Postuar më: 14. Shtator 2018

“Air Albania” nis fluturimin

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e inaugurimit të kompanisë së parë kombëtare të fluturimeve, “Air Albania”:

Është një emocion tejet i veçantë për mua, por besoj jo vetëm për mua, që sot mes miqsh, bashkëpunëtorësh dhe partnerësh vullnetmirë, përmbushim jo thjesht një zotim dhënë bashkëqytetarëve tanë, por një ëndërr të kahershme që dukej e pamundur për vite e vite të tëra, kompaninë ajrore të flamurit kuqezi, “Air Albania”.

Është një ëndërr që sot merr krahë, për të filluar një fluturim që do të jetë i gjatë, do të jetë jo i lehtë, por që synimi ynë dhe ambicia ime është që të mund t’i çojë shqiptarët sa më larg e ndërkohë t’i ndërlidhë ata sa më shumë.

Më vjen jashtëzakonisht mirë që në të njëjtën kohë, “Air Albania” është një vepër kuqezi, një vepër kombëtare, një fryt i arrirë në këtë që për ne është viti i Gjergj Kastriotit.

“Air Albania” do të ishte, ose nuk do të ishte, por ideja për ta kthyer në vektorin e një lirie më të madhe për udhëtarët shqiptarë nëpërmjet një vëmendjeje të drejtpërdrejtë dhe një mundësie reale, që ata ta kenë këtë kompani zgjedhjen e tyre të parë, është dhe mbetet ambicia jonë.

Zgjedhje e parë do të thotë shtëpia e përbashkët e shqiptarëve kur ndërmarrin një udhëtim. E patjetër që në këtë aspekt, krijimi i shoqërisë së parë kombëtare të fluturimeve, jo nën shenjën e spekulimit, apo të atyre mashtrimeve financiare tipike me të cilat jemi mësuar për fat të keq për vite e vite me radhë, por nën shenjën e garancive juridike, financiare e teknike dhe në përputhje me kriteret a aviacionit civil ndërkombëtar, është për vendin tonë një instrument strategjik dhe afatgjatë, që ka garancinë e një partneri të padiskutueshëm, të një partneri që është një aktor global, “Turkish Airlines”, që për vite mes konkurrentëve më të mëdhenj të globit, jo njëherë ka marrë dhe çmimin e kompanisë me shërbimin më cilësor në botë.

E vërteta është se shteti shqiptar nuk mund të ndihet dot plotësisht i realizuar nëse neglizhon, pasi ka harruar për një kohë shumë të gjatë, nevojën për të pasur pozicionin e vet modest, por të palëvizshëm në hartën dhe në ekrane të kullave të vrojtimit të aeroporteve dhe të vendeve ku udhëtojnë shqiptarët. Dhe me kompaninë kombëtare të fluturimit, ne faktikisht kemi nisur rrugën e një epoke të re ndërlidhjeje me Europën, por dhe përtej Europës.

Sot, falë “Air Albania”, ne mund të fluturojmë, por mund të fillojmë të fluturojmë. Do të na duhet ky vizion, do të na duhet ky partneritet, do të na duhet kjo vendosmëri me të cilën arritëm deri këtu, sepse nuk ka qenë aspak e lehtë, për të vazhduar dita-ditës, që nuk e di si do përkthehet kjo në gjuhën e miqve tanë që janë këtu të pranishëm, të fluturojmë me këmbë në tokë, por bëhet fjalë për një fluturim të qëndrueshëm e të vazhdueshëm që t’i japë mundësi kësaj kompanie të luajë një rol çelës, jo vetëm në funksion të një shërbimi më në fund dinjitoz për shqiptarët që kanë qenë e mbeten të detyruar të fluturojnë me avionë të plakur dhe me shërbim krejtësisht të pamerituar, por edhe si një çelës për strategjinë tonë të zhvillimit të turizmit, në funksion të objektivit për të arritur në 10 milionë turistë në vitin 2025.

“Air Albania” është një ndërmarrje e mundimshme, sepse është dashur e nuk diskutohet që pa iniciativën dhe mbështetjen bujare të Presidentit Erdogan, sot ne nuk do të ishim këtu. Ama pas marrjes së këtij vendimi, rruga nuk ka qenë e lehtë dhe besoj që dëshmitarët e dëshmitaret që unë kam në të dy krahët mund të tregojnë shumë për se nga u nisëm kur aplikuan, hajde ta provojmë njëherë dhe jam i bindur që shumica prej tyre nuk e kanë imagjinuar se sa shpejt do të vinte kjo ditë e do të ishin sot të veshur me kostumet e kompanisë sonë të flamurit kuqezi. Ndërkohë që për të ndërtuar të gjithë modelin, pavarësisht eksperiencës dhe pavarësisht vullnetit të “Turkish Airlines”, është dashur punë, është dashur mund, janë dashur orë të tëra.

Sot nuk kemi një kompani që ka thjesht një emër që na përfaqëson të gjithëve, por kemi një kompani ku përveç “Turkish Airlines” që është partneri i minorancës, shteti shqiptar është drejtpërdrejt aksioner në këtë kompani, si një garant dhe njëkohësisht si një prani për të përfaqësuar interesat e të gjithë qytetarëve të këtij vendi e të gjithë atyre që kanë pasaportën e këtij vendi, po jo vetëm të atyre, por dhe gjithë shqiptarëve që do ta përdorin “Air Albania”.

Nuk dua të zgjatem me historinë, por mjafton t’ju them se rritja e numrit të fluturimeve të shqiptarëve është mbresëlënëse Përtej problemeve që ne kemi me zhvillimin e domosdoshëm e shumë më të shpejtë, hap pas hapi, ekonomik, shifrat flasin për një numër udhëtimesh e udhëtarësh shqiptarë me një rritje eksponenciale. Nga ana tjetër tregojnë se 99% e këtyre fluturimeve mbulojnë vetëm distanca të shkurtra, ose shumë të shkurtra dhe në shumicën dërrmuese bëhet fjalë për fluturime që nuk i kalojnë 120 minuta. Ndërkohë që ambicia jonë është që me “Air Albania” të shkojmë përtej kësaj.

Ka qenë 94 vjet më parë, në vitin 1924, kur Shqipëria ka bërë tentativën e parë përmes qeverisë së asaj kohe, për të pasur një kompani fluturimi europiane dhe asokohe u krijua “Adria Aero Lloyd” që kishte destinacion Sofjen, Romën, Beogradin, Podgoricën, por imagjinoni pak, edhe Elbasanin, Gjirokastrën, Korçën, apo Peshkopinë. Kurse, nga ana tjetër, ne, sot jemi i vetmi vend të Europë që kemi vetëm një aeroport. Natyrisht, pistat e atëhershme ishin thjesht disa rrugë të paasfaltuara me tokë të ngjeshur, nuk krahasohen me kompleksitetin dhe nevojat e aviacionit modern, por, ama, shqiptarët fluturonin me avion për në Peshkopi, për në Elbasan, për në Gjirokastër, për në Korçë.

Nuk po them që ky është synimi i të ardhmes, por po nënvizoj që ne jemi shumë të fokusuar që paralelisht me fuqizimin e kompanisë sonë të flamurit të mos jemi më vendi me vetëm një aeroport, por të kemi dhe të paktën 3 aeroporte të tjera, aeroportin e Vlorës, të Kukësit dhe aeroportin e Sarandës.

Unë i dëgjoj dhe i dëgjoj me shumë vëmendje, nganjëherë, përveçse mërzitem, edhe acarohem nga ankesat e panumërta, por plotësisht të drejta të shqiptarëve që rrojnë gjatë gjithë vitit në emigracion me dëshirën që t’i kalojnë pushimet në Shqipëri e pastaj detyrohen që të paguajnë bileta që të heqin mendjen e kokës. Natyrisht janë në të drejtën e tyre që të gjithë atë mllef që akumulohet nga kjo grabitje që u bëhet, për shkak të mungesës së disa kushteve që ne po i krijojmë hap pas hapi, ta derdhin mbi qeverinë, ta derdhin mbi mua. Ama, nga ana tjetër, kjo është kostoja e trashëgimisë, e një trashëgimie shumë të vështirë që ne kemi mbi supe dhe prej të cilës po çlirohemi hap pas hapi.

“Air Albania” është një nga instrumentet për t’u çliruar nga kjo trashëgimi, duke ofruar fluturime me një shërbim dinjitoz dhe me çmime shumë konkurruese. Ashtu sikundër edhe ndërtimi i aeroporteve të tjera çon në këtë rrugë.

Për ne që jemi të këtij vendi dhe që jemi të mësuar me çka na kujton menjëherë ai që Klement Aderi e pagëzoi në 1875-ën si aparati fluturues që imiton zogun, shqiponja është gjëja e parë që mendojmë sapo mendojmë për fluturimin. Ndërkohë që, me këtë rast, mësuam që aparatet fluturues që imitojnë zogjtë duhet të kenë dhe emra dhe zgjodhëm që shqiponjave tona t’u vëmë emrat e poetëve tanë. I pari, ky që është këtu mbrapa, është “Lasgushi”. Tjetri që do të vijë menjëherë pas fluturimeve test që do të bëhen gjatë një muaji mes Tiranës dhe Stambollit dhe pastaj me Romën, Milanon, Bolonjën dhe Londrën do të jetë “Migjeni”. Ambicia jonë është që deri në fund të vitit të ardhshëm të çojmë direkt nga Tirana në New York dhe “Imzot Nolin”.

Nuk po bëj të gjithë listën e emrave të poetëve, por po e mbyll me Lasgushin dhe për Lasgushin që kemi mbrapa, duke nxjerrë katër vargje nga vallja e tij e yjeve:

“Do të venë në fluturim

kudo janë e kudo s’janë,

nëpër qiej që s’ka mbarim,

as fillim, as fund, as anë”.

Shumë faleminderit nga zemra të gjithë atyre që e bënë të mundur realizimin e kësaj ëndrre me vetëdijen e plotë që kjo ëndërr tani kërkon të bëhet e gjallë dhe të bëhet fuqia tërheqëse dhe garancia e të gjithë atyre shqiptarëve që do duan të fluturojnë në shtëpinë kuqezi të ajrit. E mbi të gjitha, një falënderim shumë i veçantë për forcën e parë të këtij eventi, Belindën, “shtrigën” tonë kuqezi të aviacionit, e cila ka bërë gjithçka duhej me një profesionalizëm dhe me një vullnet e pasion, pa të cilin ne nuk do ishim këtu sot.

Ashtu skundër dua të falënderoj edhe folësin e dytë, një mik i mirë i këtij vendi, përfaqësuesi i Presidentit në bordin e “Air Albania”-s, ai vetë një pilot i rrahur me erërat dhe që ka përshkruar, besoj, të gjithë qiejt e rruzullit, për asistencën e tij në të gjitha aspektet.

Shumë faleminderit edhe për ardhjen këtu sot! “Lasgushi” do rrijë këtu, ne do rrimë në shtëpi, kurse ju do fluturoni menjëherë, sepse keni qiej të tjerë për të përshkruar. Kështu që këtu jeni në shtëpinë tuaj!

Shumë faleminderit dhe njëherë dhe suksese vajzave dhe djemve të “Air Albania”!