burimesh të ekuilibruara në mënyrë të tillë që ne të mos kemi më nevojë t’i drejtohemi importit dhe të jemi plotësisht sovran, duke pasur 100 energji të gjelbër. Plani po ecën mirë dhe besojmë se në fund të 2028 do të jemi plotësisht sovran, nuk do të blejmë më energji nga jashtë. Ndërkohë siç e thatë, kemi një bashkëpunim strategjik dhe meqë ra fjala, dua të them se kjo ka ndodhur falë këtij vendi e falë udhëheqësit të madh që ka vizionin e njerëzimit që shkon përtej kufijve. Dhe siç e pamë, edhe gjatë çmimeve “Zayed”, ai mendon t’i shërbejë njerëzimit dhe të prekë jetën e qindra-miliona njerëzve jashtë vendit tuaj dhe kjo është diçka që as Kombet e Bashkuara në tërësi nuk mund të pretendojnë se kanë bërë. E kemi nisur këtë gjë dhe ambicia falë edhe mentorit tonë që është personi i cili dje dha një nga fjalimet më të mira që kam dëgjuar, Dr. Sultan Jaber nuk e di nëse e keni dëgjuar…
– Ah, po, nuk jam i sigurtë…
Kryeministri Edi Rama: Si grek duhet ta njohësh mirë.
– Nuk e di sa më shumë mund ta njoh.
Kryeministri Edi Rama: Sepse prireni t’i nënvlerësoni pak njerëzit. Mendoni se keni monopolin e filozofisë dhe jeni trashëgimtarë të Platonit dhe të Aristotelit, por nuk jeni.
Për ta përmbyllur sepse nuk dua t’i ha kohën këtij vendi “të madh” të Malit të Zi. Mali i Zi ‘’është vendi më i madh’’ në rajonin tonë dhe ka 50 milionë qytetarë. Ne jemi vend i vogël. Shqipëria është pak më e madhe, Mali i Zi është më i madh. Në rregull, ndjesë, por do ta lëmë si ëmbëlsira për në fund.
Për ta mbyllur këtë, ambicia jonë është që së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Italinë të kemi një bashkëpunim tripalësh, të krijojmë një bazë të ngarkesës në Shqipëri, Dr. Sultan, Zoti e bekoftë, po synon që të mbërrijmë në tre giga dhe përmes kabullit ndërlidhës me Italinë, t’i shërbejmë Evropës me energji të gjelbër dhe së bashku me miqtë tanë arabë, të bëjmë para’ për t’ia shitur pra Evropës.
– Është e jashtëzakonshme që një si projekt 1 miliardësh të ndodhë.
Kryeministri Edi Rama: është më shumë se 1 miliardë.
– Me të tria projektet..
Kryeministri Edi Rama: Jo, edhe një herë numërove si grek. Kur flisni për paratë tuaja, i shtoni 3 zero. Kur flisni për paratë e të tjerëve, hiqni tre zero. Këtë bëni. Ja pse BE ju do kaq shumë.
-Cila është shifra e saktë, zoti Rama?
Kryeministri Edi Rama: Shifrën e saktë nuk kam ndërmend t’ua them sepse nuk e kam marrë akoma lejen nga Dr. Sultani se nuk do që t’i tremb italianët, duke qenë se kanë gjithmonë probleme me buxhetin e tyre.
– Faleminderit për këtë prezantim të shkëlqyer. Në fakt ky rend transballkanik është shumë i madh dhe krijon një pozitë mjaft të fuqishme dhe do t’i kthehem, Kryeministër, kësaj ideje të strategjisë së BE dhe çfarë ndikimi ka në marrëdhëniet me BE në përgjithësi .
***
Kryeministri Edi Rama: Ju thashë, nuk kanë frikë nga konkurrenca, janë 500 mijë dhe duan që natyrisht të triumfojnë kundrejt 500 milionë investuesish.
– Por dhe ju keni pjesën tuaj të investimeve. Investimi nga Shtetet e bashkuara Arabe që ka ecur shumë mirë. Do marr dhe komentin e fundit nga kolegu. Por cilat janë përgatitjet tuaja për zbatimin e inteligjencës artificiale në vendin tuaj, gjithashtu edhe ritmin formues inxhinierik, a jeni gati që ta përdoroni në shkallë të gjerë inteligjencën artificiale, në nivelin e vendit brenda?
Kryeministri Edi Rama: E kemi nisur në fakt paksa nga ana e kundërt në përpjekje për të nxjerrë më të mirën nga teknologjia digjitale, për shkak të shumë problemeve që i trashëguam sa i takon ofrimeve të shërbimeve të mira të administratës, teknologjia digjitale na lejoi të ndryshonim tërësisht mënyrën sesi funksionon administrata përkundrejt qytetarëve. Prej disa vitesh tashmë 95% e shërbimeve tona ofrohen në internet, pra elektronikisht, i kemi mbyllur të gjitha zyrat e kontaktit të shërbimeve në vend, pra nuk ke më zyrë të shkosh, fizike, nuk ka radhë, nuk ka kohë të humbur. E merr shërbimin online qoftë në Shqipëri, qoftë jashtë Shqipërie.
Ndërkohë me inteligjencën artificiale ne po e përdorim pra atë për të gjithë procesin e transferimit të legjislacionit të BE në korpusin tonë ligjor sepse është në fakt po themi një pushtim në thonjëza sepse që të hysh në BE të duhet të miratosh çdo ligj, çdo rregullore në të njëjtën mënyrë.
Për të gjitha vendet ky ka qenë një volum i jashtëzakonshëm pune, me përkthyes, me juristë, me hartues, me korrektor ndërkohë që me inteligjencën artificiale ne po e bëjmë këtë gjë shumë shpejt, në mënyrë shumë të saktë. Dhe po kështu kemi dhe një ministre të inteligjencës artificiale, jo për inteligjencën artificiale por të inteligjencës artificiale. Kemi një doktor Sultan, por është grua dhe është inteligjenca artificiale.
– Pra është asistente virtuale. Po si është kjo lloj përvoje?
Kryeministri Edi Rama: Ajo punon për shërbimet dhe po punon për transferimin e korpusit ligjor të BE dhe po punon për diçka që ne besojmë do të jetë diçka e fjalës së fundit që është prokurimi publik me inteligjencë artificiale, për t’i hequr njerëzit nga procesi dhe për të bërë që prokurimi të kryhet nga inteligjenca artificiale. Deri më tani kemi ecur mirë.
– Besoj se duhet ta ndani shumë shpesh këtë histori sepse është shumë rrënjësore ajo çfarë keni bërë.
Kryeministri Edi Rama: Në fakt u frymëzova nga një profesor që drejtoi Malin e Zi disa vjet më parë. Ishim në një darkë mes miqsh dhe ai bëri një rritje pensionesh që tronditi FMN-në, WBF, të gjitha F-të dhe në fakt u çuditën si e kishte bërë dhe ai tha, “si Nike, thjesht bëje”.
-E kuptoni që na ka mbaruar koha?
Kryeministri Edi Rama: Jo, e dëgjuat planin sekret që kishin? Pra në rast larg qoftë BE do të dështojë, Brukseli i ri do të jetë Podgorica, prandaj jemi dhe kaq ngushtë, prandaj dhe tregoheni kaq të mirë për 500 milionë njerëz Podgorica do jetë kryeqytet dhe Mali i Zi në qendër. Këtu e dëgjuat për herë të parë.
– Faleminderit është kënaqësi që ju takova!