Në vijim të vizitës së tij në Berat, Kryeministri Rama zhvilloi sot një bashkëbisedim me pensionistët e qytetit me fokus rritjen ekonomike në vend dhe përfitimet që ajo solli për këtë kategori.
Kryeministri theksoi se rritja e pensioneve është e lidhur drejtpërdrejt me forcimin e ekonomisë dhe konsolidimin e skemës së sigurimeve shoqërore. Ai nënvizoi se vetëm përmes një ekonomie në rritje dhe rritjes së të ardhurave në buxhet është bërë e mundur hartimi i një plani financiar të qëndrueshëm për rritjen progresive të pensioneve. Kryeministri bëri të ditur se skema e re parashikon rritje të përvitshme të garantuara në buxhet, duke siguruar që çdo rritje e realizuar të pasohet nga një rritje edhe më e madhe në vitet në vijim, çka përbën një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit gradual të të ardhurave të pensionistëve.
Kryeministri u ndal edhe te mbështetja shtesë që qeveria ka ofruar për këtë kategori përmes bonuseve, që jepen në mënyrë të posaçme në periudha të caktuara dhe vijnë si shtesë mbi pensionin, duke plotësuar politikën e rritjes graduale të të ardhurave dhe forcimit të skemës së pensioneve. Sipas Kryeministrit, ky mekanizëm është përdorur në mënyrë të vazhdueshme për të rritur mbështetjen direkte ndaj pensionistëve, paralelisht me përmirësimet strukturore të sistemit të sigurimeve shoqërore dhe rritjen e qëndrueshme të pensioneve.
* * *
Shumë faleminderit! Edhe më vjen shumë mirë që na jepet mundësia të bëjmë këtë bisedë të thjeshtë. E para, realisht më vjen mirë që kam qëndruar në këtë detyrë deri kur u bë e mundur që më në fund të përcaktonim një plan financiar të mbështetur nga buxheti për një kapërcim real të pensioneve, nga pamjaftueshmëria ku ishin, tek një nivel i arsyeshëm, jo i mjaftueshëm, por i arsyeshëm. E them këtë sepse, qysh në krye të herës, pensionistët kanë qenë prioritet për mua dhe për ne, por rritja e pensioneve ka qenë më e vështira dhe është gjithmonë më e vështira, sepse ju e dini mirë që pensionet funksionojnë në bazë të një skeme të sigurimeve shoqërore dhe nëse skema e sigurimeve shoqërore nuk është solide, por në vend që të jetë një skemë solide është një gropë e madhe si ajo që ne trashëguam, atëherë bëhet tejet e vështirë që të imagjinosh një rritje të arsyeshme të pensioneve pa rrezikuar themelet e gjithë ekonomisë. Dhe për këtë arsye, ju e dini mirë, ju kam thënë vazhdimisht kur më pyesnit që e kemi prioritet, por duhet të rrisim ekonominë dhe duhet të rrisim mundësitë që të mund t’i qasemi këtij prioriteti; ndryshe është e pamundur.
Shpesh herë sillej në vëmendje: “jo po rriten pagat e deputetëve”, “jo po rriten pagat”. Tani, pagat e deputetëve janë 140; sikur ta mbyllnim fare parlamentin, larg qoftë, dhe t’i shpërndanim ato paga për pensionet, do të ishte një pikë uji në oqean. Ashtu sikundër, rritja e pagave të të tjerëve është diçka që gjithmonë duhet t’i gëzojë pensionistët, sepse në çdo pagë që rritet ka një kontribut sigurimesh që rritet dhe ai kontribut sigurimesh shkon për ju. Por gjithsesi ishte shumë e qartë që ishte shumë stresuese pamundësia dhe erdhi momenti kur ne e pamë qartë mundësinë. E pamë qartë mundësinë, sepse kaluam një fazë të parë të qeverisjes, duke mbyllur gropa të panumërta borxhesh dhe gjithfarë lloj papërgjegjshmërish. Pastaj, filluam investimet serioze dhe, pavarësisht se rrugës u desh të ndesheshim me tërmet, me pandemi, deri edhe me pasojat në çmimet e energjisë të një lufte që s’kishte lidhje me ne fare, ne ia dolëm që të jemi i vetmi vend – dhe këtë e them me shumë krenari – që nuk e ka rritur, por e ka ulur çmimin e energjisë elektrike dhe tani ia dolëm që të vijmë tek ju edhe t’ju shikojmë pa sikletin e madh që “s’kemi çfarë t’ju themi për pensionet”.
Sepse skema e rritjes, përmes atij niveli që përmendi ministrja, me dyfishim të përvitshëm të rritjes së vitit të mëparshëm, është e garantuar 100% në buxhet. Kështu që të gjithë duhet ta dinë që çfarë ju është rritur këtë janar, që vazhdon çdo muaj natyrisht, do t’ju dyfishohet janarin e ardhshëm, do t’ju trefishohet në janar të 2028-s, do t’ju katërfishohet në janar të 2029-s dhe do t’ju pesëfishohet në janar të 2030-s.
Natyrisht që juve, kjo është fatkeqësi, po duhet ta themi siç është, jeni gjenerata e fundit me laps dhe me letër; gjeneratat e tjera janë me sy dhe me vesh. Po kur vjen puna te lapsi dhe te letra, ju e keni parë që një parti e tërë në opozitë udhëhiqej nga dikush që s’dinte shumëzimin, që tregon që niveli i aritmetikës i atyre që e kishin zgjedhur për udhëheqje ishte edhe më i keq dhe më keq do të shkojë kjo puna e shumëzimit dhe e pjesëtimit. Pastaj do të vijë edhe dita kur do të goditet edhe mbledhja dhe zbritja. Por ju dini lapsin, dini letrën dhe, mbi të gjitha, më bëjnë shumë për të qeshur ata që dalin pa laps e pa letër nëpër këto klubet e natës edhe hapin kapakët e tenxhereve dhe thonë: “Partinë Socialiste e votojnë pensionistët, se janë komunistë”.
Në fakt, ju jeni ata që do të kishit bërë fatin dhe suksesin e çdo moderatori; edhe Blendi Fevziu, po ta kuptonte, do e kishte ngritur shumë lart nivelin e debatit politik në atë sallonin e vet, po të merrte pensionistë që të diskutonin temat e ditës dhe jo të merrte të ashtuquajtur analistë, që janë njerëz me halle të natyrave të ndryshme, por që janë aq seriozë dhe aq të sinqertë me popullin shqiptar dhe me ju, saqë flasin nën dritën e kamerave për varfërinë dhe për pensionet dhe pastaj, kur fiken kamerat, marrin nën dorë paratë, në të zezë, domethënë nuk kontribuojnë për pensionet, mbase jo të gjithë 100%. Por shikojeni dhe kuptoni një gjë: kush flet më shumë për ju nëpër studio është ai që paguan më pak për ju nga paga e vet, sepse pjesën më të madhe të pagës e merr në të zezë, që të mos ju japë ju pensionin, sepse s’ka asnjë respekt për ju, nuk ka asnjë dhembshuri për ju dhe juve ju do “mish për top” që t’ju kundërvërë me qeverinë. Por ky është një mision i pamundur dhe kjo është e vërteta, pavarësisht se si mund t’i vijë mirë apo keq ose se ç’mund të thonë pas kësaj.
Se u mërzitën shumë, janë shqetësuar shumë që unë them që Shqipëria nuk ka pasur kurrë si sot një pozicion më të qartë kundër korrupsionit dhe Shqipëria sot ka më pak korrupsion se asnjëherë tjetër. Ju vjen keq, fillojnë të flasin, por janë faktet, këto janë faktet.
Nuk janë fjalët e mia, sepse nuk mund të ketë më shumë korrupsion dhe të ketë më shumë ekonomi. Nuk mund të ketë më shumë korrupsion dhe të ketë më shumë të ardhura në arkën e shtetit, sepse korrupsioni jeton me çfarë i merr shtetit. Nuk mund të ketë më shumë korrupsion në tendera dhe të ketë më shumë kursime nga tenderët. Nuk mund të ketë më shumë korrupsion në tendera dhe të ketë më shumë fitues. Pra, të jetë dyfishuar numri i atyre që përfitojnë nga tenderat publikë në krahasim me më parë. Si ka më shumë korrupsion dhe ka paga më të larta? Si ka më shumë korrupsion dhe ka më shumë të ardhura nga taksat? Si paska kaq shumë korrupsion dhe vetëm një ndërtim në Tiranë, vetëm një, që isha dje, i paguan shtetit 14 milionë euro taksë? Si rriten pagat, si rriten investimet? Si paska më shumë korrupsion dhe sot një mijë e kusur shërbime merren nga telefoni pa takuar njeri dhe pa i kërkuar njeriu asgjë? Nuk po them që s’ka korrupsion, por ka shumë më pak se kishte. Dhe nuk diskutohet kjo gjë, kur për më tepër do ta nxjerrim në ditët në vijim, por edhe në raportin e fundit të Bashkimit Europian, dhe Bashkimi Europian nuk flet me llafe, flet me fakte. Shqipëria është prapë e para në rajon për prokurimet publike, për gjithë mënyrën si funksionon sistemi i prokurimeve, e para në rajon. Patjetër që nuk jemi Gjermania, kjo nuk diskutohet, por ama besoj që jemi në rrugën e duhur të një vendi që, në këtë raport të prokurimeve publike të Bashkimit Europian, është më lart në prokurime sesa disa vende të vetë Bashkimit Europian nga pikëpamja e integritetit të prokurimeve publike. Është fakt; si t’ia bëjmë tani? Të themi që këto nuk ekzistojnë dhe t’i lëmë ata të na rrokanisin nga mëngjesi deri në darkë? Se mua s’më rrokanisin dot, se unë s’i lexoj fare. Por sigurisht që tek-tuk marr aq sa duhet për të kuptuar se në çfarë ujërash notojmë.
E dëgjuat ambasadorin e Bashkimit Europian, e dëgjuat që tha: “Nuk ka bllokim të Shqipërisë”. Tani, ai nuk del atje për të gënjyer. Ai nuk i shërben qeverisë së Shqipërisë dhe, po të kishte bllokim të pashpallur, s’do dilte fare. Fakti që doli dhe e tha, tha një të vërtetë që prapë është shumë e thjeshtë, sepse nuk tha ndonjë gjë të jashtëzakonshme. Është një gjë që gjithkush që do ta kuptojë e kupton: quhen negociata dhe negociohet në çdo fazë dhe askush nuk e ka thënë që kjo fazë e piketave të ndërmjetme do të mbyllej në mars. Të gjithë e kemi ditur që do të zgjaste edhe prillin e majin për të kaluar me të gjitha pyetjet dhe, nëse arrihet që të mbyllet gjithë ky proces në këta muaj, do të jetë sukses i madh, sepse vendet e tjera këtë fazë e kanë kaluar me shumë më tepër pyetje dhe në shumë më tepër kohë, sikundër asnjë vend tjetër më parë nuk i ka hapur në 11 muaj të gjithë kapitujt.
Tani, i hapëm ne se ishim më të zot dhe më të mirë se gjithë të tjerët? Jo! I hapëm ne sepse ne ishim gati, por edhe sepse ata erdhën tek ne; ama ne u bëmë gati. Nuk është kollaj dhe e kemi arritur këtë gjë; na respektojnë, na besojnë dhe na dëgjojnë për gjëra që ne mund të themi ndonjë fjalë, jo për fatet e botës.
Tani është shumë e rëndësishme që ne të përmbushim këtë mision dhe përmbushja e këtij misioni kërkon vetëdije që ky mision është kombëtar, jo thjesht për faktin që është në interes të të gjithëve, por është kombëtar pavarësisht faktit se kush qeveris. Që do të thotë, në shqip, mund të thonë çfarë të duan, por po ju them dhe ma përsërisin shumë ata andej: nuk kemi parë, thonë, dhe nuk kanë pasur ku ta shohin. Nuk kemi parë që të vijnë këtu te ne maqedonasit, që kishin sherr, gati-gati shkuan në konflikt civil, por nuk shkonin në Bruksel, në Berlin, në ku di unë se ku, që të mos linin fjalë pa thënë për vendin e tyre dhe që t’u kërkonin atyre andej që të bllokonin vendin e tyre këtej. Nuk e bënin, nuk e bënin.
Nuk e kanë bërë malazezët; malazezët kanë pasur edhe ata shumë më tepër probleme reale se ne dhe nuk shkonin atje kundërshtarët e qeverisë që të bllokonin Malin e Zi. S’e kanë bërë as rumunët, s’e kanë bërë as bullgarët më parë.
Këtë e bëjnë vetëm këta.
Po ç’është ky hall i madh? Si kanë këta njerëz asnjë lloj ndjeshmërie që fusin në një thes gjithfarë mundimesh dhe gjithfarë lumenjsh djerse të shqiptarëve jashtë, që kanë bërë kalvare për të sjellë këtu kursimet e tyre? Po pse kriminelë janë ata që vijnë dhe investojnë në agroturizëm këtu? Kriminelë janë ata që blejnë apartamente me kursimet e tyre? Po si qenka kriminel? Po si qenka kjo që këtu? Po mirë, si u pastronka gjithë ajo para me banka? Është e pakuptueshme, është e patolerueshme, por nuk kemi çfarë bëjmë.
Ne këta na kanë rënë e nuk kemi çfarë t’i bëjmë, por ne na ka rënë edhe barra ta çojmë Shqipërinë në Bashkimin Europian. Kështu që, unë kam shumë besim që do t’ia dalim. Berati, falë punës së jashtëzakonshme që është bërë këtu, është bërë edhe dallëndyshja e parë e pranverës së rikthimit të njerëzve në Shqipëri. Pse? Sepse është vendi ku ka më shumë shqiptarë që janë kthyer sesa shqiptarë që janë larguar dhe ky është një sinjal domethënës për të gjithë. Pse kthehen më shumë dhe largohen më pak nga Berati? Sepse në Berat gjithkush që ka një shtëpi ose që ka një tokë mund të bëjë një sukses, në kuptimin që mund të fitojë më shumë sesa duke punuar për dikë tjetër jashtë, se jashtë mund të duket sikur merr më shumë pagë kur e sheh kështu në pasqyrë, por pastaj kur i hyn gjithë atyre që të marrin nga ajo pagë dhe kur sheh pastaj edhe sa të duhet për të shpenzuar, llogaria bëhet pak më e ngatërruar sesa saç duket. Ndërsa këtu, me taksat zero, taksa zero për të gjithë ata që kanë xhiro deri në 140 mijë euro, më fal, por është oportunitet kur ke këtë destinacion turistik. Këtë kam pas thënë gjithmonë dhe ja ku janë disa miq, janë këtu që denbabaden, kur kemi filluar këtë të përpjetë: cila qeveri, cili shtet do e linte një minierë mbi tokë të lëngonte dhe të prodhonte vetëm dëshpërim dhe largim dhe varfëri për njerëzit e vet? Vetëm kush na ka pararendur këtu. Ndërkohë që ne e hapëm derën e ekonomisë vendore këtu, në kuptimin më të mirë të fjalës, ja me ato mundësi që erdhën duke u rritur.
Sot, para se të vinim këtu, pashë një shkollë të re “22 Tetori”, që nuk e di se sa mesazhe dhe sa letra kam marrë për atë “22 Tetorin” dhe nuk kishim mundësi, thjesht s’kishim mundësi. Çfarë mundësish? Në Berat nuk vije dot. Sa arrije në Lushnje, ktheheshe; aty fillonte gropa. Ju kujtohet apo jo? Dhe atëherë njerëzit na thoshin: “Këtu, aman, më na bëni rrugën, rrugën që të dalim nga Berati dhe të kthehemi në Berat. S’duam gjë tjetër.” Mirëpo oreksi vjen duke ngrënë. Si s’duam gjë tjetër? Duam këtë, e duam atë, bë këtë, bë atë dhe në fund: dua Ervin Demon.
Dhe shkolla “22 Tetori” sot që do të hapet është një projekt i jashtëzakonshëm. S’është thjesht një shkollë, është një eksperiencë, kur thotë zoti Demo, sepse është një eksperiencë për nxënësit, për mësuesit, për prindërit, por është një eksperiencë sepse pjesa frontale e shkollës do të jetë vitrina e zejeve dhe e produkteve speciale të Beratit, që nga ata që punojnë gurë, punojnë dru, punojnë tekstil, tek ata që përpunojnë vaj e kështu me radhë, dhe janë në një trup, por janë të ndara nga njëra-tjetra. Ndërkohë që në mbështetje të këtij poli të eksperiencës është edhe një alamet parkimi atje. Berati është një nga qytetet që po luante mendsh nga trafiku, për shkak edhe të asaj që the, por edhe për shkak të trafikut brenda. U bë gjithë ai parkim nëntokësor, është një nga parkimet më funksionale, dixhitale, të gjitha. Pra jemi në kushtet kur po fillojmë të mbledhim frytet e gjithë kësaj pune të madhe që kemi bërë dhe duhet t’i çojmë këto gjëra përpara me vendosmëri dhe pa u çorientuar nga maskarallëku i përditshëm dhe i përnatshëm që është i kudondodhur në çdo pasqyrë të shtypit e të rrjeteve sociale.
Nëse ju keni diçka për të thënë këtu, ndonjë merak, ndonjë shqetësim, jepjani pak mikrofonin, ne këtu jemi edhe për të shkëmbyer.
– Jam një anëtar i shoqatës së pensionistëve dhe lidhur me temën që jemi ulur sot, ju falënderoj që gjetët kohë dhe një mundësi që erdhët me pensionistët e Beratit, sepse unë kam punuar në sigurime shoqërore gati 30 vjet. Një pjesë e madhe e pensionistëve, të cilët nuk plotësojnë vjetërsinë e punës, janë edhe gjynahqarë, sidomos pjesa e fshatarësisë, se unë kam punuar vite me ta; janë gjynahqarë për faktin që në 2014-n ka zbritur ligji me këmbë në tokë, i ka bërë thirrje për të derdhur 2 milion dhe të fitojnë 20 vjet dhe nuk e respektojnë. Kështu është e vërteta. Në 2014-n kemi shkuar derë më derë dhe me 2 milion blini 20 vjet dhe nuk e respektonin. Kjo ishte për të ardhur keq dhe ja pasojat. Megjithatë, pavarësisht nga ajo që ka ndodhur, fakti që ajo 100 mijë lekësha për të cilën flitej dhe që ne nuk na vinte aspak mirë për çdo pensionist që takohesh, jeni të vlerësuar, pra fakti që e çoni te niveli 220.
-Zoti Kryeministër, unë që kur e filluat fjalën, edhe zonja ministre më erdhi pak si keq, sepse ngaqë jemi një familje e tërë, ne ju konsiderojmë fëmijët tanë dhe brenda familjes merremi vesh shumë mirë dhe ky auditor këtu është i gjithë i një niveli të tillë që, jo vetëm ju ndjek hap pas hapi çdo ditë, çdo sekondë juve, por në të njëjtën kohë edhe rrjete sociale që mund të flasin lloj-lloj gjërash, por në fund të ditës bëhet një analizë dhe analiza bëhet duke parë të sotmen dhe duke hedhur vështrimin tek e shkuara, se pa ditur të shkuarën nuk e vlerëson dot të sotmen dhe nuk i hedh dot hapat për të ardhmen. Kur ka ardhur fillimisht Ervini, unë kështu do t’i thërras, ai e gjeti Beratin edhe pa ujë, me tre orë ujë në ditë dhe gjëja më e madhe që bëri sidomos për zonjat, por edhe për të gjithë qytetarët e Beratit, është 24 orë ujë. Prandaj dikush do thoshte: “Ua, po pse gjë e madhe?” Shumë e madhe është, sepse kështu vjen nga ato që janë domosdoshmëri për të shkuar tek ato që pastaj arrijnë tek maja e piramidave, që do të kërkojmë luksin. Por kur shohim që pas ujit u zbukuruan lagjet duke u shtruar, u zbukuruan fasadat dhe mori ngjyra të tjera qyteti ynë, duke parë që u hapën sheshe, u krijuan mundësi të tjera, atëherë i themi edhe ai që ka një farë inati brenda vetes së tij bën një analizë: “Po dale, thotë, ta themi një fjalë të mirë edhe për këta njerëz.” Prandaj unë desha që ju të mos e fillonit kështu bisedën duke dhënë llogari, por desha që ju të ishit krenarë këtu midis nesh, se vetëm Partia Socialiste i ka dhënë këtij vendi atë që s’e kanë dhënë të gjitha sistemet që kanë kaluar. Shumica po shkon deri në Vermosh me rrugë të asfaltuara, kudo që të hedhësh sytë ka resorte, është ngritur niveli i jetesës. Do thoni: “Po juve pensionistët?” Edhe ne avash-avash. Me 200 mijë lekë kam dalë unë kur isha në shkollë të mesme mësuese, me 200 mijë lekë të vjetra, avash-avash vajti 400 e ca. Mund të ketë një bum tjetër, suksesi i ekonomisë sonë dhe mbase nuk do të na rritë dyfishin, mund të na arrijë trefishin vitin tjetër. Prandaj duhet të jemi optimistë dhe duhet t’i qasemi problemeve ashtu siç i kemi dhe dua të duartrokasim fort për ato që kemi bërë, zoti Kryeministër. Shumë fort. Ju falënderoj nga zemra që juve në krah keni marrë dy djemtë më të mirë të Beratit. Kështu t’i mbajnë socialistët njëri-tjetrin, ata që vjedhin dhe bëjnë e kanë vendin e tyre, le të merret drejtësia me ta. Ne nuk kemi punë me ta, zoti Kryeministër, dhe mos e ul kokën asnjëherë se çfarë thuhet dhe çfarë bëhet, secili ka rrugën e tij. Sytë të gjithë i kanë, ua ka dhënë Perëndia sytë, veshët i kanë, mendjen e kanë, le t’i llogarisin hapat ku i hedhin. Ju faleminderit shumë!
Kryeministri Edi Rama: Pas kësaj oratorie vetëm do të të marr ndonjë ditë të trajnosh deputetët e Partisë Socialiste. Po shikoja disa shifra këtu, duke iu referuar fjalës që u fol pak më përpara për pensionet dhe jo për të paguar pensionet, por për të shtuar diçka për pensionistët nëpërmjet bonuseve. Gjatë qeverisjes sonë ne kemi disbursuar 600 milion e 213 mijë euro, pra më shumë se gjysmë miliardi plus ekstra dhe natyrisht, e përsëris, nuk është për të thënë që “shiko sa shumë kemi bërë”, por për të thënë që e kemi pasur gjatë gjithë kohës këtë stres: si t’i mbështesim më shumë pensionistët brenda mundësive. Dhe ndërkohë që fole për skemën, qeveria ka mbuluar nga buxheti një deficit të skemës së pensioneve që ne e kemi gjetur 2% të Prodhimit të Brendshëm Kombëtar, që është një lemeri; sot e kemi ulur në 0.5. Prapë është problem, por është shumë më i ulët. Dhe shikoni pak këtu një shifër tjetër: ne e kemi gjetur skemën me 510 mijë kontribuues dhe e kemi çuar në 870 mijë kontribuues dhe prandaj është forcuar skema falë kontributeve. Dhe që të mos themi shumë gjëra, patjetër që pensioni mesatar sot nuk është i lartë, 190 euro; do të flas për të gjithë, se po të marrim pastaj pensionin për personat me vite të plota pune është 325 euro, por po flasim për pensionin mesatar të të gjithëve dhe ata që s’kanë vite të plota e tjerë e tjerë, 189, por ka qenë 86 euro dhe 86 euro ka qenë pensioni, ndërkohë që vetëm kjo rritja ekstra që po bëjmë ne është aq sa ishte gjithë pensioni. Kështu që janë rezultate të arritura me vështirësi dhe me durim të madh, dhe durim më të madh, me thënë të drejtën, e keni pasur ju, sepse në fund të ditës duhet durim i madh që të bësh këtë punë, por prapë nuk krahasohet me durimin tuaj dhe të shumë njerëzve që kanë pritur rezultatet, jo për rezultatet, por për jetën e tyre të përditshme. Natyrisht që ne nuk kemi arsye për të ulur kokën, por është mirë që të jemi kokulur kur vijmë tek ju dhe kur shkojmë tek njerëzit që na mbështesin, sepse unë besoj që kemi bërë vërtet ndryshime të mëdha në disa aspekte historike, por në raport me njerëzit që na mbështesin jemi në borxh, sipas meje, dhe duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë. Pastaj sa mund të bëjmë akoma është aq më mirë, por jemi në borxh.
Ju faleminderit shumë!