Çelet gara për projektin madhor të infrastrukturës kombëtare Milot – Fier

Një tjetër projekt madhor i infrastrukturës rrugore, ai i segmentit Milot-Fier, pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian ka çelur zyrtarisht sot garën për ndërtimin e atij që pritet të jetë një aks me standardet më të larta europiane sa i përket sigurisë dhe efikasitetit në vendin tonë.

Kryeministri Edi Rama, sëbashku me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si dhe ministren e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj prezantuan sot projektin për këtë segment mjaft të rëndësishëm rrugor, duke qenë se është pjesë e Korridorit kryesor të Rrjetit të BE-së në Rajonin e Ballkanit Perëndimor, që lidh Europën Qendrore dhe Italinë e Veriut me Ballkanin në Europën Juglindore, me Slloveninë, Kroacinë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë.

“Kam kënaqësinë sot të shpall hapjen e garës për koncesionin për ndërtimin e segmentit Milot-Fier. Segmenti Milot-Fier përbën 37%, pjesën më të rëndësishme të korridorit Adriatiko-Jonian. Duke nisur nga Miloti dhe duke përfunduar në Bypassin e Fierit, por sigurisht me synimin për ta shtuar këtë segment edhe në veri të vendit, do të ndërtohen 53 km gjurmë rruge të reja dhe 62 km gjurmë ekzistuese. Rrugët alternative janë kriteri kryesor që ne kërkojmë nga investitori i këtij projekti, për t’u dhënë mundësi qytetarëve të zgjedhin mes rrugës së shpejtësisë me pagesë dhe rrugëve ndihmëse, të cilat do të jenë të mirëmbajtura nga i njëjti investitor, por pa pagesë për qytetarët,” u shpreh ndër të tjera ministrja Balluku, duke shpresuar që kontrata me investitorin të lidhet brenda vitit 2020.

“Korridorit Adriatiko-Jonian, në veçanti segmenti Milot Fier nuk është vetëm një vepër e rëndësishme infrastrukturore, por mbi të gjitha i shërben ekonomisë, bujqësisë, turizmit dhe kulturës. I gjithë rajoni ku segmenti do të zhvillohet bën pjesë dhe kontribuon me gati 50% në PBB. Ky projekt i shoqëruar edhe me angazhimet tona rajonale, ato për lehtësimin e tregtisë do të mobilizojnë një zhvillim nga veriu në jug, si dhe gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Presim një impakt me gati 1.4 miliardë euro dhe një punësim të shtuar me 22 mijë vende pune,” deklaroi ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj.

Investimi, që pritet të kapë shifrën e afro 1.2 miliardë eurove do të shërbejë edhe si një nyje e re Veri – Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës.

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e projektit:

KM: Përshëndetje të gjithëve edhe njëherë në këtë hapësirë, ku, jemi mbledhur për të komunikuar me publikun për një tjetër vepër të madhe strategjike, një aks rrugor që edhe ky bën pjesë tek ëndrrat, shpresat dhe premtimet e të gjitha viteve qysh se premtimi u shfaq në hapësirën e pluralizmit!

Faktikisht, ne e kemi shpallur ambicien tonë për Korridorin Blu qysh në krye të herës dhe korridori blu është vendosur në tryezën e Procesit të Berlinit, është kthyer në një prioritet për Procesin e Berlinit, më pas është bërë i mundur financimi për mbështetjen teknike për fillimin e  punës për këtë Korridor, duke parë vit pas viti ngadalësinë e madhe dhe hendekun e madh mes çka në Procesin e Berlinit është vendosur në tryezën politike dhe çka burokracia më pas dhe mekanizmat e pashmangshëm të burokracisë europiane kanë sjellë si rezultat, ne hodhëm një hap dhe bëmë në fakt atë që edhe vende të tjera në rajon kanë zgjedhur të bëjnë, duke mos pritur në pafundësi, por duke vepruar dhe në atë hap ne zgjodhëm Partneritetin Publik Privat si një mekanizëm financimi për dy pjesë të këtij Korridori të cilat kanë një rëndësi strategjike në vetvete brenda aksit, Milot-Balldrenin dhe Thumanë Kasharin. Bëhet fjalë për dy koncesione të sulmuara egërsisht dhe pafytyrësisht nga kundërshtarët e çdo pune dhe çdo përpjekjeje për ndryshim që ne jemi përpjekur të bëjmë në gjithë këto vite dhe më pas në kushtet e një situate të re të krijuar, kur ne u angazhuam për Paktin për Universitetin vendosëm të spostojmë të gjithë volumin e financimit për Thumanë-Kasharin në drejtim të krijimit të një hapësire të re fiskale në funksion të transformimit të të gjitha kushteve të jetesës dhe të mësimit të studentëve dhe faktikisht, edhe pse dal për një moment jashtë teme, me Bashkinë e Tiranës jemi duke punuar dhe shumë shpejt do fillojmë procesin e garës për Kampusin e ri Universitar, për Akademinë e Sigurisë dhe edhe për Akademinë e arteve. Ndërkohë që, segmenti Milot-Balldren është ende në një proces kohor të paezaururar dhe kjo është edhe arsyeja pse për momentin këtu flasim për segmentin Milot-Fier me një formulë të re, e cila nuk e ngarkon shtetin shqiptar me asgjë më shumë sesa një garanci minimale trafiku, praktikë kjo e mirënjohur botërisht dhe publikisht në çdo vend të botës, ndërkohë që  gjithë financimi, një financim masiv prej 1.2 miliardë eurosh, do të bëhet nga fituesi i kësaj gare dhe kuptohet do të kemi një aks të Korridorit Blu që lidh jugun e Kroacisë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë në unazën ku lëviz një pjesë shumë e konsiderueshme e trafikut përgjatë sezonit turistik dhe ku faktikisht ne jemi të shkëputur nga pikëpamja e ofertës që kemi për cilësinë dhe sigurinë e lëvizjes ashtu sikundër i shkëputur është edhe Mali i Zi dhe një segment i mbetur ende i pakryer në Kroaci.

Me këtë aks do të ndodhë një transformim kolosal në çdo aspekt. Këtu u prekën shumë elementë nga dy koleget, por, nëse do të shohim bilancin e vdekjeve dhe të plagosjeve të të gjitha viteve në segmentin Milot-Tiranë është për të vënë duart në kokë, është bilanc lufte dhe përtej uljes së numrit të aksidenteve që ka ardhur gradualisht gjatë gjithë këtyre viteve të qeverisjes sonë dhe ky është fakt, nuk është opinion, përsëri kemi një nivel të papranueshëm aksidentesh që përfundojnë me vdekje, humbje jete dhe plagosje.

Kjo do të jetë një rrugë europiane, e standardeve europaine, jo me fjalë, por në rrugë. Sigurisht do të jetë një rrugë me pagesë dhe një aks që do të garantojë edhe qarkullimin pa pagesë, por kuptohet me shpejtësi të ndryshme dhe me kushte të ndryshme.

Mjafton të them vetëm kaq që, me këtë investim nga Morina në Fier do të shkohet për 3 orë. Aksesi i të gjithë turistëve që vijnë nga Kosova, apo i vizitorëve që vijnë nga Kosova në bregun e Jonit, jo vetëm që do të jetë shumë i shpejtë, por do të jetë edhe shumë i sigurtë, sikundër është sot shumë i sigurtë aksesi nga kufiri deri ku Rruga e Kombit lidhet me pjesën tjetër të rrjetit që me këtë ndërhyrje do të ngrihet në cilësi.

Sot kemi në Rrugën e Kombit shërbim 24 orë gjatë gjithë vitit për mirëmbajtje. Sot kemi në Rrugën e Kombit investime që vazhdojnë dhe faktet flasin për një rritje të ndejshme të sigurisë. Ndërkohë që, në këtë aks ne do të zgjidhim problemin e madh të krijuar gjatë gjithë viteve të tranzicionit dhe me investimet e tranzicionit të një rruge kryesore automobilistike në një vend në mes të Europës, rrugë të cilën nuk e gjen nuk e sheh askund të Europë. Trafiku kombëtar kalon sikur trafiku i makinave mes për mes një fshati. Nga dy anët e rrugës aktiviteteve nga më të ndryshmet dhe hyrje e daje pafund, një gjë e pashembullt, një gjë e turpshme për të gjithë ata që e kanë konceptuar, e kanë financuar e kanë propaganduar si sukses çdo investim në atë rrugë. Shto ujë e shto miell, shto metra e shto asfalt dhe faktikisht rrit kërcënimin për humbje jete dhe për plagosje. Ai nuk është një korridor turistik. Ai është një korridor i rrezikshëm mes për mes një shteti, ku duket sikur shteti ka dalë në rrugë dhe ka nxjerrë plaçkat në rrugë, pishina trampolina, restorante, kështjella, tulla, rrota makinash, varreza makinash, palma, pemë ekzotike, lule, të gjitha në rrugë.

Natyrisht që ndryshe nga vendet e tjera Shqipëria ka një trashëgimi të rëndë në aspektin e infrastrukturës dhe nëse shohim si është zhvilluar infrastruktura e Shqipërisë nga ajo që konsiderohet rruga e parë e hapur në këtë vend, në 1892-in që lidhte Manastirin me Korçën, deri në vitin ’90, kemi faktikisht rrugë të cilat janë ndërtuar në kushte pushtimi dhe ripushtimi si akse esenciale për llogaritë e lëvizjes së atyre të cilët kanë administruar vendin në periudha të ndryshme dhe pastaj në kohën kur vendi fitoi mëvetësinë e vet nën një regjim jodemokratik, për të thënë më të paktën, u bë vetëm zgjatimi dhe zgjerimi i rrugëve të projektuara në kohë të tjera. Faktikisht, kemi trashëguar një rrjet rrugor që shkon nëpër kodra, nëpër male edhe si rezultat i një paranoje për tu mbrojtur nga ardhja e shpejtë e pushtuesve imagjinarë. Ajo që sot ne trashëgojmë është një situatë që kërkon vërtet një durim të madh dhe kërkon një stërmundim të madh edhe për faktin se çka u ndërtua më parë nuk u ndërtua në fakt, por u bë sikur u ndërtua. E kam thënë edhe më parë dhe e përsëris, ne jemi i vetmi vend në Europë dhe në rajon që mund të shohim një aks si aksi që lidh veriun me jugun me 26 standarde të ndryshme nga fillimi në fund dhe me dhjetëra e dhjetëra situata katastrofike nga fillimi në fund, njësoj si të presësh një kostum për mua dhe masat për krahët t’ia marrësh Erion Braçes, masat për pantallonat t’ia marrësh Bashkim Finos, masat për supet t’ia marrësh, gjeni një tjetër të gjatë se nuk më kujtohet dhe të pretendosh që kostumi qëndron normal në trup.

Nga ana tjetër, dua ta them dhe sot, sepse e dëgjoj dhe e ri dëgjoj këngën e ngulitur në mendje se rrugë u bënë përpara, ndërkohë që, në këto 7 vite nuk janë bërë rrugë. Në fakt, tendera rrugësh u bënë përpara, është e vërtetë, u bënë shumë. Rrugë u nisën përpara, u nisën shumë, por një të mbaruar nuk e gjetëm dhe jo vetëm një të mbaruar nuk e gjetëm, por në shumicën prej tyre na u desh të rifillonim projekte nga e para, të rindërhynim nga e para, të ndesheshim me absurditete, me rrëshqitje kodrash, sepse nuk ishin bërë as studime gjeologjike, me diferenca urash, këmbësh urash në rrugën Qukës – Qafë Plloçë, e cila edhe ajo do të rimerret përsëri e përsëri për ta papërfunduar. Një urë që lidh dy rrëpira kishte 17 metra diferencë lartësie pikëtakimi A me pikëtakimin B, që do të thotë, ura ishte një lisharëse apo shilarëse ku mund të çoheshin fëmijët për të rrëshqitur nëse do kishte poshtë det, por jo makinat, e të tjera, e të tjera, duke e mbyllur me Rrugën e Kombit që është e vetmja rrugë ku padyshim mund të konstatosh standarde e ku përsëri, ende sot që flasim, nuk ka përfunduar puna, sot që flasim, me mangësira dramatike dhe me pasiguri të madhe në shumë elementë të saj.

Nga ana tjetër, më ka bërë shumë përshtypje një nga studimet që kam lexuar që koha mesatare optimale e ndërtimit të rrugëve nacionale në Gjermani, në vendin perfekt, është 10 deri në 12 vjet, duke pasur parasysh që infrastruktura e tyre në gjithë skeletin e saj është e trashëguar nga shumë e shumë vite, ndërkohë që, nëse i referohemi Italisë, ka rrugë kombëtare të nisura edhe 30 vjet përpara, edhe 35 vjet përpara. Me këtë dua të them që është shumë e lehtë të flasësh dhe të gjykosh për shpejtësinë nëse një projekt e konsideron se nis në momentin kur ti shikon fadromat që fillojnë gërmojnë. Në fakt, një projekt nuk nis aty dhe arsyeja pse ne kemi trashëguar këtë katastrofë nga ata të cilët krenohen që e mbushën Shqipërinë me rrugë, është pikërisht sepse nuk bëheshin studime, nuk bëheshin projekte, për të mos folur për garat të cilat kanë prodhuar nga nisja dhe shuma fillestare e kontratës në përfundim edhe trefishim të fondeve të vendosura.

Unë i sfidoj të gjithë të më gjejnë një rrugë, një në Shqipëri ku nga inaugurimi me daulle: “rrugë, rrugë, rrugë”, tek përfundimi i saj, pjesa e ndërtuar para sesa ne të vinim në qeveri është më e madhe sesa pjesa e ndërtuar pasi ne kemi ardhur në qeveri. Po ju marr Bypass-in e Fierit. Është një segment rruge strategjike që përfundoi vetëm para pak ditësh ndërkohë që ende nuk kanë përfunduar sistemimet dytësore, por aksi është i përfunduar. Katastrofë! Katastrofë! Një katastrofë po aq e madhe sa propaganda e daulleve për suksesin kur u tha se u bë dhe ky. Na dilnin dhe na numëronin dhe ua kanë ngulitur njerëzve në kokë që bënë 10.000 kilometra rrugë. Tendera po, jo 10.000 kilometra, pa diskutim jo, por tendera po, plot. Borxhe, male me borxhe, por përtej borxheve edhe kusurin e madh të projekteve skandaloze.

Për këtë projekt që sot vihet në garë ndërkombëtare, ne kemi angazhuar një kompani globale konsulence, kompaninë “Hill International” që ka punuar me ne duke na sjellë të gjithë eksperiencën dhe dijen e paçmuar që nuk e kemi në institucionet e këtij vendi ku u bë modë të bëheshin projekte rrugëve dhe të ndërtoheshin rrugë që liheshin rrugëve dhe praktikisht sot ne jemi shumë krenarë që kushdo nga kompanitë e mëdha që janë të interesuara të investojnë në Ballkan ka një ofertë, një kërkesë nga Shqipëria që nderon shtetin shqiptar dhe nuk ka një paçavure sikur është e shkruar nga analfabetë si ato me të cilat u financuan taksat e shqiptarëve për vite e vite të tëra.

Ne jemi shumë besimplotë që shumë shpejt do të jemi në gjendje ta nisim këtë punë dhe që kjo rrugë do të jetë në pjesën e vet kryesore e aksesueshme për 3 vjet dhe pastaj përfundimisht e aksesueshme në çdo aspekt për 5 vjet. Dhe përfundimisht nuk do duhet më as që të hyhet fshehtas në Rinas, – se jemi i vetmi vend në Europë të paktën, patjetër, nuk e di nëse ka në ndonjë nga vendet më të prapambetura të Afrikës ku shkon fshehtas në aeroportin ndërkombëtar, se është fshehtas ajo, futesh në një kthesë dhe hyn në një rrugë fshati, edhe atë rrugë fshati sot, të paktën e kemi bërë rrugë të mirë fshati, me ndriçim, me gjelbërim, sepse ishte një shteg fshati dhe pastaj nëse vjen në Rinas e do të shkosh për në Shkodër, del fshehtas, futesh nëpër disa shegë në mos gabohem, në mos qofshin hurma dhe del në gjoja rrugën kryesore, që edhe atë e përmirësuam shumë duke e rishtruar me programin e mirëmbajtjes, por që pastaj aty, secili për vete dhe Zoti për të gjithë. Rrugë kryesore e vendit ku makina, lopa, qeni, qytetari që del nga zona e banuar e radhës, janë të gjithë në të njëjtën hapësirë të përbashkët, njësoj sikur është një rrugë fshati, një korridor dhe natyrisht të gjitha rrobat janë të ndera në rrugë, edhe plaçkat, edhe kuzhina ka dalë në rrugë, edhe dhoma e gjumit është në rrugë. Kjo është trashëgimia.

Pas 3 vitesh aty do të kemi standardin europian që do të hysh në rrugë dhe nuk ke as majtas, as djathtas frikë se po të del një makinë, po të del një lopë e revolutar me të zotin e shtëpisë, po të del një dele, po të dalin qentë, po të shfaqet ndonjë mace, po të zbret ndonjë lepur, po të del ndonjë kaproll që ka humbur rrugën, por do mbërrish në destinacion pa asnjë pengesë, normalitet.

Dhe jo vetëm kaq, por shkuarja pastaj në Fier, Vlorë do të ketë Bypass-in e Vlorës, nuk do të jetë nevoja për të hyrë në qytet, nëse do të vazhdosh, pastaj nëse do, do të kthehesh të hysh thellë në rrugën turistike të Lumit të Vlorës, pastaj do të jetë tuneli në Llogara dhe kështu koha e lidhjes së të gjithë atyre që nisen nga Prishtina, apo nga Tirana për të shijuar Jonin, do të shkurtohet në mënyrë shumë të konsiderueshme, por, mbi të gjitha, siguria do të jetë e plotë dhe nuk do të jetë një rrugë garash shpejtësie në shkeljen e ligjit dhe në kërcënimin e jetës së njerëzve.

Dua të falënderoj shumë grupin e punës! Dua të shpreh bindjen që edhe ky, si projektet e tjera të mëdha që ne tanimë i kemi futur në procesin e realizimit, do të jetë një tjetër histori e madhe suksesi të përbashkët dhe për të mos e harruar, shumë shpejt, jo vitin tjetër, por shumë shpejt brenda pak kohe do të nisim ndërtimin e rrugës Shëngjin – Velipojë. Rruga Shëngjin – Velipojë, sëbashku me projektin e lidhjes së shkurtër lart me Malin e Zi do të bëjë të mundur që edhe nga ana e Shkodrës, përmes Velipojës, nga ana e Malit të Zi të vihet në një rrugë përmes kësaj rruge turistike dhe këtij aksi në një Shqipëri tjetër. Shqipëria po ajo do të jetë, por kjo rrugë do të krijojë një tjetër perceptim dhe një tjetër sens të të qenit qytetar i këtij vendi, të të qenit drejtues automjeti në këtë vend, apo të të qenit vizitor i këtij vendi.

Shumë faleminderit!