Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Dëgjesat me fermerët për Skemën Kombëtare të mbështetjes 2026 po vijojnë në mbarë vendin për të plotësuar panoramën e kërkesave dhe nevojave të evidentuara në çdo qark, si dhe për ta ndërtuar skemën mbi një pasqyrë sa më të plotë të realitetit në terren.

Në dëgjesën e radhës që u zhvillua sot me fermerët e Divjakës, ishte i pranishëm edhe Kryeministri Rama, i cili u fokusua në aspektin e shfrytëzimit të mundësive të krijuara, përveç buxhetit të shtetit, i cili tanimë përbën vetëm njërin nga komponentët e zinxhirit të financimeve të bujqësisë.

“Unë mund t’ju them me plot gojën që sot çështja e financimeve të projekteve që secili ka dhe të punëve që secili do të bëjë nuk është problem në aspektin financiar, në aspektin e parave, sepse paratë janë, por ajo që është problem është mungesa e informacionit dhe mungesa e përgatitjes për t’i thithur ato para.” – u shpreh mes të tjerash Kryeministri Rama, – i cili i orientoi fermerët drejt përgatitjes së projekteve konkrete së bashku me argumentimet përkatëse për financimin e tyre.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje dhe faleminderit shumë për këtë takim! Më vjen shumë mirë që na jepet mundësia të rishikojmë njeri-tjetrin këtu në këtë zonë pas një periudhe besoj që nga zgjedhjet. Kështu që, më vjen shumë mirë që jam këtu përsëri, si pjesë e këtij cikli dëgjesash që ka organizuar Ministria e Bujqësisë, Ministri i Bujqësisë me skuadrën e vet për të kolauduar gjithë planin e mbështetjes për këtë vit.

Ministri i Financave foli me shifra konkrete që janë, besoj unë domethënëse, por unë dua të fokusohem në një aspekt tjetër që ka të bëjë me mundësitë e pashfrytëzuara, pasi ne jemi mësuar që t’i referohemi buxhetit të shtetit, por buxheti i shtetit tanimë është vetëm njëri nga komponentët e zinxhirit të financimeve të bujqësisë dhe natyrisht që buxheti i shtetit është më i thjeshti sepse përcaktohet nga qeveria, miratohet nga Parlamenti dhe vjen tek bujku apo tek fermerët me një kanal të drejtpërdrejtë që është aplikimi përkatës. Ndërkohë që komponentët e tjerë janë pak më “të vështirë”, por janë komponentë që do bëhen gjithmonë e më të pranishëm dhe që duhet të gjithë të përpiqen të mësojnë dhe të aftësohen për t’i shfrytëzuar.

Unë mund t’ju them me plot gojën që sot në vendin tonë çështja e financimit të projekteve që secili ka dhe të punëve që secili do të bëjë, nuk është problem në aspektin financiar, në aspektin e parave se paratë janë, por ajo që është problem është mungesa e informacionit dhe mungesa e përgatitjes për t’i thithur ato para.

Dhe e njëjta gjë vlen edhe për atë që lidhet me Bashkimin Europian.

Ne do kemi gjithmonë e më shumë fonde nga BE, por fondet nga BE, lidhen drejtpërdrejte me sa të aftë jemi ne që t’i thithim. Sa të aftë dhe të përgatitur janë sektorët që t’i thithin, sa i aftë dhe i përgatitur është një sipërmarrës që t’i thithë dhe për këtë duhen disa gjëra jo shumë të ngatërruara, por disa gjëra që nuk mund të shmangen, që lidhen me një dosje, e cila duhet të ketë brenda një projekt dhe argumentet që ky projekt vlen dhe që ky projekt duhet financuar.

Ne kemi vënë në dispozicion të bujqësisë 250 milionë euro që mund të shkojnë dhe 1 miliardë në rast se do konsumohen përmes Bankës së Shqipërisë në bankat e nivelit të dytë, ku të gjithë mund të shkojnë dhe të marrin kredi që janë me garanci nga shteti dhe ku normat e interesit janë shumë më të ulëta sesa normat e interesit në bankat e nivelit të dytë kur shkohet jashtë kësaj garancie.

Sa është shfrytëzuar kjo garanci? Shumë pak! Pse? Se ju s’keni nevojë? Jo! Ju keni nevojë, por sepse për ta shfrytëzuar këtë garanci duhet një përgatitje, një përgatitje e një dosje për t’ia drejtuar bankës dhe për t’iu thënë “ja çfarë kam unë plan të bëj, ja pse kjo që unë do bëj sjell fitim dhe ja të gjitha arsyet pse ju duhet të më mbështesni”. Në këtë aspekt ka një mangësi që ende ne nuk po e adresojmë dot si duhet që është pushteti vendor. Nuk di konkretisht Bashkinë e Divjakës, por kryetarët e bashkive dhe bashkive duhet të jenë shumë më aktiv në bashkëpunimin me fermerët, me bujqit për të adresuar këto financime.

Nuk duhet të ketë asnjë problem, nuk duhet të ketë asnjë problem në rast se duhet një komponent agropërpunimi në një zonë bujqësore për financimin. Në rast se duhet një komponent tjetër grumbullimi s’duhet të ketë asnjë problem për financimin. Në rast se duhet një stallë tjetër, në rast se duhet një mekanik tjetër, në rast se duhet një logjistikë tjetër, s’duhet të ketë asnjë problem. Pse? Sepse bashkitë dhe ju mund të krijoni nukle, struktura të përbashkëta, kompani të përbashkëta për të marrë këto financime. Janë aty financimet. Presin! Është shumë e thjeshtë të flasësh nga vendi dhe të thuash prit një herë se duhet të na mbroni. Çfarë do me thënë kjo? Un besoj që shteti ka detyrë t’i qëndrojë pranë fshatit dhe këtij sektori dhe fermerëve dhe bujqve më shumë se të tjerëve për të njëjtat arsye që shteti qëndron pranë edhe në të gjitha vendet e tjera sepse është një sektor që ka atë brishtësinë e vet dhe është një sektor që për të funksionuar si duhet, duhet të mbështetet. Patjetër, nuk diskutohet, këtë nuk e mohon njeri, nuk e diskuton njeri.

Nga ana tjetër, për t’u rritur dhe për tu forcuar dhe për t’u bërë më të mëdhenj, ju duhet të mendoni si të mëdhenj. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që këtu ka shembuj se nuk jemi më 10 vjet përpara që flisnim dhe dukej sikur flisnim në erë. Sot, këtu në këtë territor ka shembuj konkret suksesi. Ka ndërmarrje bujqësore të suksesshme që mjafton t’i shohësh sesi funksionojnë për të kuptuar se çfarë duhet bërë. Nuk funksionon qëndrimi vetëm, nuk funksionon. Po të jesh vetëm dhe të qëndrosh atje me atë ngastrën tënde dhe të luftosh atje me veten mund të shkosh deri në pikën që të mbijetosh, por nuk shkon dot në pikën që të krijosh fitim dhe të rritesh. Po të bashkohesh me tjetrën në krah e me atë tjetrin atje atëherë ndryshon puna dhe këtu nuk flas fare për atë bashkimin si dikur, flasim për bashkimin në interes. Që do të thotë prodhimin secili e bën vet por ama ka një koordinim me te tjerët se çfarë do prodhojmë, si do prodhojmë në mënyrë që kur të shesim të jemi bashkë dhe të kemi volum të madh dhe të bëjmë sukses. Dhe atë volum të madh të mund ta grumbullojmë, ta konservojmë për kohën kur duhet ta nxjerrim në treg, ta përpunojmë. Mos të çojmë më vetëm të gjithë këto produkte të freskëta, t’i marrim siç janë nga fusha t’i çojmë në Europë, por një pjesë të tyre t’i përpunojmë këtu, të prodhojmë, të nxjerrim nënprodukte këtu, të nxjerrim vlerë të shtuar këtu për tregun vendas, edhe për tregun e huaj, siç ndodh me vajin e ullirit, duhet të ndodhë edhe me të tjerat. Dhe këtu natyrisht që duhen financimet dhe financimet janë, nuk kemi arritur ne në pikën që të themi ‘’o bo bo se u ndërtuan shumë  pika agropërpunimi, po mbiprodhohet salcë domatesh shqiptare dhe s’kemi më mundësi që të financojmë më fabrika’’. Nuk kemi arritur në këtë pikë. Kemi një numër qesharak fabrikash që përpunojnë prodhimet tona bujqësore, kjo është e papranueshme dhe në raste se ata që kanë ambicie për tu rritur ekonomikisht më shumë duan të rriten me shpejtësi, duhet të agropërpunojnë, shumë e thjesht. Jo thjesht të prodhojnë atje dhe të jenë në mëshirën ‘’ra shiu, s’ra shiu; erdhi breshëri, s’erdhi breshëri; erdhi uji, s’erdhi uji.’’ Historia e planetit ka ndryshuar.

Po shikoja dje çfarë ka bërë uji në jugun e Italisë. Ishte e tmerrshme. Rënë rrugët, çarë rrugët, çarë kodrat dhe një qytet i tërë atje, tani, janë mbledhur e s’dinë ça t’i bëjnë se po bie. Kjo është historia e ndryshimeve klimatike, etj. Dhe ne nuk bëjmë përjashtim nga kjo. Pavarësisht se ne jemi tipa të çuditshëm; kur e shohim përmbytjen në Itali, e shohim në Greqi, e shohim në Mal të Zi, e shohim në Maqedoni, kudo, na duket diçka që e sjell natyra, kur e shohim këtu, e shohim diçka që e sjell qeveria.

Nga ana tjetër, nuk ia dalim dot me sukses edhe hapjes me Bashkimin Europian. Hapja me BE kërkon që sot të fillojmë përgatitjet për të kuptuar se çfarë ndodh nesër dhe ajo që ndodh nesër është kjo, në rast se nuk plotësohen kriteret e sigurisë ushqimore të BE, ndalon shitja këtu, pra nuk shet do as këtu, jo më të shkosh atje, sepse je pjesë e tregut të BE. Natyrisht qe kjo vjen pas një periudhe 15-vjeçare sepse në rast se ne do na duhen dhe 5 vjet që përfundimisht të jemi brenda BE-së, në rast se çdo gjë shkon mirë deri në 2030, në 2040 fillon kjo. Po 15 kalojnë shumë shpejt. Më pyesni mua edhe Dhimon sa shpejt kalojnë 15 vjet. Ja, këtu jemi. Kështu që mua më vjen mirë dhe nuk e diskutoj fare që edhe nga këto dëgjesa, çfarë kemi ne në dorë, si qeveri, në pikëpamje të buxhetit, të mbështetjes etj, etj dhe përsa i përket infrastrukturës që ka të bëjë më ujitjen, që ka të bëjë me kullimin sidomos, qe ka të bëjë me mbrojtjen, ne do ta bëjmë dhe do vazhdojmë ta bëjmë duke i rritur financimet, por për të bërë kapërcim dhe për tu bërë shumë më tepër të suksesshëm në gjithë këtë territor dhe në Shqipëri dhe për ta pasur suksesin shumë më të shpërndarë sesa vetëm në një numër të caktuar kompanish, duhet që secili të informohet dhe të bëjë gati atë që duhet për të marrë më shumë financim dhe më shumë financim nuk nga buxheti; më shumë financim vjen nga instrumentet e tjerë, vjen nga linja e kredisë e Bankës së Shqipërisë. Enkas për ju është  ajo linjë atje. Vjen nga Banka e Zhvillimit qe ne tani sapo e kemi krijuar, vjen nga AgroKrediti, vjen nga fondet e BE. Të gjitha këto të tjerat duan projekt. Pa projekt thuaj sa të duash, ‘’jo na mbroni, jo kemi nevojë’’. Po s’tregove atje projektin dhe po s’i the; ‘’urdhëro, ky është projekti, këtë dua të bëj unë, kaq më duhet dhe kështu, unë do nxjerr fitim dhe në fund fare dhe këtë interesin e vogël , kështu do ta paguaj’’, s merr dot lekë aty. Dhe ana tjetër është me bashkinë. Bashkë me bashkitë duhet që të gjithë ata që kanë interes, një grup ka interes të bëjë një përpunim, nuk e di, të domateve;  një grup tjetër do të bëjë një përpunim të frutave. Të krijojmë ndërmarrjet e përpunimit ku bashkitë janë thjesht dhe vetëm garantë të financimeve për të marrë këto fonde. Besoj që nuk është e vështirë në rast se fokusohemi tek kjo. Duket e pamundur në rast se presim që çfarë kemi nevojë të na e sjellë ‘’llokum’ shteti nga buxheti. Kjo s’ mund të ndodhë dhe e përsëris; po të mos ishin historitë e suksesit që janë këtu dhe po të mos kishim sot në Shqipëri një numër jo të vogël, po megjithatë jo të madh, për ça, ato që na duhen, kompanish që e bëjnë këtë gjë që po ju them unë, atëherë mund të thoshit ‘’çfarë po na tregon’’. Po janë konkrete rastet. Pjesa tjetër duhet mbështetur duke bashkëpunuar më shumë.

I kam thënë ministrit që ngritja e ndërmarrjeve të vogla dhe pastaj koha do t’i bëjë edhe të mëdha, të agropërpunimit, është një domosdoshmëri. Është strategjike dhe duhet bërë tani, për të krijuar vlerë të shtuar, për të mos pasur asnjë problem me shitjen e prodhimit; jo u shit, jo s’u shit, jo e morën, jo s’e morën, jo e lirë, jo e shtrenjtë. Për të qenë zot të çmimit në çdo kohë dhe për të imponuar tregun në çdo situatë, duke pasur edhe prodhimin e freskët, edhe për frigoriferin për ta ruajtur për ditën kur bëhet më i shtrenjtë, edhe fabrikën për ta përpunuar, në mënyrë që asnjë gram e atij prodhimi të mos shkojë jo dëm, por të  mos shkojë pa marrë ti të gjithë atë vlerë që të duhet ose që ti gjykon  se meriton për atë mundim që ke bërë. Këto kisha unë.

Tani duke iu kërkuar ndjesë që nuk do qëndroj dot, erdha vetëm për t’iu respektuar sepse kemi një takim tjetër me një përfaqësi që vijnë nga jashtë dhe s ‘mund t’i shtynim, besoj që do keni një takim të frytshëm sepse ministri do qëndrojë, ministri i Financave do qëndrojë, që është edhe deputeti juaj, Arditën e keni këtu, Josifi s’ka ku shkon, edhe po të dojë të ikë, s’ka ku ikën.

Ju falënderoj shumë dhe do të vazhdoni diskutimin me ministrin.

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.