Drejt përfundimit skema më e madhe e ujitjes në rajon, në dispozicion të bujqësisë

Skema më e madhe e ujitjes në dispozicion të bujqësisë në rajon ku përfshihet rindërtimi i rezervuarit të Thanës dhe ndërtimi e pastrimi i 44 kilometrave kanale kryesore dhe 167 kilometra kanale dytësore është drejt përfundimit. Kjo vepër do të garantojë ujitjen e çdo parcele prodhuese në zonën e Lushnjës.

Kryeministri Rama ishte në kanalin e Çukës, i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi dhe zëvendësministri i Bujqësisë Dhimo Kote, për të parë nga afër këtë investim me impakt madhor në bujqësi.  “Kjo është një nga veprat më të mëdha që ka projektuar qeveria shqiptare në të gjithë kohërat. Kemi dy sisteme që janë rehabilituar që dalin nga rezervuari i Thanës. Gjithsej janë rreth 44 kilometra kanal parësor dhe 167 kilometra kanale dytësore. Liqeni i Thanës është liqeni më i madh në Ballkan, projektuar nga dora e njeriut dhe ky është sistemi më i madh i projektuar në Shqipëri për shpërndarjen e ujit”, – u shpreh ministri i Bujqësisë.

Kanalet, dikur të mbytur me kallamishte dhe me plehra janë rehabilituar duke i dhënë zgjidhje afatgjatë sistemit ujitës dhe të kullimit për fermerët. “Nuk mund të zhvillohet bujqësia shqiptare nëse ndërtohet një serë, pa infrastrukturën që është ujitja, kullimi dhe unazat bujqësore. Këto janë thelbësore dhe nuk ta them këtë për kompliment, por të them të vërtetën si fermer, pastaj si zëvendësministër, që nëse bujqësia shqiptare ka këtë rezultat, ka sepse u rregullua dhe u bë infrastruktura”, – u shpreh zëvendësministri Kote.

Uji tashmë falë këtij revolucioni në bujqësi shkon në çdo parcelë të çdo fermeri, ç’ka ka sjellë edhe rritje të prodhimeve, eksporteve, por dhe fitimeve për fermerin shqiptar. Këtë investim, Kryeministri e cilësoi si një investim me rëndësi strategjike, pavarësisht se nuk përbën lajm për mediat dhe portalet. “Të shohësh sot sa produkt vendas shkon në treg e nëpër shtëpi në krahasim me produktin e importuar bujqësor është dyfishi. Domethënë, është një gjë për të cilën unë jam realisht krenar, që e kemi bërë. Natyrisht kush nuk e njeh fshatin, ose kush e njeh përmes lajmeve që ja kjo këtu, ja kjo aty, ca njerëz që bërtasin, me të drejtë, mendon që në fshat njerëzit vuajnë për bukë, nuk kanë punë, nuk kanë njeri, janë lënë jetim, ndërkohë që këtu jo prodhohet buka e përditshme e kujtdo që jeton në fshat, por këtu bëhet ekonomi kombëtare, faktikisht”, – u shpreh Kryeministri Rama.

Pavarësisht çdo investimi në bujqësi, për Kryeministrin akoma ka gjëra të cilat duhen bërë apo probleme për të zgjidhur, por është e qartë se krahasimi i para 5 viteve me sot i ngjan pa asnjë mëdyshje krahasimit të natës me ditën. “Ky është revolucioni i dytë në kuptimin e zgjerimit të sasisë së tokës që prodhon. Po të bëjmë një llogari e duhet bërë llogaria për ta vendosur – pavarësisht se thashë, faktet këtu nuk kanë vlerë kur vjen puna për t’i ndarë në publik këta që kanë mediat, – sa tokë punohej para 5 vitesh, sa tokë punohet sot e sa sera kishim para 5 vitesh e sa sera kemi sot, është revolucion”, – nënvizoi Kryeministri.

Teksa foli edhe për financimet në bujqësi, Rama tha se sot jemi të parët në rajon për aftësinë përthithëse të fondeve të vëna në dispozicion nga Bashkimi Europian, duke e cilësuar si një kapërcim epokal periudhën e sotme me disa vite më parë. “Jemi sot të parët në rajon deri tani për thithje të fondeve, falë faktit që dhe me nxitjet tuaja dhe me gjithë përpjekjet, fermerët kanë filluar të kuptojnë se ku është drejtimi. Të kombinuara, buxhet plus aksesin që e kemi garantuar ne, se paratë e Europës kanë qenë aty gjithmonë dhe Europa i ka paratë, por nuk të jep gur të çash kokën po nuk i çove projektin se si do e çash kokën, të dyja bashkë nuk ka të krahasuar financimi i bujqësisë”, – nënvizoi Kryeministri.