Buxheti 2022, mbështetje dhe zhvillim për sektorin e peshkimit

Fjala e kryeministrit Edi Rama në takimin me punonjës të peshkimit, në portin e Durrësit, mbi buxhetin e vitit 2022 për këtë sektor:

 

Përshëndetje të gjithëve! Më vjen shumë mirë që jemi këtu sot sepse peshkimi është një nga sektorët ku ka shumë për të thënë, ka shumë për të bërë, por patjetër ka dhe shumë për të treguar dhe padiskutim oreksi vjen duke ngrënë, thotë populli me plot të drejtë, por është gjithashtu e rëndësishme që të mos harrojmë asnjëherë se nga nisemi, për të qenë të qartë pastaj se si mund të shkojmë aty, ku duam të arrijmë.

Kur ne kemi ardhur këtu për herë të parë, në një prej takimeve që kemi bërë gjatë gjithë kësaj periudhe, kur marrëdhënia e qeverisë, e imja personalisht dhe e drejtuesve të sektorit me gjithë komunitetin e peshkatarëve ka qenë kyç për të kuptuar se kush janë problemet më të mprehta dhe për t’i zgjidhur ato, cilat ishin shqetësimet? Në fakt, ishte një shqetësim i përgjithshëm i të gjithëve ju. Mbaj mend që ishte një numër i madh prej jush në atë takim. Shqetësimi ishte mbijetesa, luftë për mbijetesë në kushtet e një braktisje totale nga shteti në një det të hapur, ku të gjithë ju niseshit për ta marrë naftën në Itali, ku justifikohej kjo çmenduri me akuzën mbi ju që bënit kontrabandë nafte. Ju kujtohet?

Ishit nën akuzë nga qeveria si kontrabandistë dhe ju kontrollonin si kontrabandistë dhe në vend se kur futeshit në tokën tuaj të merreshit me vazhdimin e zinxhirit të biznesit, përballeshit me kontrolle për kontrabande.

Nafta për ju ishte këtu në Shqipëri sikur do furnizonit anijet me xhetona floriri.

E dyta, cfarë reflektonte kjo situatë?

Dy destinacione vetëm për eksporte, dy. Asnjë destinacion tjetër, në Itali dhe Greqi, dhe cfarë mund të bënit këtu në tregun e brendshëm. Sot, Itali, Greqi, Spanjë, Suedi, Norvegji, Kroaci, Estoni, Danimarkë, Rumani, Gjermani, Holandë, Hong Kong. Padiskutim këto vendet e rajonit Kosova, Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi dhe kulmi i kulmit, në proces për të hapur tregun më elitar, më të vështirë dhe të pasur të peshkut, që është Japonia. E dini shumë mire që të fusësh prodhim nga deti në Japoni, do të thotë të kesh kapur kulmin e standarteve, ndërkohë që ju sot jeni bërë faktor në tregun më të vështirë dhe më të pasur të gjithë kontinentit, që është Europa Veriore, Vendet Nordike. Në të gjitha vendet nordike, ju jeni prezentë.

Nga ana tjetër, sot, vetëm këtë vit, ne presim që të mbyllet viti me 32 + subjekte të licensuara. Sa ishin kur filluam punën bashkë dhe sa janë sot. Kemi 720 subjekte të formalizuara dhe kemi një potencial të jashtëzakonshëm, në kushtet kur po të shikojmë sot shifrat, e kemi rritur eksportin 239%.

Meqë jam sot këtu dhe kam këta shahidë këtu dëshmitarë, po u them të gjithë atyre që e shohin Shqipërinë e punës nga portalet, nga kanalet e rrjetet sociale që, paga më e ulët që ju jepni për të punuar në peshkim është 800 mijë lekë. A ka njeri këtu që nuk ka nevojë për punëtorë peshkimi?

Të gjithë kanë nevojë për punëtorë peshkimi sepse kjo është ekonomi që po rritet dhe do vazhdojë të rritet. Ku i gjeni punëtorët, me 800 mijë lekë paga më e ulët? Në Turqi, në Egjipt. Vijnë nga Turqia për të punuar këtu në Shqipëri, vijnë nga Egjipti për të punuar këtu në Shqipëri dhe disa me diploma “Kristali” që pretendojnë se janë juristë, pretendojnë punë, nuk ka punë.  Ja, të vijnë të trokasin në dyert e industrisë së peshkimit dhe nëse janë gati të punojnë, e kanë punën këtu.

Thënë të gjitha këto, nuk diskutohet që jemi në kushtet që mund të kemi ambicie shumë më të madhe dhe për këtë ambicie shumë më të madhe duhet të adresojmë me shpejtësi disa çështje që ju të rrisni fuqinë tuaj. Kemi pasur diskutimim e fundit, në mos gabohem, me Besimin. Mali nuk ka qenë se ishte duke luftuar me turqit dhe kinezët, si tha Luca, në Afrikë, e ka që me PD nuk kishte gjë në vijë dhe iku andej nga Afrika.

Plus që Mali e di që për ne nuk ka rëndësi je socialist a demokrat, rëndësi ka ta kapësh peshkun dhe kush e kap peshkun  në det, për ne është i nderuar i respektuar dhe kush punon është i nderuar dhe i respektuar. Nuk na duhet fare se cfarë është, socialist apo demokrat, në këtë aspekt. Mali e ka në terezi. Shkon kap peshk andej, këtej ja rregullojnë socialistët ia bëjnë gati, vjen Mali tani dhe e gjen gati.

Në buxhet, siç kemi diskutuar, për problemin tuaj të fuqizimit të flotës, vetëfinancimit të riparimit të anijeve, ne do ju japim mbështetje të drejtpërdrejtë financiare në dy drejtime. Nga njëra anë, për herë të parë do ketë një fond Ministria e Bujqësisë, që do financojë.

Ja ku është ustai atje. Luce, e ke aty mbrapa, se po tund kokën se nuk po i besohet. Ishte në diskutim dhe tha “Po u bo edhe kjo”. Jo dhe kjo, por do bëhet edhe kjo dhe ajo edhe prap ti i pakënaqur do jesh se po të mos jesh i pakënaqur nuk kap dot peshk.

Duhet të jesh i pakënaqur që ta kapësh peshkun se po ishe i ngopur dhe i kënaqur nuk të afrohet as peshku.

Kështu që, do bëhet dhe kjo dhe do jetë financim i drejtpërdrejtë për këdo që thotë “Unë kam nevojë të riparoj anijen, kjo kushton X. Atëherë Y do ta vejë shteti, do t’i japë jo kredi, por lekë në dorë,  jo borxh, por lekë në dorë mbështetje, ti do vësh pjesën tjetër”.

Në ndërkohë, duke qenë se ju keni një problem, që e kanë të gjithë, por tek ju ëshët sensitiv, çështja e kredive me bankat, ministrja e ka për detyrë, bashkë me Landin… Land duhet të zgjohesh nga gjumi. Ke nevojë të bësh një muaj stazh në det. Do të të çoj me detyrim me Molin, të të mbajë atje në kapiteneri lart që kur këta të flenë, ti të rrish zgjuar se të ka zënë gjumi, sinqerisht. Të duam shumë, je çun i zoti, por duhet të zgjohesh nga gjumi.

Fondi i Garancisë Sovranë që ka vënë qeveria për bujqësinë dhe peshkimin duhet të vihet në lëvizje, që do të thotë që, këta kur të shkojnë të marrin kredi në bankë, duhet ta marrin nëpërmjet Fondit të Garancisë Sovrane të shtetit që të jenë të lehtësuar në garancitë e kredisë. Jo të lenë anijen peng atje dhe të mos merret vesh se kur e shlyen kredinë dhe t’ua lenë kalamajve kredinë barrë, por nga njëra anë, një pjesë e buxhetit t’i jepet drejtpërdrejtë nga ministria grant pa asnjë detyrim, pa asnjë interes, me garancinë që këta do vejnë pjesën tjetër dhe pjesën tjetër që do vënë këta, të jetë nëpërmjet Fondit të Garancisë Sovrane, që banka të garantohet nga shteti. Kjo është detyra jote dhe duhet ta tregosh se e meriton të vazhdosh të qëndrosh aty si zëvëndës ministër duke sjellë faktet sa prej tyre në vitin e ardhshëm do marrin nga Garancia Sovrane dhe sa anije do riparohen falë këtij mekanizmi të ri që po ndërtojmë.

Kjo nuk do jetë vetëm për vitin e ardhshëm. Për 4 vjet rresht, në të gjithë mandatin e tretë, ne do vëmë para që do shkojnë duke u rritur për ta fuqizuar këtë flotë sepse nëse sot ka ardhur dita që peshkatarët tanë, që kompanitë tona të dalin të luftojnë nëpër dete të hapura, të shkojnë deri në Senegal, deri në Gana, ka nevojë për fuqi më të madhe motorike. Nuk mund të shkojnë atje e të luftojnë me peshkaqenët e vendeve të mëdha me një fuqi motorike dhe anije që kanë nevojë për oksigjen. Duhet tua japim ne oksigjenin.

Unë ju garantoj që katër vite rresht do financojnë çdo vit e më fuqishëm flotën, në mënyrë që të kalojmë në një nivel tjetër të flotës dhe në mënyrë që cilido prej jush, jo vetëm më të mëdhenjtë të ketë kapacitete dhe mundësinë që ta rrisë potencialin e vet.

Kush do të punojë dhe peshkojë dhe kush është gati të sakrifikojë në këtë biznes, që është ndër më të vështirët, ka gjithë respektin dhe duhet të ketë gjithë mbështetjen tonë, dhe do ta ketë. Kjo është e sigurt.

Gjëja tjetër Land, kur të jesh në det duhet të jesh me Malin. Kur të jesh në tokë duhet të jesh me Besimin. Duhet të bësh merkaton dhe jo të dëgjoj më unë histori markata, markata tetë vjet. U bë e Shëngjinit, në rregull. Po bëhet e Vlorës, në rregull. Tani duhet të bëhet këtu. Kjo është zemra e historisë. Këtu duhet të bëhet merkata model dhe bashkë me drejtorin e portit që ka ardhur me ne sot këtu, do të ulesh, edhe me këta dhe gjithë kjo pjesë tani, duke përfituar nga projekti i madh i transformimit të portit, duhet të bëhet aksesibël për qytetarët. Pra çfarë kanë peshkatarët e kanë peshkatarët. Aty duhet të bëhet një bulevard me gjithë prodhimet e peshkut, me restorant, me klube, me të gjitha dhe duhet të bëhet një markatë me ambicien që të jetë me standardet më të larta në Ballkanin Perëndimor. Kjo është detyra jote dhe gjëja më e mirë është që kjo merkatë të jetë në bashkëpunim, pra gjithë ju që jeni këtu, kush do të futet aksioner me një përqindje të caktuar në këtë merkatë, të futet, të jetë e juaja, ministrja dhe Ministria t’ju mbështesin.

Ne bashkërisht, si peshkatarë dhe si qeveri, të garantojmë financimin, ju do fusni një pjesë të vogël, ne nuk diskutohet do fusim një pjesë të rëndësishme dhe pjesën tjetër do ta marrim bashkarisht me garancinë sovrane e pastaj kjo shoqëri që ju do krijoni, me aksionerë, do ta shlyejë në vite, por nuk do të jetë ngarkesë mbi ju dhe menaxhimin do ta bëni ju, nuk do e bëjë shteti se nuk ka si menaxhon shteti markatën. Duhet të krijoni ju një autoritet më vete. Merrni ekspertë të huaj shkoni, gjeni ku janë më të mirët, caktoni një drejtor të markatës që të jetë me eksperiencë ndërkombëtare dhe markata të bëjë punën e vetë, nuk kemi pse e zgjasim. Vitin e ardhshëm duhet të vish këtu me mua të hapim themelet e markatës. Në rregull? Një vit kohë ke.

Na duhet një shkollë, nuk diskutohet, sepse sa më shumë ju po rriteni, aq më shumë po keni problemin e specialistëve të nivelit të lartë. Na duhet patjetër të ndërtojmë shkollën profesionale që të jetë në shërbim të industrisë dhe që të jetë e lidhur drejtpërdrejtë me praktikën. Nëse koncepti i shkollave profesionale që ne kemi është tre ditë në shkollë, dy ditë në punë, këtu është ideale. Dy ditë në anije, tre ditë në klasë, për të krijuar gjithë gjeneratën e re të kapitenëve shqiptarë dhe të teknikëve shqiptarë. Kështu që edhe për këtë, duhet të fillojmë punën, duhet të përcaktojmë ekzatësisht se ku është vendi i duhur për shkollën dhe duhet menjëherë të fillojmë punën. Mund të jetë fare mirë shkolla profesionale e peshkimit këtu, nuk kemi asnjë problem ta përfshimë në planin e madh të portit të Durrësit, në një mjedis fantastik, vijnë djemtë, nxënësit këtu, janë të lidhur me portin, janë të lidhur me kompanitë dhe direkt nga shkolla,  mbarojnë shkollën, fillojnë punën në kompani dhe kështu krijojmë kushtet që të përballim sfidën që vjen më pas sepse e kemi rritur siç thashë peshkimin 240% dhe duam ta rrisim prap po kaq.

Potenciali është këtu. Kjo është ambicia, jo tani që u kap ky nivel të rrimë, por ta rrisim, edhe njëherë ta dyfishojmë. Si do ta dyfishojmë? Duke ju dhënë ju maksimumin e mbështetjes dhe duke ju dhënë ju mekanizmat që fillojnë nga anijet për të pasur flotën, por që nuk mundet dot të kufizohen vetëm tek logjistika, por duhet të përfshijnë edhe dijen dhe gjithë kjo eksperiencë e madhe e Besimit, e Malit, e shumë të tjerëve këtu që i përkasin gjeneratës së artë të peshkimit, nuk duhet të ikin në shtëpi bashkë me daljen në pension, por duhet të transferohet tek një brez tjetër dhe po ashtu, të gjitha dijet që merren për shkak të hapjes me botën dhe për shkak të gjithë këtyre kontakteve që keni krijuar, duhet të vijnë këtu nëpërmjet shkollës dhe të kemi një gjeneratë fare të re, që do të jetë ajo që do marri stafetën nesër në drejtimin e anijeve, se biznesin nuk ua marrin ata, por stafetën e kapitenëve turq ta marrin, se nuk mund të vazhdojë kjo histori që gjithë ajo struktura drejtuese teknike e flotës tonë të jetë turk e të jetë egjiptiane e të huaj. Pse? Aq më tepër që pagat e kapitenëve janë më të larta se pagat e ministrave. Për çfarë arsye duhet ta lëmë këtë? Kështu që edhe për shkollën, do të punojmë dhe edhe për shkollën, brenda vitit të ardhshëm duhet të hapim themelin. Kuptohet, unë po t’i them këto publikisht që pastaj Besimi, Mali, Luca, të të rrinë tek qafa që të të duket vetja sikur je i rrethuar në rrjetë.

Për çështjet e tjera nuk dua të zgjatem, por do prek shumë shkurt 2, 3 aspekte që kanë të bëjnë e përpunimin. Tani këto ishin për logjistikën, për infrastrukturën, për arsimin profesional, por janë 41 milionë euro Besim, që janë në dispozicion për t’u disbursuar me fondet e Bashkimit Europian, ku ne kemi arritur të fusim tani peshkimin, sepse ishte një problem shumë i madh fillimisht përfshirja e sektorit të huaj. Ju i dini shumë mirë arsyet, ju jeni potencial konkurrues shumë i rëndësishëm dhe kjo është një çështje influencash, interesash, e kështu me radhë dhe plus duke qenë se tani industria e peshkimit është ngritur në nivel tjetër dhe e përpunimit ishte jo e lehtë, për ta futur në programet e mbështetjes që kryesisht janë programe që mbështesin sektorë të bujqësisë ku ka nevojë për të krijuar bazën kurse këtu ne nuk flasim për bazën, këtu flasim për një nivel tjetër dhe ministrja ka arritur që 41 milionë euro të jenë në dispozicionin tuaj gjatë këtyre viteve që kemi përpara. Pra 2022 fillon. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që këtu jeni ju që duhet të jeni të gatshëm të thithni fonde sepse duhen projektet. Projektet për të rritur kapacitete përpunuese, kapacitetet ambalazhuese, kapacitetet komerciale dhe kuptohet me standardet e Bashkimit Europian, që nuk diskutohet se përderi sa këtu prodhimet tona kanë arritur të shkojnë në tregjet më sterile nga pikëpamja e standardeve të higjienës në veriun e Europës, ju e dini këtë punë. Por këtu tani jeni ju, nuk jemi ne që mund t’i bëjmë për ju këto, por jeni ju që duhet t’i bëni dhe unë mendoj, sugjerime kam, që duhet të krijoni një strukturë ekspertësh që të mos jeni secili në vete, por një strukturë të vogël ekspertësh që të ndihmojnë, të asistojnë subjektet për të shkruar projektet, për të përgatitur afishet, për të adoptuar siç duhet me gjuhën që i duan ekspertët e BE, në mënyrë që të mos na iki dëm asnjë euro, pra mos jenë lekët atje e ndërkohë ne të jemi në mungesë kapaciteti për t’i marrë, por të arrijmë t’i absorbojmë ato sa më shpejt, se varet nga ne sa shpejt i absorbojmë, ato janë në dispozicion, por mund të rrinë aty edhe 10 vjet nëse Shqipëria nuk është në gjendje të çojë projektet e duhura, me standardet e duhura dhe me argumentet e duhura. Kështu që 41 milionë euro Besim nuk janë pak apo jo?

Ndërkohë e dyta, fillojmë portin e peshkimit në Vlorë, që do të jetë 100% me standarde profesionale, me kushte higjenosanitare dhe me logjistikë si në portet e BE. Këtu ju e dini që ky port ka ato defektet e veta, por ishte fakt i kryer. Këtu çfarë mund të bëjmë është vetëm çfarë mund të axhustojmë, por projekti ka qenë për së mbrapshti siç edhe ju vetë e dini, kështu që më vjen shumë keq për ju durrsakët se tani jam edhe deputeti juaj, por ai porti i peshkimit në Vlorë, do jetë më i mirë se ky. Më vjen shumë keq. Molo, tani fillo zgjero flotën, ço edhe ca në Vlorë tani, por atje kujdes se je shumë demokrat për të qenë i mirëseardhur kështu që duhet të jesh pak më i qetë.

Këto janë pak a shumë gjërat që kisha.

Ju falenderoj shumë për gjithçka!

Me shumë respekt për atë që bëni, ju jeni shëmbëlltyra më kuptimplotë për shoqërinë shqiptare e faktit që çfarë mund të bëhet në këtë vend, me pasion, me vullnet, me kokëfortësi, me durim dhe si mund të kalohet nga një nivel prapambetjeje dhe situate dramatike nga pikëpamja e mundësive në një nivel komplet tjetër. Unë po ju them që kam pasur rasti të takoj disa nga partnerët tuaj të huaj që vijnë këtu për shkak të bashkëpunimit që kanë me ju dhe është krenari e madhe dhe emocion t’i dëgjosh kur flasin se çfarë mendojnë ata për sektorin, çfarë mendojnë për ju, çfarë mendojnë për gjithë infrastrukturën që ju keni krijuar dhe sa optimistë janë ata për çfarë mund të bëhet këtu. Ajo që tha Luca është sfida jonë e përbashkët që, jo vetëm të shfrytëzojmë maksimalisht detet tona, por të jemi faktorë konkurrues në detet e hapura dhe për këtë, qeveria do të bëjë çmos, unë do bëj çmos, Frida nuk diskutohet, kemi problem të mbajmë Landin zgjuar, por për këtë do të na ndihmoni ju dhe merrjani numrin e telefonit dhe përpara  se të dilni në det natën, çojini mesazh të gjithë, mbyteni me mesazhe, o Land zgjohu.

Faleminderit shumë të gjithëve!

Respekte dhe shëndet e çdo të mirë në familjet tuaja!

Shpresoj që në pak javë të fillojmë dhe projektin e madh të portit dhe paralelisht me projektin e madh të portit, të nisim edhe projektin këtu, për të krijuar këtë bulevardin e detit po e quajmë, që të jetë lidhja e qytetit me portin tuaj dhe gjithë këto karakatina që janë në anën tjetër të kthehen në një zinxhir shërbimesh për produktet e peshkut dhe nuk diskutohet, të hedhim si sot një vit, ky është objektivi, themelin ne markatës dhe themelin e shkollës profesionale të peshkimit. Faleminderit!