Ujësjellësi i ri në Fushë – Krujë garanton furnizim me ujë 24 orë për banorët e zonës

Problemi i trashëguar ndër vite me ujin në Fushë Krujë është në rrugën e zgjidhjes tashmë pas nisjes së punimeve për ndërtimin e ujësjellësit të ri, që do të furnizojë jo vetëm Fushë Krujën, por edhe fshatrat përreth. Përmes këtij investimi do të garantohet ujë i pijshëm 24 orë për gjithë banorët e zonës.

Për të parë ecurinë e punimeve në këtë kantier të hapur rishtazi, ishte i pranishëm Kryeministri Rama, së bashku  me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. “Edhe në këtë kantier ne synojmë që të përfundojmë gjithçka para fillimit të pranverës së vitit 2021. Kjo vepër do t’i shërbejë mbi 27 mijë banorëve të zonës së Fushë Krujës”, – u shpreh ministrja Balluku.

Dy stacionet e pompimit në Hasanaj, të cilat prej më shumë se 10 vitesh janë jashtë funksionit, do të rikonstruktohen plotësisht e do të vendosen edhe dy pompa të reja, të cilat do të sjellin ujin në depon e re që po ngrihet. “Depoja që po ndërtohet për të furnizuar qytetin e Fushë Krujës dhe gjithë fshatrat përreth është një nga depot më të mëdha në nivel kombëtar e do të garantojë sasinë e ujit për të furnizuar 24 orë të gjitha këto zona. Investimet e fundit në këtë zonë datojnë nga vitet ‘80-të. Rrjeti ka qenë tmerrësisht i amortizuar, kostoja e energjisë shumë e lartë për shkak të pompave të vjetra dhe humbjeve në rrjet”, – shpjegoi drejtuesi i projektit.

Ndërtimi i ujësjellësit, për Kryeministrin Rama, do të mbyllë atë që ai e quajtu “një  sagë”, mungesë e furnizimit të rregullt me ujë të pijshëm.